Artur AJAZI/ Korrupsioni, shqetësim i BE-së për Ballkanin Perëndimor

549
Sigal

Fenomeni më negativ, që ka mbërthyer vendet e Ballkanit Perëndimor, është bërë sot shqetësim  serioz për BE. Duket se pavarësisht progresit që kanë bërë këto vende, korrupsioni mbetet një problem madhor, pengues në zhvillimin politik, ekonomik e social në vendet e Ballkanit Perëndimor. Pas viteve 1990, ndryshimet  politiko-shoqërore dhe afrimi i demokracisë dhe sistemit shumëpartiak, në këtë rajon krijoi mundësi për pjesëmarrjen qytetare dhe llogaridhënie të politikanëve. Gjithashtu në të njëjtën  kohë, ky ndryshim sistemi politik, krijoi mundësi të hatashme për korrupsion dhe veprimtari të tjera të dyshimta që pajë pasojë e tij. Për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, politika mbetet shtresa shoqërore, e cila është molepsur me korrupsion, duke shkaktuar mungesën e besimit për këtë sistem politik dhe që është një kërcënim real për demokracitë e brishta të këtij rajoni. Ekspertët e BE-se kanë arritur në konkluzionin se, sa më i fuqishëm të jetë sistemi politik në këto vende, aq më të rafinuara janë metodat e korrupsionit. Kjo faktohet duke nisur nga shpenzimet e partive politike, financimet private, ryshfetet e fushatave, që e kanë bërë të nevojshme financimin dhe hyrjen e donacioneve të mëdha. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, çdo financim e donacion privat, i kryer pa transparencë, shoqërohet me abuzime shtetërore. Ekspertët e BE-së, e quajnë këtë fenomen si “blerja e influencës”, proces që kryhet me financa që dëmtojnë sistemin demokratik dhe vlerat që ai përfaqëson. Një kërkesë urgjente mbetet transparenca dhe llogaridhënia e partive politike për financimet e tyre në të gjitha vendet e rajonit. Duhet kryer procesi pengimit të financimit ilegal  të partive politike nga burime të dyshimta, dhe duhet të kërkohen përmirësime ligjore për  financimin e tyre, paralelisht me reformimin e strukturave mbikëqyrëse të pavarura. Strukturat e sistemit të drejtësisë, si pjesë të reformës antikorrupsion në vendet e rajonit të Ballkanit  Perëndimor, duhet të jenë pjesë integrale e procesit të integrimit europian. Para 1 viti, ose më mirë para 23 Qershorit, renditja e institucioneve shtetërore të Shqipërisë sipas disa personave të anketuar, ishte një tjetër faktor që bënte BE-në të hezitonte në hapat e saj institucionalë.  Rezultatet e anketimit tregonin se, më të prekur nga korrupsioni ishin gjyqësori, shërbimi shëndetësor, partitë politike, sistemi arsimor, deputetët, policia, zyrtarët publikë dhe nëpunësit civilë, media, ushtarakët, OJQ, dhe institucionet fetare. Rezultatet treguan se, në Shqipëri, ndër   institucionet e para më të prekura nga korrupsioni janë partitë politike. Një demokraci e re, forcohet duke kryer jo vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe duke bërë transparencën e financimeve të partive, pasi nuk mund të ketë qeverisje të pastër pa kryer këto procese. Shqipëria, dhe vendet e tjera të këtij rajoni duke nisur nga Kosova, Maqedonia e Serbia, duhet të merren seriozisht me rehabilitimin dhe ndryshimin e situatës, pasi kanë dobësi në legjislacionet e tyre për financimin e fushatave elektorale. Në një raport të ekspertëve të BE, konstatohet   hendeku i ligjeve dhe zbatimi i tyre në praktikë, niveli i ulët i përgjegjësive, parregullsia në rastin e shkeljes së ligjit etj. Është konstatuar se në mjaft fushata elektorale në Shqipëri, KQZ rezulton  e dobët, pasi asnjë parti politike nuk iu bind sanksioneve mbi financimet e fushatës. KQZ  pavarësisht se ka kërkuar kthimin e plotë të parave pas zgjedhjeve, por në pjesën dërrmuese të rasteve kjo nuk është realizuar. Gjithashtu, BE rekomandon se, duhen fuqizuar rregullat për  barazinë e medias, duke kërkuar transparencë e raportim të saktë. Përfundimisht, duhet të themi se, pa transparencën financiare të partive politike, dhe aktorëve të tjerë qeverisës, demokracia në rajonin e Ballkanit Perëndimor, mbetet e kërcënuar, kurse qytetarët janë ata që humbasin  besimin tek përfaqësuesit e tyre dhe institucionet e shtetit.