Gjermania: Boll me Greqinë, nuk mund të hedhim para në pusin pa fund!

548
Sigal

Juncker: “Greqia mund të dalë nga Euro, por…”. Aksi Hollande-Monti: “Do bëjmë gjithçka për të mos dalë Greqia”

Është mbyllur në mënyrën më të keqe për Greqinë, por dhe për krejt eurozonën java që shkoi dhe e diela e pushimit s’bëri gjë tjetër veçse “trumbetoi” në gazeta, radio e televizione atë që ishte stërthënë: Gjermania nuk e ndihmon më Greqinë me borxhe. Kasandrat që kishin paralajmëruar të keqen dolën nga anonimiteti më në fund dhe serish shohin një përkeqësim tjetër, me sistem kontaminacioni në eurozonë. Sot, me fillim javën, fillojnë edhe dhjetë ditët kruçiale të ekzistencës së Euros. Kjo sepse si shkruan edhe shtypi, janë në vëmendje të opinionit takimet e paralajmëruar të Merkel. Të enjten me Francois Hollande, të premten po të kësaj jave me kryeministrin grek Samaras, (mbiemri, sipas vëzhguesve të hollë që njohin të dy gjuhët ballkanike, plotësisht shqiptar: Rrënja e mbiemrit Samar, ndërtues samarësh) dhe më 29 gusht takim me Montin.

Kriza, Greqi, “përçan Europën” (La Repubblica, e hënë 19 gusht, fq.2) dhe më tej: “Gjermania kundër Francës dhe Europës mesdhetare”, vazhdon gazeta në fjalë. Natyrshëm të krijohet bindja alegorike me humor dhe pakënaqësi se, si edhe duket “samarbërësi” i lashtë shqiptar, nuk mundet të ketë më investime gjermane të bëjë “samarë” të tjerë për të ngarkuar rëndë qytetarët e pafajshëm grekë, ku shtetit të rrëzuar tashmë i ka dalë edhe një tjetër debit prej 3 miliardë dollarë, gjë që e çon ndihmën ndaj tij (nëse do financohej) nga 11.5 të premtuar, në 14.5. Kjo është edhe arsyeja që Gjermania deklaron: Mjaft!

“Nuk është më e mendueshme një program i ri për Athinën, “ka deklaruar shtypit në Berlin ministri i financave gjermane Vvolfgang Schäeuble dhe duke përzhvilluar plot sarkazëm dhe mos dëshirë ka përfunduar: “Nuk mund të hedhim para në një pus që nuk ka fund!” Natyrisht tronditëse dhe tepër shqetësuese situata po të kemi parasysh planin “mbas daljes nga Euro”, të shpallur nga Finlanda dhe të papërgënjeshtruara nga shteti federal i Gjermanisë.

“Kryeministrit të helenëve nuk i është premtuar asgjë, as ulje borxhesh as shtyrje kohe”, ka deklaruar krejt i zëmëruar ministri i jashtëm gjerman, Guido Vvestervvelle. Priten përplasje të tjera, sidomos në Samitin Franco-Gjerman dhe takimet e tjera ndërmjet liderëve të eurozonës dhe pak ose aspak kompromis. Deklarimi më i fortë vjen nga kryeministri i Luksemburgut dhe kryetar i eurogrupit, Jean-Claude Juncker: Një dalje e Greqisë nga eurozona “është teknikisht e mundur, por e pakonceptueshme nga ana politike dhe rreziqet e saj do të jenë të paparashikueshme!”

Pozicionet e Athinës duke lënë tej edhe humorin, trishtimin dhe shpresën, janë tepër të vështira dhe mbështetja franko-eurojugore (ministri spanjoll i ekonomisë, de Guindos ka kërkuar edhe ndërhyrjen e pafund të BQE) nuk mjafton. Dhe matematikisht është ekuacion me shumë të panjohura dhe mbi të gjitha pa zgjidhje. Kjo sepse, Samaras kërkon dy vjet më shumë kohë, gjer më 2016, nga 2014 që është preçizuar. Shuma prej 11.5 miliardë dollarë e shoqëruar me reforma të forta (shtrëngim i fortë i rripit, thonë të majtët dhe ekstremi i djathtë grek) të bashkërenduara me Trojkën (BE, BQE, FMN). Sipas “Spigel on line”, gazetë e njohur në Gjermani, Athina ka dhe një vrimë të zezë prej 3 miliardë më shumë nga çfarë ishte parashikuar. Shkurtimet në Greqi duhet të kapin shifrën mbështetëse 14.5,miliardë dollarë nga 11.5 që ishte deklaruar. Një e treta rezulton e pambuluar. Arsyet: Mos ardhje vlerash nga privatizimet dhe mospërgjegjësi qeverisëse. Tanimë borxhi grek, sipas shtypit është përtej 303 miliardë dollarë dhe Athina i ka djegur të ardhurat nga interesat që tre muaj me parë. Kjo është një tjetër arsye që bën me mosbesim gjermanët, të cilët nën një klimë tensionesh të brendshme, janë motivuar në devizat “jo” ose “po”. Bën përshtypje edhe kërkesa e Schäeuble për një plan “B” mbi Euron, kur ai ekziston dhe publikuar ditë më parë edhe nga gazeta “Telegraf”.

Joschka Fischer, ish ministër i jashtëm i Gjermanisë, në një intervistë për disa të përditshme italiane, ka theksuar papërgjegjshmëri për Gjermaninë dhe ka sulmuar hapur kancelaren Merkel, së cilës “i mungon kurajoja dhe vizioni europeist si ai i Helmut Kohl. Qeveria jonë ka reaguar në mënyrë kombëtare gjermane dhe jo europiane, madje, tepër vonë dhe ngadalshëm. Në fillim të krizës Greqia ishte një problem 50 miliardë, tani gjashtë herë më shumë”.

Pyetjes sem “njerëzit gjermanë duan më pak Europë dhe më shumë Gjermani, ai i është përgjigjur se: “Faji është i Merkel, sepse nuk ka paraqitur asnjë vizion, asnjë plan për dhjetë vjetët e ardhmen”. Me tej ka rritur kritikën duke shtuar se: “Ajo udhëton në det me sy, pa ditur, ku do të çojë udhëtimi. Të hedhësh njerëzit në pasiguri dhe t’u forcosh ndjenjat antieuropiane, është shumë e rrezikshme. Pyetja e vetme që duhet të bëjmë është se a duhet të vendosim ne, për fatin tonë. Mund të lozim një rol në politikën botërore, vetëm duke reaguar së bashku. Kush mendon se Gjermania mund të jetojë e vetme si Zvicra e madhe, ngjan me një buall që pret të shkojë tek kasapi. Kam qenë kundërshtar i Kohl, por për Bashkimin Europian e kam mbështetur. Do të jetë tragjike nëse demokracia gjermane, (…) nuk do të ketë bindjen për të përmbushur këtë projekt themelor, projekt për të ardhmen me traditën e lashtë të Republikës federale.(…) Euro është më shumë se një simbol. E gjej me vend që ne të paguajmë për Europën. (…) Kemi harruar kur u dënuam më 1952-‘53, nga Konferenca e Londrës, mbi borxhet e Luftës, më parë akoma kur nuk ekzistonte një traktat mbi paqen? Këtu, në lojë, është historia!”, ka përfunduar intervistën Fischer për “Bild…” dhe ripublikuar menjëherë për shumë gazeta europiane.

Ndërkohë, pas katastrofizmit gjerman mbi Athinën, për mosfinancim, shfaqet menjëherë në horizont aksi Hollande-Monti. “Gjithçka për të shpëtuar Athinën!” është deviza, pasi “rreziku do të jetë efekt domino!”. E shkruan kudo dje, të hënën kudo, shtypi francez dhe ai italian. Dhe, për të kompensuar mosmbështetjen gjermane, ndaj grekëve, në fillim të shtatorit është fiksuar një takim në Romë. Dhjetë ditë për fatin e Euros dhe Greqisë nuk janë shumë, por mund të jenë vërtet zgjidhëse, nëse politika dhe ekonomia e vendeve më të fuqishme të BE do gjejnë konsensusin dhe rrugët e vërteta! Një dhjetëditor me ngjarje dhe për ardhmërinë e gjithë europianëve!…

Për “Telegraf”, nga Italia