Prof. Dr. Zamira Çavo: Spostimi i vëmendjes drejt raportit pedagog – student, i bën mirë qeverisjes. Studentë, mos na zhgënjeni

539
Sigal

Spostimi i  vëmendjes drejt raportit pedagog/ student, i bën mirë qeverisjes

Dy fjalë për protestën:

Kam frikë se orientimi që po merr protesta po shkon drejt një kontradikte jo fort të menaxhueshme mes pedagogut dhe studentit. E kam thënë me dhjetëra herë: Nëse nënçmoni figurën e pedagogut, keni humbur të ardhmen e kombit. Por, ama jam, po kaq e bindur se arkitektura e ngrehinës akademike duhet shkundur! Mënyra e menaxhimit të universiteteve duhet ndryshuar! Pashallarët e tyre duhet të japin llogari dhe, jo vetëm të largohen nga universiteti, por të mos gjejnë më vend si “edukues të brezit të ri”. Ne vuajmë nga një paranojë totalitariste. Ne i fusim të gjithë në një thes. Por nuk është kështu. Ka pedagogë të shkëlqyer, ashtu si ka edhe pedagogë mashtrues, të korruptuar dhe të paaftë. Por nuk janë të gjithë të tillë. Rreziku për t’i trajtuar njësoj me shprehjen tonë klasike, se “Eh, ç’të bësh në kohëra të tilla, digjet i njomi me të thatin!”,  i bën mirë vetëm qeverisjes për ta spostuar vëmendjen drejt raportit pedagog/student. Ndaj them që, pedagogu i ndershëm duhet të kuptojë situatën e të jetë me studentët, për të shmangur pikërisht thyerjen që mund t’i bëhet këtij raporti. Nëse ndodh kjo, do të ishte disfata e fundit e të ardhmes sonë. Kur them që studentët duhen orientuar e kam bindje, sepse partitë politike po i shtyjnë drejt një “vetëvrasjeje”. Nga njëra anë, Rama i ka lënë të lirë në të gjitha shfaqjet e protestave, duke larguar çdo ndërhyrje të forcave të rendit dhe, nga ana tjetër, partitë politike i shtyjnë të konfliktohen gjithnjë me synim kaosin. Zënia e rrugëve është pikërisht pasojë e kësaj tendence e që rrezikon të thyejë një raport tjetër: Raportin e qytetarit me studentin. Dhe kjo i bën mirë vetëm politikës, por jo studentëve. Ndaj them: Studentë,  jini vigjilentë! Ju e keni dëshmuar, se jeni shpresa e këtij vendi, por mos zhgënjeni!