A janë vendosur shpimet e puseve të ujit në baza të sakta shkencore?

1716
Sigal

Vendi  jonë  një nga pasurit e tij nëntokësore me vlera të konsiderueshme  ka ujin. Për  t ë vlerësuar se ç’rëndësi ka uji për jetën e njeriut shpesh përmendet  në mënyrë shumë të përmbledhur se ujë përbënë rreth 70% të  peshës trupore dhe se pa ujë  nuk mund të zhvillohet as një teknologji  bujqësore, ushqimore, industriale etj..  Por a po trajtohet kjo pasuri  n ë përputhje me konceptet bashkëkohore  të kërkimit , vlerësimit dhe shfrytëzimit? Ne periudhën e monizmit  për trajtimin e pasurive ujore sidomos ato nëntokësore ishin krijuar institucione të  veçanta  dhe  të pajisura me gjithë ciklin  përkatës të studimit, projektimit e të shfrytëzimit. Një nga institucionet më të rëndësishme  ishte ndërmarrja hidro-gjeologjike, e cila kishte një organizim të posaçëm në të gjithë vendin. Në kuadrin e kësaj ndërmarrjeje u arrit që të bëhen studime dhe vlerësime rezerva të shumta industriale uji,  të cilat shërbyen për furnizimin e objekteve industrial si dhe për përdorimin  e tij  për nevojat e popullsisë. Atëherë të pinte një gotë ujë çezme  ishte një kënaqësi e vërtetë si dhe vlera të posaçme  të pakrahasueshme me ujërat e sotme të konservuara që përdoren në masë  në mënyrë të pa drejtë dhe me qëllime kryesisht biznesi. Kush do që të thotë e të argumentojë, nuk mund të arrijë deri atje sa që të nxjerrë se ujë i konservuar sidomos në shishe plastike është më i përshtatshëm dhe më higjenik se ujë i rrjedhshëm dhe i përpunuar  që në vendburim  sipas teknologjive bashkëkohore të higjienës. Të krahasosh vlerat e ujit të pijshëm që rrjedh me vlerat e ujit të pijshëm të konservuar është njësojë sikur të krahasosh vlerat e peshkut të freskët me peshkun e konservuar. Vetëm uji që lëviz nuk “qelbet” e ka thënë populli. Atëherë pse hoqëm dorë nga uji i çezmës,  i cili vjen gjithmonë i freskët atje ku e marrim  dhe po përdorim ujin e konservuar  që veç të tjerash kërkon energji të tepërta frigoriferike për ta ruajtur  si dhe nuk i ka vetit  origjinale të ujit të burimit?!. Kjo është një lojë biznesi  që më duket se do kontrolluar e do  bërë me karar dhe me vend. Mbas ardhjes se sistemit demokratik si çdo gjë edhe pasuria nëntokësore e ujit u liberalizua dhe “ u privatizua”  duke e bërë në më të shumtën këtë pasuri objekt menaxhimi dhe trajtimi që nuk kanë një kontroll të rreptë dhe shkencor në lidhje me gjetjen, vlerësimin dhe shfrytëzimin e tij. Problemi i trajtimit të ujërave sidomos nëntokësor ka shume komponentë, por në këtë shkrim duam të trajtojmë posaçërisht atë të teknologjisë së shpimit dhe mbrojtjes dhe ruajtjes së shtresave ujëmbajtëse.

Sistemet hidro-gjeologjike janë krijuar  sipas një arkitekture të veçantë për një kohë dhe një hapësirë të përcaktuar e të lidhur me kushtet e formimit e të zhvillimit të vetë ndërtimit gjeologjik të rajoneve që përbëjnë territorin e vendit. Ashtu siç janë  klasifikuar,  në këtë  matricë marrin pjesë një sërë basenesh ujore  që tashmë njihen gjeologjikisht. Por si veprohet për të shfrytëzuar këtë pasuri  që u takon  si brezit aktual ashtu dhe shumë brezave që do vinë? Në të gjithë vendin  me sa dimë janë në aktivitet një numër i madh sondash  që mund të kapin shifrën rreth 150. Ky është një park relativisht jo i vogël  sondash. Kush i administron këto sonda? Me sa dimë këto sonda i disponojnë  persona të veçantë që  të udhëhequr nga dëshira për të përfituar nga ky biznes kanë investuar ne blerjen e sondave [makinerive] dhe mbasi marrin një leje për “biznes të vogël” i futen aktivitetit të shpimit atje, ku gjejnë klientë dhe u pëlqen pazari që bëjnë me klientët e ndryshëm, të cilët janë të interesuar  kryesisht për të siguruar ujë për të pirë, për industri (mini -industri) për biznese të ndryshme si hotele,  parqe, pishina, hipodrome, për vaditje në bujqësi etj.. Kësisoj, një aktivitet i madh shpimi bëhet në Shqipëri  duke shpuar një rrjet të tërë “brimash” të cilat intersektojnë një numër të përcaktuar shtresash  me veti të ndryshme fiziko-kimike, hidrogjeologjike, presioni dhe temperature etj.. Atëherë del pyetja,  këto biznese që merren me  shpimin e puseve të ujit  për qëllime të ndryshme, a kanë ekspertizën e plotë të njohjes së teknologjisë së shpimit, ruajtjes së shtresave që ekspozohen në prerjen e një pusi, ndarjes së shtresave me veti të ndryshme  termo-barike dhe kimiko-fizike etj.,  si dhe ruajtjen e nëntokës në përgjitrhësi sipas principeve inxhinieriko-gjeologjike  bashkëkohore? A kanë këto aktivitete: projekte  gjeologjike, projekte të shpimit, të ruajtjes së shtresës produktive si dhe të ruajtjes së nëntokës në përgjithësi, të shfrytëzimit optimal të shtresave ujëmbajtëse, të sigurimit të efektivitetit maksimal të investimit që bëhet, të remontit e të rehabilitimit të parametrave optimal të shtresave në rastet kur për arsye të ndryshme  ato zvogëlojnë debitimin etj.. Le të shkohet e të kontrollohet  aktiviteti konkret i këtyre bizneseve  duke vlerësuar shkallën e ekspertizës së tyre, dokumentacionin teknik  të tyre që mbahet që në fazën e fillimit të një shpimi e deri në përfundimin e tij; a ka drejtoria e ujërave kudo ku është një dokumentacion të posaçëm të gjithë puseve që janë shpuar në Shqipëri në lidhje me  koordinatat e vendndodhjes së tyre, thellësitë e tyre, diametrin e shpimit, konstruksionin e pusit, mënyrën e izolimit të shtresave që janë ekspozuar  në prerjen që ka kaluar pusi, karrotazhin elektrik apo polarizimin spontan  për të lokalizuar në thellësi shtresat ujëmbajtëse, debitin e pusit, karakteristikat fiziko-kimike të ujit, që  ka nxjerrë pusi etj.. Me sa kam parë dhe jam informuar  këtu është një gjendje  për të ardhur keq dhe shumë  dëmprurëse për të sotmen aq më shumë për të ardhmen. Drejtoria e Ujërave duhet të njohë përgjegjësinë e saj dhe të imponojë rregulla dhe një disiplinë teknike dhe shkencore që nga momenti  licencimit tekniko-shkencor të këtyre bizneseve  që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e një pasurie brezash  dhe jo të ecet si të ecet. Nuk mund të bëhesh kompetentë për të realizuar teknologjinë e shpimit të një pusi  vetëm se pate para dhe arrite të blesh një sondë shpimi  diku. Teknologjia e shpimit është një teknologji komplekse që kërkon njohuri të shumta të mekanikës së shkëmbit, të hidraulikës së nëntokës, të lëngjeve larëse dhe solucioneve të çimentos, të mekanikës së shkatërrimit të shkëmbinjve, të izolimit dhe hidro-izolimit të shtresave ujëmbajtëse, të studimit hidro-dinamik të shtresave ujëmbajtëse, të përcaktimit të parametrave optimal të shfrytëzimit të shtresave ujëmbajtëse, të realizimit të filtrave  për mosrërosjen e puseve, të teknologjisë së çimentimit dhe realizimin e ndarjes së sigurt të shtresave ujëmbajtëse si dhe ruajtjen e nënshtresës etj., etj.. Duhet thënë që teknologjia e shpimit të pusit në thellësitë e nëntokës aktualisht  konsiderohet si një nga teknologjitë më të komplikuara që njeh shoqëria njerëzore. Dhe kjo mund të ilustrohet me faktin që teksa njeriu  aktualisht ka shkuar ne Hënë e më tej, në tokë nuk ka mundur të realizojë një rreze njohje jo më shumë se  rreth 12 km.  Një gjë e tillë tregon edhe një herë se sa e komplikuar është teknologjia e realizimit të njohjes së nëntokës.  Prandaj, edhe këtu  do pasur kujdes  sepse  dëgjojmë shpesh  që liçenza (leja) profesionale  për të realizuar teknologjinë e shpimit të puseve të ujit  kanë marrë pa të drejtë dhe  me pasoja dëmprurëse shumë  specialist të fushave të tjera si gjeologji, hidrogjeologji, mekanik  etj.. Këto licenca u takon që t’i marrin vetëm inxhiniërat e shpimit, specialitet ky që është i certifikuar me diplomë universitare, doktoratura  etje. Jo vetëm kaq por shpimi i një pusi kërkon të ketë një supervizim të specializuar  sepse kur këtë supervisor e cakton në një objekt  ndërtimi  le të themi  që nuk  ka rëndësinë integrale  të shpimit të një pusi që ka të bëjë me jetën produktive shekullore të një baseni ujëmbajtës, nuk ka as një arsye që të mos caktohet gjatë shpimit të një pusi. Shpimi i një pusi  nafte, uji apo për qëllime të tjera studimore, kërkimore dhe shfrytëzimi  është një objekt me rëndësi industrial për sot dhe për më tej sepse ai është një dritare më shumë që hapet  për njohjen komplekse të nëntokës  tonë. Duke u nisur nga sa më lartë mendojmë që Drejtoria e ujërave në rang Republike të ushtrojë kontrolle e të përcaktojë rregulla taksative për  ekspertizën, drejtimin shkencor e teknik e teknologjik  të procesit të projektimit e të shpimit e të vënies në shfrytëzim  të puseve të ujit  dhe dokumentacionin  qe duhet të ketë një kompani shpimi. Ajo duhet që për këto aktivitete të përcaktojë  e të  kërkojë dokumentacion të imtësishëm dhe të krijojë bazën e të dhënave  në lidhje me aktivitetin që bëhet në kuadrin e shfrytëzimit të kësaj pasurie  shumë  jetike për vendin.  Shpimi i puseve të ujit që ka lidhje me kërkimin, gjetjen  dhe shfrytëzimin e kësaj pasurie brezash  nuk është një çështje individuale  dhe pa interes  shtetëror, përkundrazi ajo ka të bëjë me një pasuri  të nevojshme e të domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe me interesa të mëdha të brezave. Shpimi i puseve të ujit, si gjithë shpimet e puseve për qëllime të tjera  , nuk është një zanat (remesllo) që mund ta bëjë një person me edukatë mediokre dhe pa edukatën dhe përgatitjen eksperte të nevojshme. Si në Shqipëri ashtu si në shtetet e tjera të botës, për të realizuar teknologjinë  shumë të komplikuar të  shpimit të puseve në përgjithësi dhe të ujit në veçanti ka një program të veçantë për përgatitjen e specialistëve teknik-të mesëm  dhe inxhinier – universitar, të cilët kanë kompetencën e plotë për realizimin e proceseve përkatëse të inxhinierisë dhe teknologjisë  bashkëkohore të shpimit të puseve.