Analizë nga Prof.Dr.Lush Susaj: Shqipërisë i mbyllen dyert e integrimit në BE dhe qeveria justifikohet se “vendi është peng i nacionalizmave”?! Nuk na e ka fajin Europa por megallomanët, arrogantët, dhe të gjithë ata që mendojnë se i dinë të gjitha. Janë një grusht hajdutësh, trafikantësh dhe gangësterash, që po grabisin pasurinë kombëtare duke zënë prej fyti, ekonominë, politikën, integrimin etj. Është koha që shqiptarët të mos heshtin, të mos manipulohen dhe mashtrohen prej tyre
- Shqipëria nuk është peng e nacionalizmave, por e qeverisjes së korruptuar
Nuk na e ka fajin Europa, por qeverisja e korruptuar dhe fanatizmi politik
Nuk na e ka fajin BE, por përbindëshat dhe fanatizmi i tyre politik
-E keqja na vjen nga megallomanët, arrogantët dhe të gjithë ata që mendojnë se i dinë të gjitha
– E keqha na vjen nga ata që mendojnë se do të jenë të përjetshëm, që mendojnë se njerëzit janë dele që mashtrohen e që mund të tërhiqen zvarrë
– E keqja na vjen nga ata që mendojnë se mund të manipulojnë dhe mashtrojnë për një kohë të gjatë edhe BE, edhe SHBA, edhe Bankën Botërore
Prof. Dr. Lush SUSAJ
Shqipëria nuk është peng e nacionalizmave, por e qeverisjes së korruptuar
Në një emision televiziv të pasditës së datës 23 gusht 2021, nga ana e kryeministrit të vendit na u përsërit për të disatën herë që mos hapja e negociatave dhe ngecja e proceseve integruese në BE ka ndodhur për shkak të nacionalizmave dhe kontradiktave në BE. Fjalë për fjalë u tha: “Shqipëria është peng i nacionalizmave”. Si për ironi të fatit dhe heshtjes së pakuptimtë, nuk ka një reagim të prerë për diçka, që nuk mund të jetë e vërtetë. Si gjithmonë fajësojmë të tjerët duke thënë se fajin na e ka Europa dhe ata që në jo pak raste na kanë mbrojtur nga vetëmbytja, vetëvrasja dhe zhdukja si komb dhe si shtet. Është një realitet i trishtë, ku shqiptarët vazhdojnë që të heshtin e të mos reagojnë as kur ju vidhen pronat dhe investimet. Heshtin edhe kur ju varet dhe rrotullohet në qafë zinxhiri i papunësisë dhe dëbimit në emigracion përmes varfërisë dhe mizerjes ekonomike. Heshtin edhe kur ju refuzohet njohja e pashaportës së vaksinimit dhe e dokumentave të tjera identifikuese. Heshtin edhe kur ju digjen pyjet, kullotat, ullishtet dhe banesat nga mafia e projekteve, tenderave dhe investimeve. Heshtin edhe kur ju shkatërrohet përpara syve arsimi, kultura, trashëgimia dhe siguria e pronës dhe jetës. Heshtin edhe kur ju mohohet identiteti, lëvizja e lirë dhe integrimi europian. E kështu heshtin dhe heshtin, vetëm për të zezën e tyre e për pasurimin dhe luksin pafund të një grushti hajdutësh e gangsterash, të cilët e kanë zënë për fyti ekonominë, politikën dhe proceset integruese e europianizuese të vendit. Mua me duket një heshtje e dëmshme, e frikshme dhe dekurajuese. Është një sëmundje që na vjen nga thellësia e shekujve me sundime dhe pushtime barbare, që ka kaluar vendi dhe populli ynë. Në këtë kontekst, po sjell ndërmend një shprehje të Padër Fulvio Kordinjanos (1943, faqe 18), ku shkruan se: “Duhet thënë e vërteta, historikisht Shqipëria nuk e ka bërë atë që kanë bërë popujt e tjerë të Ballkanit, ajo është fajtore e një mëkati të madh, dëmin e të cilit e paguan edhe sot. Pjesa më e madhe e shqiptarëve e ulën me lehtësi kokën ndaj zgjedhës për shkak oportunizmi, për burracakëri apo për lakmi”. Pothuajëse e njëjta sjellje dhe simptomë është edhe kjo e sotmja. Duket që janë të njëjtat shkaqe të heshtjes dhe uljes së kokës ndaj robërisë dhe keq qeverisjes së gjatë. Është heshtje nga oportunizmi, nga frika, nga burracakëria, nga injoranca dhe nga lakmia për pushtet dhe pasuri. Shqiptarët duhet të kuptojnë që nuk është koha për të heshtur e as për të besuar në demagogjinë që na serviret për të na mbushur mendjen që fajin për korrupsionin dhe vjedhjen pandemike na e paska BE, nacionalizmat etj.
Nuk mund të besojë më…
Nuk mund të besoj më askush që fajin për mungesën e zgjedhjeve demokratike, apo për mungesën e zbatimit të ligjit, apo për mungesën e rendit dhe të sigurisë etj, na e ka BE, SHBA, apo edhe vendet e tjera të rajonit. Duhet thënë e vërteta, fajin e ka çdo shqiptar, që pajtohet me keqqeverisjen dhe hesht për oportunizëm, për burracakëri apo për lakmi kolltuku e pasurie. Duke heshtur dhe duke ulur kokën para korrupsionit, demagogjisë, vjedhjes dhe mashtrimit, shqiptarët do të shkatërrojnë të ardhmen dhe do të rrezikojmë që të lemë fëmijët pa atdhe dhe pa shtetin e tyre kombëtar.
Nuk na e ka fajin BE, por përbindëshat dhe fanatizmi i tyre politik
Mënyra e qeverisjes së Shqipërisë në këto 109 vite (1912-2021), tregon se vendi ynë, gjithnjë është sunduar nga fanatikë dhe nga përbindësha orientalë, të cilët kanë ndikuar aq shumë në degradimin e thellë e të gjithanshëm të mjedisit tonë natyror, shoqëror dhe politik.
Drejtuesit kryesorë të shtetit dhe të politikës së këtyre 109 viteve, pavarësisht nga demagogjia e tyre mbi Europën dhe për Europën, mbi qytetarët dhe për qytetarët, gjithnjë kanë punuar kundër interesave të qytetarëve dhe kundër modelit të jetesës dhe vlerave europiane.
Fjala fanatik buron nga latinishtja “fanaticus” që do të thotë shenjtërisht i inspiruar. Sipas filozofisë, fanatikët janë personazhe të rëndomta shoqërore e politike. Janë personazhe të rastësishme e të sëmurë rëndë nga egocentrizmi dhe mendësia e tyre, sipas të cilës vetëm ata zotërojnë të drejtën për të folur, të drejtën për të vendosur, të drejtën për të vepruar dhe të drejtën për të qeverisur. Fanatikët besojnë se i dinë të gjitha, se kanë të drejtë në çdo gjë dhe se zotërojnë idetë më të mira, më njerëzore dhe më hyjnore. Në këtë mënyrë, çdo alternativë, argument, zgjidhje apo e vërtetë tjetër jashtë kokës dhe jashtë logjikës dhe interesave të ngushta të tyre nuk merret në konsideratë, nuk provohet dhe nuk ka asnjë vlerë. Sipas Bernard Verbbek, fanatikët dhe idetë e sjelljet e tyre më të dëmshme ndeshën në politikë. Ai ka theksuar që: “diktaturat dhe luftërat pa ideologji, pa fanatizëm, pa idetë e liga, janë të pamundura”. Që do të thotë se në ato vende që sundohen me fanatizëm, individualizëm dhe ligësi, hapësirat e progresit okupohen nga diktaturat dhe diktatorët që këmbehen duke pasuar e mbajtur në këmbë njëri tjetrin. Atje ku sundojnë fanatikët demokracia ekziston vetëm si nocion dhe si fjalë që përdoret sa për demagogji. Ndërsa të drejtat dhe liritë themelore të njeriut shkelen dhe shkallmohen çdo ditë nga komita fanatike e vetëshpallur shtet, shtetarë apo politikanë. Këto koncepte filozofike janë të mjaftueshme për të kuptuar faktin që ngecja e negociatave dhe reformave integruese e zhvillimore nuk ka ndodhur për shkak të BE dhe as të kontradiktave brenda BE, SHBA etj. E keqja na vjen nga injoranca dhe nga fanatizmi politik, na vjen nga sundimtarët tanë orientalë që nuk pyesin dhe nuk duan t’ia dinë për shkencën, as për teknologjinë, as për ligjet, as për strategjitë zhvillimore, as për menaxhimin bashkëkohorë, as për intelektualët, as për profesoriatin, as për artistët etj. E keqja na vjen nga megallomanët, arrogantët dhe të gjithë ata që mendojnë se i dinë të gjitha, që mendojnë se do të jenë të përjetshëm, që mendojnë se njerëzit janë dele që mashtrohen e që mund të tërhiqen zvarrë, E keqja na vjen nga ata, që mendojnë se mund të manipulojnë dhe mashtrojnë për një kohë të gjatë edhe BE, edhe SHBA, edhe Bankën Botërore etj. Por mbi të gjitha e keqja jonë buron nga heshtja jonë kolektive, nga mos reagimi ynë i vendosur ndaj mashtrimit, korrupsionit, ligësisë administrative, injorancës dhe fanatizmit politik. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe burimet njerëzore e natyrore për t’u zhvilluar dhe për t’u qeverisur në mënyrë normale, harmonike dhe demokratike. Mjafton që të zgjohemi e të reagojmë të bashkuar ndaj së keqes tonë të përbashkët – qeverisjeve të korruptuara, të liga, kakistokratike e fanatike. Në këtë rrugë, gjithmonë kemi patur e do të kemi në krah dhe në mbështetje BE dhe SHBA, gjithë botën demokratike.






















