Shkaqet dhe pasojat e mungesës së një debati të sinqertë për studentët

633
Sigal

Prof. Dr. Lush SUSAJ

Protesta e studentëve, pavarësisht nga sjellja e gabuar e mushkopolitikanëve tonë, është protesta e studentëve hyjnorë të Shqipërisë

Viktor Hygo ka shkruar: “Nëse flas, unë jam i dënuar, nëse hesht, jam i mallkuar”. Heshtja dhe qëndrimi mënjanë i stafeve pedagogjike të universiteteve është gabimi më i madh që po bëhet në këtë periudhë zhvillimesh të mëdha shoqërore e universitare për Shqipërinë. Për fatin tonë të mirë studentet e Shqipërisë, guxuan dhe reaguan përsëri dhe si asnjëherë tjetër kundër injorancës, arrogancës, fiktivitetit, hajdutërisë, nepotizmit, përçarjes kombëtare dhe mungesës së theksuar të kohezionit shoqëror e politik të vendit. Përballë reagimit studentor të këtyre 39 ditëve ndodhet administrata e pandjeshme dhe ndër më të korruptuarat e Evropës. Duket që është një qeverisje pashpirt, një qeverisje kaotike, arrogante dhe hipokrite ndaj kërkesave studentore dhe gjithë shqetësimeve që ka vendi. Për fatin e keq të studentëve dhe universiteteve, edhe pas 5 javëve protesta studentore, akoma vazhdon të mbizotërojë mungesa e ndjeshmërisë së sinqertë, mungesa e analizës dhe e reagimi real nga ana e senateve dhe stafeve pedagogjike të universiteteve. Injoranca, arroganca dhe hipokrizia me studentët shkon deri atje sa po bëhen aq shumë përpjekje legale dhe ilegale për ta shpallur lëvizjen e tyre të ligjshme si një lëvrije të manipuluar e të nxitur nga politika. E gjithë kjo sjellje antishtetërore dhe antishqiptare është një mjegullnajë politike që lidhet ngushtë me trashëgiminë e vjetër komuniste, ku partia vihej mbi shtetin, mbi kombin, mbi moralin, e ndërsa sot po tentojnë ta vendosin mbi studentët. Protesta e studentëve, pavarësisht nga përpjekjet dhe sjellja e gabuar e mushkopolitikanëve tanë, është dhe do të mbetet protesta e studentëve hyjnorë të Shqipërisë. Është një ogur i mirë, është një moment i ndritur i historisë sonë ku po luftohet për reformimin dhe përparimin real të shkollës dhe universiteteve shqiptare.

Mungesa e një debati të lirë e të hapur mbi shkollën dhe universitetin ka sjellë një akumulim të madh e të panevojshëm të problemeve të pazgjidhura. Ka sjellë një degradim të thellë të cilësisë së programeve mësimore dhe të funksionimit demokratik të universiteteve. Mbi të gjitha ka sjellë mungesë njohje dhe ndërhyrjesh reformuese në drejtim të përmirësimit, funksionalizmit dhe integrimit të shkollës dhe universiteteve tona në modelet evropiane e bashkëkohore.

Për më keq, mungesa e një debati të hapur e gjithëpërfshirës ka bërë që duart e klaneve politike të zgjatën gjithnjë e më shumë në drejtim të përçarjes dhe defaktorizimit të protestës, të përçarjes së studentëve dhe pedagogëve, e gjithë kjo në shërbim të zgjatjes së një qeverisje të njohur si nepotike, krahinore e abuziviste. Edhe në këto ditë të bojkotit total të mësimit, disa nga ata “limonët” e shtrydhur të politikës dhe korrupsionit bëjnë demagogji e premtime boshe vetëm për të dobësuar protestën studentore. Ju bëjnë shantazh studentëve për ngelje në klasë e duke i detyruar që një pjesë të tyre të vazhdojnë mësimin. Kjo sjellje hipokrite e shantazhuese nuk ka zgjatur shumë, sepse edhe studentët e UBT, e kuptuan dhe iu bashkuan menjëherë bojkotit total dhe protestës kombëtare të studentëve.

Protesta e studentëve është lulja e parë e demokracisë reale që ka çelur pas 28 viteve të përçarjes, varfërimit, shkatërrimit dhe shkulturimit kombëtar. Protesta studentore është pulsi që rrahu dhe na ktheu shpresën për një shoqëri dhe politikë ndryshe. Për një politikë e qeverisje në shërbim të punësimit dhe të integrimit shoqëror e politik të Shqiptarëve në Evropë. Për këtë e shumë arsye të tjera, kjo protestë duhet të lartësohet, të përkrahet e të ndihmohet nga të gjithë, me çdo mjet e në çdo kohë. Vetëm në këtë mënyrë mund të themi se, po ia shlyejmë borxhin e madh që kemi ndaj shtetit, brezave dhe historisë sonë kombëtare.

Studentët e Shqipërisë duhen ndihmuar, sepse po qëndrojnë e luftojnë për përparimin dhe fisnikërimin e shoqërisë dhe të politikës shqiptare, duke ia filluar nga fisnikërimi i shkollës dhe universiteteve në shërbim të zhvillimit kombëtar. Që në ditën e parë të protestës e deri më sot, kryefjala dhe thirrjet frymëzuese e të vazhdueshme të studentëve kanë qenë: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, “Duam dije dhe profesion”, “Poshtë korrupsioni dhe fiktiviteti”. Edhe pas 28 viteve, përsëri studentët po kërkojnë atë që u premtua në vitet 1990-1994, e që tradhtisht rezultoi të ishte një mashtrim, hipokrizi dhe kohë e humbur me elitat, me mendësitë dhe me strukturat e vjetra të një sistemi totalitar të marksizmit arkaik.

Studentët e Shqipërisë janë ata që pas një “zhvillimi” demagogjik e të rrejshëm, e ndezën përsëri zjarrin e lirisë, duke krijuar kështu premisat e një zhvillimi të qëndrueshëm, bazuar në analizën dhe në mendimin racional e shkencorë të shoqërisë, natyrës dhe mendimit njerëzor. Në këtë mënyrë, me këtë lëvizje, studentët e rikthyen përsëri vëmendjen dhe shpresën për ngritjen dhe funksionimin e një sistemi që bazohet në rregullin, në ligjin dhe në meritokracinë në Shqipëri

Lëvizja studentore e ka vrarë frikën dhe ka arritur që të krijojë frymën dhe shpresën për një vetëdije dhe një zhvillim të qëndrueshëm kombëtarë. Kërkesat e studentëve për dije cilësore, konkurruese e të qëndrueshme janë treguesi më i mirë, se dija është kulturë, është prosperitet, është pushtet, është guximi dhe premisa më e mirë për të mos u kthyer më kurrë tek e shkuara jonë, e dominuar nga modelet dhe sundimtarët orientalë.

Studentët shqiptarë nuk janë ngritur thjesht për një pagesë të shtuar gabimisht nga ana e financave të universiteteve. Qëllimet e studentëve janë shumë më tepër, janë qëllimet e larta hyjnore të tyre dhe të gjithë brezave që kanë ëndërruar për një Shqipëri evropiane e demokratike.

Studentët e këtij brezi duket që janë të vendosur në atë misionin hyjnorë të mbylljes së llogarisë së shoqërisë shqiptare me të shkuarën e sajë komuniste. Filozofia e Platonit (427-347, para Krishtit) na mëson që: “Njeriu nuk arratiset dot nga vetvetja, atij i duhet të kthehet në kohën e vet dhe në vendin e vet”. Që do të thotë se, vazhdimësia e elitës së vjetër dhe modeleve orientale të komunikimit dhe qeverisjes së këtyre 28 viteve, kanë qenë kohë e humbur për objektivat tona kombëtare, shoqërore, ekonomike e politike. Shqipëria duhet të ndahet njëherë e mirë nga modelet orientale të lidershipit, të qeverisjes dhe të zhvillimit të gjithanshëm politik e shoqëror. Nga kjo pikëpamje, studentët janë garancia dhe shpresa e vetme për një qeverisje të sinqertë e të moralshme euroatlantike. Vetëm shpirti guximtar dhe elitar i studentëve mund të rrëzojë një herë e mirë barrikadat dhe modelet mesjetare që na kanë penguar në këto 106 vite.

Lëvizja studentore ka sjellë në vëmendjen dhe në jetën e gjithkujt edhe një tjetër zhvillim që lidhet me përmirësimin rrënjësor të komunikimit shtetëror, politik e shoqëror në Shqipëri. Lëvizja studentore ia hoqi maskat fiktivitetit, demagogjisë, konspiracionit, sofizmit, e mbi të gjitha, komunikimit arrogant e sofizmit të qeveritarëve me njerëzit. Filozofia (Thoma Akuinini, 1225-1274) na mëson që: “Komunikimi racional është komunikimi pa egoizëm i njerëzve të mirë dhe se njeri i mirë është ai që e ka mundur egoizmin e tij”. Pa asnjë dyshim që lëvizja studentore e këtyre ditëve ka sjellë në vëmendjen dhe në sjelljen tonë shoqërore e politike edhe atë që i ka munguar Shqipërisë në këto 106 vite e që ka të bëjë me domosdoshmërinë e qeverisjes së vendit me njerëz të mirë, me njerëz të ditur e të dominuar nga mirësia e shpirtit dhe nga pastërtia e moralit dhe veprimtarisë së tyre. Në filozofi thuhet që: “Shteti sëmuret rëndë kur politika i lëshon terren korrupsionit”. Shteti ynë, më shumë se nga çdo fenomen tjetër, është goditur dhe paralizuar nga korrupsioni i njohur dhe i klasifikuar si korrupsion strukturor dhe institucional.

Kjo lëvizje e vonuar dhe e shumëpritur studentore, pa asnjë dyshim që ka hapur një kapitull të ri në historinë shoqërore e politike të Shqipërisë, në mënyrë të veçantë, të zhvillimit të shkollës dhe të universiteteve shqiptare. Kjo ka të bëjë me faktin që Shqipëria nuk mund të jetë kurrë më peng i qeverisjeve që frymëzohen nga tezat e dështuara të marksizmit arkaik. Në filozofinë e Marksit është shkruar që: “Kapitalizmi është anarki e drejtuar me ligje njerëzore”. Studentët e Shqipërisë dhe populli ynë i vuajtur, as në vitin 1990, dhe as në këto ditë të acarta të viteve 2018-2019, nuk ka kërkuar dhe nuk mund të kërkojë dhe as durojë kapitalizmin anarkik të Marksit. Shqiptarët kurrë nuk kanë merituar, nuk e kanë kërkuar dhe nuk e kanë dashur këtë lloj zhvillimi arkaik dhe anarkik të këtyre 28 viteve. Studentët tonë hyjnorë po punojnë dhe sakrifikojnë aq shumë për të zhbllokuar dhe hapur sa më parë rrugën euroatlantike të zhvillimit tonë shoqëror e politik. Bëhet fjalë për një model qeverisjeje e zhvillimi të provuar e që bazohet në gjithë-përfshirjen dhe elitarizmin e politikës dhe legjislacionit, nga ku buron zhvillimi i qëndrueshëm dhe siguria pa hije dyshimi për të ardhmen e zhvillimit të Shqipërisë në rrugën euroatlantike.