Bashkim Koçi/ Orizi i artë

641
Sigal

Shpesh e më shpesh produktet bujqësore BIO po rrallohen, dhe për këtë shkak po bëhen më të lakmuara nga njerëzit meraklinj e që janë shumë të kujdesshëm në të ushqyer. Unë personalisht bredh të gjithë tregun e fruta-perimeve për të gjetur domate nga ato, për të cilat më ka marrë malli t’i shikoj me sy, e jo më pastaj të bëj një sallatë të përgatitur me vaj ulliri nga ai i Ndroqit. Në fund, pasi kam soditur kapicë me domate, 3 kg një mijë lek, përfundoj tek ndonjë plakë, e cila sapo i afrohet ndonjë klient, zë e thërret: hajde tek nona se i kam të kopshtit tem!

Është kërkesë e kohës dhe ndoshta më urgjentja, e cila ka venë në mendim shkencëtarët, biologët, specialistët më me zë të shëndetësisë, për të gjetur hapësira të mundshme për rritjen e prodhimit bujqësor e atij blegtoral. Dhe, falë metodave të inxhinierisë gjenetike, sot në të gjithë botën këto metoda po i bëjnë ballë suksesshëm kërkesës së tregut për të plotësuar nevojat që ka njerëzimi për ushqim. Falë kësaj teknologjie, ushqimet me OMGJ (Organizma të Modifikuara Gjenetikisht) janë bërë tashmë nga më të përdorshmit, kanë pushtuar tregjet e fruta-perimeve, të mishit dhe industrinë ushqimore agro-përpunuese.

Shkencëtarët, që i janë futur kësaj rruge, shënojnë vitin 1972, vit kur u prodhuan për herë të parë prodhime bujqësore me OMGJ. Nga ajo kohë e deri tani përparimet janë të mahnitshme, të pabesueshme. Fjala vjen, për të realizuar atë që fryti i luleshtrydhes t’i rezistojë të ftohtit, temperaturave të ulëta, në kompletin gjenetik të saj janë futur gjene nga një peshk, i cili jeton në ujëra të ftohta. Pra, janë ca ndërhyrje që “të ikën mendja”, guxim i cili besimtarët e konsiderojnë “largim nga udha e Zotit”.

Por e vërteta është se mjaft nga këto metoda të inxhinierisë gjenetike, kanë qenë dhe mbeten me dobi për njerëzimin. Po sjell edhe një shembull tjetër, i cili i jep të drejtën shkencës të jetë “në rrugën e perëndisë”, madje në “ndihmë” të saj. Ka disa vjet që në tregun Botëror qarkullon “orizi i artë”, oriz i cili përmban beta-karoten. Ky i fundit, pra beta-karoteni gjatë konsumimit nga organizmi i njeriut (sidomos fëmijët) transformohet në vitaminë A. Mungesa e vitaminës A tek të vegjlit shkakton verbim, humbjen plotësisht të shikimit. Gjë e tmerrshme, apo jo. “Orizi i artë”, kjo bimë e krijuar nga metodat e inxhinierisë gjenetike, aktualisht, vetëm nga konsumimi si ushqim i përditshëm, ka kuruar në shkallë botërore mbi 500 mijë fëmijë.

Por, ashtu si i gjithë njerëzimi, në shqiptarët preferojmë prodhimet BIO. Shkenca-natyrë, ka punuar më me kujdes dhe, për hir të së vërtetës, na kanë bërë për vete. Sot, përveç sa thamë më lart për rolin e shkencës për ndihmesën që po jep për modifikime të ndryshme, (gjë të cilën nuk ka pse të mohohet), prodhimet BIO janë më të preferuarat. Janë më të shijshme, më të ushqyeshme dhe për më tepër “të bëjnë për vete” për shumë arsye të tjera.

Problemi është se prodhimet bujqësore e blegtorale me OMGJ këtu tek ne janë jashtë kontrollit, të sajuara nga matrapazë, të cilët përpara jetës së njeriut kanë vënë paranë, fitimin. Pra janë të përgatitura e të prodhuara në rrugë kriminale. Të gjithë ne jemi konsumatorë të perimeve, kryesisht të domates, trangullit, patëllxhanit, specit, patates, bostanoret, etj. Sot në tregun tonë, duke filluar nga Lushnja, e cila duhet të ishte “mbretëresha” e prodhimeve BIO, gjen vetëm prodhim  injektuar”, të pjekur “me pahir”,  apo të deformuar në kufijtë e shëmtimit. Domaten e gjen të drunjëzuar, trangullin të transformuar në shije e në formë, bostanin si të jetë “shartuar” me kungull. Në tregun tonë bujqësor ndërhyrjet nëpërmjet “gjeneve të krimit” kanë prishur emrin e mirë, atë që dikur bota e jashtme na e kishte zili. E pamë këtë verë se ç’ndodhi me prodhimin e domates në fushën e Myzeqesë. Tregu i jashtëm, eksporti, nuk e pranoi, e la stok, ia la peshqesh tregut të brendshëm, që edhe ai e braktisi për shkak “të marifeteve” që kishin bërë fermerët për ta shitur sapunin për djathë, prodhimin me OMGJ për prodhime BIO.

Në vendin tonë ka fermerë të cilët “janë të betuar” për të nxjerrë në treg prodhime bujqësore BIO, absolutisht sipas standardeve që kërkon certifikimi evropian. Unë njoh një fermer nga Gramshi. Shefqet Hysa e ka emrin. Ai, për produktet BIO, i është dëgjuar zëri deri në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë. Ka mundur, apo më saktë ka bërë ziliqarë fermerë austriakë për praktikat që ai përdor dhe për “besnikërinë” që tregon në atë që natyra e konsideron “të sajën”.  A ka “sevdallinj”, fermerë, të cilët  qëndrojnë në “udhën e Zotit” për kultivimin dhe trajtimin e prodhimeve bujqësore e blegtorale? Kam mendimin se janë me dhjetëra, në mos me mijëra ata fermerë të cilët “janë bërë pishman” për përdorimin me vend e pa vend të OMGJ-ve.

Po sa vend i ka lënë dikasteri përkatës, Ministria e Bujqësisë nxitjes, përparësisë që ajo u jep fermerëve për këto prodhime? Më vjen mirë, dhe ky do të ishte një tregues për të xhelozuar Europën, që prodhimet BIO, të të gjitha kategorive, bujqësorë e blegtoralë, të mund të ishin “tonat”, të këtij vendi që ngrohet nga dielli i Mesdheut. Dhe, nëse do të arrijmë që fjalëza BIO të jetë “e jona”, pronë e kultivuesve shqiptarë, atëherë fermerët tanë do të ishin më të kërkuarit, në mos edhe më me shumë para. Sot parallinjtë, të kamurit, ushqehen për qejf, për të ruajtur “linjat” dhe për t’i shijuar prodhimet natyrore ashtu siç janë, të pamodifikuara gjenetikisht.