Orest Zhupa/ Ri-lindja e terrorit

652
Sigal

Për më shumë se 20 vjet zona më e bukur dhe me perspektivë të lartë për zhvillimin e turizmit ka ngelur në mëshirë të fatit nga politikat e qeverive postkomuniste shqiptare. Me qindra e mijëra familje të rivierës shqiptare kanë më shumë se 20 vjet që përplasen dyerve të gjykatave për të gëzuar pronën e tyre, por me kotë. Disa prej nesh, në mënyrën e tyre u përpoqën të bëjnë investime në pronat e tyre edhe për faktin e thjeshtë të të qenit efektivisht posedues të pronës që të parët na lanë, pasi e ndërtuan me shumë mund. Por me kot! Njerëzit shpresuan se me ardhjen e Edi Ramës në krye të ekzekutivit, edhe riviera do të kishte një trajtim dinjitoz, do të fillonte zgjidhja e problemit të pronës, regjistrimi i saj, hartimi i planeve konkrete për zhvillimin e zonës, si një potencial i lartë edhe për zhvillimin ekonomik. Për çudi, asgjë nga këto nuk po ndodh, përkundrazi, po ballafaqohemi me ndërhyrjet brutale, banditeske, e antiligjore të INUK. Ndërhyrje në një zonë, prishet një objekt, me leje a pa leje pak rendësi ka, barazohet ndërtimi pa leje me ndërtimin që ka leje, por ka kaluar afati i ndërtimit, kalojmë në një zonë tjetër, prishim dhe aty, pastaj rikthemi atje në fillim, pastaj… Shikoj njerëz të ezauruar nga nervat, që pyesin: “Po unë? Kam leje, por..! Si dihet, nuk thonë asgjë!”. Panik, frikë, terror…! Pse vallë kjo ndërhyrje, çfarë fshihet pas gjithë këtij aksioni? A nuk do ishte më mirë që territori të mbahej nën kontroll dhe në vijim,. pasi të zgjidhej problemi i pronës, të hartoheshin planet urbanistike e të ndërhyhej duke e ditur ne banorët e mjerë se po prishet për tu bërë diçka më e mirë, se është në interes të zhvillimit, tonin, të vendit? Prishin, po perse prishin? Thonë se listat vijnë nga Tirana. Pse nga Tirana? Ku është Karta e Autonomisë Vendore, pushteti lokal , Bashkia Himarë? Këta përse i paguajmë? Përse nga Tirana, ç’është Tirana, kush është? Çfarë të mire ka qeveria nga këto ndërhyrje, përfiton gjë? Prishin pa njoftuar, pa shkresa të mirëfillta ligjore, pa pyetur për lejet e ndërtimit. 100m nga deti, 50, 200, sa? E ndërkohë një tjetër ditë ngryset dhe banoret pyesin veten: “Po unë kur e kam radhën?” Më shumë se Rilindja e vendit kjo me duket (Ri)lindja e terrorit!