“…Nuk është e saktë që vdekja nga të ftohtit e Liljana Semas në Ferras të Fierit të trajtohet dhe arkivohet si “vdekje” thjeshtë nga një shkak natyror!!! Kjo është më shumë “vrasje e paramenduar shtetërore”, si rrjedhojë e vdekjes “në barkun e nënës” (pa lindur fare) apo mungesës prej më se 77 vjetësh në këtë vend të “shtetit social” apo “politikës sociale”!!!
Siç kanë njoftuar mediat, më 28 janar, 2-3 ditë më herët, pra, më 26 ose 27 janar, 66 vjeçarja Liljana Sema nga fshati Ferras i Qarkut të Fierit, ka ndërruar jetë nga i ftohti. Ajo u gjet pas 3 ditësh e pajetë nga vëllai i saj…Sipas njoftimeve mediatike, “Liljana jetonte në kushte të vështira, në një banesë thuajse të shkatërruar dhe çfarëdo që të binte jashtë hynte dhe brenda. I vëllai bashkë me nipin e treguan për mediat se 66-vjeçares kishte dhjetë ditë që i kishin hequr energjinë elektrike, pasi nuk kishte pasur mundësi që ta paguante. Ajo ka tre fëmijë, që janë jashtë…”
Kryeministrit Edi Rama i është përmendur ky rast nga një komentues në komente në rrjete sociale. Kreu i qeverisë i është përgjigjur siç di apo e ka si art ai.
Komentuesi: Psh z.kryeministër nuk ka ardhur koha për gjera pa vlerë, por shiko hallet e popullit ….. si shembull po ju përmend rastin që e lexova sot. Një zonjë nga Fieri paska ndërruar jetë nga i ftohti. Arsyeja është, se ia kishin prerë dritat. Ajo jetonte vetëm…këto shiko e jo gjëra pa vlerë!
Përgjigjja e Ramës: Kurse unë mendoj të shikosh me vemendje kanalet ku informohesh, sepse ka infeksione të mëdha nëpër rrjedhat e tyre dhe bëhet njeriu të flasë me vete nga ato që lexon e dëgjon. Ndërsa pyetësori është pikërisht për hallet e popullit, kështu që hidhi një sy dhe jepe opinionin tënd në linkun https://këshillimi kombetar.al/
Po bëj një koment lidhur me ngjarjen dhe të cilëve u duhen lënë më shumë përgjegjësi në derë. Lidhur me përgjigjen që i jep kryeministri Edi Rama, qytetarit, që i kujton detyrimet parësore ndaj jetës me 1001 halle të shumicës së popullit, në fshatra dhe qytete, mund të them shkurt: Është e kotë të komunikosh dhe debatosh me këtë njeri, që i beson vetëm “fakteve” apo “të dhënave” të ERTV- së dhe “papagajve,” të tij si dhe përrallave dhe sofizmave të veta!!!
Gjithashtu, sipas gjykimit tim, “…nuk është e saktë që vdekja nga të ftohtit e Liljana Semas në Ferras të Fierit të trajtohet dhe arkivohet si “vdekje” thjeshtë nga një shkak natyror!!! Kjo është më shumë “vrasje e paramenduar shtetërore”, si rrjedhojë e vdekjes “në barkun e nënës” (pa lindur fare) apo mungesës prej më se 77- vjetësh në këtë vend të “shtetit social” apo “politikës sociale”!!!
Njëherazi, kjo vdekje, në fundjanar 2022, është tmerr e turp, pashpirtësi, papërgjegjshmëri, krim shtetëror…Kjo ngjarje, në mënyrë figurative, mund të vlerësohet edhe si këmbanë alarmi për rëndimin, thellimin dhe masivizimin e varfërisë, për rikthimin e saj në nivelin e viteve 1989- 1992.
Disa që nuk mund ta mbulojnë me gjethe fiku se janë “të majtë” dhe”avoketër mbrojtës” vullnetarë të partisë, qeverisë dhe kryeministrit të zemrës, kapen fort tek fakti se viktima ka pasur edhe 3 djem dhe se ata nuk duhej të kishin lënë nënën e tyre të vetmuar dhe të jetonte në ato kushte. Nuk mund të kundërshtohet prerazi se mund të kenë sado pak përgjegjësi djemtë, jashtë shtetit të tre ose dy prej tyre. Por, më parë do të ishte mirë të merret informacion se ku janë djemtë, ku punojnë e ku jetojnë, sa frymë dhe sipërfaqe banimi kanë; nëse kanë shtëpi të blerë apo me qera, në rreth 400-500 euro në muaj; nëse kanë fëmijë në shkolla dhe universitete dhe sa detyrime financiare kanë për secilin nga fëmijët…Nëse i kanë edhe gratë në punë të përhershme apo me ditë dhe orare të pakta, me pagesa të mira apo sa për të mbyllur ca gropëza të mbijetesës..Pse jo, mund të merret informacion edhe nëse ndonjëri prej tyre punon apo është i papunë, nëse është i lirë dhe punon apo është në burg…Gjithashtu, për të shkuar sa më afër tek e vërteta e plotë, do të ndihmonte të analizohej se përse kjo grua jetonte e vetme. Për nostalgji dhe për të ruajtur lidhjet me shoqërinë e vjetër me gratë kushërira apo komshije, rreth moshës së saj, në fshat? Për të ruajtur atë kasolle, atë copë tokë, ato pak pemë…? Apo për të shmangur të bëhej e tepërt dhe burim sherresh me djemtë dhe mes tyre dhe nuseve…? Përgjigjet e saj ajo nuk mund t’i japë, sepse, fatkeqësisht, i mori me vete në varr. Por për disa përgjigje ndihmon edhe fotografia e publikuar. Fotografia e shtëpisë-kasolle, ku vdiq nga të ftohtit ajo grua, shpreh shumë. Nëse fëmijët e saj do të ishin në gjendje të mirë, as ata dhe as nuset nuk do të ishin aq zemragur sa ta linin të jetonte në ato kushte. Në të kundërtën, në vend të kasolles mund të ndërtonin edhe një vilë, siç kanë shumica e “të majtëve”, edhe në Fier, masivisht të përkëdhelur e më të përfituarit gjatë 77- vjetëve të mbretërimit nga partia e tyre e zemrës, me tre emra, PKSH-PPSH-PSSH, e cila e mori Shqipërinë të fundit në Europë për treguesit e zhvillimit e të mirëqenies më 29 nëntor 1944 dhe e ka sjellë po të fundit edhe sot, më 29 janar 2022. Për të qenë më objektivë atyreve, gjatë 64 vjetëve të plotë komunisto- socialistë, duke ia hequr 13 vjetët e Saliut, edhe në kohën e tij, nuk iu ndërprenë pasurimi dhe privilegjimi…Kapja fort si majmunët pas degëve të drurëve dhe pemëve tek 3 djemtë e viktimës dhe përgjegjësia e tyre, synon të mbulojë me gjethe fiqsh, përgjegjësinë e OSHE-së, të komunës, bashkisë, qeverisë… Qëllimisht harrohet se ajo grua merrte vetëm 7.000 lekë pension apo mbështetje sociale dhe me këto, me çmimet e çmendura të këtyre viteve të fundit, që vetëm rriten e rriten pa asnjë logjikë ekonomike dhe pa pikë dhembshurie e mëshire njerëzore, duhej të mbijetonte si …njeri. Apo më saktë: të bënte jetë…shqiptarçe! Gjithashtu këtyre “të majtëve” apo enveristo- dramistëve të hapur apo “me maska”, që ua lënë të gjithë përgjegjësinë djemve dhe viktimës, do “t’u kujtoja se kanë qenë dhe janë dikasteret dhe institucionet më të larta qeveritare dhe shtetërore, që kanë harruar dhe “harrojnë” me vite të paguajnë faturat shumëmilionëshe apo borxhet e moçme të energjisë elekrike tek OSHE. Kjo kompani nuk guxon t’ua ndërpresë institucioneve eprore energjinë elektrike, siç bëri me Liljanën e gjorë nga Ferrasi, një nga fshatrat e shumtë, që ndodhet “mbi liqene dhe lumenj me arë të zi”(naftë e gaz), dhe që, për paradoks apo mungesë shteti human, shumë nga banorët e tyre jetojnë dhe vdesin në varfëri të tejskajshme e të përjetshme!!!???
Të tjerë, me të drejtë të revoltuar nga kjo tragjedi, bëjnë thirrje për drejtësi në hetimin e ngjarjes dhe për të ndëshkuar shkaktarët apo fajtorët.
Sipas opinionit tim, është iluzion apo mashtrim i vetvetes, humbje kohe dhe zbrazje xhepi e kulete që të kërkosh drejtësi në këtë “ferr tokësor”, siç është bërë Shqipëria e këtyre viteve të fundit. Ajo grua e gjorë iku jo në moshë të madhe nga kjo jetë e ferrshme! Për çfarë i duhet drejtësia tani??? Pastë gjetë PARAJSËN në botën tjetër, meqenëse ferrin e përjetoi në tokë, në Shqipëri!
Po e mbyll këtë koment, duke huazuar nga faqja në facebook e z.Selim Hoxha një perlë të Migjenit:
“Merrnie dhe çonie në qytet kët shtatore.Vendosnie në një shesh! Dhe si përmendore kushtonia ndokujt! Kushtonia atij që ka më shumë merita për kët vend apo, ndoj ministri o deputeti, e ndokujt tjetër…E në rast nuk gjeni ndonjë njeri që ka merita të mjaftueshme, atëhere kushtonia atij që ka merita më pak: Perëndisë klasike”.