Agim JAZAJ/Kutitë e zbrazura dhe klithma e dy deputetëve…

632
Sigal

Njerëzit që dëgjuan, brofën më këmbë, teksa ishin ulur në lokalin e lagjes, paksa në çakërrqejf. Mediat publike publikuan inkursionin e dy deputetëve të Vlorës, Valentina Leskaj dhe Fatmir Toçi: “Hodhën dorashkat”, për të vënë gishtin mbi një çështje shumë të mprehtë, plagë e hapur, e cila ka rrjedhur përgjatë 23 vjetëve dhe, fatkeqësisht, ende po vazhdon të rrjedhë… Administratën shtetërore, e thënë me gjuhën e ëmbël, publike, në marrëdhënie me publikun, në marrëdhënie me klientin, në marrëdhënie me konsumatorin, në marrëdhënie me… E mbushur me militantë të thekur dhe çiliminj, pa qenë asnjë ditë në punë, pa “ngrënë asnjë lugë supe, direkt e bien në “thela”, në   qoshe të konakut, duke u rrekur-thekur e tundur spaletat, pa asnjë meritë e vlerë, ardhur nga armata e madhe e Analfabetëve Funksionalë..! Rroftë e qoftë dovleti… Ime bijë më tregonte ditë më parë, modelin e një drejtori të filialit Pepsi në një vend të BE-së.  Kishte kaluar gjithë ato shkallë, nga më të ulëtat, kishte provuar edhe kallot e punëtorit në duar, punëtorit mes punëtorëve, të drejtuesit të vogël dhe më pastaj duke u shkolluar në vendet me demokraci shumë më të zhvilluar e më pastaj, në moshën mbi 40 vjeçare, u ngrit në pozicionin e Drejtorit të filialit.  Këto janë etapa për  t’u njohur, kaluar, e zhvilluar për t’u përgatitur: Nga një drejtues i thjeshtë i botës së biznesit, për një drejtues sipëror të politikës, të një kolektiviteti e një shoqërie, madje të një drejtuesi të institucionit shtetërore, publik. Drejtuesit te ne, ende po i kalojnë nga 5 e 6 shkallët njëherësh dhe ngjiten në majëpoltronet e institucioneve, pa ia pasur fare haberin! Ka arsye, të cilat lakohen nga njerëzit e thjeshtë dhe të rreth politikës: Nisur nga mos indoktrinimi, por më shumë anon nga lehtëpërdorimi dhe keqpërdorimi i tyre! Kur durimi vajti në gërrhamat e fundit, në pikën e padurimit, ndodhi e papritura e shumë vonuar: “Vreri” plasi sheshit. Nëpër rrugët e qytetit dalldisën të zemëruarit dhe të helmuarit deri në palcë, me veglat muzikore: Tre gardianë të Rilindjes nga Vlora e Rilindjes, (Jo nga vatha e PS-së) të cilët dolën para dy ditëve nëpër rrugët e qytetit, duke u rënë fortë borive dhe defit, kë nuk befasuan: “O, milet! Dëgjoni e mbani vesh! Kalimtarët shqyen sytë, mbajtën këmbët në rrugën e “Orizit” të shastisur. Thanë për momentin se ka mbërritur, apo ka dalë në Vlorën turiske, pa turist sivjet, aktori i madh vlonjat Birçe Hasko, si në filmin “Koncert në vitin ‘36”: “O milet, dëgjoni e mbani vesh Tellallin”; “Gardiani i  Rilindjes”, thërriste me të fortë: “Janë boshatisur, kutitë me Fletë Votimi të zgjedhjeve të vitit 2013. Kanë mbetur trokë, do mbeten vetëm teneqetë deri në zgjedhjet e afërta lokale të vitit që vjen…”.

Ky veprim befasoi shumë kalimtarë! Dikush u shpreh: “Po këta kanë lajthitur, janë të shkarë?”.

 Mirëpo një i moshuar, shtatlartë, aristokrat në pamje, tha për gazetën tonë, duke u vetëdeklaruar si lexues i rregullt i saj: “Rilindësit të cilët i menduam, i aspiruam dhe i votuam nuk rezultuan: “Ata nuk blihen dhe as trafikohen me PPP: Pushtet e Para Pisllëku..!”

Rojet e kutive të votimit kishin kohë që po u binin fort kambanave të alarmit për boshatisjen nga fletët e votimit të zgjedhjeve të Qershorit 2013, pa ua vënë veshin kush.

Rrjedhja graduale e këtyre kutive të votimit nga konsumi me pushtet, merret me rezerva, i përligjur, ndërsa zbrazja e rrufeshme e kutive nga abuzim-zullumi me pushtetin është i rrënueshëm dhe i papranueshëm, veçanërisht tashmë, kur Shqipëria ka hyrë në stadin e ri, të vendit- Kandidat i BE!

Mirëpo burime të sigurta dhe të marra qoftë nga “vrima e çelësit”, në takimin me dyer të mbyllura, këto ditë nga dy deputetët e Vlorës Valentina Leskaj dhe Fatmir Toçi, të lidhur biologjikisht dhe shpirtërisht me Vlorën. Leskaj, djemtë e së cilës janë bij të Vlorës dhe Labërisë dhe birit të Vlorës dhe të Labërisë Fatmir Toçi, klithën fort.

Burime të besueshme dhe të bëra mejdan për publikun bëjnë më dije se të dy deputetët në takim me Prefektin E. Hoxha, kanë bërë prezent hatanë e shkaktuar deri më tani mbi kutitë e votimit të 23 Qershorit dhe abuzimin me zgjedhësit e Rilindjes, nga drejtues, abuzues të institucioneve dhe kërkuan prerë të vihet gishti mbi plagët e shkaktuara prej tyre në trupin e drobitur të shqiptarëve dhe vlonjatëve, Pra dhe  marrjen e masave, largimin e menjëhershëm të tyre nga pozicionet e pa merituara dhe penalizimin për abuzimin e votës së qytetarëve shqiptarë!

Burime të besueshme bëjnë me dije se edhe: Pusulla publike, bërë e njohur nëpërmjet gazetës “Telegraf” me autor Zaçe Zyka i kishte vajtur taze deputetes Leskaj, edhe tek guberna lartë. Autori i kartës së dorës ka miqësi të hershme me deputeten dhe duket se ka dhënë efektin e vet! Për bëmat dhe gjëmat që po shkaktojnë drejtuesit e institucioneve të Vlorës ditën me diell, duke hapur plagë të reja mbi plagët e vjetra të qytetarëve dhe të bashkëqytetarëve të tyre, sikur të ishin edhe barbarë, nuk do të vepronin kështu, mbetet dhimbja e ditës! Natyrisht autori i pusullës së dorës bërë publike, kujton miqësinë e hershme, pa gradat e deputetit. Mendon se ka mbetur diçka nga e kaluara: Gradat e Njeriut dhe nuk është rrënuar e gjitha e djeshme, pa nam e nishan!

Drejtuesit e institucioneve të akuzuar dhe anatemuar nga qytetaria, për gati 1 vit, të cilët rreken dhe kapardisen në kolltukët, sikur t’i kenë trashëguar dhe i posedojnë me tapi, pa iu afruar asnjë shërbim njerëzve. Ata nuk kanë as asetin minimal për t’i dëgjuar më shpirt dhe ndjenjën njerëzore- njerëzit si njerëz, por sillen si kapadainj, të fryrë, informalë të certifikuar, “Analfabet Funksionalë”, pa ditur edhe tabelën e shumëzimit, të cilët po hedhin në greminë votën e qytetarëve, kanë kthye në maraz jetën e njerëzve, nxitur dhe rezultuar edhe me krime të shumta për vendosje në konflikte shumë njerëz për të njëjtën pronë!

 Qytetaria Vlonjate ka denoncuar shpesh edhe publikisht abuzimin me detyrën dhe me vendime të gjykatave nga  Zyra e Hipotekës Vlorë.

Kjo zyrë vazhdon gjatë me abuzimin dhe tjetërsimin e pronave të qytetarëve, e kthyer dhe vazhdon në një kalvar në qafën e qytetarëve. U privon deri të drejtën e shtëpisë, S. Gjinit të futet në shtëpinë e tij qoftë dhe një emigranti, të cilit i ka grabitur edhe lekët e kotherses së bukës për shërbim të paraverefikuar dhe i ka ofruar në vend të shërbimit-rrëmbim e kthim përgjigje të pa arsyeshme, duke abuzuar! Kërkesat i quan të ligjshme drejtuesja Ina Luci, u rrëmben dhe paratë qytetarëve për shërbim dhe përgjigjen negative, lexo abuzuese e kthen zvendësi i saj Jahaj- duke abuzuar edhe me vendimet e formës së prerë të Gjykatave.

Këta janë drejtues të Rilindjes?!- pyesin qytetarët Vlonjatë.

Rezulton se pasuria nuk figuron në pronësi të z. S. Gjini, por ka kaluar me vendim gjykate nr. 365 datë 05. 06. 07 në pronësi të trashgimtarëve të tjerë… Po këtë vendim, fatkeqsisht, nga këta keqdashës nuk dinë të lexojnë, e zbatojnë vendimin e zeza mbi të bardhë! Emigranti gjendet më i trajtuar në vendin e botës dhe më i dhunuar në vendin e tij. Dhe kjo është e dhimbshme shumë! Institucionet të cilat votuan dhe shpresuan qytetarët, të ndëshkonin abuzimin e deri djeshme dhe, fatkeqësisht, vazhdojnë abuzimin në ditët e sotme, duke zbrazur kutitë e votimit, të zgjedhjeve të Qershorit 2013! Qyterët nuk marrin asnjë shërbim nga kjo zyre dhe kanë anatemuar publikisht sidomos Hipoteka Vlorë, KESH-i, Ndërmarja e Shërbimeve,  Spitali Rajonal, INUK, punonjës të të cilit paguhen të ruajnë territorin nga ndërtimet dhe zaptimet pa leje dhe kanë lejuar dhe duke shkelur syrin.  Ndërtim zaptimeve të cilat kanë mbytur për gryke qytetarët dhe qytetërimin. Këto klithma duket se me vonesë i kanë alarmuar edhe dy deputetët realë. Qytetarët po presin. Do të jet shou, apo do të vihet gishti në plagën e hapur thellë?!  Pra, fushata e dytë zgjedhore, ajo lokale e ndodhur në prag ka bërë të bëjnë hesap disa kokë plotë, përballë kokë boshë-bosëve, e cila nis qysh nga dita e dytë e fushatës së parë zgjedhore. Dhe këtë e realizojnë apo dhe e rrënojnë njerëzit e zgjedhur vetëm nga farefisnia e vathës politike, në pozicionet e administratës publike. Qytetari në shembullin e nëpunësit të thjeshtë, policit, mësuesit, drejtuesit, përfaqësuesit të lartë lexon votën e tij, duke bërë dhe bilancin: Na është përligjur apo na është abuzuar vota, shpresa?!.. Ndodh të bëhen dhe hyrje, fletë votime në kutitë e ruajtura, kur në krye të punëve kemi zgjedhur, qytetarin e dhimbsur, njeriun me vizion dhe dëshirë, atë që di të kullandris dhe jo ai që do e di të vithis votën dhe jetën e zgjedhësve, ai që ndihmon dhe jo ai që pengon, ai që shërben dhe jo ai që rrëmben..!