Që armiqtë e Shqipërisë të mos jenë shqiptarët

Nga Engjëll Musai

Drejtor i “Telegraf”

Këtë fjalë të mënçura të Faik Konicës më erdhën ndërmend në këto ditë të vështira, kur vendi ynë, ashtu sikurse dhe të gjitha vendet e botës, po kalojnë një situatë të vështirë shëndetësore, ekonomiko-sociale dhe sigurisë, që kur u shfaqë Covid 19 . Dhe kjo situatë, pavarësisht rrethanave dhe arsyeve, kërkon solidaritet dhe bashkim të të gjithë kombit, pa dallime feje,krahine dhe ideje. Por kjo nuk do të thotë që mendimi kundër, apo qëndrimet e ndryshme janë të papranueshme. Gjithsecili dhe të gjithë së bashku duhet t’i bashkohemi frontit anti-covid ,duke ndihmuar dhe mbështetur të gjithë qytetarët, që janë në nevojë. Ujku, thotë populli, mjergull do. E theksoj këtë, pasi kamë lexuar disa pseudo-analistë, ziliqarë e zullumqarë, që vendosën të hidhnin helëm mbi të gjithë ata, që po përpiqen sipas mundësisë dhe detyrës të kryejnë misionin e tyre. Dhe ky mision fillon që nga punonjësit e thjeshtë të pastrimit, punonjësit e policisë, gazetarët, infermjerët dhe mjekët, nënpunësit e përgjegjshëm të administratës dhe deri tek Kreu i Shtetit, sipas parimit të Nënë Terezës, që më mirë ndizni një qiri, sesa të shani errësirën. Dëgjuam sharje pa fund pë ata mjekë dhe infermierë që u nisën vullnetarisht në Itali për të dhënë një ndihmë modeste, tek fqinji ynë më i afërt, i cili ka pritur në trojet e tyre mbi 500 mijë shqiptarë. Ndoshta, edhe unë mund të kem qëndrimet e mia se përse gjatë përcjelljes në vend të përfitimeve politike personale nuk u zgjodh një rrugë tjetër, që mund të ishte më gjithëpërfshirëse dhe me kombëtare. Gjithsesi, solidariteti i përfaqsuesve të mjeksisë shqiptare u mirëprit dhe kjo bëri që vëllezërit dhe motrat shqiptarë, që jetojnë në Itali, të ndihen krenar. Por pasojat njerëzore që pësoi Italia, vendi ynë i kapërceu dhe ndoshta mund t’i kishte kaluar edhe me më pak goditje në ekonominë e financat e vendit, nëse situata do të ishte menaxhuar më mirë dhe më shpejt në aspektin e izolimit dhe bllokimit të kufijve, sidomos me Italinë fqinje. Covid -19 ka shkaktuar goxha plagë sociale, ekonomike, shoqërore, psikologjike, të cilat përveç kaosit të çastit shikohet edhe shumë pesimiste për të ardhmen e afërt. Ndaj kërkohen masa energjike nga ana e shtetit dhe mirëkuptim mbarë kombëtar prej qytetarve, në mënyrë që ta kalojmë sa më shpejt këtë të keqe të madhe, e cila ndoshta nuk është vetëm një e keqe shqiptare, por me karakter mbarë botëror dhe që personalisht mendojë se ka edhe shumë ekzagjerime, sidomos në respektim të të Drejtave të Njeriut. Por kjo nuk do të thotë që ne shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe mbarë trojeve të tjera ku jetojnë vëllezrit dhe motrat tona ta trajtojmë vendin sipas modelit “Neronian”. Jo! Ne duhet ta shikojmë fatin tonë, sipas parimit një për të gjithë dhe të gjithë për një. Edhe vendimi më i fundit në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal dhe vendosjen e masave shtërnguese u prit me reagime të ndryshme dhe në disa raste me ekzagjerime, duke kërkuar “armikun e brendshëm”. Sharjet, fyerjet, pakënaqësitë ndaj keqëqeverisjes nuk mundet të justifikojnë sulme të pa baza dhe të nxituara nga cilido individ, që ka sado pak mend në këto ditë të vështira për vendin. Interesat e ngushta dhe përfitimet klienteliste të atyre, që janë mësuar të përfitojnë nga sherret dhe përplasjet, duket se kanë marë një goditje të rëndë. Liria është e shtrenjtë për të gjithë, por edhe nuk duhet luajtur me kapërcimin e masës, pasi demokracia ka të drejta, por ka edhe detyrime. Ndaj të gjithë duhet t’i thërrasim mëndjes dhe duhet ta kuptojmë se edhe një dritë e vogël, e mbajtur ndezur, do të jetë në të mirën e Shqipërisë. Vendimi i Presidentit Ilir Meta për dekretimin me ndryshime të Kodit Penal, tregon jo vetëm përgjegjshmëri, por edhe detyrim ligjor në të mirë të vendit, të Kombit dhe qytetarvëe të pambrojtur. Situata në Kosovë, kërkon që shqiptarët të mendojnë më me pjekuri, pasi ata që nuk e kanë dashur Kombin janë gati ta shkatërrojnë dhe bashkë me të edhe të ardhmen e shqiptarëve. Dashurinë për atdheun duhet të shfaqim me fjalë dhe me punë se jemi dhe mbetemi kombëtarë, ndërsa debatin politik duhet ta shikojmë si një vlerë në të mirë të vendit dhe jo ta shikojmë si një armiqësi, duke ju hedhur në grykë njëri tjetrit, pasi ajo që e pëson e para është Shqipëria. Ndaj, në këtë situatë të rëndë globale, duhet që politika t’i ulë shigjetat ndaj njëri-tjetrit dhe të mendojmë për të kapërcyer me sa më pak humbje këtë murtajë.

Sigal

Është koha që të lëmë pas të kaluarën e afërt dhe të largët dhe të gjemë paqen e munguar në të mirë të qytetarëve, atdheut dhe mbarë Kombit. Po përqafohemi dhe po ulemi në tryeza me armiqtë shekullorë të shqiptarëve dhe nuk po gjejmë dot gjuhën e përbashkët mes vetes. Ndaj, po e mbyll këtë shkrim modest, ashtu sikurse e fillova, me thënien e famshme të Faik Konicës në numrin e parë të revistës së tij Albania më 1896, ku pat shkruar se “armiqtë e Shqipërisë nuk janë tjetërkush, veçse vetë shqiptarët”. Sot, pas 124 vitesh, duhet të tregojmë se kemi mësuar nga e kaluara e hidhur e çdo sistemi, të cilin e kemi shkruar me gjakun tonë. Është koha të forcojmë demokracinë, të gëzojmë lirinë dhe të ardhmen e Kombit.