Prej vitit 2005, në faqen zyrtare të UNESCO-s, përkatësisht në
Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jolëndore të
Njerëzimit, janë
afishuar cilësime antishqiptare, antihistorike dhe antishkencore.
Tre institucione qendrore përgjegjëse i janë fshehur
përgjegjësisë: Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit;
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme; Ministria e Arsimit.
Një institucion i katërt, Akademia e Shkencave ka të ngjarë të ketë konflikt interesi.
Aplikimi është paraqitur nga Radio
Televizioni Shqiptar dhe një i ashtuquajtur Këshill i Muzikës
Shqiptare, me një Formular të fundshkruar nga tre individë, të cilët
nuk identifikohen se në ç’raport kanë qenë me tagrin për
përfaqësim shtetëror.
1. Pse Formulari dhe afishimet në faqen zyrtare të UNESCO-s janë antishqiptare,
antihistorike dhe antishkencore
Nuk përmendet asnjëherë termi zyrtar “Shqipëri.” Shkruhet
vetëm që “Gjysma jugore e këtij shteti është quajtur Epir dhe
pjesa tjetër është quajtur Iliria” dhe se, isopolifonia këndohet
vetëm në Përmet, Korçë, Leskovik, Vlorë e Delvinë. Më tej
shkruhet: “Muzika tradicionale polifonike shqiptare mund të
ndahet në dy grupe të mëdha stilistike të interpretuara nga gegët
e Shqipërisë veriore dhe toskët dhe lebërit që jetojnë në pjesën
jugore të vendit.”
Pyetje institucioneve përgjegjëse: e pranoni këtë ndarje të
Shqipërisë në “Epir e Iliri” dhe në “gegë e toskë”?
Është paraqitur një hartë politike e rajonit, ku Kosova është
transferuar në Shkup dhe Serbia në Prizren.
Pyetje institucioneve përgjegjëse: jeni për këtë hartë?
Aty shkruhet: “Zëri i Sirenave ishte karakteristik, jo vetëm për bukurinë e tyre në vetvete, por, çka është më e rëndësishme, për
shkak të teksturës vajtuese iso-polifonike, një veçori që e gjejmë
akoma edhe sot në të kënduarit iso-polifonik Lab.”
Pyetje institucioneve përgjegjëse: e pranoni që polifonia
shqiptare e ka prejardhjen nga mitologjia jo-shqiptare e Sirenave?
Në vijim shkruhet: “Iso-Polifonia shqiptare rrjedh nga muzika kishtare
bizantine.”
Pyetje institucioneve përgjegjëse: e pranoni këtë? E dini që edhe
polifonia greke e ruajtur vetëm në zonën e Epirit në Greqinë
veri-perëndimore, edhe polifonia bullgare e ruajtur vetëm në
rajonin Shoplouk në Bullgarinë perëndimore, të dyja të
regjistruara në UNESCO, me autoritet shkencor dhe dinjitet
kombëtar, nuk kanë atribuar asnjë prejardhje nga muzika
kishtare bizantine? E dini që, në prezantimet e “Caravan”-it grek
dhe të “Bistritsa Babi”-it bullgar, as që përmendet fare termi
“kishë”? E dini që asnjë prej vendeve të tjera që kanë regjistruar
polifonitë e tyre në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë
Kulturore Jolëndore të Njerëzimit, nuk e adreson origjinën në
kishë, por vetëm në popull? E dini që, në faqen elektronike të
UNESCO-s për polifoninë popullore gjeorgjiane, shkruhet:
“Himnet liturgjike Bizantine kanë thithur nga tradita polifonike
gjeorgjiane në një masë të tillë saqë këto tradita janë bërë një
shprehje e rëndësishme e himneve liturgjike bizantine”?
Si për t’i vënë kapakun misionit antishqiptar të hartuesve të Formularit është shkruar: “Etnomuzikologjia, siç është verejtur që nga
ekzistenca e Sirenave në mitologjinë e stërgjyshërve tanë…”
Pyetje institucioneve përgjegjëse: e pranoni që origjina e kombit
shqiptar u shpiegoka nga mitologjia e Sirenave dhe jo nga çfarë ka shpjeguar e pranuar etnologjia, historia, antropologjia,
gjuhësia historike dhe arkeologjia?
Në të njëjtën faqe zyrtare të UNESCO-s, nga mbi 16 shtete që kanë regjistruar këngët polifonike të tyre, vetëm polifonia shqiptare është regjistruar me emrin “Iso-Polifoni”, ndërkohë që shtetet e tjerë i kanë regjistruar vetëm me emrin “Polifoni”, edhe pse që të gjitha këndohen me “iso”.
Pyetje institucioneve përgjegjëse: e miratoni këtë gjymtim
shpërbërës që i është bërë polifonisë shqiptare, madje edhe në tekstet shkollore? E kuptoni që ndryshimi i emërtimit nga
“Polifoni” në “Iso-Polifoni” është bërë me qëllim që të goditet pikërisht përmbajtja e këngës, thelbi i saj, shpirti i saj, me objektivin që polifonia shqiptare të shpërbëhet dhe, kështu, të copëtuar e të sakatuar, misionarët çkombëtarizues ta kenë më të lehtë për ta çrrënjosur nga trojet shqiptare?
Dhe, për të çertifikuar objektivat e tyre në këtë mision
çkombëtarizues, autorët e Formularit kanë sajuar edhe një “thënie” të Shkrimtarit të Madh Shqiptar, Ismail Kadare, për ta patur mburojë. Të çkombëtarizosh Kadarenë është një krim më vete.
Pyetje institucioneve përgjegjëse: Jeni që origjina dhe vlerat e
Polifonisë Shqiptare të kërkohen atje ku i kanë rrënjët të gjitha
polifonitë e botës, ku i ka rrënjët edhe Polifonia Shqiptare, apo diku tjetër, ku kanë synuar shkruesit e Formularit?
Shkruesit e Formularit kishin mundësi t’i referoheshin saktë Kadaresë, ashtu sikurse mun t’i referoheshin historianit të shquar francez Yves Bonnefoy, apo Joseph Jordania, fitues i Çmimit “Fumio Koizumi” për etnomuzikologjinë
(një alternativë e Çmimit Nobël), i cili përcakton: “Origjina e të kënduarit polifonik është shumë më e thellë dhe është e lidhur me fazat më të hershme të evolucionit njerëzor. Polifonia ka
qenë një pjesë e rëndësishme e sistemit mbrojtës të njerëzve të
parë.” Siç kishin mundësi t’i referoheshin
profesorit shqiptar Ramadan Sokoli: “Polifonia popullore shqiptare nuk ka ndonjë lidhje morfologjike me literaturën
bizantine…”
Por misionarët çkombëtarizues kanë krijuar një alibi që zor se ka të dytë, teksa shkruajnë që iso-polifonia Shqiptare përcaktohet
nga “liturgjia, melurgjia, Krishti, ringjallja, kompozitori gjerman
J.S.Bah, kompozitori austro-hungarez i lindur në Rumani G.S.
Ligetti, kënga magjike e Sirenave, Kisha Bizantine, Patrokli,
Akili, Homeri dhe kabája me klarinetë e Mjeshtrit Laveri” – një
katrahurë e pakulturë, ku edhe absurdi ndihet i turpëruar. As
çorbë nuk mund të quhet, se edhe çorba e ka një recetë dhe luga
refuzon të hyjë në të.
Por çështja është shumë, shumë më e thellë se sa kultura. Në fakt, përtej alibisë, fshihet një objektiv afatgjatë:
“Skalitja politike në UNESCO, domethëne në OKB, që, kultura me emrin “shqiptare” nuk
është me identitet shqiptar dhe, rrjedhimisht, kombi që
pretendon të jetë bartës i kësaj kulture, në fakt, është i ardhur
nga tjetërkund dhe e ka marrë këtë kulturë nga tjetërkund.”
2. Kërkesë kombëtare
Pothuajse nobelisti Ismail Kadare, krahas Prof. Rexhep Qose dhe qindra personalitete të tjerë të fushave shkencore, letrare, historike,
kulturore e muzikore, nga Shqipëria dhe të gjitha trevat
shqiptare, nënshkruan, më 8 Prill 2023 një Rezolutë të iniciuar
nga Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria”, ku kërkohet të ndërmerren hapat e
nevojshëm institucionalë për të bërë ndreqjet e duhura në faqen zyrtare të UNESCO-s, me qëllim që pasqyrimet në to të jenë në përputhje me vlerat dhe identitetin kombëtar shqiptar të
Polifonisë Popullore Shqiptare.
Çuditërisht, paska kthyer përgjigje
Kontrolli i Lartë i Shtetit: “…procesi i përgatitjes dhe depozitimit
të dosjes së “Iso-polifonisë” është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi në periudhën përkatëse, konkretisht ligjin nr. 9048, datë 07. 04. 2003 “Për trashëgiminë kulturore”, i ndryshuar, si dhe me udhëzimet standarde të UNESCO-s, të
aplikimeve në atë kohë…Legjislacioni kombëtar aktual nuk
parashikon mekanizma për heqjen e një elementi nga listat,
përveç rasteve kur dukuria ka pushuar së ekzistuari.”
Pra, Kontrolli i Lartë i Shtetit Shqiptar dëshmon se, në vitin
2003, paskemi patur legjislacion dhe udhëzime për të
çkombëtarizuar kulturën popullore shqiptare dhe, meqenëse e paskemi legalizuar nuk e heqim dot, prandaj ta lemë siç është!
Kjo ka qenë arsyeja që, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe
Sportit, Ministria e Arsimit dhe Ministria për Evropën dhe Punët
e Jashtme, për 20 e ca vjet nuk i janë përgjigjur thirrjes
mbarëkombëtare për të proceduar në UNESCO fshirjen dhe
zëvendësimin e afishimeve antishqiptare dhe antishkencore në
faqen zyrtare të saj. Kështu që, institucionet përgjegjëse shqiptare kanë parapëlqyer më mirë djallin në djep, se sa djepin bosh – një pazar me prapavija të frikëshme antikombëtare, sipas
të cilit: “Më mirë të mos ndihemi fare, le të mbetet joshqiptare
kjo polifonia shqiptare, le të përdhoset edhe historia kombëtare
shqiptare, le të sakatohet edhe gjeografia shqiptare, boll që të na
mbetet formalisht emri. Sepse, për më tepër, na presin edhe
fondet misterioze ata të UNESCO-s, pa në djall të venë kombi,
populli, kënga, gjuha, dinjiteti kombëtar, të gjitha.”
E kështu, sa më shumë kohë të kalojë, aq më shumë skalitet
tjetërsimi i kulturës kombëtare në UNESCO, domethënë në
OKB. A mund të ndërpritet kjo veprimtari e orkestruar
antishqiptare? Po, por kjo nuk mund të arrihet vetëm me rezoluta, thirrje patetike apo rebelime folklorike. Shqipëria është
shtet me institucione. Dhe institucionet përgjegjëse mund të thirren të japin përgjigje publike.
Në të kundërt, kur vetë ne shqiptarët kemi kërkuar, pranuar dhe
nuk jemi ndier që, në UNESCO, agjencinë kryesore të OKB-së,
jemi regjistruar si popull pa komb, atëherë të mos çuditemi që
meritojmë të sakatohemi edhe më tej.



















