Sejmen Gjokoli/ Meksi ose diferenca me opozitën

498
Sigal

Po flitet dendur e në gjithfarë mënyrash këto ditë për megavjedhjen në thesarin e shtetit, vartësisht nga banka kombëtare e vendit. Shigjetat e kritikave por edhe përgjegjësive duket se natyrshëm janë drejtuar tek një emër, tek një njeri i vetëm që ka edhe emër por edhe mbiemër, shkurt Ardian Fullani. Kjo në fillim duket se për shkak të pozicionit që mban në krye të Këshillit Mbikëqyrës dhe njëherazi Guvernator i bankës së Shtetit, por pastaj ka gjasa që qytetarët e dalë në protestë, por jo vetëm këta, ti shtyjë edhe karshillëku që vet zoti guvernator duket se i bën këtij rasti të pa precedent. Dhe më tej akoma jeta e pasuria e tij prej sheiku. Po për tjetër gjë dua të flas në këto rreshta. Ka shumë syresh që lidhur me ngjarjen duan të kryqëzojnë e gati të vendosin në bankën e të akuzuarit, maxhorancën, ose më drejtpërdrejt vetë Edi Ramën si Kryeministër. Gati–gati sa nuk thonë që edhe milionat e munguara i ka nxjerrë nga thesari në mos vet kryeministri, qeveria vetë. Dikush do të shfrytëzojë mbledhjen e vonuar të qeverisë, dikush tjetër që kryeministri nuk e shpalli jo vetëm fajtor, por edhe ti kishte prerë vitet e burgut Fullanit, sikundër paraardhësi bënte rëndom kur bënte edhe policin, edhe prokurorin, edhe gjykatësin. Ndërsa për ngjarjen në fjalë, vet opozita duket se ka zënë shtegun e hera–herës gremis ndonjë fjalë por edhe atë duke e germëzuar. Po, në të gjithë këtë teatër që duket se po lozet dukshëm me plot mizanskena, në sytë e publikut shqiptar dhe jo vetëm, u paraqit një çast që secila palë të tregonte veten. E kam fjalën për mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e mbledhur enkas për vjedhjen e madhe. Unë nuk di shumë gjëra rreth përbërjes së këtij këshilli, jam i sigurt se si unë edhe shumë të tjerë, por një gjë besoj të gjithë e dinë e u kujtohet, gjithsesi. Ermelinda Meksi, si anëtare e këtij këshilli, ju desh të linte mandatin e deputetit të Partisë Socialistë e prej andej të fitonte një pozicion të tillë me votat e parlamentit, asokohe me maxhorancë të djathtë. Pikërisht kjo anëtare, çuditërisht e vetme, ju desh të përballej ballë për ballë me fenomenin Fullan duke i kërkuar të mbajë përgjegjësi, madje të tërhiqej nga pozicioni tepër kontradiktor, edhe në krye të Bankës edhe të Këshillit Mbikëqyrës. (Edhe Ali edhe Kadi). Rreth kësaj mbledhje siç po duket nuk ka shumë informacion, por një gjë të gjitha mediat e përcollën, përballjen e Meksit me Fullanin. Në fund të fundit, si do që të ketë ndodhur, qëndrimi i zonjës Meksi shkon dukshëm në linjë me atë që kërkojnë qytetarët në protesta por edhe opinioni i gjithë që pret çdo të ndodhë. Askush se mohon dot përkatësinë politike të Ermelinda Meksit, por as mandatin përfaqësues të saj, dje i opozitës, sot i maxhorancës qeverisëse. Po opozita e sotme dhe maxhoranca e para një viti ku i ka përfaqësuesit e saj ?! A nuk ishte rasti për të treguar ndarjen qartazi nga kjo megavjedhje dhe ky menaxhim skandaloz i thesarit të shtetit, mundit dhe djersës së popullit ?! Sheshi dhe mejdani u paraqitën; maxhoranca me përfaqësuesin e vet u duk ballëpërballë, opozita u zhduk për të dalë në pritë.  Edhe këtë radhë maxhoranca e bëri diferencën, të tjerat duhet ti bëjë drejtësia para së cilës ndodhet një tjetër provë e madhe.