Prof. Dr. Ago Nezha: Në Shqipëri profesori s’takon dot një ministër

179
Sigal

Fakti se termi Polifoni të hiqet nga faqja zyrtare e UNESCOS,  se isoja vjen nga mitologjia e sirenave greke dhe e ka gjenezën nga “muzika kishtare Bizantine bie ndesh me identitetin kombëtar shqiptar. Ky fakt tronditës duhet të shqetësoj më së shumti Ministren e Kulturës dhe Kryetarin e Akademisë së Shkencave si institucione përgjegjëse, pavarësisht se autorët janë paraardhësit e tyre, e pastaj Shoqatën Labëria

 Në një ceremoni organizuar në Universitetin Bujqësor për t’i dhënë titullin “Emeritus” akademikut profesor Sokrat Sinaj, i cili banon në Zvicër me një veprimtari të gjerë ndërkombëtare në fushën e mësimdhënies, me leksione në disa universitete të botës, veç të tjerave u shpreh se: “ Në perëndim një ministër e ka për nder të takoj një profesor, ndërsa në Shqipëri një profesor e ka për nder të takoj një ministër”. Kjo dukuri mentale e realitetit “demokratik “ në Shqipëri, nuk është risi, s’ka të bëjë me asnjë parti, por është futur si  filozofi e brezit të ri, që ka pronësuar karriget e pushtetit, duke harruar përkohësinë. Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, që s’ka asnjë  interes apo përfitim, veç ndjenjës kombëtare, organizoi një simpozium me pjesëmarrje të gjerë të intelektualëve të shquar, jo vetëm nga treva e Labërisë por mbarë Shqipërisë, ku kumtuan profesor dhe ekspert të Polifonisë, ku ishin të ftuar dhe Ministrja e Kulturës znj. Elva Margariti dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave, profesor Skënder Gjinushi. Ministrja Margariti, mu përgjigj se “ e kam të pa mundur për shkak të impenjimeve të programuara”. Krejt normale. I sugjerova që mund t’ia delegonte pjesëmarrjen një vartësi të saj, por kjo nuk ndodhi. Edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave, nuk asistoi në këtë simpozium, pa u prononcuar. Simpoziumi doli me një rezolutë që kërkon: “ të shbëhet emërtimi Isopolifoni, duke mbetur termi Polifoni dhe të hiqet nga faqja zyrtare e UNESCOS,  se isoja vjen nga mitologjia e sirenave greke dhe e ka gjenezën nga “muzika kishtare Bizantine  dhe se ajo shoqëron midis të tjerash edhe funeralet  e kremtimet fetare”. Kjo bie ndesh me identitetin kombëtar shqiptar. Ky fakt tronditës duhet të shqetësoj më së shumti Ministren e Kulturës dhe Kryetarin e Akademisë së Shkencave si institucione përgjegjëse, pavarësisht se autorët janë paraardhësit e tyre, e pastaj Shoqatën Labëria. Vërtet që ata nuk janë përgjegjësit direkt për këtë ëmërtim anormal, por kanë detyrimin institucional që të korrigjohet kjo marrëzi. Në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës Labëria, i kam kërkuar Ministres Margariti një takim me një grup ekspertësh të Polifonisë dhe ende nuk kam një përgjigje. Por presim dhe shpresojmë se do reagoi, pasi ky është një problem kombëtar, që nuk mund të bëjmë “Pazar”, me asnjë aktor shoqëror apo shtetëror qoftë, se ka të bëjë  me të mirën e përbashkët. Shqipëria ka ekspert dhe specialist të ditur e me eksperiencë të pasur, në çdo fushë të veprimtarisë ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Në vitet e “demokracisë” vërehet një dukuri epidemike, se shtetarët e rinj kur hipin në karrige, nuk e vlerësojnë përvojën e drejtuesve të vjetër, se i quajnë brez arkaik. Kjo situatë unike te pushtetarët e “demokracisë”, më kujton një rast kur punoja në Ministrinë e Bujqësisë si Drejtor i Shtypit dhe nformacionit. Në një bisedë në kafe, me shkencëtarin e shquar erudit, profesor Hysen Çobanin, (që ka shkëlqyer për rezultate të larta në prodhim ), më drejtohet me pyetjen: “ ore Ago, si shpjegohet që asnjë Ministër i Bujqësisë, i majtë apo i djathtë,  nuk më ka thirrur të  shkëmbejmë një mendim për punën, se pa para do ishte konsulta”. E pashë në sy dhe i thash: unë të mbajë për burrë të mençur profesor, por nuk qenke i tillë. Ai shtangu, mbeti i fyer dhe nuk po fliste. Vazhdova bisedën duke i thënë: se ministrat kur ulen në karrige nuk mendojnë çfarë do bëj un sot, por çfarë do vjedh sot. Po të bisedojnë me ty, t’i do ju trazosh mendimin dhe do humbasin orientimin drejt destinacionit të tyre. Kur i dhashë këtë përgjigje, u qetësua dhe më tha: “ke të drejtë, paskam gabuar në mendim”. Dija dhe eksperienca në Shqipëri, nuk përfillen nga brezi i ri. Filozofi ynë i shquar Sami Frashëri thotë se:  “Në qoftë se ka dy filozofë që nuk gabojnë, njëri nga këta është eksperienca”. Pikërisht eksperienca te ministrat e rinj, si koncept, është një vlerë e vjetëruar. Ky nuk është një konstatim i imi, apriori. Për ta vërtetuar këtë dukuri, shkoni në çdo ministri dhe kontaktoni me këshilltarët e ministrave. Do përballeni me këshilltar nën 30 vjeç. Ministrat adoleshent, këshilltarët pionierë. Ndaj dhe administrata e sotme është kaotike dhe e papërgjegjshme. Shtrohet pyetja, çfarë mund të këshillojë një i ri papërvojë pune, veçse të bëjë punën e sekretarit apo korrierit, që mban shënime dhe e dërgon ministri të mbarojë ndonjë porosi. Këshilltari presupozohet që ta këshillojë ministrin dhe çdo shtetar të lartë, për probleme kapitale, të sektorëve specialë, që vendosin fatet e prodhimit. Këtë rol mund ta luaj një specialist shkencëtar, që i ka kaluar të pesëdhjetat dhe mbart me vete një përvojë të gjatë, jo një adoleshent, që sapo ka dalë nga bankat e universitetit. Në një konferencë shtypi në Paris, e pyetën  gazetarët Zhak Shirakun, se si shpjegohet, që në çdo detyrë që ke kryer, nga Kryetar Bashkie, Kryeministër dhe deri President, ke qenë i suksesshëm? Ai, ju përgjigj: “ Kam qenë i suksesshëm se miqtë më të mirë kam pasur këshilltarët dhe armiqtë më të mëdhenj kam pasur këshilltarët, që janë ekspert të fushave të ndryshme. Ne debatojmë, kacafytemi dhe diskutojmë në zyrë, për të gjetur metodat më efikatëse për të zgjidhur problemet. Kur jemi në zyrë jemi kundërshtar në mendime, kur dalim nga zyra jemi miq”. Këshilltarët Shiraku nuk i kishte 25 vjeç, i kishte mbi 60 vjeç. Kur ulen në karrige ministrat harrojnë që nuk janë të përjetshëm dhe nuk i përfillin para ardhësit e vetë. Harrojnë se mendjen nuk ta jep karrigia. Ministër bëhesh me firmën e Kryeministrit për një çast, ndërsa profesor duhet të eksperimentosh e të shkruash disa vepra shkencore për shumë vite dhe të miratohesh me disa firma nga institucionet e bazës deri në instancat më të larta. Firma e Ministrit të Arsimit është firma e fundit.  Më kujtohet një fjalë e mençur e gazetarit dhe shkrimtarit Namik Dokle, kur ishte zv/Kryeministër, që i tha Dritëro Agollit, në një mbledhje në kryeministri: “Dritëro, hajde ulu në krye, se sa zv/Kryeministra janë ulur në këtë karrige, janë harruar, kurse ti s’ke për t’u harruar kurrë”. Filozofia e këtyre fjalëve është e qartë, të nderuar ministra, tregohuni më modest dhe mos harroni: “se mentë nuk t’i jep karrigia”.