Berisha:Pas 23 Qershorit me ministra të rinj

481
Sigal

Pas 23 Qershorit, nëse fiton mandatin, Kryeministri do të ndërrojë 70 për qind të kabinetit. Ikin Mediu, e Panariti, mbeten jashtë Bregu, Imami, Ksera e Noka. Olldashi e Tafaj nuk lëvizin 

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha ka paralajmëruar tërmet në kabinetin e ri, nëse koalicioni i tanishëm fiton zgjedhjet. Në analizën e fundit të stafit kryeministror ka rezultuar se, LSI do të jetë faktori kryesor, në peshoren e zgjedhjeve të 23 Qershorit, e cila mund të vendosë fatin e maxhorancës. Për këtë arsye, Berisha i ka propozuar Metës dy alternativa qeverisjeje, ku secili prej tyre të marrë postin kryeministror për dy vjet, në mënyrë që përgjegjësia të alternohet gjysmë për gjysmë. Nga ana tjetër, akoma nuk janë mbyllur plotësisht tratativat e Berishës me Topin. Sepse rikthimi i Eduard Selamit, nënkupton një hap afrimi të këtyre dy partive të së njëjtës rrënjë, kur dihet se Selami me Topin kanë një ndikim të madh tek njëri-tjetri. Prandaj, koalicioni pritet të jetë tepër i gjerë, por rezultati do të pritet në ditët vijuese. Kjo është edhe arsyeja që PD ka planifikuar të lëshojë më shumë poste ministrore, në adresë të aleatëve, ku të paktën tre të tilla kërkon vetëm LSI. Pavarësisht, nga kjo, Berisha do t’u lërë aleatëve 5-6 ministri, për të realizuar gjithëpërfshirjen dhe ndarjen e përgjegjësive të vendimmarrjes, ku edhe ambiciet e PDIU-s janë konkrete. Për realizimin e këtyre ambicieve ekziston mundësia e një kompromisi të LSI-së me PDIU-n, ku Meta ta ndihmojë Idrizin, në Vlorë e Durrës, ku ky i fundit parashikon edhe numrin më të madh të votave për partinë e tij. Ndërsa Idrizi do mbështesë LSI-në, në Elbasan dhe Tiranë, ku Meta shpreson marrjen e dy-tre deputetëve. Nga ana tjetër, në bazë të ligjit elektoral, Mediu mbetet jashtë Parlamentit, për faktin se të gjitha mandatet e tjera të këtij koalicioni i përfiton, partia e dytë, pra, LSI-ja, e cila mund të përforcohet shumë nga kjo rrethanë. Por alternativat e bashkëpunimit midis aleatëve të tjerë, brenda koalicionit, më tej do të orientohen për caktimin e zv.ministrave, apo drejtorëve të drejtorive.

 “Tërmet” në qeveri

Në rast fitoreje, Berisha do të ndërrojë shumicën e formacionit ministror. Kjo do të ndodhë pavarësisht, nga fakti, se me këtë formacion mund të flirtojë zgjedhjet, por dobësitë e shfaqura në këto katër vjet nënkuptojnë një emergjencë për ndryshimin. Kështu, dështimi i Shqipërisë në integrimin europian, nënkupton largimi e menjëhershëm të Ministres së Integrimit, e cila do të zëvendësohet në këtë post, nga ish- kryetari i PD-së, Eduart Selami. Nga ana tjetër, Eduard Halimi do të ikë nga Ministria e Drejtësisë, pas rezultateve të dobëta në reformat e kësaj fushe, por sidoqoftë, ai është në vëmendjen e kryeministrit dhe do të emërohet në një pot tjetër të lartë. Nga Ministria e Mbrojtjes, ikën Arben Imami, i cili të detyrohet të dorëzojë çelësat për shkak të skandaleve të shitjes së objekteve dhe pronave ushtarake.

Olldashi e Tafaj

Të vetmit që nuk do të largohen janë ministri i Komunikacionit Sokol Olldashi dhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Kjo sepse Olldashi ka pasur rezultate tepër të larta në punën e tij, ku kohët e fundit, shkëlqeu edhe me përkushtimin ndaj rrugës Tiranë-Elbasan. Po kështu, ministri Tafaj ka pasur rezultate shumë të mira në reformat arsimore, duke aplikuar një skemë bashkëkohore dhe rezultative. Ai është cilësur si një nga ministrat më të ndershem, që përbën një model për arritjet e larta dhe për luftën kundër korrupsionit.

Tre ministritë kryesore

Ministria e Jashtme do të drejtohet nga Kryeparlamentarja aktuale, Jozefina Topalli, e cila më në fund, pas dy mandatesh, do të dorëzojë mikrofonin e drejtueses dhe do të zërë vend, në tryezën e ministrave të kabinetit të ri. Sepse epoka e aleatëve në këtë ministri, ka mbaruar. Këtë duket se e ka pranuar edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili mbetet i kënaqur me rrotacionin kryeministror ndaj Berishës, për dy vitet e tjera që pasojnë. Një tjetër emër që do të largohet nga kolltuku ministror është Flamur Noka, i cili gjatë drejtimit të kësaj ministrie ka pasur shumë dështime të bujshme, ku rasti i fundit ishte vrasja e Kryekomisarit Dritan Lamajt. Por edhe për publikimin e fotografive të krerëve të policisë, me të dyshuarin  e ngjarjes. Në vend të Nokës, Berisha ka planifikuar të vendosë kryetarin aktual të grupit parlamentar, Astrit Patozi, i cili mendohet se mund të jetë një dorë e fortë për koalicionin e ardhshëm qeverisës. Ndërsa, Ritvan Bode është planifikuar të lëvizë nga karrigia e ministrit të Financave, por zëvendësimi i tij, për momentin duket disi i vështirë. Sepse Berisha megjithëse ka marrë sugjerime për dy-tre emra të rinjsh, përsëri nuk është i bindur për garancinë e tyre. Ndërsa, duke folur për largimin e ministrit Spiro Ksera nga Ministria e Punës, duket se ky largim është bërë një domosdoshmëri, pas skandaleve për lidhjet e tij, me qarqet helene. Por në krye të kësaj ministrie parashikohet përsëri, një tjetër minoritar, i cili është Kosta Barka. Në këtë kabinet ku do të ketë shumë largime, njëkohësisht, priten edhe disa rikthime, si p.sh, rikthimi i , në Drejtësi, i Pollos në Arsim dhe kalimi i Rulit nga Ministria e Bujqësisë, në atë të Mjedisit.

Aleatët

Aleatët do të kenë në dispozicion Ministrinë e Shëndetësisë, të Ekonomisë dhe Energjetikës, të Drejtësië, të Shëndetësisë të Mbroojtjes si dhe atë të Bujqësisë, ku pjesën e “luanit” do ta marrë LSI-ja, ndërkohë që, diskutohet një mundësi edhe për PDIU-n, apo për Topin, nëse ky i fundit do të pranojë koalicionin me Berishën. Ndërsa, emri i Mediut dhe përfaqësimi i Partisë Republikane, do t’i përkasin së kaluarës. Sepse me këtë mandat, nëse arrin ta fitojë, Berisha pret konsolidimin e shumë projekteve afatgjatë që do të mbyllen në vitin 2017, ciklin e të gjitha përpjekjeve të tij, në këto 23, ose 27  vjet.

Kryeministër – Sali Berisha

Zv.Kryeministër  ——– Aletët

Ministër i Jashtëm – Jozefina Topalli

Ministër i Brendshëm – Astrit Patozi

Ministër i Mbrojtjes – —- Aleatët

Ministër i Financave – Ritvan Bode

Ministër i Drejtësisë ——-  Aleatët

Ministër i Integrimit  ––  Eduard Selami

Ministër i Arsimit – Myqerem Tafaj

Ministër i Shëndetësisë – Aleatët

Ministër i Punëve Publike dhe  Transportit – Sokol Olldashi

Ministër i teknologjisë dhe Inovacionit —— Genc Pollo

Ministër i Mjedisit – Genc Ruli

Ministër i Punës – Kosta Barka

Ministër  i Kulturës –  Rajmonda Bulku

Ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës – Aleatët

Ministër i Bujqësisë – Aleatët