Hyqmet Zane: Autokratizmi shqiptar dhe heshtja ndërkombëtare

337
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Bisedat intelektuale nëpër tavolina lokalesh (fatkeqësisht jo në mediume dhe mjedise vlerash) janë bërë të shpeshta, por me zë të ulët se dëgjojnë patronazhistët e kudondodhur dhe ata dinë ku e thonë fjalën e tyre. “Ore, të marrin në qafë ata, të lenë pa punë, të heqin llokmën e bukës”, janë këto copëza të shkëputura nga fjalosjet mes njerëzve të mirënjohur intelektualë në kafene apo në ambjente të tjera të vogla. “Shëëët, ule zërin se nuk dua të dëgjohet gjë, se kemi spiunë përqark”, më tha një kolege duke kthyer kokën, sa majtas, djathtas se mos e dëgjonte ndokush. Mbeta pa fjalë, se nuk e pranoj një gjë të tillë si në kohën e diktaturës, se provova atë kohë, ndaj si mund ta pranoj tani në demokraci ?! Janë situata që po përjetohen kudo, sidomos në qytete ku nuk kanë lëvizjen dhe ritmin e kryeqytetit dhe ku ndikimi i thashethemeve është shumë i madh. A thua se jeta po shuhet dhe sekush kërkon të jetojnë në heshtje. Në kohën e diktaturës im atë i vuajtur dhe me shumë halle nga jeta me privime, kur fillova punën si mësues në një fshat të largët malor, më tha “ha dhe hesht bab, se edhe muret kanë vesh”. Por kjo këshillë në atë kohë kishte vlerë të madhe.  Por kur një fjalë e tillë po jepet si këshillë edhe në ditët e sotme në këtë vendin tonë, kjo hapur do me thënë një rikthim, një rilindje e një sistemi ku lufta e klasave bëhet në forma dhe mënyra të tjera. Kur ne shqiptarët jemi në një situatë tipike emergjente, siç ishte parazgjedhjet dhe tani paszgjedhjet gjithmonë emergjencat kanë sherbyer si preteks për shkatërrimin e lirive dhe të drejtave të individit. Kjo bëhet si një diktat për të ndikuar mbi jetën e pushtetit dhe për ta mbajtur në këmbë atë në forma dhe praktika të tilla që lenë gjurmë edhe në karakterin njerëzor.

Bile shkohet deri aty sa ta sakrifikohet kushdo, qoftë ky edhe Presidenti, si në rastin e Ilir Metës, me qëllimin që duan t’i thonë opinionit që, “ne nuk pyesim për presidentin e jo për ty, që të shtypim me këmbë, po na dole kundër dhe po nuk bëre siç duam ne”.  Dikur për një fjalë të padëshirueshme për kohën apo të shprehje ndonjë pakënaqësi për mospasjen e mishit apo djathit apo edhe ndonjë pakënaqësi tjetër, sado e vogël, haje 8 vjet burg me motivacionin “agjitacion dhe propogandë” dhe dënimi bëhej “në emër të popullit” edhe pse populli nuk dinte gjë dhe nuk ishte në gjyqin me dyer të mbyllura. Porse sot nuk ka burg në qeli, por ka një “burg” me papunësi dhe pa të ardhura për të mbajtur familjen, ka mospërfillje nga pushteti dhe injorim të vlerave të tua, edhe pse mund të jesh një profesionist i mirë apo një intelektual i respektuar.  Kam bindjen se këtë psikologji sjellje të pushtetit që ka në dorë qeverisjen si mazhorancë ose nuk e kuptojnë ata që quhen ndërkombëtarë se ajo bëhet “urtë e butë me kërbaçin pas koke”, ose nuk duan ta kuptojnë ata që na monitorojnë demorkacinë që po shndërrohet në neodiktaturë. “Ç’u bë kështu kjo punë në këtë vendin tonë”, më thoshte një ditë një mik, që kishte pasur probleme me sjelljen e drejtuesve në punën e tij, që i kishin bërë vërejtje që kafenë e pinte me miq të tij që njiheshin për demokratë, si dhe nuk klikonte si pëlqim në facebook titullarët e PS-së në çdo postim të tyre. Për shkak të moshës para pensionit, i kishin thënë që “ha dhe këtë kohë që të ka mbetur dhe mos bëj shumë llafe”, edhe pse kishte kontribute si specialist. Se çfarë emri do të duhet t’i vë kësaj sjellje, nuk është se mund ta di, por marr me mend se ka nisur një “epokë e re” e së majtës moderne me sjellje si në diktaturë, por pa ndëshkime penale, por me ulje koke dhe pranimin e së keqes, pa e diskutuar atë. Ndoshta referimi tek një thënie e Presidentit amerikan Thomas Jeeferson që është shprehur se “Kur populli i frikësohet qeverisë së tij, aty ka tirani, kur qeveria i frikësohet popullit të vet, aty ka liri”. Duke iu referuar personaliteteve amerikanë që ndoshta nuk i kujtohen ndonjë bashkëkombasi të tyre në një moment të caktuar, jam i detyruar, për shkak të vëmendjes së treguar ndaj demokracisë dhe personaliteteve amerikanë si në rasin e zonjës Hillary Clinton  që me autoritetin e një zonje të nderuar ka thënë se “Liria dhe përparimi, nuk kanë lindur nga heshtja”. Dakord, do i thoja kësaj zonje të nderuar, por vërtet kjo është në Amerikë, por ka edhe Shqipëri, kur dikur duhej t’i thojë “derrit – dajë” dhe “duhej të puthje atë dorë që nuk e kafshon”.

Për më shumë kur ata që e donin Amerikën dhe dëgjonin “Zërin e Amerikës” u dënuam me pushkatime dhe u burgosën si Xhemal Llalla, babai i ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, vjen një ditë që këtë të fundit në shekullin e 21-të dhe jo më larg se 2017 e “dënojnë” me “non grata” në Amerikë dhe e kërcënojnë me burg gjykata që ka në dorë ligjin dhe Maliqin. Ndaj dhe kujtoj me respektin e përhershëm Martin Luther King Jr. që thoshte se  “Nuk kam frikë nga fjalët e njerëzve të dhunshëm, por nga heshtja e njerëzve të ndershëm”. Po na bëhet zakon që të përballemi nëpër zyra me militantë partie që kanë një vend pune si shpërblim për militantizmin e tyre. Dhe vetëm kaq se për të mbaruar ndonjë punë, ata duhet të këshillohen me shefin se “ka ardhur ky ose ai dhe si duhet të bëj”, sepse militanti edhe nuk di dhe më shumë se kaq më shumë të prish punë ose nuk të mbaron punë, ose të përcjell derisa ai të ketë haber nga urdhërat e shefit. Kështu janë me qindra nëpër institucione që kanë vende pune shpërblyese për militantizmin dhe nuk kanë aspak profesionalizëm. Profesionistët e punës janë shmangur se ata “prishin” punë se mbarojnë punë saktësisht, por që nuk duhet ta bëjnë ashtu punën, por sipas “specialistit militant” që të sorollat kot më kot. E gjithë kjo ndodh sepse, siç ka thënë Ezopi i madh “Ne i varim hajdutët e vegjël dhe i takojmë të mëdhenjtë nëpër zyra”. Me fjalë të tjera kësaj i thonë siç e thotë ndonjëherë kryeministri ynë “futja kot”, sepse kotësia e ka shoqëruar qeverisjen e tij sipas parimit që ka thënë Andon Zako Çajupi “Kjo botë e gjerë e gjatë /, do të vejë si ka vatë.”  Mos qoftë e thënë për këtë popull dhe për këtë vend që pret kaq shumë ndryshime dhe në vend të ndryshimit do pranosh nënshtrimin sepse kështu do autokatizmi i një qeverisje nga një autokrat.