Prof. Dr. Zamira Çavo: Politika e inatit mund të shtrydhë qelbin e vetvetes

663
Sigal

Ne shqiptarët jemi emotiv si popull. Dhe kur na pushton inati nuk ka gjykim që na hap sytë. Por ta shikosh inatin në politikë, apo “politikën e inatit” është diçka krejt tjetër. Politika është dhe duhet të jetë arti i të marrurit vesh, arti i bashkëpunimit dhe konsensusit. Por edhe këtu ne dallojmë nga të tjerët. Fundja edhe ata që kemi në krye janë si ne: Mendimtarë të pakët dhe inatçorë të mëdhenj. Nuk do ta konsideroja problem shprehjen e inatit në fjalimet e tyre parlamentare, në diskutimet, në opinionet e shumta “alla shqiptare”, në fjalorin e tyre ndaj kundërshtarit. Tashmë jemi mësuar me këtë inat gati gati fëminor, që shfaqet çdo ditë ekraneve tona. Por politika në funksionin e një shteti, nëse kalon nga inati çon në degjenerimin e shtetit dhe institucioneve të tij. Dhe kjo nuk shkakton thjesht një “ngërç institucional”. Politika e inatit thellohet deri në marrëzi politike. Historia ka dëshmuar me dhjetëra raste të tilla. Ndaj, kur inati ngërthen krerët e shtetit, pasojat bien mbi kurrizin e popullit. Sepse sjellja me inat e krerëve të politikës, apo institucioneve kryesore të shtetit, do të thotë humbje e gjykimit politik në interes të vendit, apo popullit. Ndaj, të shikosh sjelljen e Presidentit të Republikës ditët e fundit, nuk mund të mos dallosh një sjellje inatçori dredharak, që e ka shfaqur edhe herë të tjera si politikan, por tani si President me mosdekretimin e z Lleshi si ministër, me justifikimin se “nuk jam i bindur për kandidaturën”, sjellja e tij politike tregon thjesht një inat i shfaqur keqas, i pa kamufluar dhe i dëmshëm në sytë e opinionit publik. Asnjë justifikim institucional apo kushtetetushmërie nuk mund ta fshehë dot inatin e dukshëm në këtë sjelle politike. Përfundimi? Asgjë! Zhurma dhe shija e keqe e një inati të papërmbajtur, kthehen në bumerang për institucionin e Presidentit. Nga ana tjetër, Kryeministri, që me sjelljen e tij politike autoritare, kujton se vota e popullit e ka bërë mbret dhe ai tashmë ka të drejtën që: “Vetë të shkruaj, vetë të vulos dhe askush t’i thotë, Mos”! Kryeministri e shikon politikën si një fushë shahu, ku gurët, që ha janë koka institucionesh të shtetit, janë pra, njerëz që do duhet të drejtojnë këtë vend! Dhe tashmë inati mes të dy krerëve më të lartë të shtetit dukshëm do bjerë mbi kurrizin e popullit. Jo vetëm për rastin në fjalë, por mbi të gjitha për pasojat, që vijnë nga sjellja inatçore e krerëve të shtetit tonë. Sepse inati në këtë rast nuk është çështje e thjesht etike, por është çështje madhore politike. Personalisht, mendoj se ky inat tashmë do shkojë më thellë e, pikërisht për këtë arsye ka vetëm dy mundësi: Ose të sjellë një ndryshim pozitiv në të gjitha gjërat që janë bërë keq në politikën shqiptare, ose inati, sikundër thotë populli, “të çajë enën e vet”. Në të dy rastet mund të shohim nxjerrjen jashtë të qelbit të politikës!