Ushqimet e skaduara, 22 të helmuar në urgjencë

696
Sigal

BERAT/ Në tregjet e qytetit, konsumatorët po blejnë sëmundjet me lekë. Mungesa e kontrolleve ka sjellë pasoja

Situatë alarmante është krijuar nëpër tregjet e qytetit të Beratit, ku si pasojë e mos kontrolleve nga ana e inspektorëve janë helmuar nga ushqimet e prishura e të skaduara 22 persona. Pacientët janë paraqitur për ndihmë mjekësore në urgjencën e spitalin, nga ku është konstatuar se gjendja e tyre e rënduar shëndetësore ishte shkaktar nga ushqimet.

Gjendja

Ushqimet që tregtohen nëpër tregjet e qytetit, në tregjet javore apo edhe me tezga nëpër rrugët e lagjeve nga temperaturat e larta të stinës së verës frutat e perimet po piqen edhe njëherë nga rrezet e nxehta të diellit. Tregtarët të lodhur e të stresuar as që e marrin mundimin që së paku të rregullojnë kushtet e tregtimit. Sipas burimeve bëhet e ditur se, që pas zgjedhjeve të gjitha ushqimet që shiten nga tregtarët nuk po kontrollohen. Madje, në disa pika tregtimi me shumicë mund të gjesh edhe ushqime që u ka kaluar data e skadencës. Si pasojë e këtyre ata qytetarë që i kanë blerë pas konsumit kanë pasur çrregullimet e para në organizëm. Sipas mjekëve, në spitalin e Beratit pacientët janë paraqitur në gjendje të rënduar, sepse nuk kanë vlerësuar shenjat e para, duke menduar se bëhej fjalë për ndonjë ftohje. Kështu vetëm gjatë fundjavës në spital kanë kërkuar ndihmë mjekësore 22 qytetarë. Ata ishin nga Berati dhe Ura-Vajgurore. Sipas pacientëve, ata ishin helmuar nga ushqimet që kishin blerë në tregjet javore që bëhen në këtë qark.

Tregtarët

Tregtarët janë të vetmit fajtorë, sepse ata duhet të kontrollojnë vetë produktet që tregtojnë. Por duke qenë se, vendi, sapo ka dalë nga zgjedhjet edhe pritet ndryshimi i qeverisë dhe i punonjësve të administratës dhe institucioneve të tjera, situata është paralizuar. Kjo gjendje, me leverdi për tregtarët ka sjellë edhe pasojat tek konsumatorët, të cilët janë më të ekspozuarit ndaj rrezikut. Inspektorët që e kanë për detyrë të ndërmarrin kontrolle në këto tregje javore nuk duken fare, madje sipas të dhënave ata jo në terren që nuk dalin, por as në zyrat e tyre të punës nuk paraqiten. Shkak për këtë janë bërë presionet për largimet nga puna. Puna e lidhur zinxhir ka ndikuar për keq tek jeta e qytetarëve, të cilët rendin pas uljes së çmimeve, duke blerë kështu dhe ushqimet e skaduara. Por konsumatorët nuk e kuptojnë se, po blejnë sëmundjet me lekët e tyre. Më të rrezikuar janë fëmijët e vegjël që shkojnë pas prindërve dhe kërkojnë gjëra, të cilat kanë rrezik të lartë për organizmin e tyre. Burime nga Inspektorati i Ushqimit pranë Drejtorisë së Bujqësisë e Ushqimit, bëjnë të ditur se, tregtarët përfitojnë edhe nga situata e largësisë, ku ata tregtojnë si p.sh nëpër tregje javore si në Poshnje, Kutalli, Lumas, Tërpan, Urë- Vajgurore, ku dhe kontrollet pothuajse kanë munguar.