Skandali i Holandës, pasqyrë për kombin!

710
Sigal

Silvana Berki

 

Holanda ngre një problem të madh për shoqërinë e tyre: Qarkullimin e drogës nga mafia shqiptare që, edhe pse duket paksa paradoksale në aspektin se Holanda e ka lënë të lirë këtë lloj tregu, tani ka nisur reforma për ta ndaluar atë dhe shqiptarët i shikon si kërcënim. A janë shqiptarët kërcënim ndaj shëndetit të popullatës atje, apo rritjes së korrupsionit këtë nuk e kam të qartë. Por nuk dua të ndalem tek problemi i holandezëve, sepse ata kanë ekspertët e tyre që merren me këtë punë. Ajo që mendoj ne si shoqëri duhet të qartësohemi është vetja jonë dhe përse akoma shihemi si delja e zezë e Evropës. Nuk besoj se ka shqiptarë, të cilët duan të ndihen të tillë në rrjetin global, por gjithsesi duhet pranuar ky fenomen dhe pyetja është: A mund ta parandalojmë këtë emër apo frymë të keqe? Kuptohet që veset e këqija apo të mira, punën e mirë apo të keqe e bëjnë njerëzit. Janë njerëzit ata që me punë të mirë na bëjnë të ndihemi krenarë kudo që jemi, por janë po ashtu njerëzit ata që me vepra të këqija na e ulin kokën dhe, kur të ulet koka, është shumë vështirë të marrësh atë që të takon më vonë, edhe pse mund të punosh trefish më shumë sesa të tjerët. Këtë efekt ka njollosja. Në 45 vite komunizëm njeriu ynë ishte i pajisur me një lloj tjetër ideologjie dhe vlera materiale për të nuk ishte në epiqendër të gjithçkaje siç është sot. Fakt është që emigrantët e 90-s, kudo ndodhen iu përveshën shkollave me anë të cilave përfituan një profesion me të cilin mbështesin jetën e tyre. Këta që ikin sot janë të pashkollë, të pa profesion dhe detyrimisht do të kërkojnë të punësohen diku. Po t’i hedhësh një sy burgjeve të Evropës dhe konstatosh edukimin e të burgosurve shqiptarë, kupton shumë lehtë që janë pa profesion dhe me 8-vjecare. Jo për të gjykuar qeverinë shqiptare të këtyre 30 viteve, por është fakt që zvarritja e tranzicionit, la pasoja në edukimin e rinisë, e cila sot përpëlitet nëpër burgje te Evropës si kriminele. Kjo duhet të na trishtojë, sepse janë fëmijët tanë, të cilët kërkojnë ndihmë dhe orientim për jetën. Ne e adhurojmë Evropën, për ndihmën dhe mbështetjen e anës materiale, e cila lehtëson rritjen e ekonomisë shqiptare, por edhe përditshmërinë.

Por në thelb të saj ky lloj materializmi është edhe helm për mendjen njerëzore. Ju i keni parë besoj çfarë lloj ndryshimi kanë këta evropianët me ne ballkanasit apo me ne shqiptarët? Puna është që edhe ata vetë e pranojnë se janë më të ftohtë dhe ne jemi më zemërmirë e bujarë. Është pikërisht Fryma materialiste, e cila ashtu si tek ata ka infektuar edhe popullin tonë, nga një nevojë që solli koha. Sa herë kemi dëgjuar njëri tjetrin të qahemi se “të shikojnë nga duart” apo se “se meritokracia nuk ka më vend, por paraja”. Në anë tjetër jemi duke u ankuar se po humbim vlerat që dikur na bënin të ndiheshim mirë; respekti për të rriturit, vlera e edukimit, dashamirësia etj., si këto. Sot këto na duken disi të largëta si koncepte dhe tek ai që rrezatojnë ende na duket si naiv. Kjo tregon vetëm një gjë: VLERA MATERIALE – deformon karakterin e asaj që ne kemi quajtur njerëzore dikur. Problemi është se materializmit nuk i shmangemi dot, sepse sot është një ndër vlerat bazë për tregun dhe ekonominë. Puna është, a mund të bëjmë diçka që këta të rinj të kuptojnë se tregu i zi nuk është profesion dhe se nuk të bën, as burrë e as dikush, nëse je me fat, mund të japë një dorë ndihme përkohësisht, por ajo nuk të ndihmon gjithë jetën. Të mos lë pastaj pa përmendur sa ndikim të keq ka në sigurinë ndaj vetvetes të personit, i cili është damkosur njëherë me titullin “kriminel”. Mund … edhe të mos ngrihet kurrë më në pozitën normale. Futja në EU, ngelet ëndrra në sirtar e shqiptareve, meqenëse i jemi futur Evropës në gjumë si ëndërr e keqe që tani. Ç’do të thotë e gjithë kjo për të ardhmen e shqiptarëve?