Dine Merja/ Ishët në 70-vjetorin e çlirimit

624
Sigal

Lëvizjet e përditshme me linjat e autobusëve urbanë në Tiranë, si banor i vjetër i qytetit të sjellin në mëndje ndryshimet drastike që janë bërë në hartën urbanistike të Tiranës gjatë dy dekadave të fundit ose më saktë nga 46- vjetori i çlirimit në 70-vjetorin e tij. Këto ndryshime i shikon edhe në emërtimin e linjave të ndryshme të shërbimit urban të vendosura në ballë të autobusëve dhe të emrave të stacioneve të këtyre linjave, në të cilat qytetarë të vjetër e të rinj i mbajnë mirë mend, ndërsa fatorinot e çdo autobusi me

delikatesë i kujtojnë pasagjerët për çdo stacion, sipas emrit të tyre të njohur qysh në kohën e diktaturës me emrat e “ishëve”. Kështu, në ballë të këtyre autobusëve lexohen: Kombinat-Kinostudio, Uzina Dinamo-Qendër, Kombinati i Autotraktorëve-Qendër, stacioni i Kombinatit Ushqimor, i Ndërmarrjes Gjeologjike etj.. Emërtime të tilla linjash dhe stacionesh të tyre me “ishe” janë me qindra, jo vetëm në Tiranë, në fakt duhej shkruar ish-Kombinati i Tekstileve, ish-Kinostudio, ish-Kombinati i Autotraktorëve, ish-Uzina Dinamo, ish-Fabrika e Antibiotikëve, ish-Kombinati i Ndërtimit “Josif Pashko”, ish-Uzina Tirana etj. etj., sepse faktikisht “demokracia” të gjitha këto uzina e kombinate i prishi dhe ato nuk ekzistojnë më, në vend të tyre janë betonuar pallate, dyqane, lojëra fati e kafene. Mesa duket ato nuk i hynin më në punë sistemit të ri demokratik, sepse çdo gjë duhej të vinte nga jashtë, populli do të hante me lugë të florinjtë, kombinatet, uzinat dhe fabrikat “komuniste” do të bëheshin “fringo”, në sajë të “Çekut të bardhë”. Me këtë pretekst u bënë “ish-“ të gjitha veprat industriale, bujqësore, ushqimore, gjeologo-minerare, ndërmarrje prodhuese, institucione studimore, projektuese e kërkimore në të katër anët e vendit. Populli do të hidhej në rrugën e madhe duke e degdisur argat-refugjat jashtë vendit, ku vuajnë edhe sot e kësaj dite për gjatë më shumë se dy dekadave sa andej e këndej. Pas rrjepjes dhe abandonimit për të justifikuar shkatërrimin, nga trojet apo mjediset e këtyre veprave publike, qeveritarët mund të mbushnin xhepat me para. Vetëm në qytetin e Tiranës, edhe pas afro një çerek shekulli, kanë mbetur ende në kujtesën e përditshme si piramida referuese me qindra vepra të tilla me rëndësi kombëtare, si: ish-Ndërmarrja Artistike, ish-Fabrika e Porcelanit, ish-Fabrika e Tullave Marsejeze dhe Silikate, ish-Instituti i Studimit të Tokave Bujqësore, i Zooteknisë, i Projektimeve Industriale, i Kërkimeve Teknologjike, i Teknologjisë Ushqimore, i Biologjisë, i Studimeve dhe Projektimeve Hidraulike, i Hidrometeorologjisë, ish-Uzina e Veglave Bujqësore, ish-Ndërmarrja Gjeologjike, ish-Ndërmarrja Hidrologjike dhe Gjeofizike e shumë ishe-të tjera(uzina, institute projektimi e studimore, ndërmarrje prodhimi etj.). Të gjitha këto vetëm në qytetin e Tiranës, pa përmendur qindra ndërmarrje prodhuese dhe institucione të tjera me rëndësi ekonomike në të gjitha qytetet dhe rajonet e ndryshme të republikës. Një investim publik rreth gjysmëshekullor, pronë publike, djersë dhe gjak publik, pasuri kombëtare për të cilat populli kishte investuar e shtrënguar rripat gjatë gjysmë shekulli. Mendoni sikur të ishin shkatërruar edhe veprat hidroenergjitike “komuniste”, gjithë sistemi i elektrifikimit të vendit, atëherë vendi do të rikthehej në epokën e zbulimit të zjarrit, në ndriçimin me ashkla dhe vaj pishe, me qirinj dhe kandil. Ky shkatërrim mendoj se përbën krimin më të madh që i është shkaktuar këtij vendi që nga shpallja e pavarësisë dhe themelimit të shtetit shqiptar.

Shumica e këtyre veprave ishin linja të reja, eficente, ndërsa ndonjë disi e amortizuar apo me teknologji të vjetër mund dhe duhej rehabilituar gradualisht edhe me ndihmën e shtetit, të granteve dhe kredive afat mesme dhe afat gjata që u dhanë, por u shpërdoruan. Ruajtja, riorganizimi dhe rihabilitimi i tyre, me veprimtari normale, do të zhvillonte më tej ekonominë e vendit, do të ruante dhe shtonte punësimin, pastaj shteti mund edhe t’i privatizonte me vlerën reale të tyre, duke ruajtur veprimtarinë prodhuese dhe punësimin e punonjësve përkatës. Por, nuk duheshin shkatërruar, nuk duheshin asgjësuar për tu betonuar me banesa e kafene private korruptive. Tirana u betonua anë e kënd me beton, tullë e llaç, gjëja më e lehtë për të fituar në kurriz të uzinave, fabrikave, institucioneve shkencore e projektuese dhe ndërmarrjeve prodhuese, në kurriz të lënies pa punë të qindra-mijëra punonjësve në kryeqytet dhe në të gjithë vendin, në kurriz të thellimit të hendekut drejt një vendi të varfër, importues edhe për kripën e bukës. Lista e ishëve është e madhe, ato u zhbënë fillimisht duke i rrjepur, pastaj duke i abandonuar për të justifikuar shitjen korruptive të tyre me çmime qesharake, sekserëve dhe militantëve të partive apo të huajve.

 

Ish-Plazhi i Durrësit, i parikuperueshëm

Fati i disa “ishëve” është shumë rrëqethës, kur ke parasysh se si ishin dhe si u katandisën dhe që nuk mund të rikuperohen më. Një i tillë ish-Plazhi i Durrësit, ish-një hapësirë e madhe mjedisore natyrale fantastike turistike buzë detit, me pyll pishe e rërë të mrekullueshme që të fundosej këmba kur ecje mbi të, u shpartallua, u betonua deri buzë detit, pishat u prenë, ndërsa rëra u përdor për betonimet, duke lënë buzë detit vetëm një rrip “rëre” të ngjeshur dhe të përzier me dherat e themeleve të pallateve përbri njëri-tjetrit, sikur duan të futen edhe ata në det. Por edhe ky rrip “rëre”, edhe kjo pak që kanë lënë është e gjitha e zënë, është në duart e “pronarëve të detit dhe të rërës”, militantëve partiakë, sekserëve dhe miqve të Bashkisë. Në vapën e korrikut dhe të gushtit e zaptojnë të gjithë sipërfaqen e “rërës” deri tek valët e detit, duke ngulur një pyll çadrash për të vjelë para si qira ditore për secilën prej tyre. Ndërsa banorët e plazhit apo të ardhurit për plazh publik nëse nuk paguajnë çadrat e “pronarëve të rërës” duhet t’ia mbathin për t’u mbyllur në apartamentet e banimit ose të pushimit që zotërojnë në plazh ose të ardhurit të kthehen nga erdhën, sepse nuk ke ku të ngulësh qoftë edhe një çadër të vetme. Por grykësia s’ka fund, përflitej se sekserët e Bashkisë nuk ishin të kënaqur me kaq, kërkonin rrjepje të mëtejshme të banorëve të plazhit dhe të turistëve, kërkonin vendim administrativ për marrjen edhe të copave të detit në përdorim, me qëllim krehjen e mëtejshme të plazhistëve për të paguar edhe çdo futje të tyre në det. Këta sekserë apo miq të bashkisë flitej gjithashtu se pushtonin 10 dhe deklaronin 3 apo 4 çadra ose m2 hapësirë rëre, sipas hesapit “1 nga dhia e 3 nga vija”. Mendoj se Bashkia nuk ka pse ta “privatizojë” këtë hapësirë. Ajo mund të organizojë dhe të kontrollojë ngritjen e shërbimit në plazh, qoftë edhe privatisht për shitjen ose dhënien me qira ditore vetëm të çadrave apo shezloneve, por jo të hapësirës së rërës. Kushdo mund ta blejë ose ta marrë me qira çadrën dhe ta përdorë në hapësirën publike. Llomka e këtij “biznesi” është kaq joshëse sa ka arritur ta ligjërojë edhe me vendim qeverie, madje duke caktuar edhe një kufi imagjinar (superjoshës) që 80 % e hapësirës së rërës t’u jepet në përdorim atyre, ndërsa 20% për publikun. Minoranca e 20% nuk ka patur as nam, as nishan. Ajo, faktikisht, administrohet gjithashtu nga sekserët dhe inspektorët e bashkisë sipas kufijve virtualë. Por pse u dashka që publikut t’i rëndohet pushimi vjetor edhe duke paguar për çdo ditë 500 lekë të reja “pronarit të rërës” për t’u strehuar në një çadër dielli, kur pushuesi e disponon vet çadrën, por i privohet hapësira e rërës.

Zhvillime që na kanë kthyer dekada mbrapa

Me mentalitetin tonë dhe cilësinë qeverisëse të vendit, druaj se ky lloj “zhvillimi” i yni mund të mbetet i tillë edhe për shumë kohë. Gjatë dy dekadave të fundit zhvillimi ekonomiko-shoqëror i vendit, veçanërisht në fushën e arsimit, shkencës, ndërgjegjes kombëtare, të bujqësisë, industrisë së lehtë dhe agro-ushqimore, të industrisë minerare-gjeologjike nxjerrëse dhe përpunuese, të shpim-kërkimit të naftës dhe gazit, të prodhimit energjetik etj., janë kryer akte shkatërrimtare, si pasojë e politikave të papërgjegjshme dhe antikombëtare, të diktuara nga interesa klienteliste në koordinim me interesa të qeverive e bizneseve të huaja. Mund të thuhet pa asnjë mëdyshje se vendi është kthyer disa dekada mbrapa, për shkak të këtyre zhvillimeve, përveç prapambetjes të trashëguar nga regjimi diktatorial komunist. Të shkatërrosh është shumë lehtë, por të krijosh ose të ringresh atë që ke shkatërruar, apo ta zhvillosh atë edhe më tej, në përputhje me nevojat e vendit dhe konkurrencën ndërkombëtare nuk është e lehtë. Është shkatërruar tradita, niveli i arritur, u mënjanuan dhe larguan specialistët e aftë, ekspertët dhe shkencëtarët e vërtetë, kundërshtarë dhe opozitarë të këtyre shkatërrimeve. Është bash kjo arsyeja që regjimet autoritare, klienteliste dhe të korruptuara, vetë prapambetja shoqërore nuk i ka qejf, nuk i pranon në qeverisje, i denigron, i largon dhe i anashkalon specialistët e aftë, të pavarur, me integritet moral dhe të pakorruptueshëm. Kur klima e një vendi është e sëmurë dhe me prapambetje shekullore të shoqërisë së tij, lulëzojnë padyshim antivlerat njerëzore, degjenerimi moral, hajdutllëku, korrupsioni, konformizmi, servilizmi, paaftësia, nënshtrimi deri në rënien barkas para eprorëve dhe parasë, poshtërsitë e gjithfarëllojshme, besimi i verbër ndaj autoriteteve të korruptuara, karrierizmi e dukuri të tjera monstruoze. Në këtë klimë, është vështirë të ruash me dinjitet vertikalitetin morale

Shprehja e kahershme: “Shqiptarët nuk mund të vetëqeverisen”, shpata jonë e Demokleut

Në opinionin tim, Shqipëria do të mund të ecë në binarë të drejtë vetëm kur të arrihet ndërgjegjësimi popullor dhe qeveritar për të vlerësuar dhe vendosur në krye të punëve trurin e kombit. Kur të ndërgjegjësohet e gjithë shoqëria, ose pjesa dërrmuese e saj, për të mos u bërë vegël qorre e pushtetarëve, për të mos lejuar vjedhjen e pasurisë publike apo të votës nga pushtetarët apo politikanët, për të kuptuar se e ardhmja e saj lidhet vetëm me vendosjen e shtetit të së drejtës dhe jo nga pushtetarët apo politikanët e paaftë dhe të Koalicioni partiak i Rilindjes që fitoi zgjedhjet e 23 qershorit si shpresë mbarë popullore për një kirurgji të thellë shoqërore, duket e venitur dhe e asfiksuar. Mesa duket, edhe kësaj radhe rezultoi sindromi tradicional shqiptar i “lindjeve patologjike” të demokracisë. Kështu, akti sublim i shpalljes të Pavarësisë së vendit nga ajka e intelektualëve dhe patriotëve shqiptarë, u pasua shume shpejt me tradhtinë e kundërshtarëve të saj, me sharlatanë, karrieristë dhe shërbëtorë të politikanëve të huaj, me luftën, katrahurën, vëllavrasjen dhe varfërinë e skajshme të vendit. Një akt tjetër sublim në shpresën e këtij vendi me vuajtje shumë shekullore ishte padyshim fitorja e qeverisë demokratike të Fan Nolit tonë të madh që e pati jetën gjithashtu shumë të shkurtër, vetëm 6 muaj, sepse e shtypi banditizmi dhe tradhtia e satrapo-monarkistëve, si gjithmonë me ndihmën e të huajve. Prapë luftë kundër tradhtarëve satrapo-monarkistë, pushtuesve nazifashistë dhe shërbëtorëve të tyre kolaboracionistë, prapë luftë e sakrifica të mëdha popullore për të triumfuar me aktin tjetër sublim, çlirimin e plotë të vendit, rikthimin e Pavarësisë dhe vendosjen e pushtetit të luftëtarëve patriotë me idealet e rilindësve. Por, kjo përsëri nuk zgjati shumë, përsëri me bekimin edhe të huajve, do të prekej nga sindromi tradicional i pushtetit të pakufizuar-diktatorial të një satrapi dhe klike tjetër edhe më të rrezikshme, e kështu me radhë edhe më pas sipas motos “Enver-Ramiz,uniteti nuk lëviz”. Sikur po na rri si Shpata e Demokleut shprehja e kahershme se “Shqiptarët nuk mund të vetëqeverisen”, me domethënien e fqinjëve për protektoratin apo copëtimin e Shqipërisë ndërmjet tyre. Këtij synimi i kanë shërbyer tradicionalisht për interesa personale edhe politikanë e qeveritarë vendas si shërbëtorë apo servilë ndaj zyrtarëve të huaj në raport me interesat kombëtare.