BALLKAN PERËNDIMOR APO UNION BALLKANIK ?

428
Sigal

Ani Jorgo Thomai M.A-2

Analiste dhe eksperte ekonomie

 “Fantazma endacake ballkanase nuk është personazh, por emër shenjëzues” – Ferdinand de Sosyrit.

Studime të ndryshme mbi Ballkanin, japin përkufizime të ndryshme për të. Të gjitha përkufizimet e dhëna përmblidhen me dy fjalë “fuçi baruti”. Unë do të mundohem të jap një përkufizim të ri për Ballkanin. Këndi im i vështrimit ndodhet në skajin perëndimor të “fuçisë së barutit”, të cilës si fillim zgjedh “t’i heq fitilin”.

Në qoftë se do të ecja në kohë, më duhet të udhëtoja larg në të shkuarën për të gjetur Ballkanin e paqtë, në qoftë se do të hidhja vështrimin në gjeopolitikë, do të ngecja në spiralen e politikave për të vendosur paqen në Ballkan.

“Shpjegimi i irredentizmave ballkanas, i ëndrrave për lavdi dhe ekspansion territorial, përmblidhen me një fjali të vetme – Ishte e vështirë për njerëz të cilët kishin arritur aq shumë dhe aq shpejt, të dinin se ku duhej të ndaleshin.”- Maria Todorova

Sot ka ardhur koha që Ballkani të ndalet, të ndalen një çast njerëzit e tij dhe të analizojnë çfarë kanë humbur dhe çfarë kanë fituar, në harkun kohor të historisë të zhvillimit të tij. Për këtë arsye unë do të pozicionohem vetëm në ekonominë e Ballkanit.

Ballkani gadishulli juglindor i Europës, përbëhet nga shtete të madhësive të qyteteve të pjesës tjetër të kontinentit. I ndodhur midis lindjes dhe perëndimit, duket sikur këto dy anë të rruzullit, e kanë tendosur kaq shumë gadishullin, sa e kanë copëzuar gjeografikisht dhe territorialisht. Gadishulli i Europës i cili në antikitetin e vet i jepte leksione qytetërimi pjesës tjetër të Botës edhe pse ka popullsinë me të re, me dendësi më të lartë në Europë, çuditërisht ka ekonominë më pak të zhvilluar. Historia e gadishullit e mbushur luftëra dhe konflikte, me gjasa i ka lodhur dhe varfëruar ballkanasit, të cilët enden rrugëve të Botës apo Europës për një ekonomi më të mirë.

Por çfarë prezanton Ballkani sot në tërësinë e vet?

Në harkun kohor të zhvillimit të tij, Ballkani është Europa në miniaturë, ku kjo e fundit shikon shëmbëlltyrën e vet të deformuar. Kjo ndoshta është arsyeja, përse kontinenti plak e ka më të lehtë ta anashkalojë Ballkanin, në të kundërt ai duket sikur do t’u kthehet problemeve delikate, të mbyllura me kujdes në territoret e veta. Në këtë këndvështrim, Ballkani duket sikur prezanton problematikën e përmbledhur të Europës, të cilën ajo pretendon se e ka hedhur mbrapa krahëve. Shprehur shkurtimisht, Ballkani i sotëm është Europa e së djeshmes. Nisur nga ky fakt, a mundet Ballkani ta tejkalojë të djeshmen e Europës dhe të behet e ardhmja e saj?

Në qoftë se shtrojmë pyetjen: – Çfarë e bën Ballkanin të padëshirueshëm në Europë?- përgjigja do të jetë – ekonomia e tij e pazhvilluar, varfëria. Europa i ka të freskëta kujtimet me problematikën e ekonomisë Greke e cila i kushtoi jo pak, apo konfliktet e mprehta me kosto të lartë midis popujve te vegjël të Ballkanit. Kurrsesi Europa nuk do të prishte komoditetin e vet, për të zgjidhur hallet e popujve të Ballkanit, të cilët “ngatërrohen me këmbët e veta”. Si rezultat mund të themi që: zhvillimi i ekonomisë së Ballkanit është çelësi i zgjidhjes së të gjithë problematikës së tij në tërësinë e vet.

Si mund të zhvillohet ekonomia e një territori? – Nëpërmjet resurseve natyrore dhe burimeve njerëzore. Përvoja njerëzore e shtetformimit na tregon, se vende të varfra në burime natyrore dhe të pasura në dije njerëzore, renditen në shtetet më të zhvilluara në planet, si kundër dhe shtete të pasura në burime natyrore dhe me popullsi të re dhe numeroze, mbartin histori koloniale shekullore. Në të tilla raste populli ynë thotë: Më mirë të dish se të kesh!

Ballkani ynë është i pasur në dijë njerëzore dhe në burime natyrore. Dijet njerëzore të Ballkanit, të cilave ky i fundit nuk arrin t’u përmbushë ambiciet e veta, janë të shpërndara kuturu nëpër Europë apo Botë, ndërkohë që pasuritë e Ballkanit , për të eturit për pushtet dhe pasuri, përmbushin plotësisht lakmitë e tyre. Ballkani i sotëm dhe i të ardhmes, duhet të bëjë vend për të diturit e vet. Ballkani i sotëm dhe i të ardhmes, duhet të jetë “smart Ballkan”, me zgjidhjet inteligjente që duhet t’u bëjë problematikave të veta, në tërësinë e vet dhe jo të ndara sipas shteteve përbërëse. Në këtë kontekst unë nuk e shikoj Ballkanin të ndarë në perëndimor dhe pjesa tjetër e Ballkanit, unë e shikoj Ballkanin të organizuar si një i tërë, si Union Ballkanik, ku secili prej shteteve merr rëndësinë e vet në formimin, organizimin e gadishullit dhe sidomos në vendim-marrjet për të. Konkretisht, vendin tonë Shqipërinë, unë e shikoj si vendi ku duhet të ndërtohen Bursa e Ballkanit dhe institucionet ekonomike, financiare ndërballkanike.

Rezervat e naftës dhe gazit, burimet natyrore hidrike, potenciali i energjisë diellore, përveç pasurive të tjera natyrore, i japin vendit tonë potenciale financiare të spikatura në Ballkan. Një arsye tjetër është historia e vendit tonë, në të cilën nuk vërehen nxitje të luftërave midis vendeve apo dhe ekspansion territorial, të cilat i sigurojnë klimë të qetë dhe të përshtatshme zhvillimit të veprimtarive të këtyre institucioneve. Gjithashtu dimensionet e vogla të vendit tonë, pozita gjeografike, e bëjnë atë lehtësisht të dominueshëm dhe administrueshëm në kontekstin ekonomik dhe financiar, duke ofruar siguri në tregjet financiare ndërkombëtare.

Parlamenti ballkanik mund të vendoset në Greqi si vendi ku u lind dhe u zhvillua demokracia. Në këtë mënyrë mund të vazhdohet me organizma të tjerë ndërballkanikë në vende të tjera me synimin riorganizimin dhe zhvillimin e ekonomisë, shkencës, arsimit, kulturës, shëndetësisë në funksion të Ballkanit si një organizëm i vetëm. Vetëm ne këtë mënyrë Ballkani mund t’i prezantohet Europës me potencialet e veta dhe jo me problematikën e vet, ndërkohë që vija bregdetare, klima mesdhetare, territoret alpine, mund ta shndërrojnë Ballkanin në resortin turistik të Europës, ku kjo e fundit të kalojë e qetë pushimet e veta.

«Ne (europianët) jemi duke imituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ndërtimin dhe funksionimin e Bashkimit Europian, ndërkohë që shteti model në Botë është Zvicra» – Bernard Castagnède – «Précis de fiscalité internationale»

Kjo sentencë është një mësim i mirë për ne ballkanasit apo organizmat europianë, kur të mendojmë për ndërtimin dhe funksionimin e Ballkanit si një organizëm i vetëm, të vërejmë modelin i cili ndodhet përpara syve tanë. Në këtë kontekst, ballkanasit përpara se të e tregojnë njëri-tjetrin me gisht, duke u qesëndisur deri në konflikt dhe të mbajnë sytë nga dikush më i madh se ata, të vijë dhe të shuaj konfliktet, le të zbulojnë pozitivitetet tek gjithsecili, për të bërë më të mirën për veten e tyre. Kjo është rruga si Ballkani mund të integrohet në B.E, ky është Ballkani ku Europa duhet të shikojë të ardhmen e vet. Duke vëzhguar Ballkanin në zgjidhjen dhe mbylljen e problematikave të veta dhe ndërtimin e të ardhmes së vet të paqtë, Europa eliminon tek vetja ato probleme të cilat jo pak e kanë rrezikuar ekzistencën e saj. Në këtë kontekst, BE do të ishte më mirë në krye të rrugëtimit të saj, të niste ekzistencën e saj nga Unioni Ballkanik ose të zhvilloheshin paralelisht. Zhvillimi i ekonomisë së Ballkanit si një e tërë do të rrisë konkurueshmërinë në Europë, përveçse do të zhvillojë tregun Ballkanik dhe do të zgjerojë atë europian. Për këtë arsye Europa duke e parë Ballkanin si Europa në miniaturë, duhet të mbështesë ngritjen e institucioneve ndërballkanike, paralele të institucioneve të veta dhe t’i mbikëqyrë deri në funksionimin e tyre, për ta shndërruar Ballkanin në të ardhmen e saj. Adaptimi i legjislacionit Europian apo Zviceran (referuar modelit të zgjedhur), në tërësinë e vet, për ngritjen dhe funksionimin e strukturave organizative dhe ekzekutive ballkanike, do të mbështesin ringritjen e ekonomisë së Ballkanit, e cila do të rrisë fleksibilitetin e ekonomisë europiane dhe qëndrueshmërinë e saj.

Ballkan perëndimor apo Union Ballkanik ? – Union Ballkanik, ndoshta sipas modelit zviceran!