Andrea Petromilo: “Bishat” bëjnë kërdinë, “çobani” kërkon gjurmët (Përse kërkon votën, zotëri?)

59
Andrea Petromilo
Sigal

Është e çuditshme, madje si një paradoks, pasi, koha në të cilën po jetojmë ka një përngjajshmëri me periudhën e anekdotave, ku përveç rrëfimtarëve askush tjetër nuk ka dëshirën t’i dëgjojë,. Tridhjetë e katër vjet, që historia e njeriut, që i “bënë nderin” (si e qysh, është një enigmë, që i dihet dhe s’i dihet kumbari!) për të shaluar gomarin, për të bërë një copë udhë e më pas të bëhej rokada, vazhdon e po ecën mbi të paçka se dëgjohen zëra, britma e ulërima për të zbritur, por “ ai” s’tutet. Si është e mundur që nuk po rrëzohet? Cilat janë ato forca të pamposhtura që e mbajnë dhe e mbrojnë si të zbritura nga qielli a të ngritura nga nëntoka? Historiografia e krijimit të një shteti demokratik na tregon se në udhëheqje zgjidheshin ata që kishin merita dhe se ishin më të aftë midis bashkëkombësve të vet për ta çuar popullin dhe vendin në nivele më të larta mirëqënieje. Prandaj u krijua mundësia e rotacionit. Sigurisht që në etapat e kalimit nga një system shoqëror në tjetrin, evoluimi drejt përmirësimit të metodave qeverisëse, ka sjellë përparësi në vende të ndryshme. Po në vendin tonë çfarë ka ndodhur e çfarë po ndodh?

Nëse në vitet e pasluftës, ata që morën pushtetin kishin meritën se sakrifikuan jetën për t’i sjellë atdheut lirinë, duke vënë jetën përballë furtunës së atyre viteve, dhe nuk u dihej e nesërmja e tyre, (gjaku i mijëra dëshmorëve përskuqën tokën!), dhe pikësynimi i tyre, me ato njohje që kishin, ishte ndërtimi i vendit, bënë një sërë reformash ekonomike, ndërtuan fabrika, uzina, dhe punësuan njerëzit, bënë hapa galopante për bujqësinë, shkollimi e kultura arritën kulme, mbrojtën pavarësinë dhe lirinë e atdheut, i ngritën lart emrin  kombit… Pra, ata kishin të drejtë dhe u takonte të udhëhiqnin vendin…

Por a i patën këto merita “heronjtë”, që përmbysën atë sistem dhe i sollën demokracinë (demokraci i thënçin!) vendit dhe popullit? Mbi çfarë meritash dhe aftësish morën përsipër drejtimin e vendit?

Nëse të parët nisën të ndërtonin vendin, këta, të dytët, e zhgrryen mbitokën dhe nëntokën… Që në hapat e prara që ata erdhën në fuqi, nuk pamë rendjen për t’u dalë përpara situatave të vështira, nuk hartuan një program largpamës, për t’i dalë të keqes së pritshme, përkundrazi, ishin ata që udhëhoqën e udhëheqin shkatërrimin, zhvatjen, shthurjen,… Nuk i bënë pritë zbrazjes së pritshme të vendit nga populli. Nuk e frenuan e as parashikuan sadopak boshatisjen fatale të fshatit, braktisjen totale të tokës, duke e lënë “hambarin” djerrë; veprat e mëdha të ujitjes dhe kullimit e humbën funksionin rrufeshëm; kodrat e sistemuara me taraca e të mbjella me pemë frutore, nga njeri skaj i vendit në skajin tjetër, u rrafshuan, e u bënë dru zjarri “për të përballuar acarrin që erdhi”… A nuk e prunë këta “heronjë” vitin ’97- të vjedhjes së madhe të lekut të popullit dhe luftën vëllavrasëse, siç u cilësua? Ku kish ndodhur një gjë e tillë e në ç’epokë…? Përse duhej të ndodhte një fenomen i tillë? A nuk shikonin rrënimin total jo vetëm të ekonomisë, por dhe të shkollimit?  Shkollat në fshatra njera pas tjetrës u mbyllën.

Mos vallë nuk kishin faj “heronjtë” e demokracisë? A nuk duhej t’i kishin parashikuar këto fenomene? Një mendje e zgjuar, nëse nuk je vënë në shërbim të dikujt, që të ka përgatitur programin, duhej ta kishin në ballë të punëve. E nëse diçka nuk u shkonte mbarë, në vijim të viteve, a nuk mund t’i bënin parapritë thellimit? Por gjithçka vazhdonte të shkonte e të shkojë mbrapsht. Shikohet se shkolla nuk  kryen plotësisht rolin e saj? Ndihet në çdo qytet e në ato fshatra, që ende kanë mbetur hapur disa shkolla me një numër të reduktuar nxënësish, në një masë të mirë prej tyre nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë? Kërkojnë mësuesit rritje të rrogës, dhe të kushteve të tjera… Por a janë të ndërgjegjshëm se po kryejnë detyrën siç duhet?

E, pra, shteti duhet të ketë aftësinë për ta kontrolluar gjëndjen, cilësinë e mësimdhënies. A duhet që detyra e mësuesit të përfundojë me orët e mësimdhënies? Roli edukativ i mësuesit duhet të vazhdojë, ndryshe, siç po konceptohet sot, sigurisht që do kemi shfaqje  indisiplinimi në oborret e shkollave, në rrugë, prej këtij kontigjenti nxënësish të paformuar. Kur ministria të jetë e bindur se është realizuar detyra prej mësuesit atëhere t’u plotësojë kërkesën.

Rënimi i sistemit shëndetësor ishte dhe mbetet katastrofik jo vetëm nëpër fshatra, në të cilat thuajse është “tretur”, por dhe në qytete. Spitalet  u kthyen në “hane”, ku mungonin krevatet, mbulesat dhe gjithë mjetet e nevojshme. Pas shumë e shumë vitesh ende mbetet shumë për t’u bërë, sidomos në drejtim të shërbimit ku pacienti për një përkujdesje shikon në fytyrën e mjekut imponimin e dorës së zgjatur për shpërblim, ose “ urdhërin e heshtur” për vizitë në klinikën private.…

Si mund të kërkojnë të votohen për të vijuar drejtimin e vendit, kur për tridhjetë e kusur vite u rropë nëntoka e mbitoka e këtij vendi? Kush po i shfrytëzon pasuritë minerare?

Emigracioni vazhdon të jetë plagë e përhershme. Përse duhet të bëhet krahasimi duke sjellë shembuj nga bota? Përse në kushtet e vendit të mos krijohen premisa për të mbajtur popullin në trojet e veta? Flitet se një popullsi e mbetur, jo më tepër se dy milion njerëz, vetëm me një shfrytëzim me kritere të drejta të këtyre pasurive mund të jetojë populli duke e rritur mirëqënien? Po kështu kushtet klimatike  tokësore i kemi mjaft të favorshme për një zhvillim intensiv të bujqësisë, gjë që bënë të mundur angazhimin e popullsisë në fshat, por veçse duhet që shteti të ketë përkujdesjen e plotë për të e jo t’a lerë në baltë, pra në dorën e fshatarit. Nëse do kthehet fytyra nga fshati, atëhere, ndoshta nuk do afrohen të gjithë emigrantët, por një pjesë sigurisht që do reagojnë. Atëhere, ti, që kërkon votën, përse nuk punon për të ndaluar këtë rrjedhje? Kjo situatë nuk është krijuar rishtas, por ka vite.Tokat kanë mbetur djerrë, si nuk u kujtua dikush? Bujqësia ishte dhe mbetet një degë e fuqishme e ekonomisë së vendit. Përse nuk krijohen kushtet për rimëkëmbjen?

Jeta kulturore në Vlorë e në krejt vendin është në nivelet më të ulta se ndonjëherë. Teatri i zbehtë, lëvizja amatore as që përmendet , është shuar plotësisht… Pse nuk bëhet krahasimi me vitet e hershme? Po lëvizja artistike nëpër shkolla? Festivalet nga dilnin talentet janë shkrirë… Përse? Letërsia dhe arti  janë në amulli… Sporti në përgjithësi, e sidomos noti, qitja, alpinizmi, atletika, që dikur në Vlorë e pse jo në krejt vendin, ishin në nivele të admirueshme, kanë rënë në letargjinë e dhimbshme. A njihen këto? Sigurisht që po, megjithatë askush s’mbanë pëgjegjësi, madje as qerpiku nuk u dridhet. Ndërsa paaftësia e drejtimit të udhëheqjes është në kulm, korrupsioni, vjedhja lulëzojnë çdo ditë e më shumë dhe kanë arritur në nivelet më të larta, madje dhe një punonjës i zakonshëm i administratës nuk ka mbetur pa e “ngjyer gishtin në qypin e mjaltit”. Përderisa nuk arrinë të ndërtosh programe të rimëkëmbjes së shpejtë, atëhere do të thotë se nuk di të punosh. Zotëri. Atëhere përse kërkon të votohesh?

Por arsyeja është një: Si mund të lë pashallëkun?. Janë këta që krijuan e formuluan ligje, duke u dhënë të drejta vetes si ta kenë vendin pashallëk të vetin. Çirren për korrupsion kur vetë janë autorë e  aktorë të këtij fenomeni kaq të përhapur. Kanë ngritur, me soj e sorrollop, qindra e qindra vila, dalë si kërpudhat pas shiut, ku t’u dojë qejfi, brenda e jashtë vendit, në zonat më klimaterike. Pasuri të paimagjinueshme nëpër banka, dhe qeveria ( a mund të zbulosh veten!?) e drejtësia bëjnë sikur ndjekin, grumbullojnë gjoja dosjet, që s’u vinë kurrë rradha; çuditërisht të gjithë bërtasin ku fshihet hajduti, kush është hajduti, dhe askush nuk e gjen… A nuk i ngjan kjo një anekdote? Bishat bëjnë kërdinë në stan ( drejtuesit!), ndërsa çobani( drejtësia!) kërkon gjurmët. Ligji mbi tokën përflitet prej vitesh, por askush nuk e vë ujin në zjarr… Pse? Se ai ligj është “ pylli” ku “bishat” mund të bëjnë kërdinë.

Përse ndodh kjo? Se detyrat e premtimet harrohen sapo rrëmbejnë votat!? Kur në çdo aspekt gjithçka çalon e shkon në regres, atëhere përse ti kërkon përsëri votën? Apo për ta çuar diagramën akoma më poshtë?

Pse drejtësia bënë sikur ndjekin hajdutët e ata vegjetojnë e dalin dhjetra të tjerë. Pse ? Se “ heronjtë” nuk preken! Drejtësia i ka në sirtar faktet, por vetëm bërtasin se nuk po i gjejnë, janë duke kërkuar gjurmët, se “heronjtë” “kërcënojnë me forcën e verbër”… Pse nuk u sekuestrohen pasuritë kur dihet se ato janë të ngritura me rrugë jo të drejta? Llogaria bëhet fare lehtë!

Politikan, duhet të jesh, para së gjithash, folozof. E në këtë koncept, një ordiner që zë një karrige dhe përvetëson metodat e mashtrimit, të korrupsionit e të vjedhjes, kur nuk dëgjon, në forumin e popullit, një debat mbi aftësitë dhe rrugëtimin, që duhet të ndiqet për rritjen e mirëqënies së popullit, por grinden e çirren si bishat për një copë mish …, si mund të quhen politikan?

Kur merita në shërbim të vendit është e pamjaftueshme dhe gjthçka e deritanishme tregon për aftësi të dobta drejtuese, atëhere përse duhet të kërkosh të përzgjidhesh? Përse duhet të vihesh në rolin e udhëheqësit? Le të zgjidhen ata, që nuk i gëzojnë ato vese, por që kanë dëshirën e mirë për ta çuar përpara vendin…