Dr. Ndriçim Mehmeti/ Vlerësuesit e pavlerësuar të Maturës Shtetërore

573
Sigal

Në daljet e “rrallë e për mall”, të kryetares së Komitetit të Maturës Shtetërore, nuk u la gjë pa shpjeguar e pa u pështjelluar: Si do të bëhej ky provim apo ai provim, çfarë kujdesi do të kishin, si kishin dalë provimet etj.. Vetëm se pas datës 18 qershor u harruan nja dy gjëra të vogla, por shumë me rëndësi: Vlerësuesit (ose siç thuhet ndryshe korrigjuesit e provimeve) dhe shpërblimi i tyre. Edhe këtë vit me shpresë të madhe, një pjesë e mësuesve, iu përgjigjen thirrjes për të marrë pjesë në vlerësimin e testeve me besimin se do të merrnin edhe lekët e vjetshme. Një pjesë, padyshim, erdhi me shpresën e humbur që jo vetëm lekët e vjetshme, por as të sivjetshme nuk do t’i merrnin.

Cila është historia e punës së papaguar të vlerësuesve?

Në Maturën Shtetërore 2013, pas përfundimit të procesit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ishte e bindur se kishte dërguar fondin në Agjencinë Kombëtare të Provimeve dhe kjo e fundit duhet të bënte pagesën për vlerësimin si dhe hartuesit e bankës së pyetjeve. Por, ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Provimeve deklaronte se nuk i kishte fondet për të kryer këtë pagesë, duke marrë parasysh edhe borxhet e mbetura nga një vit më parë. Nuk kam asnjë shifër të saktë për të dhënë, por të paktën sipas shtypit të atëhershëm, bëhej fjalë për 4-6 milion lekë të vjetra. Nëse llogarisim lëndët me zgjedhje dhe ato të detyruara, duke marrë në konsideratë që janë 3- 4 hartues pyetjesh dhe po të shumëzosh me vlerën 300 lekë të reja, hesapi del vetë. Po ashtu një vlerësues që paguhet me shifrën 100 lekë të reja për test, shumëzim për numrin e testeve të korrigjuara, edhe në këtë rast llogaria del vetë. Po aq, rezultonte se përzgjedhësit përfundimtarë të Provimeve të detyruara dhe me zgjedhje (PTP, kështu quheshin mësuesit apo specialistë të lëndëve të ndryshme, të cilët hartonin testin përfundimtar), ishin të papaguar prej 2013-s. Për shkak të mos pagimit të këtyre të fundit, e kishim shumë të vështirë që të thërriteshin, mësuesit për procesin e hartimit të pyetjeve, duke shtuar këtu edhe faktin e kushteve jo shumë komode, në të cilat ata punonin për të realizuar këtë proces.

Gjatë diskutimeve të para të Komitetit të Maturës Shtetërore 2014, në tetor të vitit të kaluar, unë e ngrita këtë çështje, pasi ishte vërtet e pafalshme që mësuesit, të cilët, punonin në kushtet e një të nxehti të jashtëzakonshëm, nuk merrnin shpërblimin që shteti jo vetëm ua kishte premtuar, por edhe kishte nënshkruar marrëveshjen me ta. Por kontrata ishte sa për të kaluar radhën, se dihej fare mirë që mësuesit nuk do të ankoheshin asnjëherë ndaj shtetit, prej frikës së vendit të punës. Në tetor të vitit 2013, kryetarja e Komitetit të MSH-së 2014, premtoi me shumë pompozitet se lekët do të merreshin shumë shpejt. Madje, ky premtim u dha solemnisht në emisionin investigativ “Fiks Fare” nga znj. Malaj, kur problemi ishte përcjellë në media të ndryshme. Mësuesit me siguri do të jenë lumturuar nga këto deklarata, të cilat, u fashitën menjëherë, pasi muajt kalonin dhe në llogaritë e tyre, nuk po shtohej asnjë lek. Erdhi Matura Shtetërore 2014 dhe përsëri, nisur nga premtimet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Provimeve premtoi se do t’i paguante vlerësuesit këtë vit. Sigurisht që nuk është detyra e këtij institucioni të marrë përsipër pagesën e prapambetur, nga vitet e kaluara dhe as të përgjigjet pse nuk janë paguar deri më sot, hartuesit dhe vlerësuesit e testeve të MSH 2014. Komiteti i Maturës Shtetërore, nuk dha asnjë shpjegim për këtë anomali të pashembullt. Mësuesit u lanë në harresë, askush nuk morri përsipër, t’u thoshte pse nuk janë paguar, duke ia lënë barrën atyre që nuk e kanë për detyrë që t’i përgjigjen këtij detyrimi: Institucioneve të varësisë. Tani që po vjen fundi i muajit korrik është e sigurt, se kjo punë është harruar. Mësuesit shkuan kokulur me pushime, gjithnjë e më modestë, pasi lekët e premtuara edhe për këtë vit u harruan.

Pse u harrua pagesa për hartuesit dhe vlerësuesit e testeve

Kur u dha premtimi për pagesën që në muajin tetor 2013, për paratë e prapambetura, unë besova se kjo do të ndodhte me të vërtetë. Një shenjë mirëbesimi ishte lëvrimi në 56 % e pagesës së mësuesve që kishin hartuar programet e kualifikimit të mësuesve, në Institutin e Zhvillimit të Arsimit (IZhA). Në fakt edhe ky institucion nuk arriti të shlyejë në 100% pagesën e këtyre programeve, po kjo është një histori më vete. Po ashtu u mbusha besim plotë për pagesën e gjithë mësuesve që morën pjesë në hartimin dhe vlerësimin e testeve, pas premtimit të bujshëm të Kryeministrit dhe ministrave që bënin paradë në televizione, se të gjitha borxhet e mbartura nga qeveria e mëparshme do të paguheshin. Po ashtu isha i sigurt se Kryeministri dhe Ministrja e Arsimit, do të mendonin se nuk ka borxh më të madh moral, se mospagesa e atyre që e bëjnë një komb më të kulturuar, më të ndritur e më të përparuar dhe këta janë  mësuesit. Por, në fakt kjo nuk ndodhi dhe ky është zhgënjimi më i madh.

Kryeministri i thirri mësuesit në festën e tyre, nuk la më temë pa hapur në bisedat me ta, nga parajsa ekonomike që pritej të vinte në vendit tonë, e deri tek larja e hesapeve mes bandave rivale, e më pas si do të vihej rendi e qetësia nga shteti pas kësaj faze etj.. Por nuk arriti të gërmëzojë asnjë gjë për larjen e borxheve të grumbulluara, natyrisht, jo të gjitha për faj të tij. Po kështu mendova se paret e prapambetura dhe ato të këtij viti për këtë kategori mësuesish, do të ishin një thërrime përpara super realizimeve të taksave të mbledhura nga suksesi i administratës tatimore dhe të ardhurave që sipas buletineve të përjavshme kapnin miliarda nga doganat shqiptare. Po duket se mësuesit, këta shërbëtorë të përvuajtur të shtetit u dhunuan edhe njëherë pa asnjë lloj ndjese e keqardhje. Ata u gënjyen me një pafytyrësi të pashpjegueshme, pa u dhënë asnjë shpresë, se djersa e tyre do të shpërblehet një ditë. Kur nuk u mjaftuan me këto mashtrime, më i fundit dhe lajmi më i sigurt është: Ka deklaruar kryetarja e Maturës Shtetërore 2014, se në shtator do të merren lekët. Se cilat lekë do të merren nuk dihen dhe sa do të merren, po diçka do të merret. Me këtë gënjeshtër të bukur, do të kalojnë edhe ca muaj mësuesit, e më pas me kismet Zotit, mbase në Bajramin tjetër apo Krishtlindje qeveria e madhe do të vërë dorën në zemër dhe të paguajë ata, për të cilët betohet se do t’ua bëjë jetën gjithnjë e më të mirë.

A është vërtetë shteti në vështirësi financiare për kryerjen e pagesave

Në këtë pikë e kam të vështirë të bëj një përllogaritje të saktë apo një analizë ekonomike. Edhe po të mundja, deklarimet për rritje gjithnjë e më të madhe të ekonomisë. Nuk është ky qëllimi. Është e sigurt që këto para, të cilat janë në shuma modeste, krahasuar me buxhetin e MAS, nuk është se nuk janë llogaritur më parë. Aq më tepër që është shumë djallëzore, tendenca më e fundit, që i gjithë faji t’i ngarkohet AKP-së, për këtë problem. Agjencia Kombëtare e Provimeve, financohet nga shteti, pra, nga MAS. Ajo nuk është një agjenci vetëfinancuese dhe për rrjedhojë, nuk është detyrimi i saj të përgjigjet, pa pasur fondet e mjaftueshme. Është detyra e MAS të merren masat, për menaxhimin e kësaj situate. MAS, kishte kohën e mjaftueshme për të shlyer detyrimet e prapambetura, duke hartuar një planifikim paraprak, për këtë qëllim. Kjo edhe mund të jetë bërë, por po të marrim në konsideratë harxhimet, festa dhe spektaklet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, do të ishte më mirë të paguheshin vlerësuesit e testeve më parë. Po ashtu në bilancin e 300 ditëve, do të ishte sukses i madh nëse, znj. Nikolla, do të dilte e të deklaronte se jo vetëm i kishte paguar mësuesit për vlerësimin këtë vit, por edhe kishte shlyer borxhin e prapambetur të qeverisë së mëparshme. Por kjo gjë nuk ndodhi.

Shkolla komunitare, reforma e paparë e arsimit të lartë, raporti paraprak i arsimit parauniversitar, matura e përsosur, (që do të shkatërrohet nga që u përsos aq shumë në 2014-ën, saqë do ta zhbëjnë në vitin 2015) e shumë arritje të lumtura, mbuluan të vërteta të dhimbshme. Një ndër to është edhe puna e papaguar e vlerësuesve. Natyrisht, që kjo nuk është e vetmja e vërtetë e dhimbshme. Në këto ditë, të tjera lajme iu shtuan problemit që parashtrojmë. Mësuesve iu shtua mosha e daljes në pension, nuk dihet nëse do t’u shtohet rroga apo jo, ashtu sikurse nuk dihet nëse do t’u jepet rroga e trembëdhjetë e premtuar nga qeveria. Ndokush që do ta lexojë këtë shkrim, do të mendojë se këtu ka edhe pak interes personal. Edhe sikur të jetë kështu, a është e vërtetë, kjo që po shkruaj, ose jo? Kjo besoj se ka më shumë rëndësi se çdo hamendësim. Do të isha shumë i lumtur nëse do të përgënjeshtrohesha që nesër, ose që në muajin e ardhshëm apo në shtator mësuesit të marrin lekët që u takojnë nga puna e tyre. Nuk ka asnjë mëdyshje, që edhe drejtuesit e mëparshëm të Ministrisë së Arsimit, duhet të kishin shlyer detyrimet e veta ndaj mësuesve, pa asnjë zvarritje. Por këtu kemi të bëjmë me një marrëdhënie kontraktuale me institucionet e shtetit dhe ky i fundit, duhet të marrë të gjitha përgjegjësitë e veta. Vetëm akuzat ndaj atyre që ikën, nuk i mbushin dot llogaritë e mësuesve dhe as janë justifikim për premtimin e pambajtur. Le të shpresojmë se në vazhdim, ky detyrim do të përmbushet plotësisht, jo duke dhënë ca lekë sa për të mbyllur gojën, po duke kryer pagesën e plotë që Ministria e Arsimit u detyrohet në dy vjet. Kjo do shërbejë në kthimin e besimit të humbur se pagesa e ligjshme për punën e bërë, nuk do të jepet asnjëherë.