Agim Nesho: Shpëtoni ‘private’ Aleksandar

364
Sigal

Konferencat e fundit të Ramës nuk janë vetëm një protagonizëm i radhës për të kënaqur egot e tij të të qënit gjithcka. Ai e ka provuar se është si ‘balonë tabake’ për tu kthyer nga fryn era apo në skena politike që tërheqin vëmendjen. Rasti skandaloz i sjelljes ndaj muxhahedinëve, me forcë dhe pa transparencë, vetëm se dikuj i duhej një veprim i tillë, tregon shkallën e lartë të aventurizmit, kthimin në një kukull klienteliste, që më së paku vë në rrezik sigurinë kombëtare dhe interesat e Shqipërisë. Përdorimi i tij nga faktori ndërkombëtar sa herë ka nevojë për një ‘klloun politik’ po i rrezikon edhe ato arritje në politikën e jashtme që ishin ndërtuar me kujdes.

Monologu i Ramës sot kishte qëllim të pudroste fytyrën e tij dhe të fshihte lidhjet direkte me nacionalistin Vucic, për ta ndihmuar atë, por edhe veten e tij në situatën ku ndodhen. Propozimi i Ramës për udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë ‘’për ti mbyllur diku Vucic dhe Kurtin derisa të ketë zgjidhje’’ është një propozim alla Dayton, kur Miloshevicit ju dha edhe një herë dora për të mbetur faktor si mbrojtës i marrëveshjes pavarësisht genocidit të Srebrenicës.

Kriza në Veriun e Kosovës është kokë e këmbë provokim serb dhe një nga lojrat e tyre për të marrë dicka nga Kosova. Veprimtaria e tyre bazohet tek mbështetja ruse që kërkon rritjen e influencave në Ballkanin Perëndimor dhe klientelistët e tyre ballkanikë si zoti Rama, që besojnë se Serbia është factor i paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Kërkesa e Ramës për një “mbyllje diku’’ nënkupton edhe kompromisin dhe vendimin pragmatist të perëndimit për ta mbyllur sa më shpejt këtë cështje. Përmendja e ‘bunkerit ku është futur Putini’, është vetëm retorikë anti-ruse se në fakt ai pranon se gjendja mund të bëhet si në Donbas, pra i kujton Europës frikën për një konflikt të ri në Ballkan, duke propaganduar atë që Vucic e ka të vështirë ta thotë.

Përpjekja e sotme e zotit Rama është përpjekja për ta ndihmuar Vucic dhe për ti dhënë pak oksigjen. Ai nuk harroi të japë mesazhin në Kosovë që Kurtit po i mbyllen të gjitha rrugët e bashkëpunimit me perëndimin duke ju bërë thirrje indirekt për të lëvizur për ndryshim. Kushti për Vucic, që nuk ka asnjë marrëdhënie me të dhe as Ballkan të Hapur, është pjesë e lojës për të realizuar qëllimet e tyre. Zoti Rama duhet ta dijë mirë se në qoftë se situata është shpërthyese në Veriun e Kosovës, kjo ka vetëm një shkaktar dhe ky është regjimi i Vucic që provokon konflikt. Mos vazhdimi i takimeve për Ballkanin e Hapur është thjesht një hipokrizi e Ramës, se ai deri tani ka propaganduar Ballkanin e Hapur edhe kur Vucic nuk ka pranuar të njohë Republikën e Kosovës si vend sovran dhe të barabartë. Dashuria me djallin kërkon pendesë të fortë para Zotit dhe Shqiptarëve duke pranuar që vuri në rrezik interesat e kombit Shqiptar.

Klientelizmi nuk të jep lavdi, por të kthen në shërbëtor në politikë.