Albana Melyshi Lifschin/ 22 nëntori i vitit 1963: Gabimet fatale të Shërbimit Sekret Amerikan

619
Sigal

Atë ditë, Shërbimi Sekret amerikan përjetoi krizën më të madhe, kishte dështuar në detyrën e tij kryesore: mbrojtjen e jetës së Presidentit

Në 22 Nëntor 1963, Shërbimi Sekret Amerikan përjetoi krizën më të madhe në veprimtarinë e vet. Kishte dështuar në detyrën e tij kryesore: mbrojtjen e jetës së Presidentit. Vrasja e Presidentit Kenedi në Dallas, traumatizoi popullin amerikan dhe ngriti pyetjen: Si mund të ndodhte kjo? Gjatë hetimit të çështjes agjentët e shërbimit sekret u përpoqën të shfajësoheshin duke gënjyer. Madje, ç’ishte më e keqja, ata ia vunë fajin presidentit vetë. E habitshme, e pabesueshme, por e vërtetë.

 * * *

Brenda disa orëve nga vrasja e Kenedit, agjenti i Shërbimit Sekret, Roi Kellerman, i cili kishte qenë ulur në limuzinën e Presidentit, e siguroi FBI-në që “masat për vizitën e Kenedit në Dallas kishin qenë nga më rigorozet dhe më të plotat që ishin marrë ndonjëherë për vizitën e një Presidenti në një qytet amerikan”. Agjenti tjetër, Grir, që bënte punën e shoferit qe fare përvojë (madje as në ngjarjen e makinës). Procedura e Shërbimit Sekret nuk e lejonte atë të merrte iniciativën për veprime të shpejta evazive. Ndërsa kishte kthyer kokën dy herë nga presidenti gjatë të shtënave, ai ende priste urdhër nga Kellermani, në krah të tij. Gjatë hetimit, Grir hezitoi të pohonte që pas krismës së parë ai nuk e rriti shpejtësinë e makinës, por në të kundërt limuzina vazhdoi rrugën me ngadalësinë e një kërmilli e qëndroi në vend, duke e kthyer Presidentin në shënjestër të palëvizshme për snajperin. Që nga goditja e parë, agjentët sekretë kishin 6 deri 7 sekonda për të bërë diçka, qoftë edhe diçka për të evituar goditjen e dytë, që i mori jetën Kenedit. Sipas mjekëve ekspertë, në qoftë se në intervalin midis të shtënës së parë dhe të fundit që e goditi Kenedin në kokë, limuzina do të kishte shtuar shpejtësinë do të ishte evituar goditja vdekjeprurëse. Dejv Pauvvrs, mik i hershëm i Presidentit Kenedi dhe anëtar i stafit të Shtëpisë së Bardhë, që ndodhej në limuzinën e dytë, me të cilën udhëtonte zëvendëspresidenti Lindon Xhonson, rikujtonte: “Pas goditjes së parë vura re që trupi i presidentit lëvizi nga krahu i djathtë ku qe ulur, në ekstremin tjetër. Në të shtënën e dytë, guvernatori i Teksasit, Kanëlli,(Connally), që ishte ulur një sedilje përpara tij, ‘u zhduk’ nga pamja,(qe plagosur A.L.)dhe në të shtënën e tretë pashë që plumbi ndau kafkën e kokës presidentit…’. Agjentët sekretë gjatë 6-7 sekondave ngrinë… Vetëm Klint Hill u hodh duke kapërcyer në limuzinën e Presidentit. Një pjesë e kafkës së presidentit Kenedi me gjithë flokë kishte rënë në sedilje dhe gjaku qe shpërndarë gjithandej . Ai mbuloi me xhaketën e tij kafkën e thyer dhe gjakun . Nga ajo ditë, agjenti sekret 31 vjeçar, Klint Hill shembull i kurajos dhe guximit, nuk ishte më ai që kishte qenë më parë. Ai moment jashtëzakonisht tronditës do ta shoqëronte në gjithë vitet e jetës së tij. Në vitin 1975 në një interviste televizive, dhënë gazetarit Majk Uallas (Mike Vvallace), Hill shpërtheu disa herë në lot duke u ndjerë fajtor se përse nuk mundi të reagonte më shpejt me të dëgjuar krismën e parë. Reagimi i vonuar i agjentëve të Shërbimit Sekret për mbrojtjen e presidentit qe një e vërtetë e tmerrshme dhe e pamohueshme. Gjatë kësaj ngjarje tragjike u zbuluan defekte të dukshme në punën e Shërbimit Sekret. Së pari, agjentët nuk kishin trajnimin e duhur. Dy nga ata i kishin marrë të shtënat e para për krisma fishekzjarrësh. Zonja Kenedi, e cila shoqëronte të shoqin, në dëshminë e vet përmendi njërin agjent  të Shërbimit Sekret që nuk reagoi në momentin vendimtar (pas krismës së parë). Ishte fjala për “ shoferin” Grir. “Duhet të zgjedhësh një shofer të mirë, që të mos të të ndodhë gjë”, është shprehur më pas ajo.  Por gabimet e agjentëve kishin filluar më herët. Një natë më parë, në mbrëmjen e 21 Nëntorit, nëntë nga agjentët me detyrë për mbrojtjen e Presidentit Kenedi, ndodheshin në një lokal duke pirë deri në orët e para të mëngjesit të datës 22 nëntor. Sipas rregullores gjatë periudhës së udhëtimit të presidentit, agjentët e Sigurimit e kishin rreptësishtë të ndaluar pirjen e alkoolit dhe nëse thyhej rregullorja ata pushoheshin nga puna. Për këtë rast fatal, kjo nuk ndodhi. Asnjë nga agjentët nuk u pushua. Shefi i tyre Xhejms Rolli i mbrojti ata duke thënë se, agjentët të ndërgjegjshëm për seriozitetin e detyrës së tyre, premtuan që “nuk do ta bëjnë më”. Shefi i Shërbimit Sekret raportonte para komisionit hetimor dhe kongresit se pavarësisht nga fakti që kishin pirë, të nesërmen (datë 22 nëntor) të nëntë agjentët ishin paraqitur në punë në orën e caktuar , me kapacitet të plotë mendor e fizik dhe e kryen detyrën në mënyrë të kënaqshme”(!!!) Fakti ishte se, të nesërmen në mëngjes asnjëri nuk kishte vënë re që autokolona e presidentit nuk ishte në formacionin e duhur. Të dy krahët e limuzinës së presidentit ishin lënë pa motorë shoqërues, pra limuzina e tij qe e zbuluar nga të dy anët. Shërbimi Sekret nuk kishte bërë asnjë përpjekje për ta mbajtur të fshehtë itinerarin e presidentit. Në të kundërt, rruga që do të ndiqte autokolona qe botuar në gazetën lokale Times Herald, dhe tre ditë para vizitës së Presidentit në Dallas qe dhënë në mënyrë më preçize. Agjentët Sekretë në makinën pas limuzinës së presidentit ishin udhëzuar që të shikonin për ndonjë shenjë shqetësuese, jo vetëm nëpër turmën e popullit që kishte dalë për të përshëndetur presidentin, por edhe në rrugët, dritaret e çatitë e godinave, si edhe kryqëzimet e mbikalimet. Edhe kjo detyrë nuk u krye. Fillimisht, duke udhëtuar drejt ‘Main Street’, çdo gjë u duk se shkoi mbarë. Presidenti ndaloi në dy raste për të shtrënguar duart me banorët që kishin dalë ta përshëndesnin si dhe me një grup fëmijësh të vegjël. Turma e njerëzve ishte e qetëPikërisht në momentin kur limuzina mori kthesën në rrugën “Elms”, (ku ndodhi atentati) Guvernatori i Teksasit, qe kthyer nga Presidenti Kenedi duke i thënë: “Zoti President, ju nuk mund të thoni se Dallasi nuk ju do”. Në fare pak çaste, u dëgjua e shtëna e parë mbi autokolonë dhe Presidenti mbërtheu fytin me të dy duart. Agjenti Kellerman, që ishte në sediljen e parë, pranë shoferit, dëshmoi se kishte dëgjuar fjalët e tij: “O Zot, më qëlluan!”

( Pikërisht Kellermani që raportoi që ishin marrë masat më strikte për vizitën e Presidentit në qytet). Sipas versionit zyrtar përshkruar nga Shërbimi Sekret, Li Harvi Osvald shtiu nga dritarja e katit të gjashtë të godinës së magazinës së teksteve shkollore. Asnjë nga agjentët sekretë që kishin detyrë mbrojtjen e presidentit nuk e vuri re snajperin, por në vend të tyre disa persona të thjeshtë e kishin parë . Fotografi, Bobi Xhekson, dëshmoi se kishte parë snajperin me pushkë në dritaren e katit të gjashtë të godinës së magazinës së librave për shkollat. Shërbimi Sekret duhet ta kishte “skanuar” këtë vend ku godinat shumëkatëshe vinin në krah të njëra- tjetrës, dhe ku prej çdonjërës prej tyre shikohej si në pëllëmbë të dorës rruga “Elm” në të cilën do kalonte autokolona e Presidentit.

Për vrasjen e Presidentit, Shërbimi Sekret ia vuri fajin Presidentit për mosvënien e kupolës/tavanit/ të limuzinës,e cila do ta kishte mbrojtur atë. Mirëpo, e vërteta qe se kupola e makinës së presidentit nuk ishte antiplumb, prandaj edhe sikur të qe vendosur, ishte njëlloj sikur plumbi ta qëllonte presidentin përmes xhamit të dritares. Gjithsesi fakti që presidenti udhëtonte me limuzinë të hapur, u shfrytëzua për fajësuar vetë Presidentin i cili “ia kishte bërë vetes” duke qenë neglizhent për mbrojtjen e tij.

 U bë e modës për njerëzit që dinin pak ose aspak për procedurën e mbrojtjes e Presidentit nga agjentët sekretë, të bënin biseda rreth tipit të pakujdesshëm të Xhon Kenedit. Shërbimi Sekret nuk reagoi t’i hidhte poshtë këto mendime. Për ‘të, ky opinion shërbente si një re tymi rreth asaj që ndodhi në të vërtetë në Dallas në 22 Nëntor, 1963. Madje, perceptimi për Presidentin, si neglizhent, i pakujdesshëm/ u përhap publikisht kaq shumë sa që madje, edhe më pas, në 1979 në një mbledhje me përfaqësues të komisionit të zgjedhur për atentatet u tha se, “Presidenti Kenedi përbënte problem për shërbimin sekret, për shkak të stilit të tij. Ai udhëtonte më shumë se paraardhësit e tij dhe i pëlqente takimi me turmat e popullit…”

 * * *

Tjetra: për shkak të koordinimit të keq midis Shërbimit Sekret, FBI-së dhe Policisë së Dallasit, agjentët sekretë as nuk e kishin idenë që një bandë disidentësh nga Kuba, të quajtur “Alfa 66”, kishin kërcënuar jetën e Kenedit. Kubanezët e “Alfa 66”, ishin të egërsuar me Kenedin sepse gjatë invazionit në ‘Bay of Pigs’, ai kishte refuzuar t’i mbulonte ata me sulme ajrore. “Alfa 66” e bënte presidentin personalisht përgjegjës për humbjen shkatërrimtare në duart e ushtrisë së Kastros. Ky grup kishte disa javë që bënte mbledhje në një shtëpi në Dallas, përpara vizitës së Kenedit. Vetëm një ditë pas atentatit, policia e Dallasit informoi Shërbimin Sekret se ato kohë kishte qenë duke vëzhguar Li Harvi Osvaldin, i cili qe takuar me një grup kubanezësh. Shërbimi inteligjent nuk e kishte fare në listën e të dyshuarve Li Harvin. Detektivët e Dallasit i paraqitën atij një listë me 400 emra të dyshuarish, por Li Harvi, i vetëquajturi marksist, megjithëse, i pasqyruar në shtypin lokal, edhe për arratisjen e tij në Bashkimin Sovjetik, nuk qe përfshirë në atë listë. Kështu Shërbimit Inteligjent i humbi një shans për ta kapur Li Harvin.

 –Gabimi tjetër i Shërbimit Sekret ishte që presidenti Kenedi dhe zëvendëspresidenti (Lindon Xhonson) ishin të dy bashkë në atë udhëtim, në të njëjtën rrugë në limuzina të hapura, vetëm pak metra njëra nga tjetra. (Ky gabim u korrigjua në 11 shtator 2001, kur zv.presidenti Cheney, u dërgua urgjentisht në një vend të fshehtë. Asnjëherë më që nga ajo ditë Presidenti amerikan dhe zëvendësi i tij nuk u lanë më në të njëjtin vend).

* * *

Vizita e Presidentit Kenedi në Dallas kishte qëllim politik. Ajo duhej bërë. Partia Demokratike në atë shtet qe e përçarë në mënyrë të hidhur dhe politika e Presidentit në disa çështje duke filluar nga Kuba, të drejtat civile, problem i naftës,i kishte acaruar Teksasit. Të pakënaqur ata kishin dhënë shenja që në zgjedhjet e 1964 do të votonin për republikanët. Guvernatorit të Teksasit, Xhon Kanëlli (John Connally) i qe ngarkuar përgjegjësia për t’u marrë me axhendën politike dhe të përmirësonte imazhin e presidentit në sytë e biznesmenëve dhe elitës së Dallasit. Skena tragjike e vrasjes së Presidentit Kenedi në Dallas, la vragë të thella në të gjithë kombin amerikan. Shërbimi Sekret, mënyra e mbrojtjes së presidentit duhej reformuar. Numri i agjentëve për mbrojtjen e presidentit u shtua dhe u zgjerua trajnimi agjentëve të veçantë. U rrit bashkëpunimi në mes Shërbimit Sekret dhe agjencive të tjera. E me gjithë atë, kjo nuk mund të shmangte ndodhitë tragjike që erdhën më pas.