TI dhe ATA

662
Sigal

Adriatik Riza Dosti

Po të shkruaj nga Paramithia e nga Drenica o Edvin Kristaq Rama, ani pse nuk jam, as nga Çamëria e as nga Kosova, ani pse nuk jam as çam e as kosovar, por jam nga Shqipëria e jam shqiptar dhe kaq mjafton, të jem i të njëjtit gjak me ta.

ATA, miqtë e tu për kokë me të cilët ke kaq kohë që puthesh e ndukesh, ha dreka e darka, argalisesh e firmos lloj lloj marrëveshjesh të fshehta si skuthi i natës, më së fundi i hoqën maskat, i hoqën dorashkat dhe e nxorën fytyrën e tyre të vërtetë dhe po tregojnë hapur e publikisht duart e tyre të përgjakura historikisht me gjak shqiptarësh.

ATA folën, njëri në Mitrovicë e tjetri në Selanik, dhe folën vetëm siç di të flasë gjuha e goja e tyre e helmatisur antishqiptare dhe e mbarsur me urrejtjen ndaj vendit e popullit të cilit ti i përket.

ATA folën madje edhe kërcënuan e ulëritën kundër Shqipërisë e shqiptarëve, ndërsa TI i pari i shqiptarëve po hesht, ndaj dhe memecëria jote është sa e turpshme, burracake e zbythëse po kaq edhe e frikshme por edhe bashkëfajtore. Vuçiçi në Mitrovicë e filloi dhe e mbaroi fjalimin e tij ogurzi kundër shqiptarëve me emrin e Millosheviçit në gojë dhe nuk harroi të të kujtonte TY dhe sojit tënd se AI dhe Serbia e tij nuk kanë ndërmend kurrë ta njohin Kosovën. Ndërsa që nga Selaniku i pari i grekëve, Cipras ta bëri edhe njëherë tjetër të qartë se, AI dhe Greqia e tij, as e njohin dhe as kanë për ta njohur kurrë Çështjen Çame dhe se sipas tyre ajo as ka ekzistuar dhe as ekziston. Pra,

ATA, miqtë e tu për kokë folën, ndërsa ti po hesht. Dil pra edhe ti, dil e fol publikisht, dhe jepu përgjigje në emër të të qenit i pari i këtij vendi këndej dhe në emër të të qenit shqiptar, natyrisht, nëse pranon të jesh ende i tillë e, nëse e ndjen që ke ende gjak të tillë. Por druaj se po hesht, ngaqë nuk ke se ç’të flasësh e nuk ke se si t’u përgjigjesh, sepse siç thotë populli ynë, je i dhjerë nga koka tek këmbët dhe e ke gëlltitur prej kohësh atë të famshmen lugë çorbe të prishur, ndaj dhe do të duhet ta vjellësh gjithë jetës.

ATA vërtetë m… janë, por ama vendin e popullin e tyre e duan vërtetë dhe çfarë nuk kanë bërë e po bëjnë për Serbinë e Greqinë e tyre, e popujt e tyre. Po ti a ke ndonjë fjalë për të thënë për Shqipërinë tënde, se sa për të bërë ke kohë që ia ke bërë gropën aq të madhe sa nuk ka më zot nëne t’ia mbyllë. Ne presim të flasësh TI, por në fakt kot sa na gënjen mendja se në fakt ti nuk ke se ç’të flasësh asgjë dhe për asgjë, sepse nëse them se,

ATA që folën aq ashpër kundër vendit e kombit tënd i duan kombet e tyre, TI je krejt e kundërta e tyre. Ti Çamërinë ke kohë që e ke shitur dhe e ke tradhtuar duke bërë lloj lloj pazaresh të ndyra në kurriz të saj me grekët e pa besë të Ciprasit, Pavllopullosit, Kamenos e Kotziasit, vetëm e vetëm se iu beson të pabesëve të përjetshëm e fatkeqësisht fqinjëve tanë jugorë se do të të japin biletën e ëndërruar tënden të negociatave për në BE, që gjithnjë e më shumë po vjen erë të qelbur anti-shqiptarie. Ti Kosovën e ke bërë hasha prej kohësh dhe ia ke ngulur thikën pas shpine, se kështu të ka thënë Aleksandari yt, o me mua o me ata, dhe natyrisht qe ti zgjodhe të ecësh dorë për dore e qafë për qafë me atë mikun tënd për kokë serbin Alekandar duke shkelur cub-ërisht mbi gjakun e Kosovës martire dhe tash madje po kërkon edhe ti vesh traun ndarës në Kukës e Morinë, që ashtu sikurse e ëndërron Vuçiçi yt, shqiptarët kurrë e në jetë të jetëve të mos kenë asnjë lloj mundësie të jenë të bashkuar, një komb e një popull. Mirë Çamërinë e Kosovën i ke shitur e i ke tradhtuar prej kohësh, por problemi qëndron se TI ndryshe nga Vuçiçi e Ciprasi, nuk do as vendin e as popullin tënd, Shqipërinë e shqiptarët. Nuk i do kërkund për të mos thënë që i përbuz dhe i urren, sepse ke kohë që ç’nuk po bën për t’i poshtëruar e nëpërkëmbur, për t’i fyer e ofenduar, për t’i shitur e tradhtuar, për t’i varfëruar e për t’ia u bërë jetën ferr, për t’i tallur e turpëruar kudo e sa herë të të jepet rasti, për t’i vjedhur e grabitur etj etj, derisa po i detyron që aq dhimbshëm të marrin arratinë e të braktisin atdheun e tyre. Dhe kulmi është se kur të gjitha këto t’i bën një i çmendur e i dalë duarsh mendërisht, dhe ti o popull vazhdon ende ta mbash mbi shpatullat e tua e mbi kryet tënd, fatkeqësia bëhet edhe më e madhe akoma, ndërsa e nesërmja shndërrohet në terr e në errësirë të frikshme. Ndaj nëse,

ATA folën dhe thanë atë që thanë duke çuar ujë në atë mulli që deshën, Ti as fole e as ke ndërmend të flasësh e aq më pak kundër tyre, jo për gjë por se s’ke ç’të flasësh e s’ke ç’të thuash, sepse sikurse të thashë,

ATA të paktën e duan vendin e tyre ndërsa TI jo vetëm që nuk e do Shqipërinë, por je kundër asaj. Çamërisë e Kosovës ke kohë që ju ke vënë flakën dhe tani së bashku me

ATA miqtë e tu për kokë po ngroh duart në zjarrin antishqiptar. Ndaj dhe ta ripërsëris, o Edvin, se ka keq por ka edhe më keq, sepse keq janë, fjala vjen Vuçiçi e Ciprasi, por ti je edhe më i keq akoma se sa ata te dy të marrë së bashku.