Gentian Çala: Tërmeti, u harrua…?!

493
Sigal

Jeta vazhdon, thonë shpesh, por për ata që nuk ju ka rënë halli mbi kokë, kurse të tjerët vazhdojnë në çadra ose në shtëpi me qera. Gjysma e të keqes! Ka nga ata të gjorët në fshatrat e Korçës, që ende nuk kanë gjetur një zgjidhje edhe pas 6 muajve, ku bëhej fjalë vetëm për një duzinë me shtëpi të dëmtuara. Këto ditë jemi marrë me minishengen, me aktorë që grisin postera, me aktualitet politik, me SPAK, deri edhe me festival, por nuk ka ende asgjë për rindërtim. Kohë dimri, as para nuk ka, duhet pritur pikatorja e donatorëve në janar dhe shtrëngimi i rripit nga qeveria, si dhe lekët e mbledhura nga fondacionet. Duhet të presim, të kalojë dimri i gjatë. Në fakt asgjë nuk bëhet me buton, por meraku im është gjetkë, te mosgjetja e butonit asnjëherë.

Gjendja e jashtëzakonshme e fatkeqësisë natyrore u shty për tre muaj. Fakeqësia politike ende vazhdon, ajo duket e marrë peng nga indiferentizmi dhe mosbesimi i shqiptarëve te ndryshimi. Ndoshta edhe nga heshtja e opozitës, e cila duket e tërhequr për të dhënë mesazhin e mospërdorimit të fatkeqësisë për përfitime politike. Mirë bën, por deri kur? Rama vazhdon të konsumojë padrejtësisht mandatin e tij dhe tashmë ka nën dorë pjesën më të madhe të pushtetit. Një oktapod i quajtur Rilindje, i ngritur mbi klientelizëm, pa skrupuj, i korruptuar dhe aspak efektiv, tashmë duhet të na dëshmojë se mund të rindërtojë atë pjesë të Shqipërisë të prekur nga tërmeti. Gjithkush ka të drejtë të besojë në atë që mendon, unë dyshoj shumë se kjo administratë qeveritare dhe ky Kryeministër, do të mund të gjejnë zgjidhje përundimtare dhe shteruese për të dëmtuarit.

Tërmeti, u harrua?! Nuk e di, mbetet për tu parë. Shumë u thanë dhe u premtuan, por ende asgjë nuk ka nisur, por më e keqja është se nuk diskutohet më. Dikush mund të thotë që nuk do të flasim pa fund për këtë gjë. Po ja, përse nuk fillohet me marrjen e masave, me përgatitjen e rregulloreve, VKM-ve, apo akteve ligjore dhe nënligjore që të mos kemi sërisht ndërtime kuturu dhe pa masa antisizmike. Kjo nuk kërkon para, por mbledhjen e mendjeve shkencore, të vendimmarrësve të tjerë apo të legjislativit për ta vënë në vijë. Praktika më e mirë qënka fare pranë në Greqi, kështu që gjithçka lehtësohet. Kjo qeveri e ka pasur zakon që sa herë i duhej të mbulonte një telash, nuk e zgjidhte atë, por sajonte një tjetër, thjesht për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik. Ja u zgjidh u bë, tërmeti harrohet dhe hallet vetëzgjidhen nga qytetarët, por kjo nuk besoj të funksionojë kështu, pasi shumë shpejt nëse nuk ndodh asgjë do të ketë shumë zemërim.

Unë or miq, ndoshta dhe ju, mund të harroni, por jo ai pa kulm mbi kokë. Uroj që të bëhet më e mira për ata, për të gjithë pa përjashtim, për ata që e duan dhe që nuk e duan qeverinë. E nëse kjo realizohet, do tu them bravo, por nuk mund të harroj asnjë prej atyre që ka bërë keq pardje, dje dhe sot. Uroj të mos harrohet dhe të bëhet puna, por mos flini, se kjo nuk bëhet vetiu. Ju duhet të bëni presion në çdo mënyrë që ata të mos harrojnë. Koha rrjedh, ikin ditët, muajt dhe kupton se të kanë gënjyer sërisht ndaj mos harroni të ngrini zërin. Kujtojini për ato që ju premtuan dhe për ato që duhet të bëjnë, duhet nënvizuar çdo premtim dhe çdo realizim. Kështu ata nuk mund të luajnë me ju dhe me jetët tuaja.
Nëse ata nuk e bëjnë sot, për çfarë ju duhen më!?