Aurela Lamepetro: ” Tirana, një shekull histori”

1196
Sigal

 

Sot është 11 shkurti ku  njëqind vjet më parë Tirana u bë kryeqyteti i vendit. Në fakt Tirana nuk ka qenë kryeqyteti i vetëm i Shqipërisë. Stafeta ka kaluar edhe në qytete të tjera para saj. Në vitin 1912, pavarësisht se Tirana ishte ndër qytetet e para që ngriti flamurin e lirisë, nuk e pati në atë kohë fatin e Vlorës, e cila do të kthehej në kryeqytetin e parë të Shqipërisë së pavarur. Këtu vlen të sqarohet se Vlora nuk u zgjodh për preference  personale të kryeministrit të parë shqiptar, por thjesht dhe vetëm për arsye teknike dhe tepër objektive, pasi ishte i vetmi port ende i papushtuar dhe veç kësaj aty kalonte linja telegrafike që lidhte Vlorën me Barin, duke mundësuar komunikimin me botën e jashtme. Vlorës nuk do ti zgjaste shumë lavdia e të qenit kryeqytet, vetëm katërmbëdhjetë muaj dhe më pas funksionet politiko-administrative në 7 mars 1914 do të zhvendoseshin në një qytet tjetër të rëndësishëm të vendit, pikërisht në Durrës, ku prej portit të tij u bë edhe pritja madhështore për Princ Vidin.

Gjatë gjithë punimeve të Konferencës së Paqes në Paris deri në janar të 1920, nën kryesinë e qeverisë së Turhan pashë Përmetit, ky qytet bregdetar vazhdoi të drejtonte jetën politike dhe ekonomike të vendit. Megjithatë shumë shpejt me hapjen e punimeve të Kongresit të Lushnjes më 28-31 janar 1920 situata do të ndryshonte pasi kishte kohë që dukshëm në Durrës ekzistonte një bastion i madh i forcave italiane, të cilat kërkonin të zbatonin me patjetër  vendimet e Traktatit të Fshehtë të Londrës, sigurisht duke shfrytëzuar gabimet, plogështinë dhe orientimin pro italian të qeverisë së Durrësit, kjo bëri që gjatë vendimmarrjes në Kongresin e Lushnjes, Durrësi të skualifikohej si kryeqytet dhe të fillonin të mendonin për një qytet tjetër më pak të ekspozuar ndaj këtyre rreziqeve.

Gjatë diskutimeve për çështjen se cila do të ishte kryeqendra e vendit pati shumë alternativa ku ndër to ishin Shkodra, Korça, por edhe Tirana. Dy të parat u refuzuan për shkak të pozitës së tyre kufitare ku lehtësisht mund të binin pre e trazirave në kufij dhe si pasojë zgjedhja më e arsyeshme do të ishte Tirana. Deri në atë kohë Tirana dhe gjithë Shqipëria e mesme ishin përmendur kryesisht për trazirat që kishte shkaktuar fshatarësia e këtyre zonave të nxitura nga Esat Toptani dhe dëshirën e tyre për ngritjen e flamurit turk dhe heqjen e alfabetit latin, apo edhe kërkesat për favorizimin e pozitave të klasës së feudalëve. Pavarësisht kundërshtive dhe për arsye objektive Tirana u zgjodh kryeqyteti i vendit, për shkak të pozitës së saj të favorshme gjeografike, në brendësi të vendit, por edhe 40 km larg detit me një popullsi prej 12.000 banorësh në atë kohë. Historia e saj si kryeqytet do të fillonte në 11 shkurt 1920, ku aty do të vendosej qeveria e re e drejtuar nga Sulejman Delvina. Askush nuk do ta kishte menduar duke parë edhe rastet e mëparshme se Tiranës do ti zgjaste plot 100 vjet, detyra e saj si kryeqytet i vendit. Në një vështrim të përgjithshëm as Tirana dhe as tiranasit nuk e kanë kërkuar madhështinë që u jep fakti i të qenit kryeqytet, por me kalimin e kohës ajo u kthye në një nga metropolet më të rëndësishme të Ballkanit.

Kurora e të qenit kryeqytet prej 1920 solli për Tiranën një seri ngjarjesh të rëndësishme historike, ku ajo do ti përjetonte e para pasojat e tyre dhe do të bëhej dëshmitarja e parë e sukseseve dhe dështimeve poltike. Nën emrin e saj janë nënshkruar protokolle dhe pakte si: Protokolli i Tiranës i 3 shtatorit 1920 ku shënoi kapitullimin e Italisë, por edhe Paktin e parë dhe të dytë të Tiranës nënshkruar përkatësisht në 27 nëntor 1926 dhe më 22 nëntor 1927 gjatë viteve të presidencës shqiptare po përsëri me Italinë.

Ajo u bë kryeqyteti,  i cili u përball me sfidën e vështirë të stabilitetit politik dhe parlamentar në vend me gati dymbëdhjetë qeveri të ndëruara në një hark të shkurtër kohor midis viteve 1920-1924. Ndër këto 100 vite histori ajo ka qenë aktor dhe faktor i rëndësishëm.  Tirana  përjetoi vitet e presidencës dhe monarkisë, të cilat shënuan kthesën në historinë shqiptare me arritje të mëdha, po ashtu ajo kaloi pushtimin fashist dhe nazist dhe në fund festoi bashkë me trupat partizane çlirimin përfundimtar të vendit. Megjithatë sfidat e saj më të mëdha do të fillonin pas vitit 1944 ku ajo do të kthehej në pararojën e qyteteve shqiptare dhe do të provonte shijen e të gjitha sistemeve dhe regjimeve politike në vend duke filluar nga diktatura, rrëzimi i saj dhe deri te tranzicioni demokratik.

Sot tiranasit e hershëm vështirë se mund të dallohen nga masa e madhe të cilët pas viteve  90-të me mungesën e theksuar të kontrollit të lëvizjes demografike, aty mund të gjesh një mozaik kulturash lokale dhe krahinore. Në një shekull histori ajo ka ndryshuar mjaft edhe nga fasada e saj, nga një qytet i vogël i modelit otoman me shtëpi të vogla një katëshe, ajo u kthye në një kryeqytet që iu nënshtrua arkitekturës italiane dhe asaj sovjetike, ndërsa sot në çdo skaj të saj mund të gjesh një miks stilesh, ku në secilin prej tyre, mund të vendosësh veten në një periudhë të caktuar e cila mbart histori. Në rrëmujën e saj dhe jetën që ecën me ritëm të shpejtë, ajo mbetet ndër qytetet më të dëshiruara për vendasit, mesa duket për shqiptarët vlen shprehja: “Të gjitha rrugët të çojnë në Tiranë”.

Aurela Lamepetro

 (Historiane/ Muzeu Kombëtar i Pavarësisë)