Bashkim Koçi: Sefedin Çela ose Fisnikëria në Fron

Tani, pra në këtë moshë të 78-tave, të cilën ende nuk e pranojmë t’i vëmë emrin “mosha e thyer”, e kemi gjetur fjalën të kalojmë disa orë të ditës; ato që presin të lindë dielli nga maja e malit të Dajtit, apo që të kujtojnë çadrën se përjashta dëgjohen shushurimat e shiut, me një nga “nipat” e mi, katër ditë më i madh se unë. Dhe ai është një emër që ka lënë emër, është Sefedin Çela. Nuk se është nipi im prej vërteti, por, edhe pse ai më thërret dajë, si një ndër dajat e shumtë që ka, është nip në fshatin tim, në Prishtë të Skraparit. Kështu që i vjen mirë, por edhe më vjen mirë, të më thërrasë dajë. Vitet në jetën time, nga më të çuditëshmet sipas meje, kanë qënë nën dominimin e rastësisë. Asnjëherë, mesa mbaj mend, të kenë rrjedhur sipas “parashikimeve” të logjikës së jetës. Ashtu si ka ngjarë edhe me njohjen dhe lidhjen e miqësisë me Sefedin Çelën. Ai vinte e ikte tek daillarët në Prishtë, po kurrë nuk na kish rënë rasti të takoheshim, edhe si vërsnikë që ishim. Jetë konviktore kishim bërë që të dy, por ai në Çorovodë e Berat, e unë në Fier. Studimet e larta po në të njënjtët vite në Tiranë, por ai në fakultetin Histori-Filologji e unë në periferi të kryeqytetit, në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës.

Madje si për çudi fakultetet ku studjonim ishin të vetmit që u kishin vënë nga një nofkë; filoqyli dhe agropalla. Me Sefedinin u njohëm ndoshta nga mezi i muajit prill të vitit 1972, dhe që nga ai mot nuk do të ndaheshim kurrë. Ka qënë koha kur e transferuan nga Tirana në Skrapar, në atë kohë në detyrën e redaktorit në gazetës “Zëri i Rinisë”,  të komanduar në vendlindje për ta “bërë gazetë” një farë Buletini, të cilën “kompetentët” do ta pagëzonin “Jehona e Skraparit”. Nejse. Po meqë mua “agropallës” më vinte dorshe për të “shkruar”, që shkrime u thënçin, më erdhi rasti i ndritur të njihja “nipçen” gazetar, Sefedin Çelën. Për fat, në mos si bekim për ne, kishim dhe një shok të përbashkët, Abdulla Braçen ( Dulen﴿. Të tre bashkë kalonim ndonjë orë të ditës ashtu hergjele, e madje të gjenim rastin të më këshillonin si të shkruaja dhe ç’tematikë shkrimesh pranonte gazeta. Nuk ja gjej dot “psenë”, por fotot më të bukura me Sefen i kam nga Skrapari. Vetëm nga brendësia e shpirtit vijnë të gjitha të mirat. Nuk mund të them dot se mirësia, ajo çka i thotë “tutje” ligësisë, apo shpirti fisnik, janë pronë dhe përcillen nga derë fisnikësh. Sepse thuhet se të jesh i mirë është më mirë se të jesh nga një derë e fisëshme. Miku ynë Sefedin Çela ka qënë me fat, i ka patur të dyja bashkë: edhe derën e madhe nga vjen, atë të Qamil Polenës, por edhe atë të shpirtit, e cila meriton kurorën e mirësisë. Sefja qëndroi në Skrapar për aq sa i duhej Skraparit, për aqsa t’i jepte drejtim gazetës “Jehona …” Paskësh qënë si tip kontrate. Pasi të vinte në udhë gazetën lokale “Jehona e Skraparit”, do të kthehej andej nga erdhi. Kur u largua për të vijuar detyrën e redaktorit te “Zëri i Rinisë”, bashkë me Dulen, e përcollëm deri tek dera e autobuzit të Aliut. Ishte qershor. Për ta begenisur shokun tonë i dhamë me vete një arkë me pjeshkë ende të pamaturuara, nga ato që kultivoja unë në pemtoren me emër të Munushtirit. Ai njeri nuk e harroi kurrë “arkën me pjeshkë”. Sa herë që kujtojmë mikun tonë Abdulla Braçe, i cili u nda shpejtë nga jeta, Sefja e përmend edhe atë gjestin tonë, të cilin e konsideron më shumë edhe si një zakon fisnikësh të skraparasve.
 

Sigal

Edhe ai në ato çaste ndarjeje na kishte lënë diçka të shtrenjta e që ishin të tijat; mënçurinë, virtytshmërinë e njeriut fisnik dhe dy pika loti, si shpërblim e pikëllim për kohën që kishim kaluar bashkë. Sefedini iku e ne mbetëm në Skrapar. Sigurisht që merrnim informacion për rrugëtimin e tij në profesione e karrierë. Dinim që kishte krijuar familje me një vajzë nga Zagoria, me të bukurën, por edhe me shpirt të bukur, Vasilikën. Çuditërisht dasmat i kishim ”planifikuar” t’i bënim në një datë e në një ditë, më 29 Korrik të vitit 1973. E ndiqnim Sefen” këmbakëmbës”. Jo në karrierë, por më së shumti në krijimtarinë e tij letrare gjë për të cilën, jo për gjë, po tregimet e tij i shijonim shumë meqë ishte edhe miku ynë. Ajo çka më ka bërë e më bën ta dua e ta respektoj këtë njeri, është fakti që ai nuk ka ndryshuar. Mbetet të jetë ai që ka qënë. Sepse të ndryshosh karakterin apo më shumë se kaq, të duhet të ndryshosh zemrën. E, Sefedin Çela është i paaftë ta bëjë këtë gjë. Në të gjitha karriget apo “kolltuqet”, që nga motet e largëta (1965-1967﴿ në shkollën 7-vjeçare të Potomit në Skrapar; redaktor në gazetën “Jehona e Skraparit” e “Zëri i  Rinisë”, redaktor e Sekretar Kolegjumi në gazetën “Bashkimi”; në Institutin e Studimeve M-L, Sektori i Botimeve; drejtor në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”; zv. ministër i Kulturës dhe kryetar i Komitetit të Kulturës dhe të Arteve pranë Ministrisë së Arsimit; Drejtor i  Përgjithshëm në RTSH  dhe në fund Kryetar i Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit (KKRT), janë ca detyra që përpara se të guxosh se do t’u dalësh për zot, duhet të kesh parasysh edhe rreziqet, të cilët shpesh edhe të fisnikërojnë, ashtu si ka ndodhur me SefedininNë çdo detyrë të lartë personit që i është dhënë mundësia të ketë komandën për të drejtuar një institucion, a kudi çfarë, veç detyrimit si shtetar për drejtimin në sinkron të të gjitha punëve, jo rrallë i bje të gjëndet në siklet, siklet që ka të bëjë jo vetëm me të qënit korrekt me ligjin, por ndjenja njerëzore, të cilat i ndjen dhe i komandon vetëm shpirti. Pra gjënden para dilemës “zëmra ma do, por ligji s’më lë”! Njerëzit e fisshëm, siç është pa asnjë dyshim edhe Sefedin Çela,  kur shohin mundësinë për të qënë bujarë, e s’ia arrijnë dot, ndjhen aq keq sa sikur kanë kryer një krim. Më ka treguar jo një, po disa raste, kur ky njeri i “mundësive të mëdha” për të bërë ndere, ka përcjellje shokë e miq e madje ndonjë nga ata ia ka mbajtur “kokën mënjanë” për atë që nuk iu gjend në ditë të keqe. Sefedin Çela në detyrat që ka kryer nuk i shkoi kurrë ndërmend e jo më të të bënte “ndere” për të mbetur “i nderuar” për diçka që në sy të opinionit të njerëzve të ndershëm do të duhej të mbetej i përlyer me stërkala balte. Sepse një ditë, ata që mbetën me “kokë mënjanë”, kur kanë vënë në peshore ligjin dhe miqësinë, i kanë thirrur mendjes, e sot, kur vjen rasti të flitet për të në marrëdhëniet që ka patur me shokët, miqtë e madje edhe me të afërm të familjes, qëndrimet e tij si “tiran” në zbatim e ligjit, ia thonë në sy se kjo “besnikëri” ndaj ndershmërisë mbetet si një nga virtytet më të vyera të tij.

Janë të paktë, në mos duhet të vrasësh mëndjen me orë të tëra, që të gjesh apo të të kujtohet një emër shtetari, i cili të mos ketë  përfituar materialisht, të mos ketë futur duart në xhepat e pasurisë publike, për shkak të fuqisë dhe “guximit” që i jep froni, i cili i është dhënë për të kryer ndershmërisht detyrën e jo të bëjë pazare përfitimesh të padrejta, duke u treguar horr e bukëshkalë për besimin që të kanë dhënë. Sefedin Çela mbeti i “pandreqshëm” në këtë çka po them, sepse fisnikëria shpirtërore që ai e ka të pandryshueshme, ndjen përçmim ndaj pasurisë të vënë në këmbim të njollosjes të virtutit e ndershmërisë. Ka një fakt domethënës në jetën e tij. Ai sot banon në një shtëpi, apartament që është në katin e 6-të, por pa ashensor. Mosha ka bërë të vetën, pra e ka detyruar të bëhet shok me shkopin, por edhe pse kështu, ai i zbret dhe ngjit dhjetra shkallë dy herë në ditë, mundim që ia di vetëm shpirti i tij. E ndërsa të tjerë, ndoshta në detyra edhe më të ulta, u treguan të shkathët, marifetçinj e pehlivanë për të siguruar atë që ëndërronin. E, Sefedin Çela nuk e kultivoi kurrë dashurinë për punën me qëllim që të siguronte rehatinë.

Të shkruash për “heronj” të ndershmërisë dhe të zotësisë për punën si Sefedin Çela është disi e pamundur t’i thuash të gjitha. Ai vërtet i kaloi vitet e jetës në frone shtetarësh, por realisht ai ato frone i transferoi në zemra njerëzish. Pra Sefedin Çela, ai djaloshi që njohëm këtu e më shumë se gjysmë shekulli më parë atje në qytetin e Çorovodës, mundi që me guximin e njeriut të virtytshëm, t’u jepte froneve që mbajti një jetë të tërë, emrin më të çmuar, Fronet e Fisnikërisë.