Avokat Myftar Rusta: Roli i Avokatit në Hetim dhe në Gjyqim – Nga Barazia Formale tek Barazia Reale

Nga Avokat Myftar Rusta
Në parim, çdo proces gjyqësor penal në Republikën e Shqipërisë duhet të zhvillohet mbi bazën e parimit të “armëve të barabarta” – një standard i njohur ndërkombëtarisht dhe i garantuar nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ky parim nënkupton që si prokuroria ashtu edhe mbrojtja duhet të kenë të njëjtat mundësi për të paraqitur provat, për të kundërshtuar argumentet dhe për të ndikuar realisht në vendimmarrjen e gjykatës.
Por, a ndodh kjo në realitetin shqiptar? Fatkeqësisht, jo.
Fuqia reale e prokurorisë
Në sallën e gjyqit, prokurori paraqitet si “palë”, por në të vërtetë ai është përfaqësuesi i shtetit, i pajisur me një arsenal fuqish dhe mjetesh që e vendosin mbrojtjen në një pozitë të pabarabartë:
•Drejton hetimin si kryetar i grupit hetimor.
•Vendos për ndalime dhe kontrolle, shpesh pa vendim gjykate, me justifikimin e “rastit të ngutshëm”.
•Ka në dispozicion Policinë e Shtetit, ekspertët dhe laboratorët shtetërorë.
•Mund të urdhërojë përgjime dhe sekuestrime.
•Ka ndikim të dukshëm, shpesh indirekt, mbi gjykatën në fazën e vendimit.
Në këto kushte, barazia midis palëve mbetet një slogan formal, pa fuqi reale.
Pozita aktuale e avokatit në Shqipëri
Avokati, në shumicën e rasteve, mbështetet vetëm në ato prova dhe dokumente që prokuroria vendos t’i vërë në dispozicion – shpesh me vonesë dhe të përzgjedhura. Ai nuk ka mjetet e duhura ligjore për të zhvilluar një hetim të pavarur, për të angazhuar ekspertiza private që kanë fuqi të barabartë me ato të akuzës, apo për të krijuar një “dosje të mbrojtjes” në mënyrë të plotë dhe të pavarur.
Në këtë situatë, mbrojtja mbetet në rolin e një reaguesi, jo të një aktori aktiv dhe të barabartë.
Modeli italian – një shembull për t’u ndjekur
Italia, përmes ligjit të saj procedural penal, e ka kuptuar prej kohësh se barazia e palëve nuk mund të mbetet vetëm në letër. Avokati ka të drejtën:
•Të zhvillojë hetime private.
•Të angazhojë ekspertë dhe laboratorë privatë.
•Të depozitojë në gjyq prova të mbledhura nga vetë mbrojtja.
Ky model i jep kuptim real procesit kontradiktor dhe e vendos mbrojtjen në një pozicion të barabartë me akuzën.
Rekomandime për Shqipërinë
Për të kaluar nga barazia formale te barazia reale, është e domosdoshme që në Kodin e Procedurës Penale dhe në Ligjin Organik të Avokatisë të përfshihen ndryshime thelbësore:
1.E drejta për hetime private, me licencim dhe rregullim ligjor të detektivëve privatë.
2.Akses i menjëhershëm në aktet e hetimit nga momenti i marrjes së cilësisë së të pandehurit.
3.Përdorimi i ekspertëve dhe laboratorëve privatë, me vlerë të barabartë provuese me ato shtetërorë.
4.Sanksione konkrete ndaj çdo pengese të mbrojtjes nga organi i akuzës.
Përfundim
Pa një reformim të tillë, procesi penal në Shqipëri nuk mund të quhet i drejtë. Avokati duhet të jetë i pajisur me mjetet për të hetuar, për të sfiduar dhe për të paraqitur prova me të njëjtën peshë si prokuroria. Vetëm atëherë, në sallën e gjyqit, palët mund të ballafaqohen si të barabarta, dhe drejtësia të jetë jo vetëm formale, por reale.

 


Sigal