-Me të mbërritur në shtëpi nxënësit fillojnë të kopjojnë detyrat nga njeri-tjetri pa hapur librat fare.
– Të mbyllur në dhomën e tyre gjatë orarit të studimit arrijnë lidhje dashurore në një moshë të papërshtatshme dhe jashtë çdo kontrolli prindëror.
Që nga shpikja e telefonit celular kanë kaluar disa dekada. Në fillim telefoni shërbente si një telefoni e lëvizshme për të zëvendësuar telefonat fiks të shtëpive, zyrave apo kabinave postare nëpër qytetet tona. Deri këtu çdo gjë ishte mëse normale dhe u quajt një shpikje inteligjente dhe e nevojshme, por me shpikjen e internetit pas hedhjes në hapësirë rreth orbitës së Tokës të satelitëve të ndërlidhjes dhe komunikacionit, gjërat nisën të ndryshojnë. Mendjet inteligjente të kompanive të telefonisë nisën punën për prodhimin e telefonave android, të cilët të sillnin përmes ekranit të gjithë botën në duart e tua. Këto lloj shpikjesh dhe këta telefona krijuan një komoditet për gjithsecilin që kishte në dorë një telefon të tillë. Kështu, pasi u pajisën prindërit me telefona android, nisi interesi i fëmijëve për të pasur një telefon të tillë. Duke qenë se këta telefona ishin të shtrenjtë dhe kushtonin, prindërit u linin fëmijëve në duar telefonat e tyre gjatë kohës që ishin së bashku në shtëpi. Por, nuk do kalonte shumë dhe për të mos u bezdisur shumë nga kërkesat e fëmijëve për të marrë telefonat e prindërve, u gjet zgjidhja. Me rastin e ditëlindjeve prindërit sakrifikuan dhe u blenë fëmijëve telefonin e tyre android me internet dhe rrjetet sociale brenda. Kjo lloj epidemie u shtri në të gjitha moshat e fëmijëve. Kishte prindër, apo xhaxhallarë dhe daja që për ditëlindjen e fëmijës dy vjeç, të nipit apo të mbesës, të bënin dhurata të shtrenjta, siç ka qenë telefoni celular android. Epidemia u shtri edhe në shkollat parauniversitare. Të gjithë nxënësit pa përjashtim, u pajisën me telefona celular android. Madje nëpër klasa nisi edhe konkurrenca kush e kush ta kishte telefonin më të shtrenjtë dhe një markë më të mirë dhe të njohur botërisht. Prindërit menduan se duke i pajisur fëmijët e tyre me telefona të tillë, do t’i kishin në kontroll gjatë kohës kur niseshin për në shkolla, gjatë shkollës dhe pas përfundimit të mësimit. Se me kë komunikonte fëmija gjatë kohës që nuk ishte në shtëpi, këtë askush nuk e dinte. Me të mbërritur në shtëpi nxënësit fillonin të kopjonin detyrat nga njeri-tjetri dhe të merrnin receta të gatshme pa hapur librat fare. Të mbyllur në dhomën e tyre gjatë orarit të studimit ata japin e marrin me moshatarët e tyre, krijojnë lidhje dashurore në një moshë të papërshtatshme dhe jashtë çdo kontrolli prindëror. Shumë pak prindër janë në gjendje t’u kontrollojnë fëmijëve të tyre telefonat, internetin dhe rrjetet sociale ku ata janë përfshirë prej kohësh së bashku me moshatarët e tyre. Kjo punë ka kosto fatale për moshat e rinisë parauniversitare, për të mos folur pastaj edhe për mosha të rritura e për ngjarje si ato të kohëve të fundit kur rrjetet sociale përdoren për të shantazhuar vajzat dhe gratë e për t’i çuar ato drejt humnerës. Shpikësi i inteligjencës artificiale Lemier, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka kohë që u ka bërë thirrje prindërve, që të ndalojnë përdorimin e internetit nga fëmijët e vegjël e adoleshentët. Interneti, thotë ai, megjithëse ka kosto kulturore, është i dëmshëm për fëmijët, sepse vret kreativitetin e tyre. Ai i këshillon prindërit që të bëjnë kujdes, duke filluar me heqjen e televizorit nga dhoma e fëmijëve, duke mos i lejuar ata që të përdorin internetin në masë dhe duke mos i lejuar ata që të kenë adresa në rrjetet sociale. Gjithashtu edhe duke mos i lejuar fëmijët të qëndrojnë me orë të tëra në lojërat elektronike. Dëmtimi i trurit është i pashmangshëm. Të gjitha këto këshilla dhe e gjithë kjo përvojë e hidhur më shumë se 25 vjeçare na mësuan të nxjerrim këto konkluzione:
- Interneti është drogë elektronike, sepse shkakton vartësi torturonjëse për trurin e fëmijëve, adoleshentëve, por edhe e të rriturve.
- Varësia nga interneti prodhon fëmijë të çekuilibruar, të dhunshëm dhe agresiv.
- Futja në rrjetet sociale është lundrimi në oqeanin elektronik të internetit pa kufij, pa port ankorimi ku mund të mbërrish, pa liman ku mund të strehohesh dhe në mëshirën e peshkaqenëve që të vinë rrotull.
- Përdorimi në masë i internetit pa kohë e pa kufij ka bërë që rinia të heq dorë nga librat, nga leximi, nga dituria dhe të bëhet skllave e teknologjisë demotivuese.
- Thënia; “Libri ndriçon mendjen, mendja ndryshon botën”, ka rënë dhe është zëvendësuar me thënien; “Interneti shkatërron mendjen, mendja shkatërron botën”.
- Përdorimi në masë i internetit të mesazheve ka bërë që rinia e sotme të harrojë të shkruajë drejt gjuhën e shenjtë shqipe. Është për të ardhur keq kur konstaton se deri studentë të universiteteve nuk dinë të shkruajnë emrin e tyre. Ka filluar të aplikohet shkrimi me iniciale e me shkurtime duke përdorur fjalë gjysmake edhe në gjuhë të huaja.
- Rrjeti më i degjeneruar ndër rrjetet sociale, që notojnë në internet, ka dalë Tik-Toku, ku notojnë të gjitha rrymat më të qelbura të këtij shekulli. Ky kazan plehrash mbledh çdo mbeturinë që i del përpara dhe ia shet pastaj të gjithë botës si vlerë kulturore.
- Qëndrimi çdo ditë në internet me telefon në duar, dëmton rëndë sytë jo vetëm të fëmijëve, por të të gjithë përdoruesve pa e kuptuar.
- Fëmijët që bien pre e internetit përmes telefonave android, tabletave, kompjuterëve etj, pësojnë dëmtime në të folurën e përditshme. Ata kanë vështirësi në artikulimin e fjalëve që nxjerrin nga goja, sepse pjesa e trurit që ka të bëjë me të folurën, person bllokim ose ngadalëson funksionet e saj.
- Telefoni celular dhe mjetet e ngjashme me të, që përdorin internetin, janë gjetur si zgjidhje për shumë prindër, sidomos gratë, të cilat, që fëmija e tyre të mos bëjë zhurmë gjatë qëndrimit në shtëpi, u japin telefonin në duar për t’u mbyllur gojën.
Të gjitha këto shqetësime që përmendëm më lart, janë një alarm mbarë botëror për situatën ku e ka futur teknologjia e pakontrolluar edukimin dhe zhvillimin e brezit të ri. Vetëm disa ditë më parë dëgjova Kryeministrin e Francës, i cili deklaroi për ndërmarrjen e masave ligjore për frenimin apo disiplinimin e këtyre fenomeneve negative për mbarë shoqërinë. Ai parashtroi objektivat e Qeverisë që drejton, për të kufizuar moshën e përdorimit të internetit deri në 15 vjeç. Të shohim se si do ta bëjë Franca këtë gjë të vështirë, por edhe Qeveria shqiptare, Ministria e Arsimit dhe ajo e Ekonomisë, Kulturës dhe Inteligjencës, duhet të marrin masa për frenimin e shkatërrimit të brezit të ri. Prindërit nga ana e tyre duhet t’u heqin fëmijëve nga dora telefonat android dhe t’i zëvendësojnë ata me telefonat që përdoren vetëm për biseda dhe mesazhe. Prindërit gjithashtu, duhet t’i nxjerrin fëmijët në mjedise të hapura gjatë kohës së lirë dhe fundjavave nëpër parqe, buze liqeneve dhe anës detit, malit, pyllit, këndeve të lojërave, në fushat sportive, që të luajnë me njeri-tjetrin, të vrapojnë në ajër të pastër ku truri mbushet me oksigjen dhe çlirohet nga makthi, nga ankthi dhe stresi për një jetë dhe botë plot ngjyra dhe argëtim. Në shkollat e Shqipërisë, ku situata është shumë stresuese për shumë mësues, të cilët nuk dëgjohen nga nxënësit e tyre, madje fyhet, madje filmohen nëse rrisin kërkesën e llogarisë dhe kërkojnë disiplinë. Të ushtrohet ndikimi i ligjshëm i disiplinimit me çdo kusht të edukatës, respektit dhe mirësjelljes nga ana e nxënësve. Prindër, mos i mbyllni fëmijët tuaj brenda në shtëpi, por i nxisni të bëhen anëtar të bibliotekave, i çoni dhe orientoni drejt librarive për t’i bërë ata të gatshëm dhe të ditur e të përgatitur për jetën. Gjithashtu prindër, u gatuani fëmijëve gjellët tradicionale shqiptare dhe hiqni dorë nga ushqimet e gatshme, si picat, hamburgerat, sufllaqet etj., sepse po rrisni fëmijë obez të gatshëm për sëmundje kardiovaskulare, që në moshat e reja. Sporti dhe leximi janë ilaçi më i mirë për një jetë të shëndetshme. I pari për fizikun e fëmijëve dhe i dyti për elasticitetin e trurit të tyre. Si ja paskemi bërë ne brezat e rritur kur nuk kishim fare nga këto teknologjitë e sotme! Varësia jonë ndaj moshës fëmijërore dhe rinore ishin lojërat nëpër lagje, nëpër këndet sportive, nëpër plazhet, malet, pyjet dhe liqenet. Ishin kampet e shumta të pionierëve. Ishin ushqimet bio pa koncentrate, pa OMGJ-ra, pa vajra të rrezikshëm, pa pesticide me ok. Teknologjia po e kthen njeriun në robot të varur prej saj, duke ia rrëmbyer nga krahët natyrës të cilës i përket. Njeriu duhet ta vërë teknologjinë në shërbim të tij, vetëm për punët e rënda fizike, por duhet ta çlirojë nga varësia e trurit prej saj. Ngjarjet e rënda që po dëgjojmë si rezultat i keq përdorimit të teknologjisë, po e çon shoqërinë drejt degradimit moral dhe psikologjiko-social e fizik. Është koha që të merren masa, të vendosen filtra, të ndërgjegjësohen prindërit në radhë të parë dhe të ulen në tavolinë kompanitë fitimprurëse të internetit dhe telefonave android. Kush nuk e kupton këtë gjë sot, do të vuajë pasojat më të tmerrshme gjatë jetës të pasigurt për rritjen dhe edukimin e brezit të ri.