Bumçi:Reforma në drejtësi politike Harta e re për qëllime elektorale

504
Sigal

Partia Demokratike thotë se reforma në sisitemin e drejtësisë do të bëhet me qëllim për të kapur sistemin e drejtësisë. Në një intervistë për KosovaPress deputeti i PD-së Aldo Bumçi thotë se opozita është gati për bisedime për këtë reformë dhe kryetari Lulzim Basha ka paraqitur një platformë.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për konflikt midis KLD-së( Këshilli I Lartë I Drejtësisë) dhe ministrit të Drejtësisë, po bëhet fjalë për një aksion politik, të shumicës, të dyshes Rama-Meta për të kapur drejtësinë shqiptare. Pas një viti nuk kanë asnjë faqe strategji, çfarë do realizojë kjo reformë dhe si do e realizojë, pikat kryesore. Ndërmarrin një nismë të shpejtë ligjore pa u konsultuar me askënd. Deri tani, gjuha e përdorur nga Kryeministri, shpejtësia e ndërmarrjes së reformës e pakonsultuar me Bashkimin Evropian, me ekspertë, tregon qartë që synimi është për të kapur sistemin e drejtësisë. Ne si opozitë jemi të gatshëm, kryetari  Basha ka paraqitur një platformë, që nuk është fundi por nisja e debatit. Komisioni Europian dhe vendet kryesore kanë ofruar të gjithë vullnetin e tyre për të mbështetur reformën në drejtësi. Pavarësia e gjyqësorit është e rëndësishme për jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë. Kapja e gjykatave do të thotë se qytetarët, biznesmenët, kur i shkelen të drejtat, me gjoba, kontrata etj. të mos kenë mundësi ta gjejnë të drejtën e tyre sepse gjykata do jetë e kontrolluar nga qeveria, dhe kjo nuk është reformë”, ka thënë Bumçi.

Sa i përket dhe reformës territoriale ai thotë se po bëhet me qëllime politike për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

“Kjo nuk është çështje emergjente. Nëse do ishte një reformë e plotë, duhet të niste me decentralizimin, çfarë kompetencash do u jepen komunave dhe bashkive, një analizë se pse gjërat nuk kanë funksionuar mirë deri tani; dhe që mendoj se është te mungesa e kompetencave; pra duheshin analizuar të gjithë këto dhe më pas të kalohej te harta. Me propozimin e ri kemi në zona të caktuara komuna dhe njësi të vogla, dhe në zona të tjera kemi njësi bashkiake që janë sa trefishi i tyre, pra duket qartë që është një hartë e bërë për arsye politike. Ky është një proces që duhet bërë me konsensus, sepse nuk ka askush pronësi për të ndarë në Shqipëri, duhet bërë në mënyrën që respekton traditat, identitet, dhe projektet zhvillimore të zonave. Siç duket gjithë ky ngut ka vetëm një shpjegim: Zgjedhjet e vitit të ardhshëm”, ka thënë Aldo Bumçi deputet i Partisë Demokratike.