Evidentimi dhe mbështetja e personave me vlera të larta njerëzore dhe profesionale, është e vetmja alternativë për ta bërë më të dlirë dhe më të begatë atdheun dhe kombin tonë!
Kur ne u lindëm, as që e ëndërronim çfarë do të bëheshim kur të rriteshim. As që e dinim kuptimin e fjalës shtet dhe shtetar. Rruga e një fëmije për t’u bërë i zoti, fillon në familjen e tij. Aty merr mësimet e para të jetës dhe kupton për herë të parë dashurinë prindërore, ku padyshim fjalët dhe përkujdesja e nënës janë mbi gjithçka. Çdo nënë, për një fëmijë të sapolindur është “Atdheu i Vogël” që të mëson më vonë se kush është “Atdheu i Madh” dhe të mëson ta duash atë siç do Nënën. Ajo na mësoi hapat e parë dhe na ngriti lartë sa herë rrëzoheshim. Pastaj rritesh edhe më, vrapon në oborrin e shtëpisë dhe pastaj vrapon nëpër rrugicat pranë duke u njohur me shokët e vegjëlisë, të pallatit ku banon, të lagjes tënde, por edhe të qytetit. Midis tyre ti zgjedh shokët më të ngushtë, të cilët mbeten të tillë për të gjithë jetën. Janë ata me të cilët ndan në çdo kohë, si të mirën ashtu edhe të keqen. Prezenca e tyre në krahun tënd në momentet e vështira që ti kalon, të mbush me besim dhe ta largon hallin si me buton. Më vonë shkon në klasën e parë sëbashku me moshatarët e tjerë të lagjes. Mësuesja e klasës na mësoi gërmat e para të Abetares, librit më të rëndësishëm për një Shqiptar, na mësoi këngët “Ty Flamur të duam shumë”, “Për Mëmëdhenë”, na mësoi të këndonim “Hymnin Kombëtar” etj, etj. E kështu me radhë ti ecën dhe ecën derisa bëhesh një “Njeri i Madh”. E gjithë kjo rrugë e përshkuar, ose të ka bërë njeri të mirë, ose të ka bërë prishanak të vlerave të ndërtuar nga shokët me mund edhe me sakrificë. Ndërkohë që ti duhet të gëzosh dhe të duartrokasësh arritjet e shokëve, je shndërruar pa e kuptuar një inatçor dhe intrigant i pandreqshëm ndaj miqve që ngjitin me meritë shkallët e karrierës. Në fakt, zhvillimit të qytetit, të Atdheut dhe Kombit tonë, duhet t’i shërbejë çdo Shqiptar, pavarësisht ku jeton, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, apo në çdo shtet të botës ku ai ka zgjedhur të jetojë dhe të punojë. Respekti i pjesës tjetër të botës për Kombin Shqiptar, rritet gjithnjë e më shumë nëse ne shqiptarët e respektojmë vetë të parët shtetin ku jetojmë, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut apo Malin e Zi. Për të bërë të mundur të gjitha këto, duhet të evidentojmë midis nesh cilët janë më të mirët dhe t’i nxitim ata të jenë në krye të punëve të shtetit, në krye të çdo institucioni shtetëror, sipas profesionit ku ata kanë shkëlqyer gjatë kësaj kohe. Kjo është ajo çfarë mund të bëj shoqëria, ndërkohë që Parlamenti Shqiptar dhe Qeveria Shqiptare, për të ndërtuar një administratë shtetërore të fortë dhe profesionale, duhet të hartojnë një ligj vetëm “Për Sistemin e Karrierës në Shqipëri”, i cili duhet të ndihmojë dhe duhet të lehtësojë rrugën e të bërit karrierë të gjithë njerëzit që e meritojnë. Vendosja e kritereve të drejta do të ishte filtri më i mirë për të lejuar kalimin në të vetëm të atyre njerëzve që e meritojnë dhe jo si është bërë deri më tani, sidomos në lidership. Vetëm kështu do të rritim jo vetëm begatinë e Atdheut tonë, por do të rritim edhe dashurinë e munguar ndaj njëri tjetrit. Të paaftët të çojnë në greminë, ata nuk i kuptojnë dëmet që i kanë bërë dhe po i bëjnë ende Atdheut dhe Kombit të tyre. Në kushtet ku ndodhemi, nuk ka kohë të gjejmë cilët janë të paaftët (ata tashmë dihet se cilët janë), por duhet të korigjohemi hap pas hapi, ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti, zgjedhje pas zgjedhjesh, duke evidentuar dhe duke mbështetur më të mirët midis nesh, duke i parë ata si të vetmen shpresë për ta bërë vendin tonë të dlirë dhe të begatë në çdo këndvështrim.