Nga Osman Metalla, profesor i detarisë në Universitetin e Durrësit
Të dashur miq!
Ish ministri i Jashtëm z. Bushati në një intervistë mbrëmë News 24 lidhur me çështjn e delimitimit të hapësirave detare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë, ndër të tjera theksoi:
· Nuk ka transparencë, në asnjë rast nuk ka patur ndonjë informim publik,
· Nuk është e qartë së për çfar pikash nuk kemi rënë dakort që të shkohet në gjykatë ndërkombëtare,
· Duhet të respektohen të gjitha institucionet, duhet të respektohet Presidenti i Republikës në zgjidhjen e kësaj çështje për vetë rolin që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese,
· Nuk duhet politizuar si çështje pasi është interes kombëtar,
· Greqia e kë përfshirë këtë çështje në axhenden e integrimit të Shqipërisë në BE duke e konsideruar si një formë presioni ndaj Shqipërisë,
· Na duhet një përgatitje e mirë për tu përballur në gjykatën ndërkombëtare.
Në fakt të gjitha këto çështje janë trajtuar e diskutuar publikisht qoftë nga ana ime por dhe shumë të tjerë, por të thëna dhe nga Ish Ministri i Jashtëm i R.SH-së i cili është dhe përfaqësues i mazhorancës, natyrisht që e amplifikojnë atë shqetësim të ligjshëm që është ngritur lidhur me marëveshjen dhe e përforcojnë mendimin se situata nuk është aq keq sa duket, por dhe më keq!
Në të gjitha prononcimet është theksuar mungesa e transparencës si një e drejtë dhe detyrim demokratik për të informuar opinioinin publik. Nuk ka patur asnjë rakordim me Institucionin e Presidentit të Republikës si një detyrim që rrjedh nga Kushtetuta e RSH, por dhe nga Vendimi i GJ.K.
Lidhur me zgjerimin e detit territorial të Greqisë nga 6-12 milje detare, të mos e deformojmë thelbin e çështjes: Nuk po flasim për të drejtën e Greqisë, por po flasim për cënimin që një zgjerim i tillë i bën hapësirave detare të pretenduara nga ana e Republikës së Shqipërisë. Dhe një zgjerim i tillë na cënon pasi e gjithë ajo fasho detare që përfshihet brënda zgjerimit të hapësirës së detit territorial në momentin e pranimit të zgjerimit dhe mos minimizimit të efektit të ishujve shndërrohet menjëherë në territor sovran Grek! Ndaj dhe e përsëris se deklaratat e dhëna nga Kryeministri se zgjerimi i Greqisë jo vetëm që është e drejtë por nuk na cënon, është në disavantazhin tonë. Deklaratat e shkruara apo të dhëna me gojë nga ana e Kryeministrit, Ministrit të Jashtëm, apo Ambasadorit të një vëndi përbëjnë prova të cilat shqyrtohen nga gjykata. Ndaj dhe në mënyrë të vazhdueshme e kam deklaruar një gjë të tillë. Nga ana tjetër kur thuhet se “nuk cënohemi“, atëherë e përsëris: përse po shkojmë në gjykatë?
Natyrisht tek mosdakortësitë nuk është vetëm çështja e 12 miljeve detare por janë një sërë çështjesh që duhen sqaruar dhe duhen negociuar (dhe në rast të mosdakortësisë i drejtohemi gjykatës) sikurse:
– Çështja e shkëmbit barketa
– Çështja e efektit të ishujve (sa gjerësi deti territorial dhe a duhet tu jepet ZEE apo jo)
– Çështja e marëveshjes së lidhur ndërmjet RG dhe RI, si dhe efektet që prodhon kjo marëveshje për ne si pale e trete me interes te drejtpërdrejt ne hapësirat që jane ndarë ndërmjet këtyre dy shteteve ne pjesën veriore
– Metodës së implementimit që duhet të zbatohet në delimitim në mënyrë që të garantohet një ndarje e drejtë dhe e nderëshme (equity principle)
Kalimi në heshtje dhe mosinformimi i opinionit për asnjë çështje të këtyre negociatave padiskutim që është një këmbanë alarmi. Greqia po përdor të gjithë arsenalin e saj politik dhe diplomatik për të mos lënë asnjë hapësirë bosh sa i përket maksimizimit të shanseve ta saj para një gjykate ndërkombëtare. Ajo ka përgatitur kuadrin ligjor, miratoi dekretin për vijën e drejtë bazë, ka përgatitur dhe do të miratojë dekretin e zgjerimit të detit territorial nga 6 në 12 milje detare, e ka përfshirë këtë çështje si pjesë e axhendës së integrimit të Shqipërisë në BE duke e përdorur si mjet presioni, ka filluar provokimet me anë të anijeve të peshkimit duke nxitur peshkatarët e saj të peshkojnë në ujëra akoma të pandara duke vepruar de fakto sikur këto hapësira ti përkisnin shtetit Grek, po instalon ushtrinë e saj në ishujt përballë Shqipërisë.
Po nga ana jonë cfar është bërë?
– Kishim një ekip negociator, ndërkohë që sot edhe atë e kemi të shpërbërë,
– Zero reagim ndaj cënimit që zgjerimi i detit territorial grek nga 6 – 12 milje i bën hapësirave tona detare,
– Zero reagim ndaj një marëveshje të lidhur ndërmjet Italisë dhe Greqisë për pjesën veriore të saj ku palë në negociata duhej të ishte e përfshirë dhe Republika e Shqipërisë (qoftë dhe si vëzhguese) duke qenë se është palë që ka in teres në këto hapësira detare.
– Zero reagim për efektin e shkëmbit Barketa i cili redukton hapësirën e detit territorial në mënyrë jo proporcionale dhe jo të arsyeshme.
– Zero reagim ndaj efektit që duhet të kenë ishujt Erikuza dhe Othonoi si ishuj të cilët prodhojnë disproporcion ndaj hapësirave tona detare!
Sërish shtrohet pyetja: Për çfar shkohet në gjykatë?
– Për të deklaruar se ska problem zgjerimi i detit territorial grek?
– Për të deklaruar se marëveshja Itali Greqi ska ndonjë problem?
– Për te deklaruar se shkëmbi barketa nuk na cënon shumë?
– Për të deklaruar se ishujt Erikuza dhe Othonoi nuk prodhojnë disproporcionalitet dhe nuk ndikojnë sipas efektit Cut Off?
Dërgimi i çështjes së detit në gjykatën e Hagës në këto kushte nuk është tjetër veçse (nuk dëshiroj të përdor fjalët tradhëti, falje shitje apo çfardo epiteti tjetër që rëndom jemi mësuar të dëgjojmë për këtë çështje) kapitullim me vullnet të plotë!
Duhet reagim i menjëhershëm dhe jo politizim i kësaj çështje kaq të rëndesishme të interesit më madhor Kombëtar!
O. M