Daut GUMENI/ MISIONI “EURALIUS” NGA PËRTEJ URALEVE…

881
Sigal

Në seancën e posaçme dëgjimore të Këshillit Legjislativ, ku bënin pjesë dy komisione të Kuvendit të Shqipërisë dhe qenë ftuar konstitucionalistë të njohur të vendit, merrte pjesë edhe përfaqësuesi i misionit “Euralius”, apo ndryshe misioni i BE-së në Shqipëri për të ndihmuar që dhe ky vend, aq i robtuar e i handakosur nga drejtësia e punësuar nga politika si shërbëtore e verbër e pushtetit, të mund të arrijë të ketë një drejtësi profesionale sa më të aftë e të përkushtuar për të dhënë drejtësi, një drejtësi të pavarur nga politika e të varur vetëm nga ligji, sikurse e ka drejtësinë gjithë bota e lirë e demokratike ku duam të integrohemi.

Pasi dëgjoi dhe përfaqësuesi i Euralius-it kacafytjen midis dy palëve tona politike pjesëmarrëse në atë komision të nderuar e aq të papërtuar për ta kthyer, edhe një debat mbi shëndoshjen e drejtësisë, në një nga ato rrapëllimat e shëmtuara të sharjeve pa doganë e pa cipë e pa lapë syri të politikës shqiptare të tranzicionit tonë mundimmadh, të gjithë u bënë sy e veshë për të dëgjuar këshillën e çmuar, që u jepte gladiatorëve, tanë përfaqësuesi i nderuar i misionit emërmadh të BE-së. Dhe ai përfaqësues i nderuar i misionit Euralius foli jo pako gjë, po foli si ai dhëndëri i rrëfenjës popullore kur i kërkuan të thoshte një fjalë të madhe dhe mbushi gojën e tha: “BUALL!”…

Përfaqësuesi i misionit të posaçëm europian në ndihmë të drejtësisë aq të shtrembër shqiptare, tha me gojën plot që ishte dhe ai me variantin shpëtimtar të pushtetit aktual të Tiranës: “Të miratohet heqja e imunitetit se për propozimet reformuese të opozitës nuk ka kohë”(!)

Përfaqësuesi i nderuar i Euralius-it na çuditi të gjithëve, kur foli si një deputet i maxhorancës aktuale të qepur me ato marifetet e njohura elektorale të tranzicionit shqiptar dhe miratoi propagandën e pushtetit mbi urgjencën e heqjes së imunitetit, sepse ai i shkretë imunitet na paska sjellë edhe pandëshkueshmërinë proverbiale të pushtetarëve tanë, sikurse na paska lidhur dhe duart e këtij goxha pushteti në luftën e tij me “tolerancë zero” kundër korrupsionit të opozitës… Dhe vijoi këshillën e çuar përfaqësuesi i misionit Euralius, duke i kërkuar opozitës të votonte menjëherë heqjen e imunitetit se për propozimet e opozitës mbi reformimin e drejtësisë, “nuk ka kohë”(!) Pikërisht kështu na tha përfaqësuesi i misionit europian në ndihmë të drejtësisë shqiptare…

Dhe hajde pastaj e mos i dëgjo këshilla të tilla aq të çmuara të përfaqësuesit të nderuar të misionit të posaçëm europian në ndihmë të drejtësisë së sëmurë shqiptare! Ecë po deshe e mos e pyet këtë zotëri të nderuar përfaqësues të drejtësisë europiane, i vendosur me kohë në Shqipëri për të ndihmuar mëkëmbjen e drejtësisë së vendit tone! Ec e mos e pyet pra këtë lloj eksperti të ndihmës juridike europiane, se përse nuk u kujtuan ai dhe kolegët e tij  që duhej kohë dhe për ndryshimet kaçamakase e brenda natës, që iu bënë Kushtetutës shqiptare në prillin e vitit 2008?…

Kur ndodhet përballë këshillave të tilla të ekspertit europian, njeriu i shkretë i këtij vendi me drejtësi të shtrembëruar aq keq sa të kthehet në drejtësi të munguar, nuk ka si të mos hutohet sa të pyesë me vete: More po ky misioni Euralius, që po lodhet aq shumë në Shqipëri për të ndihmuar mëkëmbjen e drejtësisë së vërtetë, na ka ardhur vërtet nga BE-ja apo nga përtej Uraleve?…

Se misioni Euralius thonë që na është dërguar këtu për të ndihmuar më mirë ngjalljen e drejtësisë sonë të paralizuar nga hyqmi i pushtetit e jo që të shtojë dhe ai ata që i bëjnë fresk pushtetit aktual të Tiranës. Se qytetari i thjeshtë i këtij vendi, si autori i këtyre radhëve, nuk arrin dot ta kuptojë pse nuk ka kohë as misioni Euralius të marrë në shqyrtim propozimet e opozitës në lidhje me reformimin e drejtësisë shqiptare. As nuk arrin të kuptohet nga shqiptarët e thjeshtë se pse nuk paska kohë që edhe propozimet e opozitës të mos shqyrtohen njëkohësisht me amendimet e nevojshme kushtetuese lidhur me heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë të këtij vendi.

Dhe kjo vështirësi për ta kuptuar atë qëndrim të përfaqësuesit aq të nderuar të misionit Euralius në seancën e posaçme dëgjimore të Këshillit Legjislativ bëhet ca më e madhe, kur kujton se nuk ka kaluar një shekull por vetëm tre vjet që Kolegji Zgjedhor si gjykatë e posaçme miratoi të gjitha shkeljet flagrante të ligjit, të kryera nga pushteti në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 dhe Euralius-i dukej sikur nuk ndodhej fare në Shqipëri, por diku larg përtej Uraleve…

Në zgjedhjet vendore të 8 majit u shkel ligji me të dyja këmbët nga KQZ-ja dhe nga Kolegji Zgjedhor, madje në Tiranë u arrit deri në grabitjen e hapët të zgjedhjeve në mes të ditës e në sy të shqiptarëve e të mbarë botës dhe Eurlaius-i nuk dha asnjë shenjë se ndodhej në Shqipëri si mision i posaçëm i BE-së, por nuk dihet se ku kishte humbur diku larg përtej Uraleve…

Na ndodhi pastaj që pushteti urdhëroi Kuvendin e Shqipërisë të hidhte poshtë të gjitha kandidaturat e Presidentit të Republikës për në shkallët më të larta të gjyqësorit, madje Kuvendi i Rruzhdies nuk pranoi as kandidatura me përvojë të gjatë në Gjykatën europiane të Strasburgut, sepse kishte marrë urdhër nga pushteti që në ato shkallë të gjyqësorit të shkonin vetëm jeniçerë të pushtetit, të cilët fatkeqësisht nuk kishin as përvojën e nevojshme shqiptare në gjyqësor, dhe përsëri Euralius-i qëndroi i heshtur e zëhumbur diku përtej Uraleve…

Me qëndrime e me “këshilla” të tilla, të vjen vërtet shumë keq ta thuash e jo më ta shkruash dhe e zezë mbi të bardhë, që misioni Euralius nuk e ndihmon, por e dëmton më keq drejtësinë shqiptare dhe ndihmon pushtetin aktual të Tiranës të keqpërdorë dhe misionet europiane, sikurse ka vepruar e vepron gjithmonë edhe me mjaft përfaqësues të tjerë të Europës e të Amerikës në Tiranë…

Duke qene një europianist i bindur, qysh kur kjo bindje ishte e ndaluar dhe e shpallur “veprimtari armiqësore në dëm të pushtetit popullor”, më vjen vërtet shumë keq që, edhe një mision aq i posaçëm e aq i nevojshëm në ndihmë të reformimit të domosdoshëm të drejtësisë shqiptare, të lodhet me prapësitë e pushtetit aktual të Tiranës sa të harrojë detyrën me të cilën është ngarkuar nga Europa dhe të kthehet në një nga ato OJQ-të e shumta ndërkombëtare të drejtuara tek në nga përfaqësues të shoqërisë civile, të veshur me uniformën paramilitare të pushtetit të sëmurë të Tiranës.

Përse u dashka që dhe një institucion i tillë, në vend që të ndihmojë reformimin e shëndetshëm e të thellë të drejtësisë shqiptare, të duket sikur po merakoset më tepër për të ndihmuar pushtetin e kalbëzuar edhe nga zullumet e tij me drejtësinë? Se thonë që misioni i BE-së në Tiranë me emrin e madh “EURALIUS” na është dërguar nga Europa demokratike për të shpëtuar drejtësinë nga kthetrat e pista të pushtetit putinist të Tiranës dhe jo për  të ndihmuar fuqizimin e putinizmit. Se nuk kuptohet dot ndryshe ajo deklaratë origjinale e përfaqësuesit të Euralius-it në Tiranë që “nuk ka kohë” për të bërë reformat e nevojshme e aq të domosdoshme në drejtësinë tonë të kapur peng nga një pushtet i sëmurë i një skote politike të paemancipuar e të paemancipueshme, që mbahet më këmbë me lodhjen e popullit të vet nga diktatura dhe me ndihmën e një fryme të mykur përçarëse, që nuk është gjë tjetër veçse jehonë e luftës së klasave E asaj lufte e diktaturës së armatosur kundër popullit të vet të çarmatosur, asaj lufte të pushtetit me frikën e vet, që mbajti më këmbë aq gjatë diktaturën e bolshevikëve tanë të djeshëm.

Mendoj se kjo është një arsye e mjaftueshme për t’u zhgënjyer nga qëndrime të tilla të përfaqësuesit të misionit Euralius në Shqipëri. Se shqiptarët presin që misionet e BE-së t’i ndihmojnë për të hequr qafe sundimin putinist të këtij tranzicioni të gjatë e të qepur nga skemat e diktaturës së djeshme dhe jo të ndihmojnë putinistët tanë me frymën e ngrirë të përtej Uraleve.

Se atë lloj meraku e ka me të tepërt vetë pushteti putinist i Tiranës e nuk besoj se i duhen aq shumë këshillat ligjore të Uraliusit. Përfaqësuesi i nderuar i Uralius-it mbase duhet të na thotë që “nuk ka kohë më për të pritur për reformimin e shëndetshëm e të drejtë të drejtësisë”, por jo që “nuk ka kohë” për të bërë ato reforma aq të nevojshme në drejtësinë tonë të deformuar nga pushteti e të kthyer në padrejtësi në shërbim të pushtetit.