30 korriku është më shumë se ndalim koalicioni

459
Sigal

 Namir Lapardhaja 

Seanca e 30 korrikut do të zhvillohet në rrethana të jashtëzakonshme. Imagjino nëse do të rezultonte që 4 pjesëtarë të një zyre të thjeshtë në administratë të rezultonin me COVID-19. Normalisht i gjithë personeli do të vetëkarantinohej. Tamponë do të bënin të gjithë kontaktet e fundit me ta. Sipas procedurës strikte, do të pritej përgjigjja për të tjerët. Nuk ka ndodhur kështu me Parlamentin, edhe pse 4 deputetë të tij kanë rezultuar pozitiv me virusin vdekjeprurës. Punimet nuk u pezulluan, pjesëtarët e tij nuk u vetëkarantinuar dhe e vetmja “masë” e marrë është reduktimi i minutazhit të diskutimeve për seancën e ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut. Përse gjithë ky ngut i pajustifikueshëm për një ndryshim kaq të rëndësishëm?!

Në kohë pandemie, kur i gjithë faktori ndërkombëtarë po të thotë qartë që ndryshimet nuk duhen bërë pa dakordësinë dhe përfshirjen e opozitës jashtëparlamentare, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, shefi i mazhorancës duket se do ta çojë deri në fund insistimin e tij. Në gjithë këto vite në politikë, Edi Rama ka qenë konstant ndaj marrëveshjeve: atë e zë konsensusi. Nuk do të jetë e largët dita, kur në kujtimet e tyre, Taulant Balla me Elisa Spiropalin do të shkruajnë se “ashtu ishte koha dhe e gjithë përgjegjësia ishte e sistemit”.
Rama ka treguar se është modeli i politikanit që përfiton kredo vetëm nga tymnaja dhe çoroditja. Sfida e tij më e madhe ka qenë në vazhdimësi intimidimi i opozitës, duke hedhur lumin e duke treguar me gisht pasojat.

Ndalimi i koalicioneve që Rama synon në seancën e 30 korrikut nuk duhet lexuar thjesht si një strategji kundër PD-së dhe opozitës. Sigurisht që ky është një ndër përfitimet e mëdha. Përveçse kalkulim i vockël elektoral, është amoral si veprim dhe si prishje dakordësie. Opozita dhe PD-ja duhet të gjejnë rrugë dhe mënyra të tjera përtej kësaj për t’u përballur dhe për ta mundur me çdo kusht në zgjedhjet e afërta.

Mirëpo, para së gjithash, ndalimi i koalicioneve me Kushtetutë është një e drejtë e mohuar që qytetarët shqiptar e kanë fituar më parë. Kjo është më e rëndë se gjithçka tjetër. Edi Rama, si të githë sivëllezërit e tij autokratë, nën presionin e kartonave të deputetëve të tij dhe të atyre që nuk kanë legjitimitet në atë Parlament, pas kësaj ka të drejtë t’u heqë shqiptarëve çdo të drejtë minimale, si fjala dhe mendimi, që Kushtetuta dhe ligjet themelore të këtij shteti ia kanë lejuar. Nën dhunën e kartonëve, nuk do të jetë e largët dita që të ndryshonte formën e regjimit, sepse numrat i ka. Ashtu siç nuk do të ishte e largët dita kur Rama të sanksionojë me Kushtetutë që të gjithë fëmijët që lindin pas kësaj vjeshte të quhen me emrin e tij apo të djalit të tij. Pse jo, të anulonte me Kushtetutë mbajtjen e zgjedhjeve të radhës, shtimin e viteve për mandatin qeveritar, shpalljen e gjendjes së vazhdueshme të jashtëzakonshme dhe anulimin e mbajtjes së çdolloj procesi zgjedhor.

Me logjikën e forcës së kartonit dhe numrave në Parlament, Edi Rama dhe kushdo tjetër, veç tij, mund të bëjë gjithçka për të siguruar pushtet të përhershëm dhe të pakufishëm. Nuk bëjnë asgjë më shumë autokratët e Amerikës Latine, të Lindjes së Mesme apo të ish-Republikave Sovjetike.

Beteja me Edi Ramën pas ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut nuk është mes opozitës dhe pushtetit, por mes qytetarëve dhe diktaturës. Do jemi në anën e sehirxhinjve apo tek qytetarët e shqetësuar për fatin e tyre?