Gjergji Foto: Kuçova në vitin 36’, i tregoi popullit shqiptar si të luftojë për të drejtar kundër shtypjes dhe shfrytëzimit të huaj

695
Sigal

 

  • – Në Kuçovë dhe naftë, ka punuar dhe jetuar gjeologu i shquar Stanislav Zuber, personalitet me famë botërore
  • -Ishte Kuçova dhe vetë Zuberi, që e bëri të njohur Shqipërinë, për burimet e naftës, në Kongresin Botëror në vitin 1924
  • – Kuçova dhe kantieri i naftës në Shkurt të ’36, i tregoi popullit shqiptar si të luftojë për të drejtat e tij, kundër shtypjes dhe shfrytëzimit të huaj
  • – Kuçova dhe kantieri i saj i naftës, ishin shumë arsimdashëse ajo, u bë shëmbulli i shkollimit masiv të naftëtarëve

Albert Z. ZHOLI

Më dt 11 Shkurt, ishte përvjetori i 86 i Grevës së punëtorëve të naftës në Kuçovë, greva e parë punëtore për gjithë kombin shqiptar! Nga kjo grevë, mori hov gjithë lëvizja punëtore në vendin tonë. Eshtë ditë e shënuar dhe që ngre në piedestalin e lëvizjes punëtore naftëtarët dhe veçanërisht Kuçovën, qytetin e naftës. Për këtë lëvizje flet dhe Prof. Gjergji Foto. Ai thekson se “Me këtë rast, më vjen të kujtoj gjithë ata punëtorë e specialistë nafte që me sakrificë e heroizëm, e konkretizuan atë lëvizje punëtore duke e kthyer në të mira materiale për gjithê vendin”

-Ju keni një jetë në sektorin e naftës. Çfarë përbën për Profesorin Kuçova, kuçovarët dhe kantjeri i naftës në këtë vend magjik?

Kuçova, nafta dhe naftëtarët e saj si motori i zhvillimit dhe ecjes para, janë ngushtësisht të lidhur me njeri tjetrin dhe me një histori krejt të veçantë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe më gjerë.

*Është kantieri i parë i naftës në Shqipëri, duke u bërë burimi i jetesës jo vetëm për vendasit, por edhe për shumë të ardhur nga të gjithë krahinat e vendit, nga Saranda, Përmeti, Kolonja, Skrapari, Korça, Shkodra, Kukësi e Peshkopia, duke u bërë edhe shëmbull i mirë i bashkëjetesës dhe mbështetjes së njeri tjetrit.

*Në Kuçovë në naftë, ka punuar dhe jetuar gjeologu i shquar Stanislav Zuber, personalitet me famë botërore. Ishte Kuçova dhe vetë Zuberi, që e bëri të njohur Shqipërinë, për burimet e naftës, në Kongresin Botëror në vitin 1924, pas së cilës filloi edhe interesimi i fuqive të mëdha për Shqipërinë.

* Është Kuçova dhe kantieri i naftës që në shkurt të ’36, i tregoi popullit shqiptar si të luftojë për të drejtat e tij, kundër shtypjes dhe shfrytëzimit të huaj.

*Është Kuçova dhe kantieri i naftës ku jetoi dhe zhvilloi aktivitetin e tij disa dhjetëra vjeçarë, deri në shuarje, një nga bijtë e familjes së madhe patriote të Toptanasve dhe nip i Naim Frashërit, inxhinieri i talentuar dhe i përkushtuar Sherif Toptani.

* Ishte Kuçova dhe naftëtarët e saj që i treguan popullit shqiptar se për të ndërtuar një jetë më të mirë, për vehte dhe për fëmijët, duhej punuar me sakrificë dhe përkushtim. Për ne, janë të njohur dëshmorët e rindërtimit dhe të zhvillimit të kantierit të naftës në Kuçovë, që u bënë shëmbull frymëzimi për brezat pasardhës. Por si i rritur në mes të këtij kantieri, mbaj mend edhe Minella Savën, Stavri Pojanin, Sotir Tërpinin, Refat Xaken, Dhori Andonin, Todi Lëngun, Llambi Maqinën, Muhamer Salën, Ndreko Nakuçin, Kozma Linon, Kristaq Gogollarin, Llambi Kokonozin, Lili Xhakon, Trush Mitrushin etj, dhe shumë të tjerë të gjithë mjeshtra në specialitetin e vet, të përkushtuar në shërbim të kantierit të naftës që për ne ishin heronj të gjallë.

*Me Kuçovën dhe kantierin e naftës, lidhet jeta dhe veprimtaria e shumë specialistëve dhe kuadrove patriotë dhe të shquar nga i gjithë vendi, si Koço Pepa, Eqrem Beci me gjithë prindërit, Ramiz Xhabia, Minella Çami, Petrika Ballauri, Ilia Mihali, Stiljan Pili, Llazar Kreshpani, Beqir Alia dhe Petraq Xhaçka, etj etj, të cilët i dhanë Kuçovës dhe naftës, vitet më të mira, që ishin shëmbuj të përkushtimit, që krijuan në Kuçovë familjet e tyre duke u bërë shëmbull i kulturës dhe jetesës familjare.

*Ka qenë Kuçova dhe kantieri i naftës, vendi i shembullit unik të solidaritetit dhe bashkëpunimit të sinqertë midis vendeve në zhvillim. Në Kuçovë, kanë derdhur djersën e tyre dhe kanë sakrifikuar edhe jetën, specialistë nga shumë vende të Ballkanit, por edhe të Evropës Lindore. Kanë qenë me dhjetra specialistët e huaj sëbashku me familjet e tyre që u rritën mes dashamirësisë së naftëtarëve.

*Kuçova dhe kantieri i saj i naftës, ishin shumë arsimdashëse. Ajo, u bë shëmbulli i shkollimit masiv të naftëtarëve, nga kurset dhe shkollat profesionale me të talentuarin Mehmet Gina, me Gani Qemon, Hamdi Krujën etj, me Filialin e Universitetit posaçërisht për naftën, që e bënë Kuçovën të jetë burimi i të gjithë punëtorëve të kualifikuar, mjeshtrave, teknikëve, specialistëve dhe kuadrove për të gjithë industrinë e naftës në vend, Patosin, Marinzën, Ballshin, Gorishtin, etj, etj.

– Por në disa shkrime të tuat flitet që Kuçova ka qenë edhe mjaft artdashëse.  Çfarë roli ka lujatur në arsimin e naftëtarëve ky qytet specifik?

E them me bindje se Kuçova ka qenë dhe mbetet një qytet i lidhur ngushtë me arsimin. Ajo, investoi, u krijoi hapësirën, zhvilloi veprimtarinë më intensive dhe më të gjërë në fushën e artit dhe të kulturës në vend, duke i dhënë kësaj fushe artistë të shquar si Gaqo Çakon, Vangjo Kostën, Agim Shuken, Burhan Spahiun, Donika Mingën etj etj, por formoi dhe i bëri muzikantë të shquar Tonin Rrotën, Zef Lekën, të apasionuarin e muzikës dhe punës me fëmijët Koço Korçarin dhe Nito Lalën, që sëbashku edhe me muzikantë të tjerë, e çuan me sukses disa herë Kuçovën në skenat e mëdha.

Kjo është historia e naftëtarëve të Kuçovës dhe qytetit të tyre, të cilën duhet ta njohin të gjithë të rinjtë jo vetëm këtu në Kuçovë. Me të, duhet të mburret edhe gjithë vendi sidomos në periudhën e sotme, që ka nevojë pikërisht për ringjalljen e këtyre vlerave të profesionalizmit të lartë, të arsimdashjes, të artdashjes dhe mbi të gjitha të dashurisë për vendin dhe patriotizmin e spikatur të kuçovarëve.

Unë jam i nderuar që nga shumë e shumë shokë të mi kuçovarë, më është dhënë rasti të përmënd këto vlera të rralla të Kuçovës dhe naftëtarëve të saj, të përkulem me respekt para kësaj tradite shëmbullore dhe unike dhe jam krenar që jam rritur këtu midis Jush. Ju siguroj se edhe në emër të Bashkimit Shqiptar të Gjeoshkencëtarëve dhe Inxhinierëve dhe Fakultetit të Gjeologjisë, do të bëjmë gjithçka mundim, që Kuçova të nderohet dhe respektohet sa më gjerë.

Burimet historike

Burimet historike dhe dokumente tregojnë se nafta në vendit tonë ose siç e quanin ndryshe të parët tanë “Gjaku Dragoit” ka shpërthyer që në kohë shumë shumë të vjetra nga thellësia e nëntokës duke dalë në sipërfaqe. Me të drejtë mund të thuhet se vajguri në Shqipëri është aq i vjetër, sa shqiptarët në tokën arbërore”, Që në fillesat e shekullit XIX, shoqëritë e huaja kishin filluar studimet për naftën shqiptare. E para ishte Italia që dërgoi në Shqipëri një mision ekonomiko-shkencor të kryesuar nga majori Silvo Exheli, me gjeologë të dëgjuar, të cilët me studimet e kryera, hodhën bazat mbi praninë e vajgurit sidomos në luginën e Devollit dhe në fshatin Kuçovë. Qeveria italiane që kishte synime okupuese ndaj Shqipërisë në datën 08.07.1925, krijoi të parën herë administratën autonome me emrin AIPA, që kërkoi, zbuloi dhe shfrytëzoi naftën dhe gazin. Kjo shoqëri për të kryer punimet, mori punëtor shqiptarë për forca të lira krahu, trajtoheshin shumë keq dhe paguheshin shumë pak. Punëtorët punonin 12 orë në ditë dhe paguheshin 3- 5 herë më pak se punëtorët italianë. Në të gjitha repartet e puse në kantierin e naftës po fillonin reagimet me protesta e manifestime të vogla, që shtypeshin mizorisht nga italianët dhe xhandarët e Zogut. Në këto kushte filluan dhe kundërshtimet e punëtorëve ndaj kësaj shoqërie. Me nismën e patriotit Mafuz Laze dhe mbështetjen e punëtorëve të naftës u bë e mundur formimi i organizatës me emrin Shoqëria e punëtorëve të Kuçovës dhe e qarkut “Puna” me status përkatës. Kishte flamurin me ngjyrë kombëtare dhe me një kordele të bardhë. Kishte gjithashtu vulën e rrumbullakët me shkronjat “Shoqëria Puna Kuçovë”, e themeluar 18 nëntor 1935. Më 28 Nëntor 1935 punëtorët e kantierit festuan ditën e pavarësisë. Kudo u pezullua puna dhe u mbajtën fjalime. Kjo situatë shqetësoi autoritetet e larta të huaja e të vendit, prandaj në janar të vitit 1936, u pushua nga puna Mafuz Laze, sekretari Adem Hoxha e shumë të tjerë. Në përgjigje të kësaj mase ekstreme u mblodh në fshatin Perondi këshilli drejtues i Shoqërisë ‘’Puna’’ dhe vendosi Më 11 shkurt 1936 të organizohej greva e përgjithshme e naftëtarëve dhe banorëve të Kuçovës. Greva u vendos që të bëhej në lagjen më të vjetër të qytetit Vidhat. Greva do të fillonte me rënien e sirenave në Kozare në orën 9-00, të datës 11 shkurt. Me këtë sinjal të gjithë lanë punën dhe shkuan në grevë. Folësit në këtë grevë do të kërkonin kthimin në punë të gjithë shokëve të larguar nga puna nga shoqëria AIPA. Në atë ditë dimri të acarit filloi greva e përgjithshme ku kërkonin kërkesat e naftëtarëve shqiptarë. Situata e krijuar shqetësoi së tepërmi autoritetet vendore dhe qendrore .Me në krye Ministrin e Brendshëm Ethem Toto, forcat e xhandarmërisë dhe të kuesturës italiane përdorën dhunën e bënë reprezalje ndaj grevistëve .