Prof. Qemal Lame: Gjermania me rol të ri në krizën e Ukrainës

319
Sigal

Gjermania e dalluar për politikën e saj të kujdesshme e transparente dhe me bashkëpunim të ngushtë me aleatët po dëshmon rolin e saj drejtues në zgjidhjen me bisedime të krizës me Ukrainën. Në Berlin, në 10.02.2022, u mbajt takimi i dytë i Formatit të Normandisë, ku morën pjesë Gjermania, Franca, Rusia dhe Ukraina. Pala ruse kërkoi nga ndërmjetësuesit që t’i bëhet presion më i madh Ukrainës për të dhënë kontributin e saj në zgjidhjen e krizës dhe parandalimin e përshkallëzimeve të mëtejshme. Kjo mbetet deri tani vijë e kuqe për Ukrainën, pasi nuk pranon të zhvillojë bisedime direkte me seperatistët. Marrëveshja e Minskut është dokumenti i vetëm aktual i sigurisë, i nënshkruar si nga Rusia, ashtu edhe nga Ukraina. Ajo vlerësohet si rruga e vetme realiste për të dalë nga konflikti. Është e domosdosme të arrihet mirëkptimi në këto drejtime: 1. Palët duhet të tërheqin plotësisht armët e rënda dhe njësitë e huaja ushtarake; 2. Zonat nën kontrollin e separatistëve prorusë, Luhansk dhe Donjeck duhet të vihen nën administrim lokal; 3. Ukraina duhet të rimarrë kontrollin e plotë të kufirit. Gjermania po demonstron një rol ofensiv drejtues në përpjekjet shtensionuese të situatës rreth Ukrainës. Në këtë kuadër, veç takimit, të datës 10.02.2022, në formatin e Normandisë, për krizën e Ukrainës kancelari Scholz ftoi të martën, në 08.02.2022, në Berlin presidentin francez Macron dhe presidentin polak Duda. Në nivel të lartë, Trekëndëshi i Vajmarit si quhet iniciativa midis Gjermanisë, Francës dhe Polonisë, kishte 11 vjet që nuk ishte mbledhur. Një nga deklaratat e fundit të këtij forumi ka qenë në vitin 2014, kur Rusia kishte mbledhur rreth 40.000 trupa në kufi me Ukrainën.”Synimi ynë i përbashkët është që të pengojmë një luftë në Evropë”, tha kancelari Scholz të martën në Berlin. Të enjten, në 10.02.2022, kancelari Scholz ftoi në Berlin krerët e tri shteteve baltike, presidentin e Lituanisë Gitanas Nauseda, kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas dhe kryeministrin letonez, Krišjānis Kariņš. Para takimit, Scholzi i kërkoi Rusisë që të ndërmarrë hapa të qartë për shtensionim. Ne jemi të gatshëm për dialog serioz,- tha ai. Njëkohësisht, Gjermania ka shtuar masat ushtarake për përballimin e një sulmi të mundshëm nga Rusia. Siç dihet, këto ditë Gjermania dërgoi 350 ushtarë shtesë në Letoni, si përforcim të kontigjentit prej 1200 ushtarësh të NATO-s, të cilin Gjermania e drejton në Letoni. Vëmëndje i kushtohet takimeve direkte me aktorët kryesorë politikë. Për të ballafaquar mendimet dhe theksuar politikën gjermane për zgjidhjen me bisedime të krizës, të hënën, në 14.02.2022, kancelari Scholz do të shkojë në Kiev dhe të martën, në 15.02.2022, në Moskë. Gjermania ka qenë dhe mbetet partnerë kryesorë dhe i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rezultati kryesor i vizitës prezantuese të kancelarit Scholz në Uashington, në 07.02.2022, ishte rivendosja e besueshmërisë, se Gjermania është aleate e sigurtë në krizën midis Ukrainës dhe Rusisë. Më parë kjo ishte vënë në pikëpyetje, nga disa media në Amerikë dhe disa kongresistë republikanë. Kancelari Scholz tha në Uashington se “mund të jeni të sigurtë: nuk do të ketë masa në të cilat ne do të veprojmë ndryshe, ne do të veprojmë të unifikuar dhe sëbashku.” Ndërsa Presidenti Biden deklaroi se “Gjermania është një nga aleatet tona më të rëndësishme në të gjithë botën.” Joe Bideni tha edhe se: “Gjermania është një aleate krejt e besueshme. Për këtë nuk kam dyshim”.

Shtetet kryesore të BE, Gjermania, Franca, Italia kanë në thelb ndaj Rusisë qëndrim të ngjashëm me qëndrimin e Gjermanisë. Synimi i përbashkët është ruajtja e paqes dhe pengimi i destabilizimit të Evropës. Këto shtete kanë edhe disa dallime sipërfaqësore, në përputhje me traditat vetjake në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Francezët përdorin edhe gjuhë të fortë diplomatike ndaj Rusisë, për ta pasuar këtë me iniciativa vetjake për një dialog të ri me Rusinë, siç veproi Presidenti Macron me Presidentin Putin tre vjet më parë. Italia është vend besnik i NATO-s. Megjithatë, edhe në situatën aktuale, në javët e fundit, biznesmenë të mëdhenj italianë zhvilluan negociata ekonomike me Presidentin Putin. Gjermania ka marrëdhënie komplekse me Rusinë që kushtëzohen nga periudhat në të cilat kanë kaluar të dy vendet. Së pari, faji historik për sulmin nazist ndaj Bashkimit Sovjetik. E kaluara tragjike është njohur zyrtarisht dhe është reflektuar në shërbim të forcimit të paqes dhe sigurisë dhe marrëdhënieve gjermano-ruse. Nga ana tjetër, Rusia ka dhënë kontributin e saj për përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe plotësimin e vullnetit të popullit gjerman. Gjermania nuk harron që Rusia lejoi ribashkimin e Gjermanisë. Së dyti, qëndrimi i Gjermanisë duhet matur nga veprimet faktike, që bëhen për të forcuar sigurinë evropiane. Gjermania e mbajti të bashkuar BE për sanksionet ndaj Rusisë, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

Së treti, ballafaqimet e forta për shkak të ndërhyrjeve të padrejta ruse. Marrëdhëniet dypalëshe konsiderohen të ftohura, pas akuzave të autoriteteve gjermane se shërbimi sekret rus qëndron pas sulmit të hakerëve kundër Bundestagut Gjerman fillimisht në vitin 2015, si dhe të vrasjes së një gjeorgjiani me rrënjë çeçene në vitin 2019 në Berlin. Gjermania ka dëbuar vitet e fundit një sërë diplomatësh rusë dhe Rusia është përgjigjur reciprokisht.  Në shkurt 2022 autoritetet gjermane ndaluan përfundimisht transmetimin në gjermanisht të RT-DE, programit gjermanisht të televizionit rus për botën e jashtme. Rusia nga ana e saj hoqi licensën e transmetimit të DË, mbylli zyrën e DË në Moskë dhe u hoqi lejen gazetarëve të DË. Së katërti, rritja e presioni ekonomik ndaj Rusisë. Gjermania krahas sanksioneve të njohura, do të zbatojë masa të forta me sanksione ekonomike e financiare në rast të një situate ekstreme. Së pesti, Gjermania është partnerja e rëndësishme që mbështet fuqinë dhe strategjinë ushtarake të SHBA për mbrojtjen evropiane dhe atë të Ukrainës.  Gazi që do të merret nga Rusia kritikohet nga interesa politike dhe njëkohësisht ekonomike. Kërkesat për të ndërprerë Nordstream 2 janë jo vetëm parimore politike. Në analizën e gjerë, ato kanë të bëjnë me interesa direkte ekonomike të shteteve. Kritikat e Polonisë kuptohen më mirë dhe vënë në pah politikën që ajo po zbaton për të zotëruar tregun e gazit në Bashkimin Evropian. Gazeta e njohur gjermane Taz shkroi këto ditë se Polonia synon të dominojë tregun evropian të gazit, së bashku me SHBA. Për këtë Polonia po ndërton gazsjellësin Baltic Pipe përmes Detit Baltik si dhe cisterna gjigande për gaz të lëngshëm, në bregdetin e Baltikut. Në këto cisterna, gazi i lëngshëm nga SHBA do të kthehej sërish në gaz, me synimin kryesor për ta eksportuar. Fundi i Nordstream 2 do ta ndihmonte riorganizimin e tregut të gazit në Evropë dhe do ta spostonte Gjermaninë nga biznesi i deritashëm, si dhe do të krijonte rrezik për burimet e garantuara e të domosdoshme për energji që ka ekonomia më e madhe në BE. Ky mbetet një problem aktual dhe perspektiv, pasi Gjermania do të arrijë deri në vitin 2030 të ketë energjinë e rinovueshme dhe do të dalin nga tregu ato prej centraleve bërthamore dhe qymyri i gurit. Nordstream 2 mbetet i nevojshëm. Megjithatë, ai lidhet edhe me interesat e mëdha politike e ushtarake evropiane, të NATO-s dhe partneritetit me SHBA. Gjermania do të vërë në plan të parë interesat evropiane dhe mbrojtjen e Ukrainës. Scholzi i tregoi gazetës „Ëashington Post” se ai synon një lloj “ambiguiteti strategjik” që Rusia të nënkuptojë shumë gjëra, ndër masat me të cilat mund të përballet. Pra, Gjermania do të përdori mjetet më të fuqishme në rast se do të ndërmerret agresion ndaj Ukrainës. Prandaj, megjithë përqendrimin te kjo çështje të gazetarëve dhe të disa shteteve lindore: nuk duhet mbiinterpretuar që kancelari Scholz nuk e ka thënë shprehimisht se do të ndalohet gazsjellësi Nordstream 2, nëse Rusia e sulmon Ukrainën. Kancelari gjerman tha se nuk do të ketë masa, ku ne do të veprojmë ndryshe nga amerikanët. Dhe Presidenti Biden tha se në rast sulmi ndaj Ukrainës, nuk do të ketë Nordstream 2. Ndihma konkrete më e madhe e dhënë Ukrainës është nga Gjermania. Prej vitit 2014, Ukraina ka marrë 1.8 miliardë euro ndihmë financiare nga Gjermania. Ndërsa 3,8 miliardë euro të tjera i ka marrë përmes BE, ku donatori kryesor neto është gjithashtu Gjermania.[1] Shtetet perëndimore vazhdojnë të kërkojnë rrugën diplomatike me Rusinë. Megjithatë, po bëhen përgatitje, nëse situata shkallëzohet deri në shpërthim sulmesh. Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë paralajmëroi të shtunën, në 12.02.2022, se “tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës janë shtuar ndjeshëm në ditët e fundit para prezencës masive dhe lëvizjeve të trupave ruse. Nuk përjashtohet një përplasje ushtarake.” Nëse aktualisht ndodheni në Ukrainë, verifikoni nëse prania juaj është detyrimisht e domosdoshme aty. Nëse jo, largohuni pa vonesë. Pas paralajmërimeve të mëparshme nga qeveria amerikane për sulm të mundshëm rus, SHBA, por edhe vende të tjera si Britania e Madhe, Danimarka, Letonia, Estonia u kanë drejtuar thirrje qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina. Të shtunën edhe Holanda iu drejtua qytetarëve të saj të largohen nga Ukraina.[2]

 

12 shkurt 2022  18:57

[1] DË: “Berlini në ofensivë diplomatike për krizën mes Ukrainës dhe Rusisë”, 12.02.2022

https://www.dë.com/sq/berlini-n%C3%AB-ofensiv%C3%AB-diplomatike-p%C3%ABr-kriz%C3%ABn-mes-ukrain%C3%ABs-dhe-rusis%C3%AB/a-60746267?maca=sq-Tëitter-sharing

[2] DË: Berlin: “Qeveria u bën thirrje gjermanëve të largohen nga Ukraina”, 12.02.2022

https://ëëë.dë.com/sq/berlin-qeveria-u-b%C3%ABn-thirrje-gjerman%C3%ABve-t%C3%AB-largohen-nga-ukraina/a-60754705?maca=sq-Tëitter-sharing