Dr. Zekri Palushi: Dr. Ndue Cara, një njeri human, dhe personalitet mjekësor tepër i nderuar, ndahet nga jeta

24
Sigal

Kam rreth 30 vite që jetoj larg Shqipnisë, dhe larg Pukës, e pukjanëve, por kurrë s’më dalin nga zemra, memorja dhe respekti per ata njerëz të mirë, bujar, e të ndershëm, që do t’i përgjithësoja me emrin e Ndue Carës. Ai ishte një mjek shumë i aftë, i pa-përtuar, energjik, dhe tepër pozitiv, donte, dhe dinte ti jepte ndihmë e shpresë gjithkujt, edhe kur mundësitë për të ndihmuar, dhe shpresat ishin shumë të vogla, apo mungonin fare.

Dr. Zekri Palushi, Australi

Kishte muaj që miku im i nderuar, Ndue Cara, nuk u përgjigjej teksteve të mia në WhatsApp! Kjo pat filluar të më shqetësojë disi, megjithatë, mendimi që Ai punonte në zonën e Fierzës, ku shpesh nuk kishte valë telefonike, si dhe një tekst i gruas së Tij sojnike, Marte Carës, dërguar me 21 Prill, 2025, me të cilin na uronte Pashkët, më jepnin një qetësi shpirtërore; -një qetësi që vazhdoj deri sot, me datën 20 Qershor, kur këtu në Australinë e largët,- (nëpërmjet medias sociale), mësova lajmin tepër dëshpërues, të ndarjes së Tij nga jeta!

Kam rreth 30 vite që jetoj larg Shqipnisë, dhe larg Pukës, e pukjanëve, por kurrë s’më dalin nga zemra, memorja dhe rrespekti per ata njerëz të mirë, bujar, e të ndershëm, që do t’i përgjithësoja me emrin e Ndue Carës.

Megjithatë, ky njeri-doktorr pati virtyte, dhe karakteristika tepër të veçanta, që ndoshta dilnin edhe mbi nivelin e mirësisë së përgjithshme të popullsisë pukjane.

Ai ishte një mjek shumë i aftë, i papërtuar, energjik, dhe tepër pozitiv, -donte, dhe dinte ti  jepte ndihmë e shpresë gjithkuj, edhe kur mundësitë për të ndihmuar, dhe shpresat ishin shumë të vogëla, apo mungonin fare.

Nuk besoj se sot mund të gjendet një njeri i vetëm në rrethin e Pukës, që ka kërkuar ndihmën e Ndue Carës, dhe nuk e ka marrë atë.

Më duhet të them se një nga ata ndihmë-kërkuesit, dhe ndoshta edhe më i vështiri, kam qenë unë. Ndihma që unë i kërkoja në atë kohë, ishte pothuajse utopike. Punoja si ndihmës-mjek, -fillimisht në Gjegjan të Pukës, e më vonë edhe në Tuç, e Fushë-Arrëz, -por kushtet biografike, që ndiqeshin me rigorozitet, dhe Lufta e Klasave, zhvilloheshin pa mëshirë në atë vend të bekuar nga Zoti, që rregjimi komunist, jo vetëm e varfëroj në palcë, por edhe shkatërroj në të gjitha drejtimet, shkatërroj shumë jetë njerëzish, dhe shuajti shumë ëndrra rinore.

Si unë kishte shumë në rrethin e Pukës, që s’arritën të shkolloheshin, sidomos në universitete.

Ishte pikërisht Ndue Cara, Shefi i Shëndetësisë së rrethit në atë kohë, që megjithse punonte në burokracinë komuniste, dhe e dinte mirë biografinë time, filloj të më japë disa rreze shprese, në fillim më dërgoj për një specializim për radiografitë, më vonë, sajoj një specializim tjetër për radioskopi, e kështu,-në vitin 1980, pas 8 vjet-përpjekjesh, arriti të sfidojë ligjet e sistemit, dhe unë përfundova në Fakultetin e Mjekësisë.

Shumë të tjerë, si unë në rrethin e Pukës, në sukseset e tyre të arritura, gjënden gjurmët e Ndue Carës, e një ndër to, asht edhe gruja ime Tina. Edhe kjo ishte një nxënëse e shkëlqyer, me një biografi të keqe, -por falë Ndue Carës, arriti të studjojë për infermjere në Pukë.

Dr. Ndue Cara, nuk mund të ishte ndryshe, -Ai ishte djali i Zef Carës, një burrë fisnik nga Gjegjani i Pukës, që në shtëpinë e tij nuk mungonte kurrë burrnia, besa, nderi, dhe fjala “bujrëm, e mirë-se-ju-ka pru Zoti”, edhe kur ndoshta aty s’kishte mjaft bukë për pjestarët e familjes, por, për miq, shokë, e mysafir (të njohur e të panjohur), kishte gjithmonë, dhe me “bollëk”.

Sigurisht që edhe jeta e vetë Ndue Carës, ka qenë mjaft e vështirë, por me ikjen e parakohëshme, aksidentale e vëllait të tij, Nikollës, nuk krahasohet kurgja. Ajo ishte dramatike, dhe i kishte shkaktue mjaft  dhimbje të forta. Ai e donte shumë, dhe që nga ajo ditë fat-zezë, dhimbjet për të vëllain nuk u shuan kurrë.

Një rrugë 77 vjeçare, si ajo e Ndue Carës, për standartet e sotshme nuk asht shumë e gjatë, dhe këtë ndoshta Ndoja e dinte dhe e ndjente edhe vetë. Këtë e dëshmojnë edhe aktivitetet e Tij të shumta, socialo-mjekësore, që si pushoi asnjëherë. Ai ishte gjithmonë në nxitim, donte t’i kryente të gjitha punët, a thue se s’kishte të nesërme, sikur ta dinte se nuk do të jetonte gjatë. Imagjinoni, kush do të ishte një tjetër në moshën e Tij, dhe me problemet e përditshme që i jepte shtylla kurrizore, të kishte vullnet për të punuar si mjek pa orarë, dhe me kushte mjaft të vështira, në Fierzë, ndërkohë që shtëpinë, dhe rehatinë e kishte në Pukë, aty ku pukjanët, vite më parë e kishin zgjedhur edhe Kryetar Bashkie, një detyrë që e kishte krye me përkushtim e nderë të madh, si asnjë tjetër, jo vetëm në rrethin e Pukës, por edhe në të gjithë Shqipërinë.

Për Ndue Carën, mund të flitet shumë, dhe gjithkush ka kujtime për këtë njeri fisnik, intelektual, zemër-madh, e zemër-mirë, që s’diti kurrë të krijojë armiq, edhe  kur ishte koha e “armiqve”, dhe “armiqtë” ishin me bollëk.

Dhe jam i bindur se shumëkush, sot ma shumë se kurrë, ashtu si dhe unë, ndjehen moralisht borxhli ndaj Ndue Carës, prandaj, sot, në ditë-ikjen e Tij, me një dhimbje të thellë në shpirt, e në zemër, të bashkohemi, dhe në heshtje, e me shumë rrespekt, t’i japim lamtumirën e fundit, këtij njeriu të mirë, këtij doktorri të përkushtuar, e këtij ish-kryebashkjaku të ndershëm, dhe një herësh, t’i përcjellim ngushëllimet tona të përbashkëta, gruas së Tij-burrneshë, Marte Carës, fëmijëve të Tij të mrekullueshëm, si dhe të gjithë gjegjanakëve, që ai i deshti, dhe e deshtën aq shumë, e sigurisht që këto ngushëllime shkojnë edhe për vëllain e Tij, Fran Carën, motrën e Tij, shokët e miqtë e Tij, dhe për të gjithë rrethin e Pukës.

Lamtumirë Ndue Cara!