Dr. Ina K. Zhupa/ Kriza e përfaqësimit dhe dekriminalizimi

719
Dekriminalizimi nisi me talljen dhe lojën se kjo ishte shpikja e kryetarit të opozitës dhe opozitës. Se të inkriminuar nuk kishte. Sepse Rama i kishte zgjedhur me kujdes të tijët, i kishte caktuar me merak të madh ata që përfaqësonin “Rilindjen”. Dhe të drejtë kishte… Përpjekjet për të mos e pranuar dekriminalizimin ishin të mëdha dhe shumë të forta. Vetëm mes bojkotit, vullnetit të palëkundshëm të opozitës dhe mbështetjes ndërkombëtare më pas, palët politike arritën marrëveshjen që i hapte rrugë dekriminalizimit. Ligji pati vështirësitë e veta, sepse u tentua çdo truk për të shmangur sa më shumë njerëz që prekeshin dhe për të fituar sa më shumë kohë. Por pavarësisht gjithçkaje ne sot e kemi ligjin dhe mbi të gjitha fillon dhe hapet sipari i të vërtetave të hidhura të krizës së përfaqësimit që po kalon vendi.

Rama kishte të drejtë që i kishte zgjedhur me kujdes të tijët, kujdesi i madh që ata të ishin të spikatur nëpër zona si njerëz me lidhje kriminale, me të shkuar kriminale, me sjellje kriminale. Të ishin me emra të rinj e modern, konform një parlamenti qe ka qëllim integrimin europian përkundrejt emrave që Europa i kishte njohur, proceduar e dënuar. Ata shkelësit e mëdhenj të ligjeve europiane e shqiptare do ishin tani garantët e mëdhenj të miratimit të ligjeve shqiptare me frymë europiane!!

Rama kishte të drejtë që i kishte caktuar me merak të madh të përfaqësonin “Rilindjen”. Meraku që askush mos t’i dilte nga rreshti, askush mos të kërkonte llogari për vjedhjet e rilindjes, për mashtrimet e rilindjes, për dështimet e rilindjes. Sepse secilit dosjen e vet nëse guxon të dal kundër. Por edhe secilit racionin e vet të krimit dhe të vjedhjes që i bëjnë përditë popullit shqiptar si mision themelor i “Rilindjes”. 
Kush më mirë sesa një hajdut, një trafikant, një kriminel mund ta përmbush këtë mision që kishte dhe ka “Rilindja”?! Askush. Sepse aty ku krimi është puna, profesionisti më i mirë është krimineli. Aty ku vjedhja dhe grabitja janë puna, profesionisti më i mirë është hajduti. Aty ku mashtrimi dhe korrupsioni janë metoda e punës, profesionisti më i mirë është mashtruesi. Edhe Rama ashtu na ofroj më të mirët për qëllimin që kishte, më të mirët për misionin e “Rilindjes”.

Sot me dekriminalizimin do të humbi Rama dhe do humbi “Rilindja”, dhe çdo i inkriminuari që i ishin rritur ambiciet politike, por do fitojnë shqiptarët. Sepse misioni që duan shqiptarët të ketë një qeverisje nuk është ky që i ka vënë “Rilindja” vetes. 
Politika dhe politikanët duhet t’iu kthehen nivele dinjitoze dhe me vlera të përfaqësimit. Njerëz me ide, me vlera, me besueshmëri duhet të jenë ata që ju drejtohen për votë shqiptarëve. Kriza e përfaqësimit që ka krijuar abstenimin në zgjedhje, krimin në karriget e vendimmarrësit, mosbesimin dhe zhgënjimin tek klasa politike duhet të marr një kthesë tjetër. Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit është hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Ndërkohë që partive politike ju takon pjesa tjetër. Lulzim Basha ka marr disa vendime që çojnë në drejtimin e zgjidhjes së krizës së përfaqësimit. Ngritja dhe funksionimi i komisionit të verifikimit të figurave e drejtuar nga një njeri me integritet dhe besueshmëri të lartë si Halim Kosova është përpjekja konkrete që PD para se të dal me emra në çdo zgjedhje, ata do t’i kaloj në një sitë integriteti. PD ka marr vendimin që të rikthej besimin tek përfaqësimi dinjitoz dhe tek politika. Gjithashtu Basha ka propozuar futjen e 35% të rinjve në listat për deputet në zgjedhjet e ardhshme. Ata do të konkurrojnë hapur dhe me ide dhe kjo do të jetë kundërpërgjigja ndaj listës së kriminelëve të regjur që nuk përfaqësojnë asgjë. Këto hapa janë fillimi i një shpresë të re për shqiptarët që jo çdo gjë ka marr fund.

Mirëpo duhet guximi jonë, i të gjithëve që t’i dalim përballë kësaj të keqe, ta kthejmë dekriminalizimin në proces qytetar dhe të largojmë qeverisjen kur ajo është shtypëse dhe regresive për vendin. Gëte një gjerman i famshëm dhe i mençur ka këtë poezi që titullohet ‘Pa titull’. Poezia shkruan:
Parate ke humbur – dika ke humbur!
Duhet të punosh
Të tjera të fitosh.
Nderin ke humbur – shume ke humbur!
Të duhet fame të fitosh
Mendimin e të tjerëve ta ndërrosh.
Guximin ke humbur – gjithçka ke humbur!
Të jesh i bindur
Do ish me mirë të mos kishe lindur…!
Pavarësisht zhgënjimeve, mos ta humbasim guximin për t’i vënë fund atyre pa emër e me krim që na kanë zaptuar shtetin. Se kështu do humbasim veten dhe Shqipërinë. Paratë na i kanë marrë, nderin e të qënurit shqiptar po tentojnë të na i nëpërkëmbin duke na bërë më shumë të quhemi azilantë dhe të varfër nëpër botë, dhe ne na ngelet vetëm guximi. Guximi që t’i denoncojmë gjithë kriminelët edhe ata që fshihen pas emrave dhe pseudonimeve, guximi që t’ju vihemi përballë, guximi që mos t’i votojmë më pavarësisht presioneve dhe guximi për të marr në dorën fatet e vendit dhe për t’ia kthyer faqen qeverisjes nga liria, demokracia, prosperiteti.
Politologe
Sigal