Arsimi policor, themeli i reformave në Policinë e Shtetit

1135

Drejtues Adriatik AGO




Janë pa diskutim risi reformat e deritanishme të kryera në Policinë e Shtetit. Të projektuara dhe të frymëzuara nga një doktrinë e qartësuar për çështjet e sigurisë, të mbështetura si jo më mirë nga vullnetet politike dhe të shprehura në dokumentin e strategjisë së Policisë, filluan të materializohen duke sjellë edhe produktet e para në përmirësimin e sigurisë publike në gjithë elementët përbërës të saj. Në këtë kuptim, morën formë, reformat legjislative, duke krijuar një shtrat pozitiv në konceptimin e procedurave standarde të veprimtarisë së policisë. Po kështu, reformat u shtrinë në rindërtimet strukturor, ku përparësi iu dhanë përputhshmërisë të njësive policore, si rezultat i reformës administrative, si dhe ndërtimit të strukturave të reja në luftë ndaj krimit të organizuar, korrupsionit e akteve terroriste. Lista e reformave në këtë kuptim është e gjatë, pasi ajo përmbledh dhe aspektet konkrete të luftës së përditshme në terren, që nga cenimet e hapësirave publike, lojërat e fatit, kultivimi i bimëve narkotike, krimet e rënda e deri tek operacionet e inteligjencës policore në bashkëpunim dhe me homologët ndërkombëtarë për krimin e organizuar etj. 

Arsimi policor

Ajo që meriton dhe kërkon vëmendje për thellimin e vazhdueshëm të tyre, është arsimi policor. Pas një pauze të gjatë kohe, më në fund u hap Akademia e Sigurisë, si e vetmja shkollë unike në gjithë vendin, që do “prodhojë” specialistin e policisë. Ky ishte një hap tepër pozitiv, pasi modeli i kaluar, solli dëme të mëdha, si një model që i jepte përparësi shkollimit për gradë policore dhe jo shkollimit për profesion. Kjo e ktheu arsimin policor si qëllim në vetvete, me synim për të marrë grada policore. Shkollimi për gradë eliminoi programet e rregullta që edukonin, formonin, jepnin shprehi e qëndrime policore. E ashtuquajtura reformë bëri që të rekrutoheshin në polici, lloj- lloj njerëzish, me nivele nga më të dobëtat arsimore civile, të cilët duke mos iu nënshtruar shkollimit të rregullt tradicional policor, mbushen radhët e organikave të policisë me persona që nuk kishin asnjë lidhje me detyrën, me profesionin aq më tepër me funksionin real që emëroheshin. Eliminimi i shkollimit, solli dëm, në drejtim të stafit pedagogjik, erdhi dita që mësim teorik e praktik të jepnin punonjës që kishin marre gradë policore sipas modelit të mësipërm, duke e justifikuar me dhënien e certifikatave që organizoheshin për mësimdhënës si instruktor, etj. Aktualisht jemi në një situatë krejt tjetër, investimet e BE dhe ato të qeverisë shqiptare, kanë bërë një ndryshim historik, në drejtim të krijimit të kushteve akomoduese, ambienteve mësimdhënëse e të çdo gjëje që i nevojitet një shkolle të tillë. Mund të themi se është krijuar një kompleks arsimor, jo vetëm nga madhështia, por në radhë të parë nga përmbajtja infrastrukturore, aty mund të gjesh çdo gjë që i duhen një studenti, kandidat për punonjës policie për të mësuar, ushtruar praktikisht, që nga kushtet higjieno-sanitare, ambientet çlodhëse, bibliotekat, palestrat, restaurantet e deri tek investimet me teknologjinë e kohës, elektronikë e kompjuterike, të bëra në klasat e sallat mësimdhënëse. Jo pak punë është bërë, edhe pse për një kohë të shkurtër, në hartimin e programeve mësimore, leksioneve e punëve praktike, etj. Megjithatë jo çdo objektiv quhet i arritur, shumë sfida e presin arsimin policor shqiptar. Në këtë kuptim, shqetësim mbetet thellimi i reformave të nisura, duke u përqendruar tek disa probleme kryesore. 

Politikat e burimeve njerëzore 

E para, në drejtim të politikave të burimeve njerëzore, për rekrutime të personelit pedagogjik, të aftë, pasionant e dashamirës për arsimin policor. Ende vazhdohet me qëndrime edhe pse sporadike, duke emëruar në funksione mësimdhënëse, punonjës që nuk kanë aftësitë e duhura profesionale e pedagogjike, pse jo kanë dhe mangësi në cilësitë specifike që kërkon transmetimi i dijeve. Nuk është kuptuar si duhet fakti që, jo çdo njeri mund të jap mësim, dërgojë sa të duash nëpër kurse trajnimi e certifikimi për këtë punë. Ka shumë punonjës policie të shkëlqyer në aftësitë organizative e drejtuese, për strukturat e terrenit, por kjo nuk do të thotë, se ai është i gatshëm për të dhënë mësim. Mësimdhënia është e lidhur me zotërimin individual të njohurive, me temperamentin, karakterin, durimin, komunikimin, psikologjinë, pedagogjinë, etj. Strukturat e burimeve njerëzore, janë marrë “peng” mbas teorisë së gradave policore. Të detyruar nga kjo epidemi e trashëguar, i bihet gjykimit shkurt, ku ta çojmë filanin, se mban këtë gradë, apo atë gradë, zgjidhja… në shkollë, s’kemi ç’t’i bëjmë, le të japë mësim, etj. Kësaj situate i duhet dhënë fund. Lëvizshmëria e shpeshtë dhe brenda një kohe të shkurtër e stafit pedagogjik, është e lidhur me politikat jo largpamëse të burimeve njerëzore. Motivimi i stafit pedagogjik, moral, material e financiar, aq më tepër kur bëhet fjalë për punë tërësisht individuale, duhet të rikompozohet me frymë tjetër dhe jashtë kritereve që përdoren sot për organizatën e policisë apo për strukturat e terrenit. Historikisht ne nuk kemi pasur shkolla që të furnizoheshin stafe pedagogjike për arsimin policor. Mësimdhënësit janë zgjedhur nga radhët e policisë, nga ata individë që kishin tregues të mirë dhe rezultate të larta si ish studentë, që kishin shkolla të dyta, jashtë apo brenda vendit, arsim juridike ose është bashkëpunuar dhe me institucione të tjera arsimore, etj. Në këtë kuptim, sot kërkohet të kapet ritmi i humbur, stafi duhet të motivohet si në gjithë institucionet e tjera arsimore e shkencore, të njihen nga ligji për arsimin e lartë ato kritere e tagra pozitive që i shërbejnë motivimit e njohjes së vlerave. I duhet dhënë fund praktikave tepër mediokre, që fatkeqësisht ka simptoma dhe sot dhe që udhëhiqen nga teoria “Ti je oficer dhe oficeri duhet ti bëjë të gjitha”. Këto teoria janë shkatërruese, zgjidhin nevojat e çastit, pse jo dhe korruptive. Me këto koncepte nuk duhet të justifikohen lëvizjet, transferimet, ngritjet apo uljet në detyre, etj. 

Hartimi i programeve mësimore 

Së dyti, hartimi i programeve mësimore është hallkë tjetër që duhet vlerësuar dhe të reformohet në raport me kërkesat e tregut. Akademia e Sigurisë, në radhë të parë duhet të prodhojë e furnizojë organizatën e policisë e më pas të ofrojë programe mësimore dhe për agjencitë e tjera ligjzbatuese. . Është e shprehur qartë në aktin e themelimit të Akademisë si institucioni arsimor përgjegjës për formimin, specializimin dhe kualifikimin e punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit të nivelit operues, administrativ dhe menaxherial, më pas ajo ofron specializime dhe kualifikime për institucione të tjera të zbatimit të ligjit, si dhe për persona fizikë e juridikë në fushën e rendit e të sigurisë publike. Shpesh herë këto programe keqkuptohen, që nga strukturat e burimeve njerëzore. Është krijuar përshtypja sikur në këtë institucion arsimor hartohen programe për gradë. Punonjësit e policisë kanë të fiksuar idenë se do të shkojmë në shkollë për të marrë gradën dhe jo për të nxënë, për të marrë njohuri e fituar shprehi, për funksione e role të tjera menaxhuese e drejtuese policore. Akademia e Policisë nuk jep grada, por vetëm harton, realizon programe e nëpërmjet tyre merren e fitohen dije e shprehi. Programet e shkollimit janë të lidhura ngushtësisht me dy kushte kryesore: Me sistemin e rekrutimit të kandidatit, (arsimin bazë të tij) dhe me politikat e burimeve njerëzore. Vetë rekrutimi është i ndërvarur nga nevojat e organizatës. Në këtë kuptim, burimet njerëzore duhet të rekrutojnë kandidatë me arsim në minimum të njëjtë, për funksione të njëjta. Kontraktuesi i porosisë, Akademia, në raport me arsimin e kandidatit harton programin, mbasi më parë, ka marrë dijeni se për çfarë përgjegjësie do të përdoret produkti. Psh, kërkohen patrullë e përgjithshme, rekruto kandidatë minimalisht me arsim të mesëm, dhe ai do të marrë programin e asaj përgjegjësie, ose tregu policor kërkon specialist për hetimin, rekruto kandidatë me arsim minimum bachelor juridik, dhe ata do të marrin programin që i përket kësaj përgjegjësie, ku e përkthyer në kërkesat e ligjit për arsimin e lartë, ky program do të njësohet me master profesional dhe kaq. . Në këtë formë institucioni i arsimit policor do i përgjigjet të gjitha nevojave të tregut policor, pse jo edhe për të tretët, duke hartuar programet e duhura, por gjithnjë në negociata me porositësit për cilësitë e kandidatit. Njohja dhe zbatimi I këtyre parimeve, kushtëzon dhe përmbajtjen e programeve në raport me sistemet shkollore të arsimit të lartë të vendit, ndërkohë legjitimon de fakto institucionin e arsimit policor, si të veçantë, specifik me një status konkret, unik në shkallë vendi. 

Modeli arsimor 

E treta. Me çfarë modeli arsimor duhet të ecim dhe të thellojmë reformat? Të vazhdojmë duke kopjuar dhe implementuar një institucioni klasik të arsimit të lartë, duke u “justifikuar” me termin, se kështu e ka ligji, apo të ndërtojmë shkolla të qarta profesionale policore, ku te prodhojmë për nevojat e organizatës së policisë, dhe një staturë të tillë ta legjitimojmë me ligj po kaq specifik, sa vet arsimi policor. Organizata e policisë si institucion buxhetor, është e limituar organikisht, kështu që edhe shkolla e saj, duhet të prodhojë e të furnizojë këtë limit organik. Akademia nuk prodhon për tregun e lirë, edhe pse ka të drejtë të hartojë e realizojë programe për të tretët. Ne jemi vend i vogël, me numër të pakët punonjësish, krahasuar me shumë vende të tjera europiane. Është e mjaftueshme që të kemi një institucion arsimor policor, ku të gërshetohen elementët pozitivë e motivues të ligjit të arsimit të lartë me eksperiencën, traditën dhe pse jo dhe me shembullin e vendeve të rajonit, si Kroacia, etj. Aktualisht është disi i pa qartë, fakti se, sa vend zë aplikimi i ligji i arsimit të lartë në fakultetet që kemi ndërtuar? Pse ai gjen zbatim të cunguar? Ka vend ose probleme që zgjidhen me frymën e këtij ligji, por, ka dhe probleme që në zgjidhje, ligjin nuk e njohin dhe fusin konceptet, “je oficer”, “kështu e ka rregullorja e brendshme”, “si mësimdhënës, trajtohesh jo nga ligji, por nga aktet e policisë”. . . Pra, kemi mos përputhje, kemi edhe boshllëk ligjor dhe vakum ligjor, kemi veprimin e disa akteve ligjore e nënligjore njëherësh. Kjo pa dyshim që krijon mjegull, vështirësi në funksionimin e përditshëm, edhe pse fryma është pozitive. Shtetit i duhet një institucion arsimor profesional, i thjeshtëzuar dhe i shkarkuar nga teprimet strukturore. Akademia në vetvete duhet të përbëjë një bashkësi shkollash, ku skema e organizimit, t’i vendosë ato në harmoni, sidomos në programe, të njohin njëra tjetrën, të përshkallëzojnë njohuritë që japin, duke u fokusuar secila tek produkti i saj. Në këtë mënyrë, ato duhet t’i lënë hapësira njëra tjetrës, për detyra të dyta, si kualifikime e specializime dhe më pas të plotësojnë detyrime për të tretët e tregut. Shkollat policore do të prodhojnë vetëm dy nivele, atë të patrullës së përgjithshme dhe të specialistit të policisë. Sipër këtyre, në formën e kaskadave të ngrihen programet e tjera për kualifikim ose për specializim. Në asnjë mënyrë, nuk duhet cenuar shkollimi për të dy produktet. 

Sistemi bachelor, jo domosdoshmëri 

E katërta. A duhet të veprojë si kusht, kryesisht dhe si qëllim në vetvete sistemi “bachelor” i arsimit të lartë në arsimin policor? Mbroj idenë, se është i tepruar një fakt i tillë. Sfidat, objektivat e problemet që kemi sot, për të rritur kapacitetet hetimore apo të policimit në përgjithësi, nuk i zgjidh emri, bachelor ose jo, por përmbajtja, e cila duhet të jetë e lidhur me kërkesat e tregut policor dhe t’i shërbejë atij dhe vetëm atij. Pra, specifika e këtij arsimi këtu qëndron, ai shfrytëzon tregun, duke marrë produktin gjysmë të gatshëm dhe e përgatit për misionin e tij. Shembulli më i mirë, i freskët dhe shumë kuptimplotë është shkolla e Avokatisë. Çfarë ka ajo, program mbivendosje bachelor si tek ne, apo një program logjik, një vjeçar, për të rritur kapacitetin e avokatit. Nuk ka atje, as paqartësi, as vakum, as ndërthurje të bazës ligjore, por vetëm realizim programi. Studenti e di përse shkollohet, e di që do të dalë avokat dhe asgjë tjetër. Ardhja në shkollën bazë të policisë, rekrutë me arsim të lartë bachelor, nuk është detyrim ligjor, ajo vjen nga mbingopja e tregut, por ky fakt nuk duhet të përbëjë shkak për selektim dhe të imponojë sistemin e shkollimit. Ngaqë ne rekrutojmë individë me arsim të përzier, të mesëm, të lartë, juridik ose jo, publik ose privat dhe vetëm nga radhët e policisë, detyrohemi që të përdorim programe bachelor, me idenë se po unifikojmë dijet, se në fakt kështu kuptohet kjo gjë. Eksperienca e vitit të parë të fakulteteve në akademi, flet ndryshe, Ndërhyrja me të drejtë e autoriteteve, bëri që një pjesë e studentëve me arsim të lartë juridik dhe jo vetëm, të nivelit bachelor t’i nënshtroheshin vetëm një program specifik dhe ata të hidhen në treg për veprim. Ja pra, që sistemi bachelor i arsimit policor, për një rekrut gjysmë të gatshëm, nuk qenka i domosdoshëm. Është tërësisht e pa kuptueshme që, rekruti që vjen me një arsim bachelor, ne i japim dhe një arsim të dytë bachelor. Dy arsime bachelor sipër njëra – tjetrës. Kjo nuk është më as me standardet europiane, as rentabële nga pikëpamja e kohës dhe ajo financiare, ndërkohë që në strategjinë e policisë shprehemi për “…Rivlerësimin e programeve mësimore dhe ndërtimin e programeve e kurrikulave të reja, për nivelet mbi patrullën e përgjithshme si dhe shërbimet e veçanta të luftës kundër krimit, duke siguruar staf akademik cilësor, bashkëpunuar me CEPOL, asistencën policore perëndimore…”. Është shumë e rëndësishme të kuptohet fakti që, në asnjë mënyrë nuk duhet të ketë në të njëjtin program, rekrutë me arsime në minimum të përziera apo të sistemeve të ndryshme, ndërkohë që ata do të caktohen në përgjegjësi të njëjta. Produkti njerëzor i përfituar pas çdo programi, duhet të caktohet fillimisht në të njëjtën përgjegjësi, në shkallë vendi. 

Reformimi i përmbajtjes së programeve

E pesta. Po përmbajtja e programeve a duhet t’i nënshtrohet reformimit? Patjetër dhe është e domosdoshme. Përmbajtjen e programit e kushtëzon kërkesa e porositësit, cilësia e kandidatit dhe njohja mirë e përgjegjësisë së produktit. Gjykoj se midis shkaqeve të tjerave, mungesa e programeve, e për pasojë mos “prodhimi” i specialistëve të hetimit, përbën një shkak serioz për dobësimin e veprimtarisë hetimore në polici. Në programet aktuale, prevalon metoda e dhënies së njohurive juridike si qëllim në vetvete, si njohuri kulturore juridike, por jo profesionale policore. Gjithashtu, nga ana tyre njohuritë profesionale, jepen të shkëputura nga njohuritë juridike edhe ato si qëllim në vetvete. Një transmetim i tillë i njohurive është aplikuar para viteve ’90 dhe vështirëson të kuptuarit e përgjegjësisë “specialist hetimi”, pasi ndërthurjen e njohurive, i ngelet për detyrë ta bëjë vetë studenti kur ai përfundon programin, ose kur del në punë. Pra, ai nuk del i gatshëm nga bankat e shkollës, dhe nuk i jepet mundësia për kompozim të funksionit që do realizojë në jetë që në shkollë, teorikisht e praktikisht. Reforma që kërkohet ka për objekt, rindërtimin e programit me “metodën e integruar të njohurive”, ku duhen integruar dhe ndërthurur njohuritë juridike (kryesisht penale, procedurale penale, shkencat ligjore) me njohuritë e veprimtarisë informative gjurmuese dhe me teknikat speciale të hetimit. Programi përshkohet nga aplikimi i doktrinave mbi liritë e të drejtat, në raport me autorizimet e policisë në fushën e sigurisë dhe të policisë gjyqësore. Akademia e Sigurisë, për vet natyrën e saj, është një institucion “ad hoc” apo “sui generis”, duke qenë i tipit të përzier midis institucionit klasik të arsimit të lartë dhe institucionit të arsimit të lartë profesional. Në këtë kuptim akademia, duhet të marrë përgjegjësinë e prodhimit të produktit “Oficer i Policisë Gjyqësore”, pasi në asnjë nga institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri, publik dhe jo publik në jurisprudencë, nuk e ka këtë qëllim. 

Të gjitha nxjerrin juristë të përgjithshëm (programi bachelor, master) dhe më pas i nënshtrohen kualifikimeve të tjera për funksione të caktuara. Psh, magjistratura prodhon prokurorë dhe gjyqtarë, të tjera prodhojnë juristë të përgjithshëm, por në asnjë shkollë nuk merren certifikata ose diploma “Oficer i Policisë Gjyqësore”. Pse? Sepse nuk ka programe të tilla, edhe pse tregu ka kohë që e kërkon këtë produkt cilësor në fushën e hetimeve. Sipas gjykimit të sotëm, certifikata e juristit të përgjithshëm, e presupozon funksionin e oficerit të policisë gjyqësore, por në fakt ky është i cunguar. Pikërisht këtu qëndron problemi që duhet të zgjidhet nga arsimi policor. Programi i mësipërm e zgjidh këtë hall. . . Gjithashtu, duhet të konkurrojmë në treg me këtë program, Prokurori, edhe gjyqtari kanë kompetenca në fushën e hetimeve paraprake, sidomos në teknikat speciale të hetimit, si infiltrimet, agjentët nën mbulim, metoda e blerjes së stimuluar të drogës, e dorëzimit të kontrolluar, bashkëpunimi me drejtësinë dhe mbrojtja e dëshmitareve, depërtimet sekrete për përdorimin e mjeteve të kërkimit të provës, operacionet speciale të vëzhgimit, etj, kështu që, do të ishte produktive që ata të njohin parimisht dhe teorikisht se si realizohen këto nga pikëpamja teknike, duke i dhënë mundësi që gjatë kontrollit e drejtimit të veprimeve të policisë gjyqësore, të vlerësojnë e gjykojnë më mirë dhe me objektivitet. Realizimi i kësaj metode do të përbënte risi në arsimin policor shqiptar, edhe pse kërkon një përgatitje të lartë të stafit, të trajtimit të tyre, të programeve, leksioneve dhe të cilësisë së bazës materiale-didaktike e teknologjisë. Jemi në kohën ë duhur që të thellojmë reformat e nisura, çështjet më të mëdha janë të zgjidhura, falë dhe mbështetjes qeveritare. Rikompozimi strukturor i akademisë, i pjesëve përbërëse të saj, do të krijonte një shtrat të sigurtë për realizimin e këtyre reformave të arsimit policor, të cilat në vetvete janë garanci për mbështetjen dhe vazhdimësinë e reformave në gjithë organizatën e policisë së shtetit. 

Pedagog në Fakultetin e Hetimit, Akademia e Sigurisë

Sigal