Av. Eduard Halimi: Strasburgu rrëzon Italinë për konfiskimet antimafia – debati që prek OFL dhe SPAK në Shqipëri

Nga Palermo në Tiranë: Strasburgut flet qartë për konfiskimet e pasurive në emër të familjarëve dhe personave të tretë !

Po e them që në fillim se në Shqipëri, si prokuroria e zakonshme ashtu edhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kundër krimit të organizuar kanë udhëhequr një betejë të vështirë ndaj pasurive të krimit të organizuar, dhe unë e kam mbështetur dhe e mbështes këtë. Por përkrahja e kësaj lufte nuk mund të justifikojë rastet kur shkelen të drejtat themelore të njeriut. Këtë qëndrim e kam pasur edhe më parë, kur kam qenë në detyra të tjera dhe kam mbështetur fuqimisht miratimin e ligjit antimafia si një ligj sui generis shumë vite më parë – dhe sigurisht e mbaj edhe sot, në rolin tim si avokat.

Vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), me shumicë votash, në çështjen Isaia dhe të Tjerë kundër Italisë, ka ringjallur debatin mbi sekuestrimet dhe konfiskimet e pasurive pa një dënim penal përfundimtar që lidh pronarin e pasurisë me një vepër penale, si edhe rastet kur pasuritë rezultojnë në emër të familjarëve apo personave të tretë.

Ligji antimafia në Itali është baza kryesore e ligjit antimafia në Shqipëri, dhe problemet gjatë aplikimit të tij janë të shumanshme. Vetëm Italia dhe Shqipëria kanë një ligj të tillë. Si avokat, e kam ndjekur me vëmendje këtë çështje edhe në vendin tonë dhe kam folur më herët për vështirësitë e zbatimit të tij. Vendimi i para pak ditëve është një leksion i rëndësishëm jo vetëm për Italinë, por edhe për të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë Shqipërinë dhe praktikuesit e ligjit.

Rasti italian në Strasburg

Çështja “Isaia dhe të Tjerë kundër Italisë” është një vendim i rëndësishëm i Seksionit të Parë të GjEDNj-së, i miratuar më 8 korrik 2025 dhe i shpallur më 25 shtator 2025. Ai trajton konfiskimin e pasurive të aplikantëve sipas Dekretit Ligjor nr. 159/2011 (Ligji Antimafia), mbi bazën e vlerësimit se aplikanti i parë ishte një “person i rrezikshëm për shoqërinë” gjatë periudhës 1980–2008.

Tre aplikantët ishin shtetas italianë: Giuseppe Isaia (l. 1964, aplikanti i parë), bashkëshortja e tij Carmela Scaletta (l. 1968, aplikantja e dytë) dhe djali i tyre Davide Isaia (l. 1991, aplikanti i tretë), banues në Bagheria (Palermo). Isaia ishte dënuar për vepra të rënda penale midis viteve 1980–2008, kryesisht grabitje dhe vjedhje me dhunë.
Më 13 dhjetor 2018, Prokuroria e Palermos kërkoi shpalljen e Isaia-s si “person me rrezikshmëri të përgjithshme” dhe konfiskimin e pasurive që nuk ishin në pronësi të tij, por të familjarëve të tij, të cilët nuk kishin qenë kurrë të hetuar apo të dënuar për ndonjë vepër penale. Gjykata urdhëroi konfiskimin e pronave, bizneseve dhe llogarive bankare të familjarëve duke u bazuar vetëm mbi “dyshime serioze”. Gjykatat italiane e konfirmuan këtë masë, ndërsa paditësit humbën kontrollin mbi asetet e tyre dhe iu kufizuan rëndë të ardhurat. Ata iu drejtuan Strasburgut, duke pretenduar se procedura ishte arbitrare dhe nuk garantonte mbrojtje efektive.

Vendimi i Strasburgut kundër Italisë – 25 shtator 2025

Gjykata e Strasburgut, me shumicë votash, konstatoi shkelje të Nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës (E drejta për pronës)

Gjykata theksoi se:

– Italia nuk arriti të provojë lidhjen konkrete mes pronareve te pasurive të konfiskuara dhe nje aktivitetit kriminal.

– Procedurat gjyqësore nuk ofruan garanci të mjaftueshme për të shmangur arbitraritetin
– Ndërhyrja ishte disproporcionale dhe cënoi të drejtat themelore të paditësve.

Ky vendim dërgon një mesazh të qartë: masat parandaluese mund të jenë të ligjshme, por nuk mund të bazohen vetëm në dyshime të përgjithshme por vendime të formës së prerë. Ato duhet të mbështeten në prova të forta dhe të shoqërohen me garanci procedurale që i japin individit mundësi reale për mbrojtje.

Implikimet për Shqipërinë

Në Shqipëri, sekuestrimet dhe konfiskimet janë kthyer në një instrument të përditshëm të prokurorisë së zakonshme dhe asaj të posaçme. Në disa raste që kam ndjekur, prokuroria madje ka “harruar” të thërrasë pronarët ose poseduesit e pasurive gjatë procesit, duke bërë që ata të humbasin pronësinë pa dijeninë e tyre. Në një rast të lexuar në media, prokuroria bastisi një banesë në jug – pjesë e një kompleksi – pa praninë e asnjë personi dhe vendosi sekuestrim pa njoftuar pronarin, i cili nuk jetonte fare në Shqipëri.

Në raste të tjera, gjykatat, pothuajse mekanikisht, kanë rrëzuar pretendimet e pronarëve dhe kanë vendosur në favor të prokurorisë, pa shqyrtuar realisht lidhjen mes pronarit të pasurisë dhe veprimtarisë së supozuar kriminale.

Ky vendim i Strasburgut është një paralajmërim i fortë për aplikantët e ligjit. Autoritetet dhe gjykatat shqiptare duhet të jenë shumë më rigoroze në mbledhjen e provave dhe në arsyetimin e vendimeve. Ato duhet të provojnë se pronari i pasurisë që synohet të konfiskohet ka lidhje të drejtpërdrejtë me një veprimtari kriminale dhe të ekzistojë një vendim gjyqësor i formës së prerë për këtë. Përndryshe, Shqipëria rrezikon të përballet me të njëjtat pasoja si Italia në Strasburg.

Në konkluzion është e rëndësishme të theksojmë se lufta kundër krimit duhet të mbështetet por ajo nuk mund të justifikohet duke shkelur të drejtat themelore të individit
Sigal