Pajtim Çaushi/ Moj bejka konispolite…

783
Sigal

Reagim ndaj disa publikimeve të Auron Tares për të treguar se kush është femra konispolate

Si shtysë për të shkruar këtë shkrim shërbeu këmbëngulja deri në habi e artikujshkruesit, zotit Auron Tare, për të shënjuar Konispolin dhe një grua konispolite si të përfshirë (me “fakte arkivore”) në “një veprimtari armiqësore” gjatë mes shekullit të kaluar. Theksoj që në krye se disa emisione televizivë të tij i kam ndjekur me kënaqësi dhe më kanë pëlqyer tej mase. Por këtu është fjala për diçka tjetër. Më duket se zoti Auron hamendëson rreth një “komplotit çam” që paskej si qëllim të përmbyste diktaturën hoxhiste e të copëtonte vendin me ndihmën e imperialistëve amerikanë e revizionistëve sovjetik. Për këtë paragrafët kërkon t’i bëjë tejet të besueshëm. Me anë të llambës magjike të Aladinit. Cila qënka kjo llambë magjike që i shërben shkruesit të nderuar? Mendoj se është aforizma e njohur popullore:  “Sa më e madhe të thuhet gënjeshtra, aq më e besueshme bëhet për të tjerët”. Zoti Tare ngul këmbë se paska gjetur dokumente origjinale nga arkivi i CIA -s amerikane për të ashtuquajturin “grup armiqësor të Teme Sejkos”, i cili u arrestua nga Sigurimi famëkeq i Shtetit në verën e vitit 1960 dhe u gjykua gjatë vitit 1961 nga gjykatat e kohës, vegla të diktaturës komuniste. Kam mendimin se ato që shpreh shkruesi i nderuar nuk janë ashtu siç paraqiten. Të gjitha sa trajtohen në tre numrat e organit të njohur, ku janë botuar gjenden të plota në koleksionin e gazetës “Zëri i Popullit” të gjysmës së parë të vitit 1961. Janë deponimet e personave të arrestuar të thëna nën torturat më çnjerëzore e më të paimagjinueshme që u bënin xhelatët e Sigurimit të Shtetit. Pra, nuk janë dokumente as nga CIA e KGB-ja, as nga Asfalia e UDB-ja, por deponime nën kërbaç botuar tek ZP-ja. Megjithatë, s’kisha në mend të polemizoja për thëniet grup a gjasme grup, dokument apo pseodokument përderisa për këto nuk ishte i qartë as Diktatori (siç thotë vetë) jo më një nga mijëra shkruesit e sotëm, të cilët nxinë qindra faqe gazetash çdo ditë. Nxitja për shkrimin më erdhi nga përmendja e gruas konispolite që gjoja bënte punën e postieres e të agjentes. Ajo, sipas shkruesit të nderuar, groposte e ç’groposte letra konspirative poshtë një shtylle, duke u bërë ndërlidhëse dhe pjesë e rëndësishme e punës armiqësore të të gjithë grupit. Këtë thotë shkrimi i zotit Tare, këtë ka edhe deponimi i nxjerrë me kërbaç dhe i botuar tek ZP-ja e vitit 1961.

Gavril Dara (i Ri) në një varg thotë: “Lëri të vdekurit në vend…”. Zonja që përflitet si postierë e agjente (ndjesë pastë, se ka kohë që ka vdekur) ka qenë një grua e nderuar, e zgjuar, e lexuar dhe e emancipuar. Nuse në derën fisnike dhe me emër atdhetarie të Plakajve që, veç të tjerash, ky fis ishte një nga krijuesit dhe financuesit e formacionit të parë partizan të rrethit të Sarandës, batalionit “Çamëria”. Më i njohuri i këtij fisi, Rexhep Plaku, ka qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm NÇL gjatë L II B. Etiketimi i zonjës si pjesëtare e një grupi armiqësor është një sajesë dhe shpifje e ulët gjysmëshekullore që i bëhet, jo vetëm të ndjerës, por gjithë grave me vlera të ndritura të Konispolit.

I nderuar Auron! Gratë e krahinave të ndryshme të Shqipërisë e të Greqisë i thërrisnin dhe i thërrasin edhe sot me përkëdheli “bejka konispolite” vajzat dhe gratë e Konispolit. Bejkë, o i nderuar, i thonë një femre fisnike, të pastër në shpirt e në pamje, të hijshme dhe pastërtore, shembullore në familje. Këto janë çamet e famshme që me kostumet e tyre tërë shije dhe estetikë të përsosur, Bajroni i vlerësoi si më të bukurat në botë. Në historinë e dy shekujve të fundit janë shënjuar plot gra të shquara në fusha të ndryshme të jetës familjare e shoqërore, të cilat kanë mbetur me emër të gdhendur në memorien e brezave konispolitë. Ato janë shumë, unë do të përmend disa. E ndjera Xhevahire Demiri, që jetoi në dy shekuj (1844 – 1944) është quajtur nga studiuesit arkiv i gjallë për ngjarje të ndodhura që nga koha e Ali Tepelenës e deri në luftën tonë çlirimtare. E mençura Seko Halili e ktheu shtëpinë e saj në shkollë për rreth 100 vajzat konispolite në vitin 1931 dhe bëri të mundur çeljen e pesë klasave të shkollës femërore në Konispol. Trimja Çibe Vejzati, e mbetur e ve në moshë të re, me fëmijë të vegjël e pasuri të madhe, ngjeshi koburen në brezin e çitjaneve për të mbrojtur fëmijët e pasurinë. E bija e saj, Dëshira Tatari (Vejzati ) po të njëjtin fat pati. Që në moshën 24 vjeç mbeti e ve me katër fëmijë. I shoqi, Ganiu, u burgos nga diktatura komuniste si pjesëtar i atij të ashtuquajturi grupi armiqësor që shkruani ju, i nderuar Auron. Pra, e ve, me burrin gjallë. U rropat fushave të kooperativës për të rritur katër krijesat e pafajshme. Dorën tek askush s’e shtriu, sytë askujt s’ja ktheu. E ndershme e qëndrestare shembullore rriti e nxori në jetë fëmijë me virtyte. Në fillim shekullin XX gjatë luftës anti-osmane, komitët e Muharrem Rushitit ushqeheshin, priteshin e përcilleshin me nderim si luftëtarë të lirisë nga gratë e Konispolit. Gjatë Rezistencës frontale 55 ditore të Konispolit (gusht – shtator 1943 , më e gjata e gjithë Luftës sonë çlirimtare ) vajzat dhe gratë konispolite, nën breshërinë e armëve të nazistëve, u çonin ujë e ushqime luftëtarëve mu në vijën e frontit e nuk frikësoheshin. Në kushtet e një pune rraskapitëse, në aksionet e para vullnetare të pasluftës apo në fushat e kooperativës bujqësore ato qenë punëtore shembullore për gjithë të tjerët dhe cilësoheshin si më të dalluarat e çdo lloj pune. Në çantat e tyre kishte përherë dy palë ndërresa: një palë për të punuar e tjetra për t’u veshur pas pune. Kushdo habitet edhe sot kur sheh vajzat dhe gratë e Konispolit në kohën e kthimit nga puna. Të pastra si qelqi. Kështu i njeh historia dhe bashkëkohësia gratë e vajzat e Konispolit, i nderuar Auron, jo si postiere a si agjente në shërbim të të huajve, por me shenja të spikatura virtytesh për familjen dhe qytetin e tyre.

*(Intelektual nga Konispoli)