Bardhyl Berberi/ Kush e “mbyt” të vërtetën në Shqipëri?

574
Në një bisedë në Tetovë me mikun tim të paharruar, Arbën Xhaferi, pak muaj para se të ndërronte jetë, pas intervistës që unë bëra me Arbënin, ai mu drejtua befas: – Miku im, a e ke parë se fjala nuk ka më atë peshë që ka pasur dikur. Njerëzit me të drejtë dyshojnë se “e vërteta » dhe “politika » nuk mund të bashkëjetojnë, sepse janë dy koncepte në kundërshtim njëra me tjetrën. Një aksiomë e vërtetë. Mashtrimet rregullisht janë trajtuar si mjete të nevojshme dhe justifikuese, jo vetëm për zanatin e politikanit ose demagogut, por dhe të drejtuesve të shtetit. Kjo luftë mes politikës dhe së vërtetës na mundëson të kuptojmë rreth natyrës dhe dinjitetit të fushës politike dhe gjendjen e së vërtetës në këtë botë mashtrimesh dhe intrigash. Natyrshëm lind pyetja: Cila është dobia që në politikë e vërteta është impotente, ndërsa fuqia gjithmonë të ketë potencë mashtruese… Tek ne e vërteta nuk është asgjë tjetër përpos një opinioni dhe kjo është arsyeja pse opinionistët e kanë shumë të lehtë të dallojnë të vërtetën e masakruar nga mashtrimet e politikës. Sot politika, e vërteta faktike themelohet nëpërmjet gënjeshtrave, të dhënat, dokumentet, dhe faktet historike, që të gjitha mund të ndryshohen në interes të palës që është në pushtet. Në rast të ndonjë mosmarrëveshje, zgjidhja arrihet në të njëjtën mënyrë si arrihet për ndonjë mos marrëveshje rreth ndonjë opinioni, ku shumica bëhet dëshmitare për vërtetësinë apo pavërtetësinë e së vërtetës faktike, që është tërësisht një procedurë e pamjaftueshme, sepse shumicën nuk ka kush e ndalon që të japë dëshmi falso.

 Është pikërisht e kundërta, ndjenja se i përkasim shumicës mund shumë lehtë të na inkurajojë në dëshmi të deformuara apo mashtrime. Përderisa e vërteta faktike ekspozohet ndaj armiqësisë së opinionistëve, atëherë kur ata i thonë faktet troç mbi abuzime me detyrën, duke shfrytëzuar postin zyrtar apo duke përdorur një nepotizëm ekstrem me pasoja të rënda. Pasoja e gjithë kësaj është se e vërteta në këto kushte nuk mund të mbijetojë. Tani duhet të kthejmë vëmendjen tonë në fenomenin e kohëve të fundit të manipulimit masiv të fakteve dhe opinioneve, apo të zgjedhjeve duke blerë deputetë për të rritur numrin e tyre për zgjedhjen e presidentit të vendit apo së fundi për të siguruar votat nga opozita për të miratuar reformën në drejtësi! Të kërkosh më keq nuk gjen, merreni si të doni. Mashtrimi tradicional politik ka shqetësuar opinionin se sekretet e vërteta, asnjëherë nuk janë bërë publike, ose qëllimet, që edhe ashtu nuk posedojnë shkallën e njëjtë të vërtetësisë si fakte të kryera. Qëllimet janë vetëm potenciale të mundshme dhe ajo që ka qenë për qëllim të jetë një mashtrim, gjithmonë në fund mund të dalë e vërteta. 

Në krahasim me këtë, mashtrimet moderne politike në mënyrë efikase merren me sendet që nuk janë aspak sekrete, por që janë të njohura praktikisht për secilin qytetar. Vendi ynë është i stërmbushur me shembuj të mashtrimeve masive qoftë të fenomeneve sekrete apo edhe atyre që janë të njohura për publikun. Sjelljet politike të shumë figurave publike dhe politike kanë dëmtuar aq shumë të vërtetën, saqë ka sjellë shtetin buzë greminës për shkak të pasivitetit dhe humbjes së besimit të qytetarëve që duhet të jenë një nga mbrojtësit më të denjë të së vërtetës. Si rezultat i gjithë kësaj, sot në skenën politike, por pse jo edhe publike, një sërë figurash politike dhe publike që karrierën e tyre e kanë ndërtuar në kurriz të së vërtetës duke punuar natë e ditë që e vërteta kurrë mos të del në sipërfaqe. Të gjithë ne jemi dëshmitarë se në Shqipërinë e pas diktaturës e kanë karakterizuar shumë fenomene të fshehta dhe publike që sot e kësaj dite nuk është thënë e vërteta e tyre. Sot mbushen dy vjet nga vrasja e Artan Santos, kush e vrau Artan Santos, kush fshihet pas tij pse nuk zbardhet e vërteta. Shqipëria në vitin 1997 u shkatërrua e tëra, u hapën depot e armëve dhe vendi u mbush me kufoma të pafajshmish si rezultat i një politike dilentanteske. Ngjarja e Gërdecit, aferat e armëve nuk janë zbardhur deri në fund apo misteret e vrasjes “aksidentale » të Trebickës në gjueti, vrasjet e katër qytetarëve të pafajshëm më 21 janar, etj. Sot e kësaj dite nuk dihet e vërteta e gjithë këtyre fenomeneve, ato nuk janë zbardhur deri në fund, ka plot mistere pasi e vërteta është e manipuluar duke i shërbyer një takëmi politikanësh që i kanë bërë duart pis me korrupsion. 

Deri më tani, për këto fenomene është bërë politikë, por kurrë nuk është thënë fjala e fundit deri më sot. Nuk ka dilemë se një nga arsyet kryesore që vendi ndodhet në këtë gjendje të kaosit total është fshehja e së vërtetës për të gjitha këto fenomene që e kanë karakterizuar vendin në këto 26 vite të fundit pas shembjes së diktaturës. Nuk ka dyshim se gjeneratorët e këtij imazhi mashtrues e dinë shumë mirë se ata duan të mashtrojnë popullin tonë në tërësi, por rezultati i këtij mashtrimi do të varet kryesisht nga ajo se cilët oponentë dëshiron lideri t’i mashtrojë. Populli ka një thënie të mençur: Do që të bësh kundërshtarë, mjafton që të thuash të vërtetën. Dhe të thuash të vërtetën ka një kosto jo të vogël përderisa ekziston një ushtri mashtruesish që e bëjnë të bardhën të zezë. E vërteta, edhe pse e pafuqishme dhe gjithmonë e rrëzuar në dyluftime me të plotfuqishmit, posedon një fuqi potenciale brenda vetes dhe në moment kur do të del në sipërfaqe ajo shemb të gjitha kullat prej rëre të ndërtuara nga figurat publike të këtij vendi. Pavarësisht tentimeve të këtyre figurave me fuqi false, se çka mund të shkaktojnë të fshehin të vërtetën, ata janë të pafuqishëm të zbulojnë ose të shpikin një zëvendësim të shëndetshëm për të. Bindja dhe dhuna mund të shkatërrojnë të vërtetën, por nuk mund ta zëvendësojnë me diçka tjetër, pavarësisht a bëhet fjalë për të vërtetën racionale. Tani janë plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme që e vërteta për të gjitha ngjarjet duhet që të zbardhi skuta e errësirës dhe pisllëqet e politikanëve.
Sigal