Dr. Marash NDOKA*/Kuvendi i Lezhës, ngjarje e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar

673
Sigal

Kuvendi i Lezhës u mbajt në datat 1 e 2 Mars të vitit 1444, në Katedralen e Shënkollit. Iniciativën për mbledhjen e këtij Kuvendi e mori Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Pasi erdhi nga Turqia dhe çliroi principatën e Gjon Kastriotit, babait të tij, ai e dinte më mirë se kushdo tjetër, mbasi kishte qenë ushtarak i lartë në ushtrinë turke, se nuk mund ta përballonte këtë ushtri me forcat e Principatës së Kastriotëve. Prandaj thirri Kuvendin e Lezhës për të bërë bashkimin e princave shqiptarë kundra rrezikut turk. Në atë kohë Turqia kishte grumbulluar forca të mëdha në Azinë e Vogël dhe pasi kishte pushtuar disa vende të Ballkanit, kishte për qëllim që të pushtonte Shqipërinë e të hidhej në Europë. Këtë moment historik Skënderbeu ua shpjegoi mirë princave shqiptarë dhe e shfrytëzoi për t’i bashkuar ata. Duhet theksuar se princat shqiptarë kishin luftuar dhe vazhdonin të luftonin të shkëputur kundër Turqisë që në shekullin e 14-të. Shquheshin në këtë luftë Principata e Balshajve, ajo e Topiajve, Dukagjinët, Muzakajt, Kastriotët, etj. Kuvendi i Lezhës bëri të mundur që e gjithë fuqia ushtarake, politike, ekonomike e feudalëve shqiptarë të bashkohej në një dorë nën komandën e Skënderbeut. Në Lezhë, Skënderbeu u zgjodh Kapiten i Përgjithshëm, aty u caktua ushtria e përhershme dhe arka e shtetit, të cilat siguroheshin nga kontributi i princave shqiptarë. Në këtë mënyrë u bë bashkimi dhe u hodhën bazat për krijimin e shtetit të parë shqiptar. Përse u mblodh ky Kuvend në Lezhë? Së pari, Lezha ishte një qytet i përshtatshëm për kuvendin, i ndërtuar dhe zhvilluar në breg të Lumit Drin, përballë kalasë, vend tranzit që përshkohej nga rrugë të ndryshme që lidhnin Lezhën me Kosovën e qytete të tjera shqiptare dhe qytetet e huaja bregdetare. Lezha, siç thotë Barleti, ishte e fortifikuar dhe e ruajtur mirë për çdo rast, së dyti, Lezha ishte e pushtuar nga Venediku. Skenderbeu u mor vesh me venedikasit duke ju treguar atyre se nuk donte të bënte luftë kundër tyre, pra ai nuk donte të hapte luftë në dy fronte. Ky ishte një veprim shumë i mençur diplomatik i tij. Së treti, Skënderbeu në Lezhë erdhi si partner, ai ishte trashëgimtar i një principate që nuk ishte më e madhja, përkundrazi. Pra në qoftë se do ta bënte Kuvendin në kryeqendrën e tij në Krujë, a do t’i vinin princat feudalë? Së katërti, siç cilëson Marin Barleti, ndoshta ai e bëri Kuvendin në Lezhë për hatër të Dukagjinëve mbasi siç dihet, Lezha deri në fund të shekullit 14-të, ka qenë qytet i tyre dhe qendër e Dukagjinëve. Ata pretendonin ta merrnin atë përsëri. Kështu pra, duke e bërë kuvendin në një qytet asnjanës, ai siguroi një pjesëmarrje të madhe. Këtu erdhën që nga Araniti i Kaninës e deri tek Pal e Nikollë Dukagjini, që ishin sundimtarët e principatës më të madhe të kohës e që shtrihej nga lumi Drin deri në kufi me Serbinë. Territori që u krijua nën drejtimin e Skënderbeut ishte më i madh se Shqipëria e sotme. Besëlidhja e Lezhës ishte vendimtare për bashkimin e princave shqiptarë dhe fitoret e Skënderbeut sidomos në vitet e para të krijimit të saj. Kjo bëri të mundur që shqiptarët të luftojnë e të fitojnë për 25 vjet me radhë kundër Perandorisë Turke që po rritej e po fuqizohej. Skënderbeu ka luftuar kundër 2 sulltanëve më të mëdhenj të Turqisë si Sulltan Murati II dhe i biri i tij Mehmeti II. Ai luftoi brenda e jashtë vendit, ka zhvilluar 25 beteja të mëdha nga të cilat 23 i ka fituar dhe vetëm 2 ka humbur, Stefigradin dhe Beratin. Duhet theksuar se edhe këto dy beteja Skënderbeu i ka humbur nga tradhtia e brendshme dhe jo në ndeshjen direkt me turqit. Pra, ai nuk ka humbur asnjëherë luftë frontale kundra turqve. Skënderbeu i mbajti më gjatë se askush tjetër të bashkuar feudalët e pabindur mesjetarë falë aftësive të tij ushtarake e politike. Si rrjedhojë e politikës që bënte, ai kishte tendencën t’i joshte me grada, ofiqe e pasuri këta feudalë. Vetëm në raste të veçanta, i goditi me forcë feudalët kundërshtarë, madje as tradhtarë të tillë si Moisi Golemi apo kështjellarët që dorëzuan Stefigradin nuk i vrau, por pasi u përbetuan, i fali dhe ata i qëndruan besnikë deri në vdekje. Ndoshta ky ishte tipar unikal i Skënderbeut dhe një nga shkaqet që i dha mundësi të qeveriste gjatë. Mbas vitit 1450, rrethimit të parë të Krujës, Skënderbeu e kuptoi se duhej forcuar pushteti politik e ushtarak i tij sepse disa feudalë shfaqën tendenca separatiste. Ai e forcoi pushtetin e tij me të gjitha mundësitë që pati duke e shtrirë nga Velipoja e Semani në bregdet e deri në thellësitë e tokave shqiptare që shtrihen në Kosovën e Maqedoninë e sotme. Por duhet theksuar se me gjithë këto masa që mori, Kuvendi i Lezhës, besëlidhja që u bë në të, detyrimet që rrjedhin prej saj, ishin faktori më i rëndësishëm për mbajtjen e bashkuar të princave shqiptarë. Për rëndësinë e Kuvendit të Lezhës flet veç të tjerash, edhe fakti që pas 25 vjet lufte dhe fitore, Skënderbeu erdhi përsëri në Lezhë për të bërë një kuvend të dytë. Mbasi i shteruan shumë forcat njerëzore dhe ekonomike, ai kishte nevojë tu bënte thirrje princave shqiptarë që të ribashkoheshin, të rrisin kontributin ushtarak dhe ekonomik për t’i bërë ballë forcës së madhe ushtarake turke. Po kështu 30 vjet mbas vdekjes së tij, djali i Skënderbeut, Gjoni erdhi dhe u vendos në Ishull të Lezhës, qëndroi rreth 7 vjet me forcat e tij me qëllim për të bashkuar princat shqiptarë si në kohën e babait të tij. Me këto që thamë më sipër del në pah se Kuvendi i Lezhës mbeti një ngjarje nga më të mëdhatë në historinë e kombit shqiptar. Epoka e Skënderbeut, që zë fill në Kuvendin e Lezhës ka mbetur epoka më e lavdishme e kombit shqiptar, burim frymëzimi për luftërat e mëtejshme që janë zhvilluar në Shqipëri. Ai me luftën e tij, jo vetëm çliroi gjithë territorin shqiptar nga pushtimi turk dhe e mbajti të tillë, por për 25 vjet me radhë gozhdoi forcën e madhe ushtarake osmane që kishte për qëllim të hidhej në Europë, duke dhënë kështu edhe një kontribut të çmuar në mbrojtjen e Europës nga pushtimi turk. Sa më shumë kohë të kalojnë, vlera e luftërave çlirimtare mbrojtëse të Epokës së Skënderbeut dhe figura e tij jo vetëm nuk harrohen, por rriten e glorifikohen çdo ditë. Për Skënderbeun janë shkruar e shkruhen qindra libra, ligjërata e vepra të tjera arti nga shqiptarë e të huaj. Atij i janë kushtuar përmendore e buste të vendosura jo vetëm në qytetet amtare por edhe në shumë vende të Europës e më gjerë si në Romë, Bruksel, Londër, etj., madje kohët e fundit përmendorja e Skënderbeut ka “fluturuar” deri në Miçigan të SHBA-ve. Për ne lezhjanët është një nder dhe obligim i madh që në qytetin tonë kemi Kishën e Shënkollit dhe Memorialin e Skënderbeut ku është zhvilluar Kuvendi i Lezhës dhe pushojnë eshtrat e të madhit Skënderbe. Kjo na vë detyrë që jo vetëm t’i ruajmë e t’i mirëmbajmë ato por të hulumtojmë çdo ditë për ta pasuruar e pasqyruar këtë histori të lavdishme.

* Ish- Drejtor i Memorialit Historik të Skënderbeut, Lezhë