Nga Albert HABAZAJ
Ata që bënë luftën, që çliruan Vlorën e Shqipërinë pothuaj nuk i kemi midis nesh vetëm fizikisht, sepse disa u shndërruan qysh në ato vite të stuhishme yje të pashuar, të tjerët tashmë kanë ikur larg, janë ngjitur lart, kanë shkuar tek yjet. Rrallë gjen ndonjë bredh të bardhë lirie në pleqëri të shkuar. Përveç librave të nivelit akademik për historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, i kemi të gjalla në kujtesën tonë tregimet, rrëfimet e kujtimet e veteranëve si balada të fjalëve që flakërojnë ndër vitet e Luftës për Liri. Dhe veteranët e luftës për liri/ si ata lisat e moçëm rrëzohen/, të bekuarit tregojnë histori/ për yjet që çdo ditë na afrohen. Ata ikën, tani jemi ne, më të rinjtë, pasardhës të idealeve të tyre fisnikërisht të larta. Është detyra jonë që ta vijojmë stafetën e edukimit atdhetar, që kronikën e ditëve të stuhishme, tregimet e tyre, ngjarjet e bëmat e tyre t’ua transmentojmë brezave, që nuk e njohin këtë histori heroike; është misioni ynë që t’i flasim kohës me zërin e tyre epik.
Vlorës sonë të dashur, për kontributin e dhënë në luftërat për liri dhe pavarësi, i është dhënë titulli Qytet Hero në vitin 1962, me rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.
Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Vlora u bë një një nga vatrat më të rëndësishme të saj dhe dha kontribut të rëndësishëm në lirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë, të cilët hodhën në erë portin dhe ushtruan terror të egër masiv ndaj popullsisë civile, duke arrestuar e internuar në kampet e përqëndrimit dhjetëra banorë të Vlorës.
15 tetori është dita e Vlorës dhe kujtohet dhe duhet të nderohet çdo vit nga qytetarët vlonjatë sepse është dita e çlirimit të Vlorës. Si sot, 79 vjet më parë, më 15 tetor 1944, forcat partizane të Brigadës XII S çliruan qytetin, pas luftimesh të ashpra dhe me një sulm të befasishëm, i detyruan forcat naziste të tërhiqen me shpejtësi përtej Vjosës.
Vlen të bëjmë një përnjohje për atë njësi të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që çliroi qytetin tonë. Brigada XII S u formua më 20 Maj 1944 në Sukë të Përmetit mbi bazën e kuadrove dhe partizanëve që erdhën nga radhët e grupeve të Kurveleshit, Vlorës, Mallakastrës e Gjirokastrës të Zonës I Operative. Në ditën e formimit kishte një efektiv prej rreth 650 luftëtarësh të organizuar në katër batalione me komandant Refat Barjamin dhe komisar politik Qemal Klosin. Veprimet kryesore luftarake i zhvilloi në krahinën e Dishnicës (Përmet), në zonën Skrapar- Berat, në Kurvelesh, gjatë bregut të detit Jon, në Vlorë dhe në zonën e Peqinit.
Ish – Komandanti i Brigadës XII S, Refat Barjami, në mesazhin e tij të datës 14 Shtator 1969, drejtuar popullit të Vlorës me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të qytetit, ndër të tjera, shkruan: “Në ditët e luftimeve në Vlorë, unë dhe partizanët e tjerë kujtonim me dashuri trimërinë e të parëve tanë në brigjet e ullishtet e këtij qyteti, shembulli i të cilëve na thërriste për ta përzënë edhe një herë armikun pushtues nga vatrat tona. Ishte zëri i Ismail Qemalit dhe i flamurit shqiptar që kërkonte Vlorën të ishte e lirë prej pushtuesve të egër. Pas çlirimit të Vlorës, Shtabi i Përgjithshëm, na ngarkoi detyrën e shenjtë për çlirimin e ishullit të Sazanit. Ky karakoll i përjetshëm i vendit tonë, u çlirua nga partizanët trima më 22 Tetor 1944. Atë ditë kur pashë topin që rrahu nga Sazani mbi brigjet e Vlorës, m’u hodh zemra përpjet nga gëzimi se ishulli u lirua dhe detyra u plotësua. Më tej, Brigada XII S vazhdoi detyrën e saj kundër okupatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij”.
Si kronologji veprimesh luftarako-çlirimtare, pas çlirimit të Himarës më 29 korrik 1944, Brig. XII S çliroi Sarandën së bashku me forcat e Brig. XIV më datë 10 tetor 1944 dhe më 15.10.1944 çliroi me forcat e veta qytetin e Vlorës.
Shtabi i Përgjithshëm kishte lëshuar urdhërin: “Sulmi juaj i rrufeshëm duhet të ndalet brenda në qytete, të cilat t’i çlironi njëherë e përgjithmonë”. Detyra kryesore e brigadës ishte çlirimi i qytetit. Për mbrojtjen e tij nga goditjet e forcave partizane, komanda naizste gjermane kishte bërë përqëndrime të shumta të trupave në Llogora, Tragjas, Radhimë, Drashovicë, Marvrovë, Kropsht, Bestrovë e Topallti. Luftime të ashpra u zhvilluan sidomos në Mavrovë. Gjatë muajtit shtator dhe ditëve të para të tetorit 1944, partizanët e Brigadës XII, me luftime të ashpra, me përjashtim të Topalltisë, i çliruan këto vende, duke u shkaktuar nazifashistëve shumë të vrarë e të plagosur dhe duke u ngjallur panik bandave mercenare.
Për çlirimin e Vlorës duhej çliruar Topalltia. Komanda e Brigadës, në zbatim të urdhërit të Shtabit të Përgjithshëm, iu caktoi tre batalioneve të brigadës sektorët ku do të vepronin për çlirimin e qytetit të Vlorës dhe përkatësisht: në krahun e djathtë – batalionit II iu caktua sektori Drashovicë, kryesisht në drejtim kodrat mbi Fabrikën e Çimentos – Qafa e Topit; batalionit III në sektorin Kërkovë – Cerkovinë për bllokimin e rrugës automobilistike Vlorë – Mifol. Batalionit I iu caktua sektori Llogora – Radhimë – Shashicë me drejtim sulmi Ujin e Ftohtë – Vlorë dhe Kaninë – Vlorë.
Komanda fashiste gjermane luftoi me ashpërsi deri në minutat e fundit, për të mos e lënë Topalltinë në duart e partizanëve. Po të çlirohej Topalltia, qyteti dhe rruga Vlorë – Fier ishte drejtpërdrejtë nën goditjen e partizanëve. Qëndresa e fashistëve gjermanë dhe e tradhëtarëve ishte e ashpër. Sulmin partizan e pengonin goditjet e dëndura të artilerisë armike. Megjithatë, ata spastruan krejt Topalltinë dhe nazistët e tradhëtarët u detyruan të futen brenda në Vlorë.
Më 15 tetor komanda partizane vendosi të çlirojë qytetin e Vlorës. Batalioneve të Brigadës XII iu caktuan detyrat dhe sektorët e sulmit. Partizanët, në formacion luftimi, iu afruan qytetit. Forcat e Brigadës XII, pas luftimesh të ashpra, hynë në rrugët kryesore të qytetit.
Më 15 Tetor, në mbrëmje, batalioni I sulmoi garnizonin armik në zonën Ujë i Ftohtë – Kaninë, drejtim Qytet – Vlorë; batalioni II: kodrat Qafa e Koçiut – Vlorë. Në mbasditen e 15 Tetorit, një grup hitlerianësh tentuan të hidhnin në erë depon e ujit, por u goditën nga partizanët e Kompanisë II, ku mbeti i vrarë njëri prej tyre dhe nuk e realizuan dot detyrën. Mbas pak, ata i vunë zjarrin depos së naftës në Ujin e Ftohtë. Hitlerianët në qytet kishin lajmëruar ndalim-qarkullimi. Duke parë rrezikun e një rrethimi, mbas luftimesh të ashpra, duke e parë veten keq, braktisin qytetin dhe, të shpartalluar u tërhoqën në drejtim të Fierit, duke hedhur në erë edhe urën e Mifolit [shih: Arkivi i Degës së Historisë Ushtarake, tetor 1944, seria A, dok. nr. 3136. AH]. Partizanët e dy batalioneve hynë krenarë në qytetin hero më datën 15 Tetor 1944. Humbjet e armikut në qytet ishin të rënda dhe matreliali i zënë nga forcat partizane i shumtë.
Komanda e Përgjithshme urdhëroi çlirimin e shpejtë të Sazanit. Më 21 tetor, në mbrëmje, një nënrepart i Batalionit II të Brigadës XII, një skuadër partizane prej 9 vetësh, ndër më fortët fizikisht dhe më me përvojë, e ndarë në dy grupe luftimi, komanduar nga zv/ komandanti i Kompanisë II Rrapo Sejdo nga Mavrova, ku bënin pjesë Bajram Mici nga Kanina, komandant skuadre, partizania nga Vunoi Androniqi Derri, partizani nga Gumenica Skëndo Veshi, Nazif Latifi – partizan nga Koculi, Viko Xhelo – partizan nga Bolena, si dhe Stavri Kaçi e Kleanth Andoni, komisar kompanie dhe një partizan tjetër, të cilët duke marrë rrezikun në sy zbarkuan në ishull me mjete të thjeshta lundruese, lundër/ lanxhë (barkë). Ky ishte një veprim me shumë rreziqe, i pasigurt, në një det me shumë dallgë, por i domosdoshëm. Më 22 Tetor 1944 Sazani u çlirua. Pas 30 vjetësh nën pushtimin e huaj, u bë përgjithmonë truall i pandarë i Atdheut tonë dhe ishulli qëndroi kështjellë shqiptare në mes të detit.
Vlora i dha lirisë së Atdheut 1036 dëshmorë, ndërkohë, ne sot përulemi para gjakut të 15 dëshmorëve që ranë për çlirimin e Vlorës: Donika Dules dhe Ago Gjomemos nga Tragjasi, Osman Hodaj nga Hadëraj, Llambro Shetit nga Vunoi, Hekuran Latifi e Petro Dauti nga Vlora, Sabri Bejaj nga Karbunari, Bekim Binaj e Dule Nelaj nga Mavrova, Zenel Gjoni nga Vërmiku, Spiro Shkurti nga Kërkova, Islam Jonuzi nga Kallarati, Elmaz Baraj nga Grabiani, Bino Ismaili nga Rexhepaj dhe Ahmet Xhelili nga Dukati.
Duke nderuar LANÇ, yjet e lirisë, trimat dhe trimëreshat e idealeve të mëdha atdhetare, mbajmë gjallë kujtesën historike për të ditur nga vijmë, ku jemi dhe ku do të shkojmë, duke u përmirësuar drejt përparimit qytetar.