Prof. Dr. Petrit Bara: Covid-19 kërkon zgjidhje, jo propaganda  

616
Sigal

Mjek kardiolog pranë Qendrës Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë

Prej disa javësh, Shqipëria dhe shqiptarët po përballen me shifra më të larta infektimesh nga Covid-19, e për pasojë, edhe me shumë jetë të humbura. Krahasuar me mbylljen totale që patëm nga fillimi i marsit 2020 deri në fundqershor, qartazi shifrat janë disafishuar. Ishte e pritshme apo jo një situatë e tillë nuk duket se ka shumë vlerë përballë debatit: Çfarë bëmë keq, ç’mund të mësojmë nga gabimet e deritanishme, dhe ç’mund të bëjmë më tej për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzore e për t’ia dalë kësaj pandemie globale? Sepse është mëse e qartë që, nëse edhe në ditët e javët e ardhshme do të shënohen këto ritme infektimesh dhe humbje jetësh, edhe mjekësh e infermierësh, sistemi i shëndetësisë rrezikon kolapsin. Dhe këtë situatë duhet ta shohim me syzet e ekspertëve të shëndetësisë që prej kohësh po japin alarmin, dhe jo me lentet e propagandës qeveritare, e cila, për fat të keq ende nuk e kupton situatën pandemike në Shqipëri. Është shumë e thjeshtë t’ua ngecësh fajin qytetarëve, “që nuk lajnë duart”, “që nuk përdorin maskat”, “që rrinë ngjit e ngjit”, etj, etj, e ndërkohë nuk i ke kërkuar llogari vetes, të paktën para pasqyrës: Çfarë bëmë e ç’po bëjmë, veç propagandës?

Të gjithë në front

Përpos të tjerave, që duhen zgjidhur me urgjencë, pasi situata nuk pret për “zgjidhje qeveritare”, duhet përfshirja në front e të gjithë punonjësve të shëndetësisë. Edhe e atyre socialë. Ata janë pjesë e rëndësishme e të gjithë zinxhirit të shërbimit shëndetësor në Shqipëri dhe nuk mund të injorohen. Situata kërkon që, bashkë me mjekët e familjes, edhe ata të jenë në front të kësaj beteje, pasi përqendrimi deri tani vetëm te qendra më e madhe universitare dhe tek Sanatoriumi po tregon se nuk e zgjidh problemin. Janë divizionet shtetërore që duhen përfshirë me skenarë (jo skenarë si në raste protestash që i ka qejf qeveria), por së pari ato duhen riaktivizuar, pasi kanë vite që janë lënë në mëshirë të fatit. Nuk ka patur spital rajonal pa një pavijon Infektivi, që fatkeqësisht sot nuk u gjendet as nami e as nishani, për shkak të politikave të gabuara qeveritare ndaj mjekësisë, politika që për hir të së vërtetës nuk filluan as dje e as sot, por shumë më herët. Ama, dje dhe sot i dhanë dërrmën shëndetësisë. Pikërisht, aktivizimi dhe përfshirja e këtyre divizioneve do të ndihmonte në përballimin sa më të lehtë të situatës me të cilën po përballemi prej shumë muajsh. Udhëheqësit qeveritarë duhet ta kenë parasysh këtë, pasi nuk ka përballë opozitën, me të cilën mund të bëjnë marrëveshje mbi dhe nën rrogoz, por përballë kanë shëndetin publik, për të cilin kanë përgjegjësi të madhe. Nga ana tjetër, përgjegjësi jo vetëm për shëndetin publik, por për gjithçka lidhet me shëndetin, kanë edhe kryebashkiakët dhe çdo drejtues tjetër lokal. As ata s’mund të jenë tëpërjashtuar asesi nga kjo sfidë, pasi menaxhojnë dhe kontrollojnë asete shumë të mëdha e që duhet t’i vendosin në shërbim të qytetarëve, me efikasitetin më të mirë të mundshëm. Ata dhe të tjerët që u kemi besuar të na qeverisin duhet të organizojnë të gjithë specialistët e shëndetit, që nga kardiologët, nefrologët e deri tek psikologët e psikiatrët, pasi shumë po pësojnë vdekje nga depresioni dhe arsye të tjera jashtë Covid-it. E meqë jemi të depresioni, në Shqipëri janë shënuar deri tani 4 vetëvrasje nga depresioni i shkaktuar nga coronavirusi. Për fat të keq, janë akte vetëflijimi të ndërmarra nga dritaret apo ballkonët e institucioneve shëndetësore ku fatkeqët kishin shkuar për kurim e shërim. Por për qeverinë, politikën dhe për udhëheqësit tanë, këto shifra “nuk janë asgjë”. Madje, duke i krahasuar me vende të tjera, 4 rastet shqiptare janë shumëpak. Në gjykimin tim modest, nuk gjen vend aspak krahasimi me vende të tjera përsa u përket vetëvrasjeve. Arsyet e tyre mund t’i shpjegojnë vetëm ekspertët e kësaj fushe dhe jo politikanët apo udhëheqësit. Këta të fundit mund të japin një shpjegim, nëse mund të quhet i tillë, vetëm nëse kanë përvoja personale.

Nga karantina te shmangia e përgjegjësisë

Shqiptarët përjetuan, në muajin mars, një mbyllje totale më shumë se dymujore. Njohur ndryshe si karantinë apo “lockdoën”, kjo masë eketreme ndërmerret kur epidemia ka dalë nga kontrolli ose kur sistemi shëndetësor dhe jo vetëm, është i papërgatitur për të përballuar epideminë. Në një situatë të tillë shteti merr përsipër përgjegjësi jo vetëm lidhur me shëndetin, por edhe me ekonominë, duke subvencionuar bizneset dhe financuar individët. Shqipëria, me një ekonomi të brishtë, dhe shqiptarët me një kuletë familjare të dobësuar ndjeshëm, e kanë të pamundur të përballojnë një karantinë të zgjatur apo një karantinë të dytë. Me një gjendje pandemike që vjen duke u përkeqësuar dita-ditës, me një sistem shëndetësor të drobitur, do të ishte fatale për shëndetin, shëndetin mendor, jetën sociale dhe ekonominë.

Gjatë karantinës së marsit, të shoqëruar me masa represive policore, pse jo dhe ushtarake, që për fat të mirë vetëm sa u demonstruan me një“parade” tankesh në “Rrugën e Durrësit”, qeveria dhe autoritetet e tjera shëndetësore kishin kohë të mjaftueshme për të hartuar një strategji të qartë, të konsoliduar dhe efikase për ta zbatuar pas karantinës. Por nuk ndodhi. Nuk u hartua asnjë strategji, asnjë plan. Gjithçka iu la, sikurse thuhet por nuk besohet, një Komiteti Teknik Ekspertësh, që megjithë respektin që kam për ta, mund të kishin bërë shumë e mund të bëjnë edhe më shumë, duke ia hapur sytë qeverisë që ta shohë realitetin e ta largojë nga propaganda e përditshme bajate. Pra, gjithçka gjasme iu la këtij Komiteti dhe shprehjes justifikuese “kështu bëjnë edhe vendet e tjera”.Për shkak të dritëshkurtësisë qeveritare dhe ekspertëve të saj sot jemi në një situatë therëse dhe alarmante njëherazi, ku jetët e humbura, vetëm për shkak të Covid-it, po shtohen nga dita në ditë.Nga centralizimi i plotë i përgjegjësive, në skenarin e karantinës totale, kemi kaluar te shmangia nga qeveria e çdo përgjegjësie dhe shkarkimi i tyre vetëm tek qytetarët dhe tek bizneset. Madje, madje, qeveria nuk po bën as balancim përgjegjësish, sikurse po ndodh në shumë vende evropiane, të cilave u referohet kur i intereson.

Ministria me dy “kunguj” të rëndë

Në emërtimin e saj zyrtar, Ministria e Shëndetësisë vijon me “e mbrojtjes sociale”, por askush nuk kujtohet për mbrojtjen sociale. Janë më mijëra e mijëra familjet shqiptare në kufijtë e mbijetesës. Kjo pandemi globale, përveçse nxori zbuluar propagandën e qeverisë “për investime fantastike në shëndetësi”, “për ndryshim rrënjësor në spitale”, për atë sloganin e famshëm por bajat “të shëndetësisë falas”, rrënoi edhe më tej financat e familjeve shqiptare. Pa u hyrë fare shifrave se sa u ka kushtuar një recetë e thjeshtë ilaçesh apo kurimi i plotë anti-Covid në shtëpi, shifra që janë marramendëse për një familje të varfër shqiptare, mund të them se vetëm mbrojtja sociale për shtresat në nevojë nuk duket kërrkund në horizont.

Shëndetësia patjetër që është shtyllë kryesore e shoqërisë, por po aq është edhe mbrojtja sociale, solidariteti dhe ndihma shtetërore ndaj të pamundurve. Shëndetësia dhe mbrojtja sociale janë “dy kunguj” të rëndë, që prej kohësh po i mban një ministre. Them “po i mban”, sepse në të vërtetë ajo po përpiqet të mbajë vetëm “kungullin” e shëndetësisë. “Kungulli” tjetër ose i ka rënë diku dhe askush s’po bën as përpjekjen më të vogël për ta kërkuar, ose është bërë copë e thërrime për shkak të mungesës së përgjegjësisë profesionale, pse jo dhe politike e më tej, publike. Ndaj, gjithë këto kohë e kemi dëgjuar zonjën ministre të “flasë” vetëm për shëndetësinë dhe hiç fare për mbrojtjen dhe ndihmën sociale. Një udhëheqës i përgjegjshëm do t’i kishte ndarë në dy dikastere të rëndësishme, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, ku secila shtyllë të trajtohej me rëndësinë dhe seriozitetin që i takon. Sepse njerëzit nuk vdesin vetëm nga Covid-i këto kohë. Vdesin edhe nga sëmundje të tjera, që askush nuk i vë në statistikë. Vdesin dhe nga depresioni e ankthi, siç vdesin dhe nga zemra, mushkëria, prostate, etj etj. Por mund të vdesin nga uria, nga mungesa e mbështetjes që duhet t’i japë qeveria dhe njësitë e saj nga kontributi ynë i përbashkët për këtë shtet: Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera. Ky kontribut i përbashkët jepet pikërisht edhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë, ata që janë të pamundur dhe jo për t’u shëndoshur edhe më shumë xhepat dhe kuletat e atyre që rrinë prapa qerres së qeverisë dhe makinave të ministrave. Mungesa e vëmendjes ndaj kësaj shtrese të pambrojtur të shoqërisë, në fakt, është një nga shumë mëkatet e kësaj qeverie, e cila mund t’i kufizojë PPP-të dhe Check Up-et dhe milionat e tyre t’ua shpërndajë me zemër të varfërve të këtij vendi që veçse po shtohen.

Një apel për kolegët

Së fundi, por jo për nga rëndësia, kam dhe një apel për kolegët e mi. Kjo pandemi, si shumë të tjera që ka kaluar dhe do të kalojë njerëzimi, këkron zgjidhje ekspertësh dhe jo propagandë. Ne duhet ta lëmë qeverinë të bëjë detyrat që i takojnë asaj për t’i bërë, por ne nuk duhet të bëhemi pjesë e fasadës së saj që po i del boja. Ne duhet të flasim, të ngremë zërin për gjithçka që shohim dhe kuptojmë se nuk funksionon siç duhet. Dhe jo të heshtim. Duhet të flasim nëse mungon organizimi sikurse duhet, dhe jo të heshtim, siç po “qepim gojën” edhe për mungesën e medikamenteve më bazikë në spitalet tona. Duhet të flasim. Nëse heshtim nuk ndihmojmë askënd. Qytetarët, qëna kanë besuar shëndetin, jo se jo.