Zamira Çavo letër të hapur Edi Ramës: Ka ikur koha kur dënoheshe “Në emër të popullit”

518
Menjëherë pas publikimit të raportit, nga kryeministri Rama me emra të denoncuar nga qytetarët ka reaguar edhe profesoreshë Zamira Çavo. Ajo i drejtohet Ramës me disa argumente, ku tregon se mënyra që ka zgjedhur për të reformuar administratën është e gabuar. 

“Që administrata publike është në gjendje të mjeruar, këtë tashmë e di çdo qytetar e çdo institucion. Fakti që ju e keni në prioritetin tuaj reformën në administratën publike e bën këtë çështje edhe më të ndjeshme. Por rruga që keni zgjedhur duke bërë publike emra që “akuzohen” nga qytetarë për korrupsion ose paaftësi, ose mungesë respekti ose.. etj nuk është rruga që i duhet reformimit të Administratës dhe nuk mund të jetë asnjë alibi për ju, për t’i pushuar nga puna! Koha e gjyqeve të tilla publike “Në emër të popullit” ka perënduar dhe nuk ju shkon ju të zgjidhni këtë rrugë. Modestisht po vë në dukje disa elementë:

-Ne shqiptarët kur nuk na plotësohet një interes apo dëshirë jemi të “aftë” të ngremë dhjetëra akuza për personin që nuk na e ka mundësuar këtë. Ndaj më parë se të publikoni emrat, dërgoni ekipe të njohin gjendjen, sepse gjendja nuk njihet nga facebooku.

-Me këto publikime bëni më shumë dëm se sa përmirësoni gjendjen. Ju fusni frikën e “gjyqeve” popullore në punonjësit e administratës duke tkurrur aktivitetin e tyre në favor të shërbimit qytetar.

-Administrata është përgjegjësia tuaj dhe besoj e dini se, ka institucione që janë paralizuar për shkak të paaftësisë, jo të zyrtarëve të thjeshtë, por të personelit të lartë në këtë administratë, përfshi këtu dhe ministrat tuaj.

-Gjykoj se shfaqje të tilla, më shumë tërheqin vëmendjen e njerëzve për t’u marrë me emra dhe jo për të denoncuar realisht mosfunksionimin e administratës në shumë institucione.

Deri në shtator është shumë vonë për ta risjellë qeverisjen në funksionin e vet normal, ndaj më shumë se këto sjelle jo të hijshme kryeministrore, do duhej të krijonit qeverinë e re që të merrte përgjegjësitë për gjithçka. Edhe për të paaftët dhe të korruptuarit. Por rruga që keni zgjedhur është thjesht një shpërqendrim më i madh nga hallet reale të vendit
Sigal