Bashkim Koçi: 100 vjetori i shkollës së Prishtës në Skrapar

“Nuk ka asnjë shpjegim tjetër “pushtimi” i mendjes së njerëzve nga  padituria, e mungesës së vullnetit për të mësuar shkrim e këndim, përveç asaj që vendi ynë, Shqipëria, qëndroi për pesë shekuj nën pushtimin e Turqisë. Mallkuar qoftë dita kur shkeli këmba e aziatikut në tokën tonë” !- i ka gulçuar shpirti shqiptarit patriot, Mit’hat Frashëri, në vitet ‘20 të shekullit të kaluar.

Analfabetizmi si mallkim, por me Naimin në zemër

Është gati e pabesueshme, sidomos për brezat e sotëm, që 100 vjet më parë në Prishtë të Skraparit nuk dinte asnjë njeri shkrim e këndim. Krejt popullata, të vjetër e të rinj, ishin analfabetë. Dinin të gdhendnin një dru apo një gur, por as që mund të mendohej të “gdhendej” një shkronjë e alfabetit shqip. Njerëz “injorantë” edhe pse jetonin e punonin në trojet me ndriçim shekujsh të Ilirisë, në Europë. Në vatrat e prishtallinjve nuk njihej libri, ca më shumë, nuk imagjinohej që dikush nga bashkëfshatarët të etiketohej si “lexues librash”. Komunikimi midis njëri-tjetrit, qoftë brenda fshatit, qoftë me të tjerët, në fshatrat përreth, bëhej drejtpërdrejt, me gojë, me zë, me të dëgjuar, pra me shqisat të falura nga natyra. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër “pushtimi” i mendjes së njerëzve nga  padituria, e mungesës së vullnetit për të mësuar shkrim e këndim, përveç asaj që vendi ynë, Shqipëria, qëndroi për pesë shekuj nën pushtimin e Turqisë. “Mallkuar qoftë dita kur shkeli këmba e aziatikut në tokën tonë “!- i ka gulçuar shpirti shqipëtarit patriot, Mit’hat Frashëri, në vitet ‘20 të shekullit të kaluar. Mallkim që i dilte nga zemra, nga urrejtja për “t’u hakmarrë” ndaj shkaktarit, ndaj të vetmit që u bë sebep për një popull me histori arsimdashëse, të mbetej me mendje çyryk. Sepse “këmba” e aziatikut, e Turqisë, sundimi qindravjeçar i saj në trojet tona, mbolli paditurinë, e “veshi” ndërgjegjen dhe pasionin e shqiptarit për të nxënë (edhe të prishtallinjve,) me “çitjanet e turkoshakut”. U la si peshqesh injorancën. Aq gjëra sa mësoheshin, ishin produkt i zgjuarësisë të dhuruar nga natyra, nga “gjeni” i trashëguar nga paraardhësit, nga gjaku i të parëve, nga magjia e të shkruarit shqip të poetëve tanë Rilindës.

Sigal

Banorët e Prishtës të fillimit të shekullit XX nuk kishin haber të “shkarravitnin” një copë kartë, por ama shumë prej tyre dinin përmendësh qindra vargje të Naim Frashërit, të Çajupit, e të tjerëve poetë rilindës, të cilat i recitonin si “artistë” të sprovuar në skena teatrore. Mbahen mend dy vëllezërit Duro, Xhaferi me Nevruzin, të cilëve u luteshin për t’i zbavitur sadopak, duke u recituar vargje të Naimit. Por Xhafer Sherifit, nëse ia mbushje mendjen, arrinte të “çudiste dynjanë”, nëse fillonte, nuk dinte të mbaronte së recituari vargjet e të madhit Naim.

 

O veri pa hiq i thua

sorkadhesë qafëgjatë:

Më ka dhënë pyllë mua,

s’mblidhem dot as dit’ as natë.

Pyete vallë përse,

pastaj jak’ e më rrëfe.

Bukuroshe symëshqerrë,

shikomë një herë mua,

trëndafil i kuq me erë,

e di vallë sa të dua?

E mora vdekjen në sy;

do të vdes, të vdes për ty.

 

Këto vargje brilante dinte t’i recitonte një analfabet. Ku dhe si i kish mësuar? Nga kush i dëgjoi dhe si i nguliti në mendje aq pastërtisht, ashtu si i kish ngjizur poeti? Po nuk mund të harroj dot babain tim, Hakiun. “Libri” im i parë nga munda të kuptoja  madhështinë e vargjeve të frashërliut gjigand, ka qenë ai.

 

Do të shkrihem,

të venitem,

si kandili kur s’ka vaj.

Balt’ e pluhur

do të bëhem,

të më shkelnjë këmb’ e saj;

e të prehem

duke puthur

Atë këmbë pasandaj.

As më thua:

Ç’ke me mua?

Pse të dua, paskam faj?!

 

Ai këto vargje i “këndonte”, nuk i recitonte. Dhe aq bukur, aq me dashuri e pasion, sa zor t’ia gjeje një të dytë, që të mundëte ta kish aq për zëmër Naimin. Kush ishte ajo “magji” që sillte tek një çoban mali majanë e vargut naimian? Duhet të ishin ata gjallë, që të mund të na i thoshnin…

Kleri bektashi-prurësi i ABC-së

Lëvizja e banorëve të Prishtës për t’u arsimuar lidhet drejtpërdrejt me besimin bektashi. Frymëzuesit, ata që u dhanë zemër për shkrim e këndim, kanë qënë klerikët bektashianë, të cilët janë shquar për të qenë sa më afër çështjes kombëtare. Ishte viti 1880 kur baba Xhafer Prishta i kërkoi qeverisë turke që të çelte një shkollë në Skrapar. Dhe ky klerik arsimdashës ia arriti qëllimit (edhe pse në gjuhën turke) duke e çelur shkollën në Çorovodë. Ndërtesa me tri dhoma përfundoi vetëm në saje të kontributit të tij. Abetarja e parë ”ka shkelur” në Prishtë në vitin 1911. E solli Abedin Prishta (Lushka) nga teqeja e Frashërit. Nuk dimë hollësira rreth asaj çka u bë me Abetaren, por Abedini, si njeri i dituar dhe “i djegur” për shkrim e këndim, duhet ta këtë gjezdisur derë më derë të prishtallinjve, si një “uratë” që do të hapte rrugën drejt çeljes të shkollës së parë ku të mësohej shqip.

Shkolla e parë shqipe në Prishtë u hap më një prill të vitit 1926. Është vit për t’u mbajtur mend, për ta gdhendur në zemrën e çdo bashkëfshatari, i moshuar apo fëmijë, sepse shënon fundin e “epokës” famëkeqe të analfabetizmit. Jo se në këtë muaj e në këtë vit mori fund e keqja që na kish shoqëruar brez pas brezi, por sepse u hap një dritëz për të dalë nga tuneli i gjatë, tepër i gjatë, i injoracës që na kish shoqëruar për qindra vjet, etër e bij.“Godina” e shkollës së parë, e cila “u ngrit” me forcat e përbashkëta të bashkëfshatarve, ka qenë vetëm një dhomëz me përmasa normale. Gjendej në vendin ku ne sot e thërrasim “ Tek Teqetë e vjetra”, apo saktësisht  “tek Dyqani”.

Ja një “e veçantë” tjetër që duhet mbajtur mend: mësuesi i parë i shkollës së Prishtës. Jo mësuesi i parë i klasës së parë i secilit nga ne, por mësuesi i parë i shkollës së parë të fshatit, dhe i atyre, të cilët patën fatin të jenë nxënës të tij. Ai është Sami Hafuz Mezhgorani. Mësues Samiu nga Mezhgorani, sigurisht që nuk jeton, por mua më vjen mirë ta krahasoj me Sami Frashërin e frashërllinjve. Ashtu si ky i fundit mbahet mend si mendimtar, si filozof, që bashkë me vëllezrit mbolli dijën e diturinë ndër shqipëtarë, mësues Sami Hafuzi nga Mezhgorani, të cilin fati e solli të hapte shkollën e parë shqipe në Prishtë, do të shënohet në historinë e fshatit tonë si prurësi i “flakës” së diturisë, si ai që “mbolli” për herë të parë ABC-në në ndërgjegjen e të rriturve dhe fëmijëve të atëhershëm prishtallinj. Mësues Samiu qëndroi e punoi  pak më shumë se një vit. U transferua aty pranë, në shkollën e fshatit Kajcë të Dëshnicës së Përmetit. Arsyet pse iu “mërzit” Prishta këtij njeriu, i cili përhapte shkrim e këndim ndër prishtallinjtë, thuhet se kanë të bëjnë në marrwdhëniet e tij me babain e atëhershëm të teqesë, baba Kamberin. Besohet se baba Kamberi sillej ndaj tij si “feudal”, gjë që nuk “honepsej” nga mësuesi mezhgoranas.Nxënësit nuk mbetën pa mësues. Në vend të Sami Hafuz Mezhgoranit erdhi Ali Hotova. Por, për fat të keq, edhe mësues Aliu qëndroi vetëm një vit, sepse në muajin qershor të vitit 1928 shkolla do të mbyllej për arsye “madhore”. Qeveria e Zogut nuk “dispononte” të ardhura, nuk kishte buxhet për arsimimin e popullit fukara.

Shkolla u mbyll por, për aq kohë sa funksionoi, iu hap dera përdorimit të shkrimit e të këndimit. Për ata dy vjet e gjysmë disa fëmijë, por edhe të rritur, mundën të përvetësonin praktikën e të shkruarit, të ishin tashmë jo fare analfabetë, por “të shkolluar”, të ishin në gjendje për të dërguar diku “një copë kartë”. Nxënësit e shkollës së parë shqipe në Prishtë kanë qenë, jo vetëm nga fshati ynë, por edhe nga fshatrat Dors e Rehovicë. Ja emrat e atyre, të cilët kanë hapur historinë e  shkollimit : Ramo Duro, Mehmet Dervishi, Xhako Demiri (Duro), Arif Hajdari, Gani Ciro, Adil Bekteshi, Xhako Lushka, Talat Lushka, Bedri Lushka, Haki Minua (Jaupllari), Nevruz Çuku (Dorës), Asllan Zaimi (Rehovicë), Abdulla Fusha (Dorës), Sabri Idërshai (Rehovicë), Çerçiz Idërshai (Rehovicë).

Nga shënimet e nxjerra nga historiku i fshatit mësuam një fakt, i cili tregon sesa “të uritur” kanë qenë prishtallinjtë për shkollim. I moshuari, dervish Bajram. Neziri (Kotobelli), edhe pse ishte në prag të largimit nga jeta, më shumë se 70 vjeç, mundi të mësojë shkronjat shqipe, mundi të plotësonte një dëshirë të tij të ëndërruar që nga koha e fëmijërisë. Dhe ky bektashi la të thënën lapidare, e cila kujtohet edhe sot: “Ndoshta nesër mund të vdes, por ndjehem i lumtur që do shkoj në atë botë i mësuar”.Nga viti 1928 e deri në vitin 1936, pra plot 8 vjet, Prishta iu kthye të kaluarës së saj, një fshat pa shkollë. Vetëm në shtator të ’36-ës, pas përpjekjesh shumë të mëdha, duke i bërë presion qeverisë së atëhershme, u mundësua rihapja e shkollës fillore.Prishtallinjtë kishin vënë ultimatumin: “O shkollë, o s’ka derman!” Dhe përgjigjja nga qeveria ishte po kaq “ultimative” : “Ndërtojeni vetë, gjeni edhe mësuesin dhe ne nuk ju pengojmë për të hapur shkollën”.

Ndërtesa u ngrit me punë vullnetare të të gjithë fshatarëve. Sipërfaqen e tokës ku do të ngrihej “godina” e fali Qamil Penëzi, fakt të cilin na e përciell i biri i tij, Hysen Penezi, të shkruar në kujtimet e tij për fshatin e lindjes.Mësuesi u “gjet” pa ndonjë mundim të madh. Ai do të ishte Tajar Grepcka, i cili u gjend i gatshëm për të marrë misionin e mësuesit, detyrë që e kreu për tre vjet radhazi. Tajari kish mbaruar Normalen e Elbasanit në vitin 1935, pra ishte me titull mësues.

Bashkëfshatarët tanë mbajnë mend që ai ishte jo vetëm mësues shumë i zoti, por dhe një veprimtar i shquar, një patriot që do të linte emër të mirë gjatë gjithë jetës, kudo ku punoi e jetoi. Ishte nder për Prishtën që të kishte për fëmijët e saj një mësues si Tajar Grepcka.

Më pas, deri në vitin 1939, kohë kur shkolla u mbyll për shkak të pushtimit të vendit nga Italia fashiste, punoi si mësues edhe Nure Dobrusha, i cili la gjurmë të një arsimdashësi të pasionuar. Djemtë që vijuan shkollën gjatë këtyre viteve ishin: Avni Sheroku, Ali Hysi, Fadil Kotobelli, Hysen Duro, Zaim Llane, Besim Dervishi, Njazi Dervishi, Jashar Mediu (Duro), Medi Laska, Haki Laska, Qamil Penezi, Hysni Hoxha, Qemal Hoxha, Muke Tusha, Nesim Lushka, Hasan Laska, Safet Lushka, Xhemali Lushka, Shefqet Bramko, Nesim Muçi, Telat Tusha dhe Hysen Kotobelli. Ishte si një kasollë, por për punën që bëhej aty, konsiderohej me plot të drejtë “Shtëpia e abetares”, vendi ku njerëzve “ u hapeshin sytë’. Ajo u bë shkrumb e hi nga pushtuesit gjermanë në muajin qershor të vitit 1944. Ishte e mbushur plot e përplot me municione, bomba, granata, murtaja, pushkë etj. Djemtë e fshatit grumbulluan ato ç’mbetën dhe i fshehën mureve e shpellave për t’i pasur si një rezervë në betejat që i prisnin në të adhshmen.

Dhe erdhi një ditë…

Pas përfundimit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare problemi i rihapjes së shkollës doli në plan të parë. Ajo i hapi dyert për fëmijët prishtallinj qysh në shtatorin e vitit 1944, pa u çliruar ende Shqipëria nga hordhitë nazifashiste.Shkollën ekzistuese e kishin djegur gjermanët kur kaluan tranzit në fshat, saktësisht më 5 qershor të atij viti. Për të mos humbur kohë u gjet një rrugëdalje. Tek shtëpitë e Cake Totos u mundësua sajimi i një dhome si klasë mësimi. Mësues ka qenë Sulo Sheroku. Vetëm për dy muaj (shtator- tetor), sepse atij iu desh të shkonte partizan në Brigadën 10 Sulmuese, ashtu si bënë shumë bashkëfshatarë të tjerë prishtallinj.

Për të mos e lënë “të merrte frymë” ambicien  e të rinjve për të mësuar shkrim e këndim, u ngritën kurset e para kundër analfabetizmit. Aty do të merrnin pjesë djem e vajza, të gjithë ata që nuk kishin haber, që nuk kishin as njohjen më të vogël rreth alfabetit shqip. Mësuesi, i cili guxoi të mblidhte bashkëfshatarët për “të nxënë”, ka qenë Islam Laska. Midis të tjerave, ai mundi të mblidhte edhe gra, emrat e të cilave, pas dhjetra vitesh, të duken si personazhe legjendash. Ato, sigurisht, një pjesë janë larguar nga jeta, por kur i përmendim emrat e tyre në një libër historik të fshatit, të cilat “ ku vunë këmbët, u ranë dhëmbët”, na vjen mirë t’i konsiderojmë si prijëse, udhërrëfyese të udhëtimit tonë të përbashkët për shkollim. Ishte guxim i madh që një nuse e re e porsamartuar në një fshat malor të Skraparit, siç ishte Prishta, pasi kish kryer të gjitha punët e shtëpisë, të bëhej  “cuca e maleve”. E vërteta është se kështu ka ndodhur. Nuse të reja si Zyrë Dervishi, Ervehe Sheroku, Xhire Dervishi, Haire Duro, Selvi Lushka edhe ndonjë tjetër që mund ta kenë “shuar” vitet e harresës, përmbysën “male” me paragjykime e prapamendime të mykura, duke filluar, pa e ditur, “maratonën” që do t’u hapte sytë.Ka qenë viti 1950 kur u ngrit “godina” e re e shkollës fillore të fshatit. Ky “investim” grumbulloi të gjithë fëmijët, vajza dhe djem, që kishin mbushur moshën 7 vjeç. Në ato vite punuan si mësues Afërdita dhe Abdulla Elezi. Dhe, sigurisht, pasioni për shkollim u “mboll” me dashuri dhe nuk do të njihej më “pushim”, do të vijonte të mbetej “puna e parë” për të ngjitur shkallët e jetës.

Mësuesit ishin “mysafirë” të përhershëm të Prishtës, vit pas viti. Pas kolonjarit Petro vijuan me radhë të tjerët, si Hajredin Spahiu nga Malindi, Shefqet Bramko, bir fshati (me shkollë fillore dhe një kurs disamujor për mësues), Skënder Mullai nga Konispoli (me shkollë pedagogjike), beratasi Hektor Protopapa, i cili kujtohet për emrin e mirë që la ndër nxënës e bashkëfshatarë, Roberti, Viktor Meshini nga Përmeti, mësues Fadil Bylykbashi e ndonjë tjetër,


Ish mësuesi Shefqet Bramko

Mësuesit “madein Prishta” 

Ishte shtatori i vitit 1963 kur Prishta e nisi vitin shkollor me mësues “prodhim vendi”. Të parët ishin pedagogjikasit e Babë Dudë Karbunarës të Beratit: Ismail Sheroku, Shyqyri Mersini e Ferit Lushka. Pas një viti filloi punën si mësuese vajza e fshatit, Kadrie Kotobelli, e cila kish përfunduar mësimet në shkollën pedagogjike 2-vjeçare në qytetin e Fierit. Ajo hyri në historikun e arsimit të fshatit si dikur Motrat Qirjazi në mësonjtoret e shkollimit shqip.


Ish mësuesja Kadrie Kotobelli

Ish mësuesi Dilaver Kotobelli

Ish mësuesi Pëllumb Hajdari

Djemtë e vajzat e Prishtës nuk u mjaftuan me mësimet “sa për të shkruar një kartë”. Etja për dituri, shumicën i shtyu për të vijuar arsimin 7-vjeçar. Një pjesë në konvikte shtetërore, të tjerët “u marrosën” e shkuan në Çepan. Themi “u marrosën”, mbasi shkolla ishte goxha larg. Vajtje e ardhje, më shumë se dy orë. Po të kemi parasysh ditët e dimrit, me shi e me dëborë, me ngrica e erëra të ftohta, si ajo e Qafës së Siticës, këta fëmijë njomëzakë ishin heronj të vërtetë.  Por edhe çelja e shkollës 7-vjeçare në fshatin Çepan nuk ka qënë e lehtë. Bëhej fjalë për vitin mësimor 1954-1955. Seksioni i arsimit i rrethit vuri kushtin “të gjendej një dhomë-klasë ku të mundej të zhvillohej mësimi dhe të sigurohej një kontigjent me jo më pak se 25 nxënës”. Vetëm pas plotësimit të kësaj “kërkese” organet e pushtetit në rreth do të dërgonin numurin e mësuesve të nevojshëm për të zhvilluar mësim.

Ky “ultimatum qeveritar” diktoi që të mblidheshin urgjent kryepleqtë e fshatrave Çepan, Prishtë, Muzhakë, Zabërzan e Rok, të cilët vendosën që të ngrihej “godina” e shkollës sa më parë, duke marrë përsipër të dërgonin specialistë ndërtimi nga çdo fshat. Në “kontigjentin” e parë të djemve dhe vajzave tw Prishtws u përfshinë të gjithë ata që ishin të vitlindjes 1941-1942. Eshtë vendi që të sjellim të gjithë emrat e atyre ish-nxënësve, të cilët u bënë nismëtarët e parë për të ndjekur shkollën 7-vjeçare në Çepan. Ata ishin: Hava Selman. Hoxha, Zyrako Habib Bekteshi, Dilaver Ali Kotobelli, Xhafer Haki Koçi, Ferit Bedri Lushka, dhe Qamil Xhafer Hajdari.
Një nga kontigjentet e nxënësve nga Prishta që vijuan shkollën 7-vjeçare në Çepan

Nga e majta në të djathtë, lart: Bejdo Hoxha, Kadrie Kotobelli, Fadil Bylykbashi (mësues), Afife Hoxha, Bashkim Koçi.

Poshtë: Abdyl Bekteshi, Përparim Kotobelli dhe Ylli Duro.

Vite më pas numuri i nxënësve u rrit ndjeshëm, madje duhet thënë se gati të gjithë ata që mbaronin shkollën fillore, e konsideronin “detyrim moral” vijimin e shkollimit 7-vjeçar në Çepan. Shumë nga ata, si: Astrit Sheroku, Bejdo Hoxha, Përparim Kotobelli, Skënder Jaupllari, Kadrie Kotobelli, Avdyl Bekteshi, Haki Duro, Refat Duro, Përparim Hysi, Ylli Duro, Bashkim Koçi dhe Afife Haxha konsiderohen si “kontigjenti i dytë” i nxënësve, të cilët nuk iu ndanë shkollimit në Çepan. Të tjërë më pas, si: Pelivan Duro, Afërdita Dervishi, Rexhep Toto, Dudi Sheroku, Hysen Hysi, Pranvera Dervishi, Afërdita Lushka etj. do të ishin përmbyllësit e sakrificave për të mbaruar arsimin 7-vjeçar me aq mundim.

Viti shkollor 1966 – 1967 erdhi me goxha debate. Ishte marrë një vendim nga rrethi, i cili e bënte të detyrueshem arsimin 8-vjeçar për fëmijët e të gjithë atyre fshatrave që e kishin rrezen e largësisë (në këtë rast bëhej fjalë për distancën Prishtë-Çepan) deri në 3 kilometra. Eshtë veprim i padëgjuar ai që bëri kryetari i këshillit popullor të fshatit, Fejzi Bekteshi, i cili e mati të gjithë këtë distancë me litar 10 metrosh. Dhe doli që largësia Prishtë – Çepan ishte më shumë se 3 kilometra. Pra, vendimi i qeverisë nuk mund të ishte ”detyrues” për Prishtën.

Atëherë prishtallinjtë, drejtuesit e pushtetit, e përdorën mjeshtërisht vendimin e qeverisë, duke bërë presion, me të gjitha mënyrat, për të mundësuar ndërtimin e shkollës në fshat. Dhe kështu ndodhi. Shtatori i vitit 1967 e gjeti Prishtën me shkollë 8-vjeçare, një investim  shumë i madh, po të kemi parasysh ndërtesën madhështore, e cila, edhe sot, pas kaq vitesh, i ngjan një “filiali” universiteti. Ndërtesa “u rrit” dalëngadalë, deri sa mori pamjen që ka sot.Meqë ky vit konsiderohet “i shënuar”, për cilësinë që solli në zhvillimin arsimor të fshatit, duhet të shënojmë që drejtori i parë i saj ka qenë mësuesi  Ismail Sulo Sheroku. Ja dhe emrat e nxënësve që filluan atë vit klasën V: Agim Lushka, Lavdërim Zaimi, Nexhmie Duro, Pasho Lushka, Resmie Dervishi, Ramo Sheroku, Sali Kola dhe Trëndafile Hysi.Ismail Sheroku, mësuesi dhe drejtuesi më jetëgjatë i shkollës 9-vjeçare të Prishtës

(Foto e vitit 1972) Nga e majta në të djathtë, lart:Xhevahire Bregu (Rovicë), Nadire Duro, Jeta Duro, Liliana Xhelaj (mësuese nga Vlora), Aleksandra Hysi,Rubie Koçi dhe Lavdie Sheroku.

Poshtë: Ahire Ciro, Rubie Toto, Resmie Hoxha, Trëndelina Sheroku dhe Qamile Muçi.

Oreksi vjen me të ngrënë, thonë nga anët tona. Edhe ngritja e godinës së shkollës dhe kompletimi i saj me kuadrot e nevojshëm, nuk do të kufizohej me tetë-nëntë nxënës që filluan klasën e 5-të ditën. Ishin po kaq që filluan mësimet pa shkëputje nga puna dhe me korrespodnencë. Ishin “të rriturit”, të cilëve u duhej të mbanin “dy kunguj nën një sjetull”. Të mbanin shtëpinë me të ardhura, por edhe të arsimoheshin. Mund të sjellim emrat e Tomor Sherokut, Sulejman Nevruzit, Mjaftoni Kotobellit, Refie Muçit, Rubie e Mynevere Kotobellit, Afërdita Bejkos, Elmazi Bekteshit, Dajlan Hajdarit, Neim e Refie Nevruzit (burrë e grua) dhe rreth 8- 9 veta nga fshati Rehovicë.Gjatë viteve në shkollën e Prishtës kanë dhënë ndihmesë një numër i madh mësuesish, një pjesë e mirë e të cilëve  vinin nga rrethe të ndryshme të vendit apo fshatrat fqinjë. Në këtë shkollë, me emrin e së cilës lidhen fillesat e karrierës të shumë vajzave e djemve prishtallinj, gjen gjurmë të punës shembullore të mësuesve Përparim e Kadrie Kotobelli

Shefqet Zykës nga Çepani, Liri Sherokut, Liri Bekteshit, Zenel Idërshait (Rehovicë), Latife Gjoleka e Milika Hysa (mësuese të ardhura nga Vlora), Liliana Xhelaj, Aretina Malaj, Tefta Dyrmishi ( nga Muzhaka), Rushe Bekteshi, Astrit Sheroku, Spiro Proko, Theodhori Shia (Vlora), Hysen Fusha (nga Dorsi), Abdyl e Donika Liçollari (burrë e grua nga fshati Zabërzan), Jani Leci (Gjirokastra), Shegë Mersini, Shkëlqim Çuedari (nga Grepcka), Resmie Hysi, Manushaqe Duro, Shkëndi Lushka, Pelivan Duro, Mynevere Baze (nga Kakruka), Pranvera Mali (nga Nishica), Guxim Meta (nga Çepani), Fatmir Kotobelli, Pëllumb Hajdari, Agim Llane, Bukurie Duro e Rexhep Toto.Disa nga këta mësues dhanë mësim për vite më radhë, madje e “ngrysën” jetën duke mësuar djemtë dhe vajzat e Prishtës, të cilët më pas u bënë kuadro e drejtues të rëndësishëm në fshat, në rreth e në mbarë vendin. Por për të lënë të shkruar këtë histori mësimdhënieje po e paraqesim atë në tabelën e mëposhtme:

Nr. Emri Mbiemri Vitet e punës në shkollën e Prishtës
1 Liri Sheroku 34 vjet (1969-2003)
2 Liri Bekteshi 25 ‘’     (1969-1994)
3 Ismail  Sheroku 28 vjet, nga të cilat 21 vjet drejtor
4 Resmie Hysi 25 ‘’     (1977-2002)
5 Shegë Mersini 20 ‘’      (1977-1997)
6 Manushaqe Duro 18 ‘’      (1983-2001)
7 Elmaz Duro 10 ‘’      (1984-1994)
8 Astrit Sheroku 28 ‘’     (1973-20021)
9 Ferit Lushka 7 vjet,  nga të cilat 3 vjet drejtor

10       Kadrie Kotobelli                      2  vjet, (1967-1968)

Ka qenë viti shkollor 2003 – 2004, i cili reduktoi në mënyrë fatale numrin e nxënësve, aq sa shkolla “e famshme e Prishtës”, kaloi në vartësi të shkollës 9-vjeçare të Çepanit. Sistemi i ri kapitalist i vuri fshesën e konkurrimit në luftën për të përballuar jetën. Prishtallinjtë, ashtu si e gjithë Shqipëria, morën arratinë. Prindër, mësues e nxënës u sulën “si me magji“ drejt Tiranës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Sarandës – në kërkim të një jete më të mirë!Nëse përpara dy vjetësh se të fillonin proceset demokratke, pra viti shkollor 1998-1999 numri i nxënësve ishte plot 186, sot në Prishtë janë vetëm tre nxënës. Eshtë vetëm një mësues, Arben Turhani, i cili vjen çdo ditë nga Çorovada  për të mos shuar atë vatër mësimi e diturie, por mendja na shkon ku do të jetë fundi …

Mësuesja  Liri Sherokut me nxënësit e shkollë:

Nga e majta në të djathtë,lart:Liri Sheroku (mësuese) dhe nxënësit  Arlind Sheroku, Dine Dine, Margarita Koçi, Pranvera Bekteshi, Lefter Bekteshi, Fatos Duro.

Poshtë: Nevruz Nevruzi, Mehmet Duro dhe Neritan Bekteshi.

Nuk mund të harrojmë emrat e atyre nxënësve, të cilët, edhe pse i morën mësimet në shkollën fillore e më pas në 8 dhe 9 vjeçaren e Prishtës, mundën të nderonin emrin e saj. Shumë kuadro e specialistë si: Adil Prishta, Besim e Faslli Dervishi Dervishi, Veli e Teki Bekteshi, Shyqyri Hajdari, Fadil e Meleq Kotobelli, Muhamet Bekteshi, Skënder Kotobelli, Neki, Islam e Jake Duro, Shyqyri e Sadik Mersini, Veli Hoxha, Skënder Jaupllari, Kastriot Koçi, Ylli Duro,  Klemend Mersini, Helidon Bekteshi, Blerta Llane, Tahir Kotobelli, Neim Llane, Ferit e Pasho Lushka, Nebi e Granit Muçaj, Fatmir Kotobelli, Engjëllush e Flamur Bekteshi, Gazmend Ciro, Kastriot Hajdari, Blerim Kotobelli dhe  shumë e shumë të tjerë të cilët ishin dhe mbetën “ të Prishtës”, të shkollës që ende mban të shkruar në suvanë e saj, tashmë gati e shkatërruar, “Mirëseerdhët, nxënës të dashur!”