Mitro ÇELA/ Banka Kombëtare Tregtare u shit 1 dollar

860
Sigal

 “Fati” e desh të “kullos” në arshivat e TVSH-së. Në vitin 2002 “gjuajta” emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, ku i ftuar ishte Kryeministri Pandeli Majko. Brënda emisionit, nga shtëpia foli edhe ish Kryeministri Aleksandër Meksi. Pas disa replikave, Meksi bëri një pyetje: -Sa dollarë u privatizua Banka Kombëtare Tregtare? Përgjigja erdhi e mjergulluar… Biseda edhe pse e “vjetër”, më vuri në lëvizje “mullirin” e mendjes. Një telefonatë dhe ballëpërballë me Meksin.

Unë:- Të kujtohet biseda në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës? Ai:- Sigurisht, unë pyeta,  nuk mora përgjigje, por unë e dija që Banka Kombëtare Tregtare ishte privatizuar me një dollar. Një paradoks! Vetëm ndërtesa e BKT-së, në krah të Kishës Katolike, kushton të paktën 3- 4 milionë dollarë. Unë:- Privatizimi i bankës është bërë që në vitin 1999. Pse u ruajt “sekreti” për tre vjet me radhë? Ai:- Në atë vit opozita kishte bojkotuar parlametin. Pikërisht në këtë kohë ka kaluar në Kuvendin e Shqipërisë ligji për privatizimin e Bankës Kombëtare Tregtare. Për fat të keq, edhe pas pyetjes që i bëra zotit Majko, askush nuk investigoi për të gjetur të vërtetën dhe e vërteta mund të gjendet pa shumë vështirësi, sepse asnjë ministër nuk do të guxonte të mbyllte në “arshivë” dokumentat e privatizimit të një banke. Pa folur që kemi edhe një marrëveshje për privatizimin e bankës, që është miratuar në parlament. Mjafton të kesh dëshirë dhe marrëveshjen e gjen të botuar në “gazetën zyrtyare” të botuar në qërshor të vitit 2000. Duke ndjekur këshillën e Meksit, nisa të shfletoj gazetën zyrtare. Më 8 qershor të vitit 2000, në Kuvendin e Shqipërisë është miratuar një marrëveshje për blerjen e aksioneve të BKT mes Republikës së Shqipërisë, BERZH-it, Korporatës Finaciare Ndërkombëtare dhe Kent Bank A.S (Bankë turke). Marrëveshja është e gjerë. Të gjitha detajet përfshihen në rreth 50 faqe. Në faqen 21, seksioni 3.02. Çmimi i Blerjes: Kompesimi në total për shitjen e Aksioneve të Shitjes Blerësve do të jetë shuma prej 1 US$ ( një Dollar) i pagueshëm me para në dorë në Transferim. Nga ajo ditë me “bereqet” për ndonjë meritokrat, kanë kaluar rreth 14 vjet. Kanë hipur dhe rënë nga fiku një takëm me kryeministra, socialistë dhe demokratë. Për “fat” askujt nuk i është futur gjëmb në këmbë. Bile as BERZH-it, që i paçim uratën, u lodh duke bërë seminare si të luftohet korrupsionin! Pardon, se për pak na doli nga trutë. Pas një viti Kent Bank A.S. falimentoi, aksionet e saj i bleu një tjetër bankë turke!